Ulet numri i vizitorëve në muzeun e Luvrit

Pandemia e koronavirusit ka vazhduar të ndikojë në numrin e personave që vizitojnë muzeun e Luvrit në Paris.

Muzeu njoftoi sot se, numri i vizitorëve ka rënë me 70 për qind krahasuar me 9.6 milionë në vitin 2019.

Në vitin 2021, numri i tyre arriti në 100,000 mbi nivelin e vitit 2020.

Luvri u mbyll për vizitorët nga 1 janari deri më 19 maj 2021, si pjesë e masave të Francës për të parandaluar përhapjen e Covid-19.

Ndërkohë, pothuajse dy të tretat e vizitorëve të këtij viti vinin nga Parisi, raportoi muzeu.

Një numër rekord vizitorësh prej 10.2 milionë vizituan Luvrin në vitin 2018, duke u konsideruar si muzeu më i vizituar në botë. Përpara pandemisë, muzeu ishte i popullarizuar me turistë nga vendet jo anëtare të BE-së, kryesisht nga SHBA-ja dhe Kina, të cilët përbënin 75 për qind të vizitorëve. / KultPlus.com

Mbyllet Muzeu i Luvrit për shkak të Koronavirusit

Dashamirët e artit u lanë në radhë para muzeut të Louvret në Paris të dielën në mëngjes, pasi stafi vendosi të mbajë një takim lidhur me shpërthimin e koronavirusit, njofton Reuters.

Turistë të shumtë para muzeut më të vizituar në botë, ku qëndrojnë disa prej veprave të artistëve më të mëdhenj, nisën të shprehin mllefin me këtë mbyllje të Louvret.

Një zëdhënëse e muzeut në qendër të Parisit tha se ai pritej të hapej pas takimit mes menaxhmentit, personelit dhe mjekut të personelit.

Ajo shtoi se muzetë nuk janë të prekur nga urdhri i Qeverisë së Francës, që ndalon tubimet publike në hapësira të mbyllura me më shumë se 5.000 njerëz.

Deri më tash, në Francë janë konfirmuar mbi 100 raste të personave të prekur me koronavirus.

Si rezultat i urdhrit të Qeverisë franceze, është anuluar edhe një gjysmëmaratonë e planifikuar të mbahej sot në Paris, e ku mendohej se do të merrnin pjesë më shumë se 40.000 vrapues. /KultPlus.com

Muzeu i Louvreit nis rezervimet për ekspozitën “Leonardo da Vinçi”

Muzeu i Lovreit ka hapur rezervimet për ekspozitën e madhe me veprat e Leonardo da Vincit. Këtë e ka bërë katër muaj para hapjes së saj, e që pritet të jetë një prej ngjarjeve madhore me të cilën shënohet 500-vjetori i vdekjes së maestros së Renesancës. Mundësia për rezervime është hapur të hënën, përderisa autoritetet kanë bërë me dije se për ngjarjen që nis më 24 tetor nuk do të ketë bileta në formë klasike, por vetëm nëpërmjet ueb-faqes ticketlouvre.fr.

“Për shkak se presim që të ketë shumë radhë, ekspozita do të jetë e qasshme vetëm në orare të caktuara, me qëllim të sigurojmë që vizitat të jenë sa më të rehatshme”, thuhet në njoftimin e Muzeut të Louvreit. “Kjo vlen për të gjithë vizitorët, përfshirë edhe ata që kanë qasje të lirë në muze”, shkruhet më tej.

Muzeu i Louvreit, krahas veprave të tjera, ka në pronësi kryeveprën e Leonardo da Vincit, “Mona Lisën”, ashtu sikurse edhe 22 vizatime. “Mona Lisa” ishte në mesin e tri veprave të preferuara të Da Vincit krahas “Shën Ana, Zoja, fëmija dhe engjëlli” dhe “Shën Gjoni Pagëzori”, të cilën e solli me vete në Francë, ku vdiq 500 vjet më parë, më 2 maj.

Ekspozita përfshin rreth 120 vepra të tij – piktura, vizatime, dorëshkrime, skulptura dhe të tjera artefakte – të huazuara nga disa prej institucioneve me prestigjioze evropiane e amerikane, si Koleksioni Mbretëror i Britanisë, Muzeu Britanik, Galeria Kombëtare e Londrës, Pinakoteka e Vatikanit, Muzeu Metropolitan i New Yorkut dhe Instituti i Francës. Negociatat me Italinë ende vazhdojnë pasi Qeveria e krahut të djathtë revokoi atë që autoritetet franceze kishin arritur me Qeverinë paraprake. Të dyja palët ende nuk kanë një marrëveshje definitive për veprat që mund të huazojnë.

Vetëm vitin e kaluar Muzeu i Louvreit ka shënuar 10.2 milionë vizitorë, përderisa ekspozita me veprat e maestros, e cila do të jetë e hapur deri më 24 shkurt të 2020-s, pritet të jetë një rekord më vete.

Leonardo u lind më 15 prill 1452 në Anchiano, në rrethinën e Komunës e Vincit në Toskanë. Prindërit e tij, një noter dhe një vajzë 16-vjeçare nuk ishin të martuar, kështu që Leonardo u rrit me gjyshin e tij. Ai e dashuronte vizatimin dhe kështu arriti të merrte një pozitë në studion e skulptorit të njohur Andrea del Verrocchio. Verrocchio realizoi të hyra nga familja Medici – tregtarët dhe bankierët që kontrolluan Firencën me fuqinë dhe paratë e tyre për shekuj.

Por sikur bota të përqendrohej vetëm te pikturat e tij, do t’i hynte në hak Leonardo da Vincit. Për një arsye, pasi pas vetes nuk ka edhe aq shumë piktura. Vetëm një duzinë e mirë i atribuohet qartësisht atij. Kësisoj ai ka lënë prapa skica studimesh anatomie, kopje e shkrime të shkruara në pasqyrë, që nuk kanë të bëjnë fare me artin, sikur dizajnime për tanke, avionë ose pajisje për zhytje. Ai gjithashtu ka konstruktuar ura dhe ka dizajnuar qytete të tëra, por shumica e ideve të tij nuk u realizuan kurrë.

Firence, Milanoja dhe Roma – kryeqendra të Renesancës ishin domeni i tij. Aty ai gjeti klientët e tij: familje të pasura e në mesin e klientëve bënte pjesë edhe Papa. Më 1516, Mbreti Francis I i Francës e ftoi atë në shtëpinë e tij, e pagoi mirë dhe i dha atij liri që të përkushtohej në projektet e tij. Një nga detyrat e tij ishte të organizonte festime të mahnitshme atje.

Gjeniu universal vdiq më 2 maj të vitit 1519 në Château Clos Lucé. Legjenda thotë se ai dha frymën e fundit në duart e mbretit të Francës/AFP.

Muzeu i Louvreit përballë dyshimeve për “Salvator Mundin”, pikturën më të shtrenjtë në botë

“Salvator Mundi”, piktura më e shtrenjtë në botë, nuk do të jetë pjesë e ngjarjes së madhe të këtij viti për Leonardo da Vinçin për shkak se kuratorët në Louvre nuk besojnë se ajo mund t’i atribuohet vetëm artistit.

Shkrimtari dhe historiani i artit, Ben Lewis, ka ravijëzuar rrëfimin e mahnitshëm të pikturës që jehoi në titujt e mediave gjithandej botës, kur u shit për 450 milionë dollarë në ankandin shtëpisë së ankandeve “Christie” në New York më 2017.

Disa prej ekspertëve kryesorë në botë, përfshirë edhe profesorin e historisë së artit në Oksford, Martin Kemp, këmbëngulin që ajo është vepra e vërtetë e humbur e mjeshtrit. Të tjerët janë më të matur ose edhe zhvlerësues, shkruan sot Koha Ditore.

Blerësi është identifikuar si princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, për të cilin thuhet se ka rënë në ujdi që vepra do të bëhet perlë e Louvreit të Abdu Dhabit. Ajo do të shfaqet edhe në Louver në Paris për ekspozitën e madhe me veprat e Leonardos që shënon 500-vjetorin e vdekjes së tij.

Paraqitja e tij në Abu Dhabi ishte ndalur krejt papritur vitin e kaluar dhe huazimi i saj në Paris gjatë vjeshtës nuk do të ndodhë, ka thënë Lewis për “Hay literary festival”.

“Burimet e mia të brendshme në Louvre, burime të ndryshme, më thonë se jo shumë kuratorë mendojnë që kjo pikturë është një nënshkrim i Leonardo da Vinçit”, ka thënë ai. “Nëse e ekspozojnë atë…ata do të donin që ta shfaqnin si ‘workshop’”.

“Nëse kështu është puna, s’ka fort gjasa që ajo të ekspozohet, për shkak se pronari thjesht nuk mund ta huazojë…vlera do të bjerë deri në 1.5 milionë dollarë”.

Lewis është autor i librit “The Last Leonardo” (Leonardo i fundit), që ravijëzon rrëfimin e jashtëzakonshëm e të ndërlikuar të pikturës.

Piktura është porositur nga dy tregtarë amerikanë të artit, që vunë bast më 2005 nga agjencia e shitjeve të patundshmërive në New Orleans për 1.175 milionë dollarë.

Ishte katandisur në një gjendje të rëndë. Pas viteve të tëra të restaurimit ekspertët u bindën që ishte vërtet një vepër e humbur e Leonardos dhe ajo u përfshi në ekspozitën e Galerisë Kombëtare në Londër më 2011.
Që prej shitjes së saj ka mbretëruar heshtja. Misteri mbulon vendndodhjen e saj, ndonëse Lewisi është i bindur që ajo ruhet në një vend të sigurisë së lartë në Zvicër.

“Është një pikturë që nuk guxon ta zbulojë fytyrën e saj”, ka thënë Lewis/ The Guardian./KultPlus.com