Polemika mbi emërtimet e monumenteve në Washington

Një grup pune i ngarkuar nga qeveria e kryeqytetit Washington, ka rekomanduar riemërtimin, zhvendosjen ose ndryshimin e kontekstit shpjegues për dhjetëra monumente, shkolla, parqe apo ndërtesa, për shkak se figurat historike që lidhen me to kanë qenë pjesëmarrëse në akte skllavërie ose shtypjeje racore. Në listë janë Monumenti i Xhorxh Uashingtonit dhe Përmendorja e Tomas Xhefersonit.

Disa nga propozimet në raportin e publikuar të martën nuk mund të merren fare në shqyrtim, sepse shumë prej monumenteve dhe statujave më të njohura janë ngritur në truall federal, që është jashtë kontrollit të qeverisë së Washingtonit. Megjithatë, rekomandimet kanë nxitur reagime të ashpra në klimën e një debati mbarëkombëtar mbi historinë racore të Amerikës.

“Për sa kohë që Presidenti Trump të jetë në Shtëpinë e Bardhë, rekomandimet e papërgjegjshme të kryebashkiakes absolutisht as që do të shqyrtohen. Si kryetare bashkie e kryeqytetit të vendit tonë – një qytet që i përket popullit amerikan – asaj duhet t’i vijë turp që sugjeron gjëra të tilla për t’u shqyrtuar,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany në një deklaratë të martën.

Grupi i punës, i njohur si DCFACES, u formua nga kryebashkiakja e Uashingtonit Muriel Bowser gjatë verës, në atmosferën e një vale protestash mbarëkombëtare mbi atë që protestuesit e quajnë brutalitet i policisë dhe pabarazi racore sistematike që përfshiu edhe Washingtonin. Ajo publikoi të martën një përmbledhje ekzekutive prej 24 faqesh.

Disa nga rekomandimet e grupit priteshin qysh më parë; për shembull, Shkolla e Mesme Woodrow Wilson ka qenë prej vitesh një kandidate kryesore për një ndryshim emri, për shkak të mbështetjes së hapur të Wilsonit për ndarjen racore. Të tjerat janë më të diskutueshme, siç janë propozimet për të riemërtuar shkollat që mbajnë emrat Tomas Xheferson, Benjamin Franklin dhe Francis Scott Key, kompozitori i hymnit amerikan “The Star-Spangled Banner”.

Për statujat dhe monumentet e shumta që ndodhen në truall federal, komisioni i rekomandon zonjës Bowser të kërkojë nga qeveria federale të “heqë, zhvendosë ose ri-kontekstualizojë” monumente të tilla si ai i Xhorxh Uashingtonit, Përmendorja e Xhefersonit dhe statuja e Kristofor Kolombit përballë stacionit qendror të trenit në kryeqytet.

Grupi i punës, në përmbledhjen e paraqitur, shpjegon se është përqendruar tek disa “episode historike kyçe që i skualifikon këto monumente, si pjesëmarrja në skllavëri, racizmi, keqtrajtimi ose veprimet që shtypën barazinë për personat me ngjyrë, gratë dhe komunitetet LGBTQ apo shkelja e Aktit për të Drejtat Njerëzore në Uashington DC.”

Raporti nuk jep hollësi se si do të bëhej “ri-kontekstualizimi”, por kohët e fundit ka pasur rekomandime që në monumentet e Xhefersonit dhe Uashingtonit të shtohen pllaka ku të shpjegohet se ata kanë qenë pronarë skllevërish për një kohë të gjatë.

Zonja Bowser tha të martën se mezi priste të shikonte rekomandimet e grupit të punës, që ajo kishte ngarkuar për të “vlerësuar hapësirat publike për të siguruar që trashëgimia e figurave në fjalë të ishte në përputhje me vlerat e kryeqytetit Uashington”.

Kryebashkiakja Bowser ka shumë pak kompetencë për të kontrolluar atë që ndodh në truall federal. Ajo dhe Këshilli Bashkiak luftuan për vite me radhë për të hequr një statujë të ish gjeneralit të Konfederatës Albert Pike, por nuk patën sukses, sepse statuja ndodhej në truall federal. Në qershor, qindra protestues e rrëzuan statujën ndërsa policia e qytetit mbajti distancë dhe nuk ndërhyri/VOA / KultPlus.com

Vushtrria e pasur me objekte të trashëgimisë, ministri i MKRS-së premton investime

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Komunën e Vushtrrisë ku është takuar me kryetarin e Komunës, Bajram Mulakun, me të cilin ka biseduar rreth bashkëpunimit ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Vushtrrisë në fushat e interesit të përbashkët, veçmas për projektet të cilat janë realizuar dhe projektet që janë të planifikuara për të ardhmen në fushën e trashëgimisë kulturore, kulturës, rinisë dhe sportit, përcjellë KultPlus.

Mulaku e informoi ministrin Gashi për fazën se ku kanë arritur investimet e MKRS-së që po realizohen momentalisht në Vushtrri si dhe për aktivitet që organizohen në fushën e rinisë, kulturës dhe sportit në këtë komunë, me 36 klubet që ka Vushtrria. Ai theksoi se Vushtrria është e pasur me objekte e monumente të shumta të trashëgimisë kulturore. Po ashtu, veçoi festivalin “Poeteshat” me një traditë të gjatë, që sivjet do të jetë edicioni i 35-të, e që pritet të organizohet gjatë tetorit.

Në kuadër të investimeve kapitale, në takim u diskutua për projektet konkrete që pritet të hyjnë në planifikim për t’u realizuar në të ardhmen siç janë: ndërtimi i Qendrës së re të Kulturës “Hasan Prishtina”, meremetimi i stadiumit të qytetit, restaurimi i tërësishëm i Urës së Gurit dhe një hulumtim arkeologjik mbi historikun e urës që do të faktojë vërtetësinë e saj.

Në lidhje me këtë të fundit, ministri Gashi, bashkë me kryetarin Mulaku, panë në vend të ngjarjes, gërmimet dhe zbulimin e harqeve të reja që është bërë te Ura e Gurit në Vushtrri, të cilat është duke i zhvilluar Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës. Vlerësohet se zbulimi i dy harqeve të reja që është bërë në këtë lokalitet i rrëzon tezat e mëhershme që pretendohej se ura i ka nëntë harqe.

Ardiana Qorraj, udhëheqëse e gërmimeve, e informoi në hollësi për punën restauruese që po bëhet në këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore jo vetëm të Vushtrrisë por të Kosovës. Në kuadër të restaurimit të urës, si një ndërhyrje emergjente, ka ardhur deri tek zbulimi i harqeve të reja të urës, u shpreh Qorraj.

Ministri Gashi tha se Vushtrria do të ketë vëmendjen dhe përkrahjen e pakursyer të MKRS-së në realizimin e projekteve që janë në realizim e sipër dhe atyre që do planifikohen për të ardhmen. Ai u shpreh se është e nevojshme që të ndërhyhet shpejtë në restaurimin e Urës së Gurit, sepse përpos që është një monument në mbrojtje, ai përfaqëson një identitet dhe një histori në vete për Vushtrrinë por edhe më gjerë.

Gjithashtu, Gashi e Mulaku vizituan edhe Qendrën Rinore i cili është në fazën përfundimtare të ndërtimit, e që do të jetë një hapësirë me standarde moderne për të rinjtë vushtrrias, investim i tërësishëm i MKRS-së, në vlerë prej 275 mijë eurove dhe shtëpinë muze të Mahmut Agë Gjinollit, në të cilat MKRS-ja ka investuar 140 mijë euro. / KultPlus.com