86-vjetori i lindjes së kompozitorit Robert Radoja

Orkestra Simfonike e RTSH-së, përmes një publikimi në rrjetet sociale, uroi me rastin e 86-vjetorit, kompozitorin Robert Radoja.

Artisti dhe profesori i sa e sa brezave, lindi në Bolonja, më 1938-ën. Në vitin 1951 filloi studimet në Liceun Artistik në Tiranë për piano. Në vitin 1962 fillon studimet e larta në Konservator ku edhe diplomohet për piano në vitin 1966. Po në këtë vit fillon punën në Pallatin e Pionierëve në Tiranë në Sektorin e Muzikës. Gjatë kësaj periudhe ai orkestron këngë të muzikës së lehtë duke qenë prezent në rreth 40 festivale si ato të Radio Televizionit Shqiptar, ashtu dhe ato të Këngës për Fëmijë.

Në vitin 1981 emërohet redaktor i muzikës në kinostudion “Shqipëria e Re”. Në këtë detyrë ai punoi deri në vitin 1986. Robert Radoja që prej vitit 1985 ishte edhe pedagog në Akademinë e Arteve, Dega Piano, si dhe pedagog për Muzikën e Dhomës dhe Shoqërime në klasën e Flautit . Kompozimi i tij i parë në muzikën filmike do të jetë në vitin 1970 me muzikën e filmit “Guximtarët”. Në Festivalin e 41-të në Radiotelevizion, të zhvilluar në Tiranë në vitin 2002, puna e tij e palodhur në vite do të vlerësohej me “Çmimin e Mirënjohjes”, gjithashtu është nderuar edhe me urdhrin “Naim Frashëri” dhe titullin “Mjeshtër i madh”./atsh/KultPlus.com

Përkujtohet Kozma Lara, kompozitor i shquar shqiptar

Më 4 janar të vitit 1930 lindi, në qytetin e Durrësit, kompozitori i mirënjohur shqiptar, Kozma Lara. Pas mësimeve të para në piano, në qytetin e lindjes, Kozma Lara ndoqi liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku dhe diplomohet në degën e pianos me prof. Tonin Guraziu në vitin 1954.

Në vitin 1958 studion në konservatorin “Çajkovski”, në Moskë, në degën e kompozicionit. Pas diplomimit, kontribuoi në Ansamblin e Ushtrisë Popullore, në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, si koncert-maestër, dhe në shkollën e mesme të muzikës “Mujo Ulqinaku”, Durrës.

Gjatë viteve 1964-1972 kontribuon si pedagog i Analizës dhe Kompozicionit, njëkohësisht Shef i Katedrës së Kompozicion-Dirigjimit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës.

Gjatë viteve 1972-1978 ka qenë inspektor, specialist për Muzikën në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, Tiranë. Në vitin 1979 ka qenë mësues i Harmonisë, Analizës dhe Orkestracionit pranë shkollës së mesme të muzikës “Jan Kukuzeli”, Durrës e më pas ka qenë shef i Katedrës së Teori-Kompozicionit në Fakultetin e Muzikës, pedagog i Analizës dhe Kompozicionit.

Edhe në periudhën e pensionit kontribuoi si pedagog i jashtëm në lëndën e Analizës dhe Kompozicionit në Universitetin e Arteve, Tiranë.

U nda nga jeta në 18 janar të vitit 2019./atsh/KultPlus.com

174 vite nga vdekja e kompozitorit Frederic Chopin

Sot, janë bërë 174 vite nga vdekja e njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj të historisë, Frédéric Chopin.

Frédéric François Chopin konsiderohet gjerësisht si një nga kompozitorët më të mëdhenj në historinë e muzikës klasike. I lindur në Poloni në 1810, Chopin filloi të luante piano në një moshë të re dhe shpejt tregoi talent të jashtëzakonshëm. Ai studioi muzikë në Varshavë dhe më vonë në Paris, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij të rritur.

Muzika e Chopin është e njohur për elegancën, ndjeshmërinë dhe shkëlqimin teknik. Ai shkroi kryesisht për piano, dhe kompozimet e tij karakterizohen nga meloditë e tyre lirike, lulëzimi virtuoz dhe kompleksiteti harmonik. Shumë nga pjesët e tij, të tilla si “Nocturnes” e tij të famshme, janë shumë emocionale dhe ndjellëse, duke kapur një sërë humoresh dhe ndjenjash.

Muzika e Chopin ishte shumë me ndikim në zhvillimin e periudhës romantike në muzikën klasike, dhe ai shpesh konsiderohet një figurë kryesore në lëvizje. Veprat e tij ishin gjithashtu një burim frymëzimi për kompozitorët e mëvonshëm, duke përfshirë Debussy dhe Ravel.

Gjatë gjithë jetës së tij, Chopin luftoi me shëndetin e dobët, duke përfshirë tuberkulozin, i cili përfundimisht çoi në vdekjen e tij të parakohshme në moshën 39-vjeçare. Megjithatë, pavarësisht jetës së tij të shkurtër, trashëgimia e tij si kompozitor ka qëndruar dhe muzika e tij vazhdon të interpretohet dhe të festohet. Rreth botës. Sot ai mbahet mend si një nga kompozitorët më novatorë dhe më me ndikim në historinë e muzikës klasike. / KultPlus.com

114 vite më parë lindi kompozitori i ‘Kangës së Rexhës’, Lorenc Antoni

Sot janë bërë 114 vite nga lindja e kompozitorit, dirigjentit dhe etnomuzikologut shqiptar, Lorenc Antoni, shkruan KultPlus. Ai ka lindur në Shkup, më  23 shtator 1909 në një familje katolike dhe është kushëri i Shën Nënë Terezës (Gonxhe Bojaxhiut).

Që nga fëmijëria është aktivizuar në ansamble të ndryshme muzikore të shqiptarëve. Ka studiuar privatisht muzikë në Shkup dhe Beograd. Pas shkollimit në Fakultetin Filozofik të Shkupit kthehet në Ferizaj, dhe më pas ngre të parën shkollë të ulët dhe të mesme muzikë “Josip Sllavenski” në Prizren më 1948.

Po në këto vite drejton si dirigjent edhe korin e shkollës muzikore, atë të shoqërisë kulturore artistike “Agimi” si dhe orkestrën simfonike të qytetit të Prizrenit. Pas këtyre viteve vazhdon të merret intensivisht me kompozime, dirigjime të veprave, veprimtari pedagogjike etj.

Në fushën e studimit të folklorit, Lorenc Antoni vlerësohet se i pari mblodhi dhe botoi shtatë vëllime të muzikës popullore shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Moravës Jugore të shoqëruar me analiza etnomuzikologjike mbi gjithë këtë lëndë që është transkiptuar po prej tij.

Ka kompozuar edhe muzikë, ndër to dallohen kompozimet vokale. L. Antoni konsiderohet edhe si kompozitori i brezit të parë të kompozitorëve të Kosovës. Sipas Prof. Engjëll Berishës, në përgjithësi veprat e Lorenc Antonit bazohen në idiomën muzikore popullore shqiptare. Veçojmë këtu “Kanga e Rexhës” e cila respektohet dhe dëgjohet edhe në ditët e sotme . Gjithashtu ai bëri përpjekje për hapjen e shkollës së parë të muzikës më 1948 në Kosovë

Ai vdiq në Prishtinë, më 21 tetor të vitit 1991/KultPlus.com

Premiera e veprës GEA 2552 e kompozitorit Aleksandër Peçi, më 1 mars në TKOB

Të mërkurën e 1 marsit, në Teatrin e Operas dhe Baletit do të shfaqet premiera botërore e koncertit GEA 2551, Koncert nr. 5 për piano dhe orkestër, vepër e kompozitorit të mirënjohur Aleksandër Peçi.

Koncerti No.5 i Aleksandër Peçit do të interpretohet nga pianisti francez Pascal Gallet dhe Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, nën drejtimin e dirigjentit Harlen Nikolli.

Të njëjtën natë, spektatorët do të mund të ndjekin edhe Koncertin nr. 1 për Violinë të Niccolò Paganini-t, nën interpretimin e solistes Laura Llozi dhe dirigjuar nga e mirënjohura Elda Laro.

“Jam jashtëzakonisht i nderuar të jap premierë në Tiranë koncertin nr. 5 të Aleksandër Peçit. Kjo punë është e jashtëzakonshme, jashtëzakonisht kërkuese”, ka deklaruar përpara koncertit pianisti francez Pascal Gallet.

Peçi me këtë kompozim, udhëton në kohë, disa shekuj, në të ardhmen tonë, duke eksploruar muzikën dhe vetveten.

Koha e parë, e koncertit ka një formë me tetë variacione e një intermexo. Koha e dytë është një rondo me dy episode, kadencë e finale. Koha e dytë, sipas kompozitorit, është një apoteozë gëzimi e feste, me një energji brilante.

Drejtor artistik i koncertit do të jetë Arben Skënderi. / atsh / KultPlus.com

Kur Avni Mula i këndonte Valësit të Lumturisë (VIDEO)

Avni Mula ishte ndër kompozitorët më të shquar shqiptar, shkruan KultPlus.

‘Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Perjetësisë!
Për një përshendetje me dorë në zemër, homazhet kryen nesër, 30 tetor, ora 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve, Tiranë.
Avni Mula 04.01.1928 – 29.10.2020
‘, shkruajti dikur Inva Mula.

Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të historisë së teatrit operistik shqiptar. Një kontribut të veçantë ai e ka dhënë edhe në fushën e kompozicionit.

Është e njohur kënga e tij “Valsi i lumturisë”, të cilën KultPlus e sjell sonte.

Ndër interpretimet e spikatura në karrierën e tij mund të përmëndim ato në operat Mrika, Skënderbeu, Pranvera, Lulja e kujtimit, Heroina, Komisari, Jolanda, Berberi i Seviljes, La Traviata, Rigoleto, Kavaleria Rustikana, Karmen, Peshkatarët e perlave, La Boheme, Le nozze di Figaro, Simfonia IX e Bethovenit etj. / KultPlus.com

Një vit nga vdekja e kompozitorit dhe baritonit të shquar shqiptar, Avni Mula

Sot shënohet një vit nga vdekja e kompozitorit dhe baritonit të mirënjohur shqiptar, Avni Mula, shkruan KultPlus.

Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të historisë së teatrit operistik shqiptar. Një kontribut të veçantë ai e ka dhënë edhe në fushën e kompozicionit.

Është e njohur kënga e tij “Valsi I lumturisë”.

Ndër interpretimet e spikatura në karrierën e tij mund të përmëndim ato në operat Mrika, Skënderbeu, Pranvera, Lulja e kujtimit, Heroina, Komisari, Jolanda, Berberi i Seviljes, La Traviata, Rigoleto, Kavaleria Rustikana, Karmen, Peshkatarët e perlave, La Boheme, Le nozze di Figaro, Simfonia IX e Bethovenit etj. / KultPlus.com

Në përvjetorin e vdekjes së Franz Liszt, përkujtojmë operën e papërfunduar të tij, “Sardanapalo”

Sot shënohen plot 135 vite nga vdekja e kompozitorit të njohur, Franz Liszt.

“Është 170 vjet e vjetër, por tingëllon shumë moderne”, është përshkrimi që David Trippett, profesor i asociuar në Fakultetin e Muzikës në Universitetin Cambridge i bën operës së papërfunduar të Franz Liszt, “Sardanapalo”.

Dorëshkrimi i aktit të parë të operës që do të duhej të ishte triaktëshe ka qëndruar në Arkivin e Goethes dhe të Schillerit në Weimar për më shumë se 100 vjet para se Trippett ta rizbulonte duke planifikuar diçka debutuese për të cilën “askush nuk kishte dëgjuar më parë”. Nga viti 1843 deri më 1861, Liszt (1811-1886) ishte udhëheqës i orkestrës që tash njihet si “Staatskapelle” në Gjermaninë Qendrore, në qytetin Weimar. Do të jepet premierë të shtunën Teatrin Kombëtar të Gjermanisë në këtë qytet.

Para më shumë se 10 vjetësh, Trippett që asokohe ishte student në Akademinë e Muzikës në Leipzig, kishte udhëtuar me tren për në Weimar për të parë 111 faqet e operës në arkiv.

Opera e papërfunduar ka sfiduar aftësitë dhe dijen e Trippettit, ka thënë ai. Liszt e kishte shkruar operën në vitet ‘50 të shekullit XIX dhe ishte vështirë e lexueshme dhe e papërfunduar. Kishte punuar goxha shumë dhe e kishte përmirësuar atë, duke e vështirësuar edhe më leximin.

Opera për një kohë të gjatë ishte cilësuar si e pamundur për t’u interpretuar, por profesori i Cambridge thotë: “Muzika duhet të ruhet”.

Trippett ka shpenzuar më shumë se një dekadë duke bërë bashkë pjesët si një puzzle, tri prej të cilave i kanë shkuar vetëm për orkestrim, duke pasur parasysh instruksionet e kompozitorit.

“Orkestrimi është bërë nga unë, por ai është i Lisztit”, ka thënë Trippett. “Muzika është fantastike. Liszt ka provuar të kompozojë një operë moderne italiane”.

Libreto është bazuar në tragjedinë “Sardanapalus” të Lord Byronit për mbretin e fundit të Asirisë antike, një rajon ky që tash është midis Sirisë dhe Irakut.

Sipas Kirill Karabits, dirigjentit kryesor të “Staatskapelle” në Weimar, opera e Liszt hap një kapitull të ri sa i përket historisë së muzikës së shekullit XIX. “Nuk do ta gjeni këtë operë në katalogët a veprat tjera të kompozitorit”, ka thënë. Pas një pune tejet të lodhshme të Trippett, tashmë akti i parë është kompletuar. “Do të dirigjoj diçka që askush nuk e ka bërë më përpara”, ka thënë dirigjenti. “Bëhet fjalë për diçka joshëse, por që duhet të kesh shumë përgjegjësi”. / KultPlus.com

Përkujtohet kompozitori i mirënjohur, Feim Ibrahimi

Në kuadër të “Muajit të Muzikës, ministrja e Kulturës Elva Margariti, ka kujtuar një nga figurat më të rëndësishëm të artit dhe muzikës shqiptare.

Feim Ibrahimi lindi në Gjirokastër më datën 20 tetor 1935 dhe ka qenë ndër kompozitorët më të njohur të Shqipërisë. Ishte i pari kompozitor me peshë në Shqipëri që studioi vetëm brenda vendit, duke ndjekur në vitin 1962 deri më 1966 Konservatorin e sapokrijuar të Tiranës, dhe ku studioi nën drejtimin e artistit të njohur Tish Dajia. Pas përfundimit me rezultate shumë të larta të konservatorit ai dha mësim në degën e kompozicionit, kontrapunkt dhe harmoni në vitet 1966–73.

Ai gjithashtu mbajti detyrën e rëndësishme të Sekretarit për Muzikën në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, 1977–1991 më vonë në vitet 1991-1992 ka qenë edhe Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit të Operas dhe Baletit, Tiranë.

Ai u përpoq dhe ka kontribut shumë të madh që të çonte muzikën shqiptare në skenën muzikore europiane. Nga viti 1978 e deri në vitin 1991, punoi pa reshtur për pranimin e muzikës shqiptare në UNESCO dhe në 1991 ai u bë presidenti i parë i Këshillit Kombëtar të Muzikës, duke arritur më në fund, ta bënte atë, anëtar të Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës në UNESCO.

Artisti pati një karrierë të gjatë dhe të mrekullueshme  dhe pikërisht për meritat artistike, në 1989, i akordohet edhe titulli “Artist i Popullit”, titulli më i lartë artistik i Shqipërisë. Ndërsa në vitin 2000, Bashkia e Tiranës i akordoi titullin “Nderi i Qytetit”. Këtë titull e mban edhe nga qyteti i tij i lindjes, Gjirokastra. Gjatë karrierës së tij ka fituar edhe shumë çmime të rëndësishme ndërkombëtare si në Itali, Gjermani, Francë, Salzburg etj.

Muzika e Ibrahimit shtrihet thuajse në të gjitha zhanret: miniatura instrumentale, muzikë filmash, muzikë dhome, koncerte për instrumente solo dhe orkestër, simfoni, balete dhe vepra vokale etj

Kompozitori u nda nga jeta më 2 gusht të vitit 1997 në qytetin e Torinos në Itali. /atsh/ KultPlus.com

Vepra e kompozitorit shqiptar interpretohet në Paris, udhëhiqet nga artisti i madh Till Fechner

Vepra e Memli Kelmendit “Silentium Est Pax” që ditë më parë është interpretuar premierë në Francë nga Sottovoce Ensemble, kësaj radhe do të interpretohet nga “l’Étrange Boutique” që udhëhiqet nga Till Fechner, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bёrё tё ditur vet kompozitori Kelmendi i cili ka thёnё pёr Till Fechner, qё ёshtё njёri ndёr operistёt mё tё njohur nё Francё, e i cili njihet pёr interpretimin e operave tё njohura nga Mozart, Puccini, Rossini, Verdi, Tchaikovsky…

“Till Feschner është një artist i shkëlqyer dhe aktor i frymëzuar, i cili ka bashkëpunuar me disa nga artistët më të mëdhenj të dekadave të fundit në botën e muzikës dhe teatrit si: Peter Brook, Claudio Abbado, André Engel, Seiji Ozawa, Jean-Francois Sivadier, Andrea Breth, Wladimir Jurowsky, Daniel Harding, Charles Tordjmann, Regina Resnik…”, ka shkruar Kelmendi, i cili poashtu ka publikuar edhe njё prononcim tё Till Fechner.
“Për më tepër, ky “Silentium Est Pax” është një heshtje vërtet teatrale e ndërtuar me një ndjenjë të vërtetë të të dy linjave dhe ngjyrave, dy gjëra që karakterizojnë pjesët më të mira të muzikës së shenjtë për shekuj. Silentium Est Pax do të hapë pjesën e fundit të koncertit tonë, duke
prezantuar “Ave Verum” të William Byrd dhe një pjesë të “Te Deum” të Bruckner. Nuk ka nevojë të shpjegoj se sa shumë e duam këtë vepër. Memli Kelmendi është mjeshtër në muzikën e sotme, duke mbajtur gjallë një traditë të lavdishme muzikore”, janë fjalët Till Fechner për veprën e kompozitorit kosovar Memli Kelmendi.

Ky lajm e ka gёzuar pa masё kompozitorin, i cili ka treguar se kjo erdhi me kёrkesёn e Till Fechner.

“Kjo erdhi me kërkesën e Till Fechner, që vepra ime “Silentium Est Pax” të jetë pjesë e programit që do të interpretohet nga “l’Étrange Boutique”, që udhëhiqet nën drejtimin artistik të Fechner. Kjo kërkesë erdhi pas interpretimit të kësaj vepre nga Sottovoce Ensemble që u interpretua ditë më parë, pikërisht në Redon të Francës”, ka thёnё Memli Kelmendi.

Në këtë koncert do të interpretohen vepra të kompozitorëve të njohur Ёilliam Byrd, Charpentier, Mozart, Delibes, Rossini, Fauré, Brückner, Wenceslas dhe Memli Kelmendi. Koncerti mbahet të dielën mё 8 tetor në ouy-en-Josas, Paris-Francë./ KultPlus.com

Tingujt e Valton Beqirit në “World Peace Concert in Vienna 2017”

Kompozitori Valton Beqiri do të prezantohet sot në Vjenë me anë të krijimtarisë së tij në kuadër të koncertit solemn “World Peace Concert in Vienna 2017”, shkruan KultPlus.

Ky koncert shënon 10 vjetorin e themelimit të orkestrës kamertale ballkanike dhe do të realizohet nën drejtimin e dirigjentit japonez Toshio Yanagisawa.

Në këtë koncert solist do të jetë pianisti francez Pacal Roge dhe krahas veprave të kompozitorëve të periudhës romantike si Camille Saint-Saëns dhe Pyotr Ilyich Tchaikovsky si dhe kompozitorit japonez Kaoru Wada, pjesë e pandarë e repertorit të kësaj orkestre është bërë edhe opusi krijues i kompozitorit të mirënjohur Valton Beqiri.

E rëndësishme është vepra “Shpirti i traditës” për orkestër harkore dhe perkusione e cila interpretohet nga kjo orkestër në vende të ndryshme të botës që nga viti 2010 dhe sot njihet si himni i orkestrës kamerale ballkanike dhe njëkohësisht e cilësuar promovimi më i mirë i trashëgimisë tonë kulturore. Është vepër programore e ndarë në katër kohë ku secila përmban dhe titullin ku me anë të tingujve muzikor na japin pasqyrimin e plotë të historisë tonë.

Kjo vepër sot njihet si vepra më e interpretuar në arenën ndërkombëtare nëse krahasojmë prezantimin e krijimtarisë së kompozitorëve të tjerë shqiptarë të muzikës artistike në vitet e fundit. Beqiri krahas me veprën e sipërpërmendur në këtë koncert prezantohet edhe si orkestrues i veprës “Kanki-no-Uta” (premierë botërore) mbi temën e kompozitorit dhe këngëtarit shumë të njohur japonez Koji Tamaki.
Valton Beqiri njihet për afinitetin e tij të pashoq në muzikë dhe sa i përket stilit krijues ai sado të jetë impresionist e ekspresionist (stilistikisht) rëndësi të madhe i kushton përdorimit të motiveve tona folklorike duke i shkrirë e bashkëdyzuar ato në invencionin e tij krijues.

Koncerti mbahet sonte në Wienner Konzerthaus Mozart-saal duke filluar në orën 19:30. / KultPlus.com