Hapet “Biografi Shqiptare: Nga tani deri më 1991” nga fotografja Jutta Benzenberg

Fotografja Jutta Benzenberg hapi në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, një ekspozitë personale.

Ekspozita titullohej “Biografi Shqiptare: Nga tani deri më 1991” dhe vjen si një projekt që u mbështetet nga Ministria e Kulturës, Goethe-Zentrum Tirana dhe Ambasada holandeze në Tiranë.

Ekspozita e fotografes Benzenberg, është kuruar nga Kim Knoppers.

“Shqipëria dhe shqiptarët, në syrin e një fotografeje që e ka jetuar vendin tonë jo thjesht si kalimtare”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Fotografitë krijojnë një subjekt narrativ me ngritjet e uljet e veta, me horizonte të gjera dhe detaje që shtjellojnë identitetin shqiptar përmes syve të Benzenberg-ut, duke nxjerrë njëkohësisht në pah, edhe personalitetin e saj.

Aty pasqyrohet historia e 30 vjetëve të fundit e dokumentohen disa nga ngjarjet kryesore në vend. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në muajin nëntor./atsh/ KultPlus.com

Databaza online e muzeut Marubi, pasurohet me 10000 imazhe të reja

Në vijim të punës për arkivimin, katalogimin dhe dixhitalizimin e arkivës fotografike të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, tashmë databaza online e muzeut sapo është pasuruar me 10000 imazhe të reja të periudhës ndërmjet viteve 1860 – 1950 të koleksionit të Marubëve.

Kjo bëhet e mundur edhe në kuadër të regjistrimit të të dhënave të fotografive në bazën e të dhënave shtetërore “Regjistri Kombëtar i Pasurive Kulturore” pranë Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, me qëllimin dokumentimin, ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe historisë së Shqipërisë përmes fotografive online.

“Ju bëjmë me dije se gjatë hulumtimit tuaj në www.marubi.gov.al, do të gjeni 6 fusha kërkimi ku kryeni kërkimin tuaj për fotografinë e interesuar. Gjithashtu ju informojmë se gjatë këtij kërkimi mund të haseni në ndonjë “gabim”, mbasi të gjitha të dhënat e fotografive janë kopjuar me përpikëri nga regjistrat origjinalë të fotografëve. Ndaj, nëse konstatoni raste të tilla, ju ftojmë të na i reklamoni ato për korrigjim në postën elektronike [email protected]”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com