Përkujtohet Anita Bitri, një nga këngëtaret më të dashura

Në kuadër të “Muajit të Muzikës”, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kujtoi sot këngëtaren Anita Bitri.

Margariti shprehet në një postim në rrjetet sociale se Bitri ishte një nga këngëtaret më të dashura për publikun shqiptar.

Anita Bitri lindi në Sarandë më 8 janar 1968 në një familje intelektuale. Prej moshës 8–14 vjeç, Anita ishte pjesëmarrëse e rregullt e Festivaleve të Pionierëve të rrethit të Vlorës. Talenti i saj tërhoqi vëmendjen e profesor Robert Papavrami. Do të duhej vetëm një vit pune që Robert Papavrami dhe Bitri të dilnin para spektatorit vlonjat në një duet me violinë, duke mahnitur sallën me interpretimin e tyre virtuoz.

Në vitet 1980-1986 prezantohet para publikut vlonjat si violiniste në orkestrinën e shkollës së muzikës “Naim Frashëri”.

Gjatë një koncerti ku ajo merrte pjesë si violiniste, një nga këngëtare u sëmur dhe kështu, lindi domosdoshmëria të zëvendësohej. Shokët e orkestrës, që e kishin dëgjuar të këndonte, propozuan atë dhe ky ishte fillimi i një karriere të gjatë dhe të suksesshme artistike.

Kënga e parë e Anitës në shkallë kombëtare titullohet “Hartimi dhe Dëbora”. Në anketën muzikore të Radio Tiranës për këtë këngë, vlerësohet për interpretimin e saj brilant. Më pas, sukseset e saj vazhduan me këngën shumë të njohur, “Mos u nxito”, në Koncertin e Pranverës 1988, ku u vlerësua me çmim të parë. Talenti i Anitës nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e kompozitorëve të njohur të asaj kohe. Flamur Shehu ishte i pari që do të besonte tek ajo dhe do të fillonte të bashkëpunonte me të në disa festivale me radhë të Radio Televizionit Shqiptar. Vlen për t’u përmendur interpretimi i këngëve “Lulet e majit i çel në janar”, “S’ka formulë në dashuri”, “Abrakadabra” etj.

Në mars 1996 mbërrin në “tokën e premtuar”, ne SHBA. Gjatë qëndrimit në Amerikë aktiviteti artistik i Anitës ka qënë në rritje. Vlen për t’u përmendur pjesëmarrja e saj në koncertet e bamirësisë dhe aktivitete të ndryshme të Diasporës për mbledhjen e ndihmave për luftën në Kosovë.

Në 2004, pati një vdekje aksidentale, në moshën 38 vjeçare, për shkak të një bllokimi të ventilimit të kaldajës, në shtëpinë ku banonte./atsh/ KultPlus.com

Përkujtohet kompozitori i mirënjohur, Feim Ibrahimi

Në kuadër të “Muajit të Muzikës, ministrja e Kulturës Elva Margariti, ka kujtuar një nga figurat më të rëndësishëm të artit dhe muzikës shqiptare.

Feim Ibrahimi lindi në Gjirokastër më datën 20 tetor 1935 dhe ka qenë ndër kompozitorët më të njohur të Shqipërisë. Ishte i pari kompozitor me peshë në Shqipëri që studioi vetëm brenda vendit, duke ndjekur në vitin 1962 deri më 1966 Konservatorin e sapokrijuar të Tiranës, dhe ku studioi nën drejtimin e artistit të njohur Tish Dajia. Pas përfundimit me rezultate shumë të larta të konservatorit ai dha mësim në degën e kompozicionit, kontrapunkt dhe harmoni në vitet 1966–73.

Ai gjithashtu mbajti detyrën e rëndësishme të Sekretarit për Muzikën në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, 1977–1991 më vonë në vitet 1991-1992 ka qenë edhe Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit të Operas dhe Baletit, Tiranë.

Ai u përpoq dhe ka kontribut shumë të madh që të çonte muzikën shqiptare në skenën muzikore europiane. Nga viti 1978 e deri në vitin 1991, punoi pa reshtur për pranimin e muzikës shqiptare në UNESCO dhe në 1991 ai u bë presidenti i parë i Këshillit Kombëtar të Muzikës, duke arritur më në fund, ta bënte atë, anëtar të Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës në UNESCO.

Artisti pati një karrierë të gjatë dhe të mrekullueshme  dhe pikërisht për meritat artistike, në 1989, i akordohet edhe titulli “Artist i Popullit”, titulli më i lartë artistik i Shqipërisë. Ndërsa në vitin 2000, Bashkia e Tiranës i akordoi titullin “Nderi i Qytetit”. Këtë titull e mban edhe nga qyteti i tij i lindjes, Gjirokastra. Gjatë karrierës së tij ka fituar edhe shumë çmime të rëndësishme ndërkombëtare si në Itali, Gjermani, Francë, Salzburg etj.

Muzika e Ibrahimit shtrihet thuajse në të gjitha zhanret: miniatura instrumentale, muzikë filmash, muzikë dhome, koncerte për instrumente solo dhe orkestër, simfoni, balete dhe vepra vokale etj

Kompozitori u nda nga jeta më 2 gusht të vitit 1997 në qytetin e Torinos në Itali. /atsh/ KultPlus.com

Në Muajin e Muzikës në Shqipëri, përkujtohet Nexhmije Pagarusha

Në kuadër të Muajit të Muzikës, ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti ka kujtuar këngëtaren e madhe Nexhmije Pagarusha.

Ajo shprehet se në këtë muaj të muzikës, kujtojmë bilbilin e Kosovës, këngëtaren Nexhmije Pagarusha”.

Veprimtaria muzikore tepër e gjerë që ka interpretuar në periudhën 40-vjeçare të karrierës së saj e bëjnë tepër të vështirë që kjo artiste të përcaktohet si lëvruese e një rryme të caktuar muzikore, pikërisht nga larmishmëria e rrymave.

Nexhmija për më tepër e bëri muzikën popullore shqiptare të kalonte në një tjetër nivel dhe të kthehej në një pasuri të madhe shpirtërore. Nuk janë të pakta këngët e saj që vazhdojnë të riprodhohen nga brezat e rinj të këngëtarëve. Shpeshherë suksesi i këtyre të fundit është i garantuar vetëm prej reputacionit që ka marrë vetë kënga, duke u kënduar më parë nga Nexhmija.

Në Opera nga Puçini, Verdi por edhe nga Bethoven, por edhe në kinematografi ka punuar dhe ka arritur suksese të padiskutueshme. Mendohet se Nexhmije Pagarusha ka interpretuar mbi 150 këngë nga të cilat shumë pak ekzistojnë si të regjistruara. Ky fakt mund të konsiderohet si një fatkeqësi që nuk e disponojmë të gjithë këtë repertor të mrekullueshëm.

Gjithsesi pavarësisht se në vitin 1984 ajo u tërhoq përfundimisht nga skena, na ka lënë thesare të rralla si Baresha, E dehur jam, Ani more nuse, Mora testin, Kur më shkon si zog n’hava, Kur më del në derë, Ke selvitë, Ç’u ngrit lulja në mëngjes, Çil njat zemër plot kujtime, Zambaku i Prizrenit, Dallëndyshe, Një lule etj. /atsh/ KultPlus.com

Përkujtohet Palok Kurti, ndër kompozitorët e parë shqiptarë

Artisti i madh Palok Kurti u përkujtua sot në kuadër të muajit të Muzikës, shpallur nga Ministria e Kulturës në Shqipëri, përcjell KultPlus.

“Kujtojmë sot Palok Kurtin, një nga kompozitorët e parë shqiptarë, që ka lënë gjurmë të thella jo vetëm në Shkodër!”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Palok Kurti u lind në Shkodër më 3 korrik 1860 në një familje zanatçinjsh.  U rrit pranë jetimores së drejtuar nga françeskani italian P. Tomë Markoci (Tommaso Marcozzi), prej të cilit mori bazat e dijeve muzikore. Për arsye ekonomike e ëma e futi të punonte në kafe “Adriatik”  ku qe në kontakt me muzikën qytetare, por edhe me ndikimet e huaja ardhur nga italianët që kishin gjetur strehë në qytet pas bashkimit të Italisë.

Më 1876 hapi bandën e parë muzikore në qytet, ku së bashku me të  u bënë pjesë edhe Kolë Idromeno me Mati Kodhelin. Banda u krijua dhe më 1880. Banda që njihej në mjediset shkodrane si Daulla, u vu në shërbim të Degës së Shkodrës të ”Lidhjes së Prizrenit”  më 1881, ngjarje për të cilat Kurti punoi veprën “Bashkimi i Shqypnisë” dhe marshin “Turqit në Maqedoni”. Për veprimtarinë e tij u internua nga autoritetet osmane në Diarbekir për 20 muaj.

Më 1900 autoritetet osmane e shpërndanë “Daullen”. Pas një viti shkolla italiane “Arti e mestieri” e hapur në Shkodër pajtoi Palokën për mësimdhënie dhe krijimin e bandës së shkollës, bandë e cila qe aktive për një dhjetëvjeçar, deri në mbylljen e shkollës më 1911.

Jepte mësime muzike në privat, por me pushtim-administrimin austro-hungarez u arrestua në maj të 1916 bashkë me të birin, Zefin dhe u burgosën në Grossau për një vit deri me 1 maj të 1917. Pas tërheqjes së austro-hungarezëve, vendin e tyre e zunë trupat frënge, të cilat dimrin e 1919 e internuan Palokën në ishullin grek të  Korfuzit. Pas marrëveshjeve mes francezëve dhe italianëve, këta të fundit e shpunë në Ostia ku kishte dhe familjen, dhe u kthyen vetëm pas “Luftës së Vlorës” në vendlindje.

Kurti ka qenë kompozitori i parë që shkroi këngë, shumica e të cilave të mbështetura te sharkia ose peshrefi. Popullariteti i këngëve të Kurtit bëri që ahengxhinjtë të përvetësonin dhe shpërndanin një muzikë më të përpunuar sesa tonet instrumentale të deriatëhershme.

Me cilësinë e rapsodit, poetit dhe këngëtarit të apasionuar të këngës popullore shkodrane, Palok Kurti arriti që nuancat më të holla të kësaj kënge t’i mishëroje në mënyrë të përsosur në krijimet e tij të pavdekshme: marshin “Bashkimi i Shqipërisë” më 1881 kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ,“Marshallah bukurisë sate”, “Ta dish, ta dish”, “Për mue paska kenë kismet”, “Karajfil të zgiodha”, ”Kur fillon drita me dalë”, “Të due, moj të due”, “Karajfili i kuq si gjaku” etj., këngë të cilat, në gojën e këngëtares dhe artistes së madhe shqiptare Marie Kraja do të arrinin majat ma të larta të krijimeve popullore shqiptare.

I ndikuar nga format e reja të muzikës evropiane, Kurti shkroi edhe vepra liturgjike.
Kurti përshtati për formacion orkestral pjesë nga literatura botërore, nga “Trovatore”, nga “Ballo me maska”, “Norma” etj…

Palokë Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e datës 31 dhjetor 1920. /atsh/ KultPlus.com