Përurohet shtëpia muze e Katarina Josipit

Në fshatin Zym të Prizrenit, është bërë përurimi i shtëpisë muze të aktores së madhe dhe ikonike të Kosovës, Katarina Josipi, projekt në të cilin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka investuar rreth 50 mijë euro, e cila është një monument i trashëgimisë kulturore në Zym të Prizrenit dhe që i kategorisë arkitekturore.

Në ceremoninë e përurimit mori pjesë edhe ministri Kujtim Gashi e cili e vlerësoi se gradualisht fshati Zym po shndërrohet në një pikë turistike të Kosovës.

“Është kënaqësi e veçantë që të marrim pjesë në një fshat të veçantë të Kosovës, i cili trajtohet me një ligj të veçantë, Ligji për fshatin Zym dhe pa dyshim që përkushtimi i jonë për këtë vendbanim të rëndësisë së veçantë dhe të trashëgimisë kulturore por edhe i imi si ministër është tejet i rëndësishëm. Edhe më herët disa ministra janë marrë me këtë projekt, i cili është stërzgjatur shumë. Ne, duke pas parasysh rëndësinë dhe specifikat që ka pasur ky projekt, natyrisht që është dashtë një punë e madhe dhe përkushtim për ndryshim brenda projektit”, tha ministri.

“Mbi të gjitha këtë objekt ia dedikoj një njeriut që ka punuar shumë për këtë projekt, Fikret Tekvesh, i cili nuk është më mes nesh, i cili me përkushtim të madh është angazhuar në këtë projekt. Ua uroj të gjithëve këtë projekt, sidomos qytetarëve të Zymit”, ka thënë Gashi.

“Fshati Zym tashmë po kthehet në qendër turistike. Po besoj që jemi në rrugë të mirë me ngrit edhe shtatoren e Pjetër Bogdanit. Edhe për ekspozitën sepse do të jemi prapë këtu, është fazë tjetër besoj shumë shpejtë do ta kemi dhe do të jemi prapë bashkë”, tha Gashi.

Nikollë Dura, familjar i Katarina Josipit, tha se e ka mirëpritur këtë projekt edhe pse e ka quajtur si të vonuar.

“I falënderojë të gjithë, posaçërisht ministrin. I përshëndes edhe shumë ministra të tjerë, 5 janë ndërruar deri këtu, ju e keni tash nderin më të madhin. Ma ne fund na erdhi puna për tu falënderuar për të gjitha që keni bërë edhe pse pak me vonesë nuk më ka penguar mua pse jemi vonuar”, ka thënë Dura.

Ministri Gashi : Kultura dhe trashëgimia jonë kulturore është pasaporta shqiptare, që qarkullon sot në gjithë botën

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi,  mori pjesë në hapjen e festivalit “Hasi Jehon”, ky festival tradicional në jubileun e 30 të tij u organizua nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Me këtë rast, ministri Gashi tha se “për ne si Ministri e Kulturës  ka qenë dhe do të mbetet prioritet përkrahja e të gjitha aktiviteteve kulturore, përmes të cilave ruhet dhe transmetohet trashëgimia jonë kulturore”.

“Festivali “Hasi Jehon”,  këtë vit shënon vitin jubilar, dhe kjo është dëshmia më e mirë se si ruhet kultura jonë  dhe bartet nga brezi në brez. Para tridhjetë viteve Shoqëria Kulturore “Malësori” kishte marrë iniciativën për ta organizuar këtë festival dhe ka qenë në hapat e parë të jetës së saj kulturore, ndërsa sot është bërë një shoqëri me renome botërore, sepse me programin e saj të pasur kulturo artistik dikur bëri jehonë në Gllogoc , pastaj në Festivalin Botëror në Zagreb, prej nga u ftua edhe në shumë festivale tjera, por që nuk arriti të merr pjesë për ta prezantuar traditën e pasur të Hasit dhe të Kosovës në përgjithësi”, tha ministri Gashi.

Tutje ministri Gashi theksoi se “Ekspertët e fushave duhet të kenë hapësirë më të madhe për t’i dhënë shpirt traditave, e në veçanti veshjeve shumë kolorite, që i kanë sot artistët e shumtë, të cilët mbase në mungesë të njohjeve të duhura  mund të bëjnë ndonjë gabim, duke bartur një veshje të rikonstruktuar jashtë traditës, apo edhe ndonjë valle jashtë traditës sonë muzikore. Prandaj ka ardhur koha, që çdo vepër artistike të jetë e punuar nën mbikëqyrjen e ekspertëve e jo ata të injorohen, sepse vetëm nëse bashkëpunojmë në mes veti do të kemi suksese më të mëdha”.

Po ashtu, ministri Gashi uroi të gjithë pjesëmarrësit e këtij festivalit dhe tha se  “ju uroj suksese të gjithë pjesëmarrësve, gjatë tre netëve të festivali, dhe uroj të vlerësohen më meritorët, dhe në mënyrë më të mirë të mundshme t’i ruajnë traditat tona, me të cilat do të na prezantojnë në festivalet ndërkombëtare, dhe nuk do të ju mungojë ndihma e ministrisë, që e drejtoj unë, sepse kultura dhe trashëgimia jonë kulturore është pasaporta shqiptare, që qarkullon sot në gjithë botën edhe pa vizat, që po na i mohon pa të drejtë Bashkimi Evropian”. / KultPlus.com

Artistët bashkë me ministrin Gashi festojnë rritjen e pagave (LIVE)

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi dhe disa artistë të institucioneve të kulturës kanë nisur të festojnë rritjen e pagave.

Artistët dhe MKRS-ja kanë organizuar një koktej në një hotel luksoz në periferi të kryeqytetit të Kosovës, transmeton Koha Ditore.

Në këtë ngjarje do të ndahen edhe mirënjohje për disa punonjës të institucioneve vartëse të MKRS-së të cilët janë pensionuar kohëve të fundit.

Një organizim i tillë ishte planifikuar të bëhej qysh kur Qeveria e Kosovës kishte miratuar Rregulloren nëpërmjet të cilës u janë ngritur pagat krijuesve, performuesve dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore. /KultPlus.com

Ministri Gashi: Strategjia e Kulturës të përfshijë konsultime të të gjithë akterëve

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka takuar grupin punues për Strategjinë e Kulturës, cili do të jetë një dokument i ri strategji gjithëpërfshirës për këtë fushë.

Në grupin punues të përpilimit të këtij dokumenti strategjik për fushën e kulturës do të ketë të përfshirë përfaqësues të organizatave qendrore të kulturës, të nivelit lokal, ekspertë të fushës dhe nga shoqëria civile. Gjithashtu, në faza të ndryshme të procesit do të konsultohen edhe ekspertë ndërkombëtarë.

“Kultura është një fushë e gjerë dhe ka rëndësinë e pazëvendësueshme në shoqëri. Si ministri do të kemi kujdes të veçantë dhe do të përpiqemi që buxheti për kulturë të rritet edhe më shumë sepse përmes fushës së kulturës mbahet lart shpresa në shoqëri dhe krijohet një imazh edhe për Kosovën brenda dhe jashtë saj”, është shprehur mes tjerash ministri Gashi.

Ministri Gashi u ofroi përkrahjen e plotë të MKRS-së grupit punues. Ministri u shpreh se strategjia e cila do të hartohet, të jetë dokument që orienton për vlera të mirëfillta krijuese e kulturore, me objektiva të arritshme dhe të qarta./ KultPlus.com

Qeveria e Kosovës miraton koncept dokumentin për Teatrot

Sot, në mbledhjen e Qeverisë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka propozuar për miratim koncept Dokumentin për Teatrot, dokument ky që nis procedurën për nxjerrjen e një politike të re sa i përket stabilitetit dhe funksionimit normal të teatrove nëpër komunat e Kosovës.

Ministri Gashi tha: “Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021, në funksion të përkrahjes dhe avancimit të sektorit kulturor, ka paraparë një mori masash e objektivash sikurse rishikimi përkatësisht avancimi i kornizës ligjore dhe hartimi i politikave të reja publike që garantojnë pavarësi financiare për institucionet e kulturës dhe menaxhim efikas të përgjegjësive; krijim të politikave të reja kulturore me programe në përkrahje të artistëve dhe nismave kulturore, ristrukturim dhe riorganizim të institucioneve vartëse për kulturë, promovim të kulturës dhe ngritjes së komunikimit kulturor; edukimit; aftësimit dhe pjesëmarrjes aktive në jetën kulturore”.

Po ashtu ministri tha se ”me miratimin e këtij dokumenti i hapet rrugë funksionimit normal të teatrove të komunave që aktualisht nuk janë në gjendje të mirë”.

“Duke pasur parasysh rëndësinë dhe nevojën e avancimit të kornizës ligjore në fushën kulturës në Republikën e Kosovës kërkoj nga ju që të aprovohet ky koncept dokument”, shtoi ministri Gashi./KultPlus.com

Ministri Gashi: Dokufest nga një festival, në një institucion i veçantë i kulturës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, organizon pritje për pjesëmarrësit e Festivalit “Dokufest”. Gjatë këtij organizimi, Ministri Gashi tha se Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DOKUFEST është ngjarja më e rëndësishme kulturore jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

“Përgjatë ditëve sa mbahet festivali, qyteti i Prizrenit vërshohet nga mijëra vizitorë nga shumë vende të botës. Filmat shfaqen në disa kinema, duke përfshirë edhe kinematë nën qiellin e hapur. Ky festival është një ngjarje e cila e ka bërë të njohur Prizrenin dhe Kosovën gjithandej botës, veçanërisht tek artistët dhe te industria e filmit”, ka thënë ministri Gashi.

Ministria e Kulturës ka mbështetur fuqishëm organizimin e festivalit të sivjetshëm e cila si ngjarje kulturore po e promovon Kosovën gjithandej, duke sjellur shumë filma e artistë në Prizrenin e bukur ka thënë ministri Gashi.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporit, duke e pasë gjithmonë parasysh rezultatet e mëdha të artistëve, krijuesve dhe performuesve tanë, e veçanërisht njerëzve të filmit, të cilët po e promovojnë Kosovën në mënyrën ma të mirë të mundshme në gjithë botën, e një prej tyre është edhe ngjarja më e madhe kulturore, siç është festivali DokuFest, të cilin me plot të drejtë mund ta quajmë jo vetëm festival, por edhe një institucion i veçantë i kulturës në Kosovë tha ministri Gashi.

“Gjithmonë duke i pasë parasysh rezultatet e këtij festivali, por edhe të filmave tanë gjithandej botës, para dy tre ditësh kemi marrë vendim që buxhetin e Qendrës Kinematografike të Kosovës, i cili ka qenë diku rreth 750 mijë euro, ta rrisim për 100 përqind, me qëllimin e vetëm që gjithë njerëzit që e punojnë filmin të kenë mbështetjen e duhur të shtetit”, ka thënë Gashi

Ndërsa drejtori artistik i Dokufest-it Veton Nurkollari tha që “Dua ta shfrytëzoj këtë rast dhe ta falënderoj ministrin për lajmin e jashtzakonshëm, për dyfishimin e buxhetit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, që në përkthim do të thotë më shumë filma nga Kosova për Kosovën, më shumë njohje ndërkombëtarisht me anë të filmit dhe unë shpresoj që ai dyfishim të trefishohet, katërfishohet dhe të kemi sa më shumë suksese”, shtoi Nurkollari./KultPlus.com

Ministri Gashi: Rinia si pjesë vitale e shoqërisë, do të trajtohet me meritë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në ceremoninë e lansimit të projektit “Ndërmjetësimi në punë për të rinjtë – në skemat: Trajnim në Punë dhe Praktikë në Punë”. Ky projekt financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Departamenti i Rinisë.

Ministri Gashi tha se “Rinia përbën pjesën me vitale të shoqërisë andaj si e tillë meriton të trajtohet në mënyrën e duhur. “Unë si Ministër, jam zotuar që do ta kem në fokus rininë, gjë të cilën po e dëshmojmë në vazhdimësi, e padyshim që edhe projekti i sotëm të cilin po e lansojmë ka të bëjë direkt me çështjen me preokupuese siç është punësimi” Që nga dita e parë e marrjes së detyrës kemi një orientim të ri sa i përket rinisë, vetëm për një qëllim, që t’u dalim në ndihmë dhe përkrahje dhe t’i ndihmojmë në çështjen e punësimit” “Ne e kemi një prioritet të veçantë edhe në ndarjen e buxhetit dhe siç e dini departamenti i rinisë do të jetë fokus i veçante në vitin 2019”, tha ministri Gashi.

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është që të ofrojmë shërbime të punësimit që përfshijnë veprimtarinë për këshillim, orientim në karrierë, trajnim të punëkërkuesve dhe të papunëve të rijnë dhe ndërmjetësim tek punëdhënësit në skemën e trajnimit në punë dhe praktika në punë. Për arritjen e këtij objektivi ky program do të ofroj ‘’Praktikë Pune’’ dhe ‘’Trajnim në Punë’’ për së paku 200 të rinj në tërë rajonet e Kosovës si masa për nxitjen e punësimit të rinjve. Projekti synon të avancoj njohuritë dhe kompetencat e të rinjve të moshës 18-24 vjeç të zonave rurale në të gjitha Rajonet e Kosovës, përmes skemës së Trajnimit në punë dhe skemës së Praktikës në punë tha ministri Gashi .

Me pas Gashi shtoi se Programi është i koncentruar në dy skema të punësimi: Trajnimi në Punë, ku përfshihen trajnime të individualizuara. Kjo skemë do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat në të cilin do të përfshihen së paku 100 të rinj të cilët nuk kanë ndonjë kualifikim të caktuar. Këta të rinj do të angazhohen nëpër biznese për një periudhë kohore së paku 6 muaj. Në muajin e parë dhe të tretë biznesi do të obligohet të mbulojë shpenzimet në vlerë 150 Euro për muaj, ndërsa 4 muaj të tjerë, pagesa do të mbulohet nga projekti. Të rijnë të pakualifikuar do të marrin trajnim në punë për t’i zhvilluar shkathtësitë, njohuritë dhe kompetencat të cilat janë të nevojshme për të kryer punë specifike brenda vendit të punës dhe mjedisit të punës. Praktikë pune, ku do të përfshihen së paku 100 të rinj, të cilët kanë një kualifikim të caktuar, por të cilët kërkohen që të praktikojnë njohurit e fituara në ambiente reale pune. Të rinjtë në këtë skemë do të angazhohen në një periudhë kohore së paku 3 muaj, ku muajin e parë bizneset do të mbulojë shpenzimet në vlerë prej 150 Euro, ndërsa dy muajt e fundit, shpenzimet do të mbulohen nga projekti. Praktikantët do të mësojnë së paku që të aplikojnë njohuritë e tyre të fituara në një botë reale të mjedisit të biznesit.

Ndërsa Xhevat Bajrami drejtori i Departamentit të Rinisë, tha se MKRS këtë vit ka prioritet rritjen e punësimit të rinisë në Kosovë. Ne si ministri këtë vit jemi duke u angazhuar në maksimum. Që nga ditët e para ministri ka thënë se është i fokusuar në rini. Ky Rektori në Kolegjin Evropian të Kosovës.

Ali Bajgora tha se ky aktivitet i dedikohet një kauze shumë të veçantë “Ne si implementues të projekti falënderojmë ministrinë për kontributin dhe bashkërisht do të kontribuojmë avancimit të rinisë së Kosovës. Me qasjen e kompanive vendore ky projekt do të marr qasje konkrete. 40% do të jenë femra kryesisht nga zona rurale”. Ky program do të ofrojë “Praktikë Pune” dhe “Trajnime në Punë” për së paku 200 të rijnë në moshën 18-24 në tërë rajonet e Kosovës si masë për ngritjen e punës./KultPlus.com

Ministri Kujtim Gashi viziton Parkun Arkeologjik Ulpiana

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Parkun Arkeologjik Ulpiana, për të parë nga afër punimet që po zhvillohen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, punimet tjera në bashkëpunim me UniversitetinL’Ecole Normale Superiore-Paris dhe Universitetin e Prishtinës, sipas marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar.

Gjatë kësaj vizite ministri Gashi u shpreh: “Sot jam këtu që të shoh nga afër punimet të cilat po zhvillohen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, në procesin e gjurmimeve të rregullta arkeologjike, të konservimit-restaurimit por edhe të mirëmbajtjes së parkut arkeologjik në përgjithësi. Po ashtu, gjatë kësaj vizite dua të shoh nga afër punime tjera specifike të cilat zbatohen në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, universitete dhe institucione tjera shumë të rëndësishme e që në rastin e Ulpianës kanë qenë në numër të konsiderueshëm”.

Ai tha se e vlerëson angazhimin e Institutit Arkeologjik, arkeologëve, profesorëve të Universitetit L’Ecole Normal Superiore Paris (me karakter shkencor, kulturor dhe profesional) dhe atyre të Universitetit të Prishtinës. Po ashtu ministri përgëzoi studentët e Universitetit Veror që iu kanë bashkangjitur këtij ekipi profesional.

Ministri Gashi tha se Parku Ulpiana do të ketë mbështetje të vazhdueshme: “Parku Arkeologjik Ulpiana, do të ketë mbështetje të vazhdueshme deri në funksionalizimin e plotë të tij, në kuptimin e punimeve, krijimit të kushteve më të mira për vizitorë dhe promovimit të këtij parku”. Ai i inkurajoi që këtë mbështetje ta kthejnë në angazhime të shtuara dhe në shkëmbim të përvojave mes kuadrosh profesionale dhe që gjeneratave të reja tu mundësohet të marrin më shumë njohuri dhe përvojë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, theksoi se “nga ky park, paraprakisht lokalitet arkeologjik ka shumë të rinj që kanë filluar angazhimin e tyre si praktikantë, kurse sot studiojnë në universitete prestigjioze në Evropë por edhe udhëheqin projekte të gërmimeve brenda Kosovës. E rikonfirmoj se është shembulli më i mirë që duhet ndjekur”.

Në fund të fjalës së tij, ministri Gashi tha se nga ekipi përgjegjës pret që “të finalizoj Planin e Menaxhimit dhe një botim, në formë të Monografisë për Parkun Arkeologjik Ulpiana./KultPlus.com

Ministri Gashi viziton këngëtaren Nexhmije Pagarusha në spital

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar në spital, bilbilin e gjuhës shqipe, këngëtaren Nexhmije Pagarusha pas aksidentit të pësuar në banesën e saj, shkruan KultPlus.

Ministri Gashi u informua për së afërmi për gjendjen shëndetësore të këngëtares së madhe Pagarusha dhe u shpreh i lumtur që gjendja e saj është e mirë dhe që fatmirësisht nuk ka pësuar ndonjë lëndim më të rëndë pas aksidentit të mbrëmshëm.

“E vizitova krenarinë kombëtare, bilbilin e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, dhe u interesova personalisht për gjendjen e saj shëndetësore dhe ndjehem jashtëzakonisht i lumtur e i gëzuar që ajo është në gjendje të mirë dhe nuk ka pësuar ndonjë lëndim serioz. I dëshiroj shërim sa më të shpejtë këngëtares dhe në anën tjetër dua të falënderoj tërë ata që janë përkujdesur për shëndetin e saj, që nga stafi mjekësor edhe studentet që kanë ndërhyrë për ta ndihmuar këngëtaren tonë të madhe”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi.

Ministri i ka ofruar këngëtares Pagarusha mbështetjen e plotë të MKRS-së për çfarëdo që është e nevojshme për këngëtaren./KultPlus.com

Ministri Gashi priti në takim Ansamblin ‘Shota’ pas suksesit të tyre në Festivalin Ndërkombëtar ‘Vitosha Folk Fest 2018’

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim përfaqësues dhe valltarë të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, pas pjesëmarrjes së tyre të suksesshme në Festivalin Ndërkombëtar “Vitosha Folk Fest 2018”, në të cilin u shpërblyen me tri çmimet kryesore të festivalit, përcjellë KultPlus.

Ministri Gashi uroi Ansamblin për çmimet e marra dhe i përgëzoi ata për punën që po bëjnë në promovim traditave muzikore shqipe. “Për mua është një kënaqësi e veçantë kur ka rezultate të mira. Na keni bërë të ndihemi mirë si Ministri si pjesë e juaja në kuptimin institucional. Unë ju përgëzoj për arritjet dhe për çmimet që keni marr”.

Ai po ashtu tha “rezultatet e arritura të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” na bëjnë të ndihemi krenarë e sidomos rezultatet e arritura në gara të mëdha jashtë vendit”.

Ministri i falënderoi për kontributin e dhënë dhe po ashtu bëri me dije se Ministria do të vazhdojë të mbështes Ansamblin “Shota”: “ne do të vazhdojmë të ju mbështesim si Ministri dhe ju falënderoj për angazhimin dhe kontributin që jepni”.

Ushtruesi i detyrës së Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Nazmi Demaj, falënderoi ministrin për pritjen e tij. Ai tha se “Ansambli gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë në nivel. Ne çdo herë kemi sjellë nga jashtë çmime, në të gjitha garat në të cilat kemi marrë pjesë, jemi shpërblyer me çmime të para e të dyta”.

Ndërkaq profesori nga Shqipëria, koreografi Fehmi Shaqiri, u shpreh po ashtu i kënaqur me pritjen e ministrit Gashi. Duke folur për sukseset dhe të arritura e ansamblit “Shota”, Shaqiri theksoi “Ne si Ansambël kemi folklor shumë të madh dhe nuk ka ambasador më të madh dhe më të fuqishëm se sa ansambli “Shota”. / KultPlus.com

Në Ditën Botërore të Poezisë, përkujtohet Gani Xhafolli dhe përurohet libri “Gani Xhafolli Princ i letërsisë për fëmijë”

Në kuadër të aktiviteteve që janë organizuar në Kosovës për Ditën Botërore të Poezisë, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është organizuar manifestim kulturor në përkujtim jetës dhe veprës së shkrimtarit Gani Xhafolli.

Me këtë rast, është përuruar edhe libri i autorëve Reshat Sehitaj dhe Asllan Qyqalla “Gani Xhafolli Princ i letërsisë për fëmijë”.

Në aktivitetin e organizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka marrë pjesë edhe ministri Kujtim Gashi, i cili, aktivitetin në fjalë, e ka konsideruar si aktivitetin më të mirë e më adekuat për ta shënuar Ditën Botërore të Poezisë.

“Jam shumë i nderuar që sot bashkë me ju po shënojmë Ditën Botërore të poezisë, me një aktivitet të veçantë për një njeri të veçantë të letërsisë sonë për fëmijë, siç është princi letërsisë për fëmijë, shkrimtari i mirënjohur dhe i dashur për të gjithë ne, Gani Xhafolli”, është shprehur ministri Gashi duke e uruar edhe komunitetin e shkrimtarëve për këtë ditë të shënuar.

Ministri Gashi, duke folur për veprimtarinë e shkrimtarit të ndjerë, Gani Xhafolli, solli në vëmendje se ai është përkthyer në gjuhë të huaja, duke depërtuar kështu tek lexuesit anglez, francez e spanjoll.

“Për vlerën dhe rëndësinë e veprës dhe krijimtarisë së Gani Xhafollit flasin edhe vështrimet e kritikëve letrar të cilët e pasqyrojnë mendimin e thellë e botën e pastër shpirtërore të poetit që depërton përmes vargut në botën e fëmijëve shqiptar që janë edhe këta fëmijë sit ë gjithë fëmijët e botës dhe poezia jonë po depërton edhe jashtë kufijve, po përkthehet, po lexohet e po pasurohet me poezinë e shkrimin shqip”, ka thënë ndër të tjera në fjalën e tij ministri.

Ministri ka theksuar se MKRS-ja i përkrah shkrimtarët dhe botuesit nëpërmjet politikave që janë në dobi të kultivimit dhe nxitjes së kreativitetit në artin letrar.

“Ne, Ministria e Kulturës, aktivitetet që kanë peshë e rëndësi të veçantë për krijuesit letrar, artistët, sportistët dhe rininë gjejmë forma, mundësi e kushte për t`i përkrahur, mbështetur e për t`i avancuar vlerat e mirëfillta letrare e artistike. Një prej këtyre evenimenteve të rëndësishme për kulturën , letërsinë e krijimtarinë shqipe është edhe ky eveniment që sot, në Ditën Botërore të Poezisë poeti ynë i shquar në letërsisë për fëmijë Gani Xhafolli”, ka thënë ministri./ KultPlus.com

Vushtrria e pasur me objekte të trashëgimisë, ministri i MKRS-së premton investime

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Komunën e Vushtrrisë ku është takuar me kryetarin e Komunës, Bajram Mulakun, me të cilin ka biseduar rreth bashkëpunimit ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Vushtrrisë në fushat e interesit të përbashkët, veçmas për projektet të cilat janë realizuar dhe projektet që janë të planifikuara për të ardhmen në fushën e trashëgimisë kulturore, kulturës, rinisë dhe sportit, përcjellë KultPlus.

Mulaku e informoi ministrin Gashi për fazën se ku kanë arritur investimet e MKRS-së që po realizohen momentalisht në Vushtrri si dhe për aktivitet që organizohen në fushën e rinisë, kulturës dhe sportit në këtë komunë, me 36 klubet që ka Vushtrria. Ai theksoi se Vushtrria është e pasur me objekte e monumente të shumta të trashëgimisë kulturore. Po ashtu, veçoi festivalin “Poeteshat” me një traditë të gjatë, që sivjet do të jetë edicioni i 35-të, e që pritet të organizohet gjatë tetorit.

Në kuadër të investimeve kapitale, në takim u diskutua për projektet konkrete që pritet të hyjnë në planifikim për t’u realizuar në të ardhmen siç janë: ndërtimi i Qendrës së re të Kulturës “Hasan Prishtina”, meremetimi i stadiumit të qytetit, restaurimi i tërësishëm i Urës së Gurit dhe një hulumtim arkeologjik mbi historikun e urës që do të faktojë vërtetësinë e saj.

Në lidhje me këtë të fundit, ministri Gashi, bashkë me kryetarin Mulaku, panë në vend të ngjarjes, gërmimet dhe zbulimin e harqeve të reja që është bërë te Ura e Gurit në Vushtrri, të cilat është duke i zhvilluar Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës. Vlerësohet se zbulimi i dy harqeve të reja që është bërë në këtë lokalitet i rrëzon tezat e mëhershme që pretendohej se ura i ka nëntë harqe.

Ardiana Qorraj, udhëheqëse e gërmimeve, e informoi në hollësi për punën restauruese që po bëhet në këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore jo vetëm të Vushtrrisë por të Kosovës. Në kuadër të restaurimit të urës, si një ndërhyrje emergjente, ka ardhur deri tek zbulimi i harqeve të reja të urës, u shpreh Qorraj.

Ministri Gashi tha se Vushtrria do të ketë vëmendjen dhe përkrahjen e pakursyer të MKRS-së në realizimin e projekteve që janë në realizim e sipër dhe atyre që do planifikohen për të ardhmen. Ai u shpreh se është e nevojshme që të ndërhyhet shpejtë në restaurimin e Urës së Gurit, sepse përpos që është një monument në mbrojtje, ai përfaqëson një identitet dhe një histori në vete për Vushtrrinë por edhe më gjerë.

Gjithashtu, Gashi e Mulaku vizituan edhe Qendrën Rinore i cili është në fazën përfundimtare të ndërtimit, e që do të jetë një hapësirë me standarde moderne për të rinjtë vushtrrias, investim i tërësishëm i MKRS-së, në vlerë prej 275 mijë eurove dhe shtëpinë muze të Mahmut Agë Gjinollit, në të cilat MKRS-ja ka investuar 140 mijë euro. / KultPlus.com