Ekspozitë me fotografitë nga Lindja e Largët në muzeun “Marubi”

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër, ka njoftuar se sot, me datë 5 prill në ora 19:00, do të hapet ekspozita “Felice Beato dhe Adolfo Farsari: Dy italianë në Lindjen e Largët”.

“Muzeu Marubi dhe “Fondazione Alinari per la Fotografia” ka kënaqësinë t’ju ftojnë në hapjen e ekspozitës “Felice Beato dhe Adolfo Farsari: Dy Italianë në Lindjen e Largët” kuruar nga Fondazione Alinari per la Fotografia, me konsulente shkencore Rossella Menagazzo-n”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ekspozita shënon bashkëpunimin e parë në mes dy institucioneve dhe shfaq punët e autorëve të rëndësishëm për fotografinë italiane dhe atë botërore.

Këta fotografë ishin ndër të parët që fotografuan Lindjen e Largët, në veçanti Japoninë, duke kontribuar në përhapjen e fenomenit kulturor të Japnonisë në Evropë. / KultPlus.com

Të rinjtë mësojnë mbi fotoreportazhin në Muzeun Marubi

Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, janë ngritur atelierët e edukimit për fotoreportazhin. Ato janë një seri punëtorish analitike mbi ekspozitën e Michel Setboun “Fotoreporteri në kohën e duhur, në vendin e duhur”, ku shfaqen imazhe të Shqipërisë së viteve 1980 deri në vitin 1991, me rrëzimin e sistemit dhe ngjarjet e lidhura me të.

Nisur nga fotografi e shkrime të gazetave të kohës, nxënësit e shkollave të mesme, të ndarë në grupe, punojnë mbi seri fotografike të ekspozitës duke ndërtuar një fotoreportazh që reflekton kohën e problematikat, e duke nxitur njëkohësisht edhe analizën e ngjarjeve e mendimin kritik.

Në punëtorinë e dytë ishin pjesëmarrës nxënës të  gjimnazit “Oso Kuka” dhe të departamentit të gjuhës frënge të Universitetit të Shkodrës./atsh/ KultPlus.com

Më shumë se 15 mijë vizitorë u ndalën tek “Marubi”

Muzeu “Marubi” në një analizë fillimviti për arritjet dhe planifikimet, vuri në dukje se për vitin 2022 regjistroi 15.644 vizitorë, ose 126% më shumë se viti 2021.

Ndërkohë, krahasuar me vitin 2019 (përpara COVID-19) viti 2022 shënoi një rritje prej 12% të vizitorëve me pagesë dhe 30% të të ardhurave nga shitja e biletave. E gjitha kjo, sipas “Marubit”, falë një programi intensiv ekspozitash, bisedash, punëtorish dhe aktivitetesh të tjerash.

Gjatë vitit 2022 në “Marubi” u hapën 5 ekspozita të përkohshme. Një ngjarje e veçantë ishte dhurimi i koleksionit fotografik të bashkëshortëve Safet e Gjylzade Dokle i përbërë nga 19.548 negativë, 31 albume brenda të cilëve ndodhen 7995 fotografi të stampuara në formatin 6×9 cm dhe 33 objekte pune të laboratorit fotografik. Ky koleksion fotografik është me i madhi i dhuruar “Marubit” pas viteve ’90.

“Marubi Ese” ishte një risi e këtij viti, platformë online kushtuar hulumtimit shkencor në fushën e historisë së artit dhe fotografisë. Angazhim madhor i këtij muzeu ishte digjitalizimi i plotë i regjistrave dhe dokumenteve të arkivës, prej 16883 faqesh, një proces i filluar në vitin 2014 e i përmbyllur falë programit veror të praktikave mësimore me nxënës së shkollës austriake “Peter Mahringer”.

Sa i përket vitit 2023, Muzeu Marubi parashikon të realizojë 4 ekspozita të përkohshme, 2 ekspozita itinerante, 8 punëtori profesionale, 2 restaurime të objekteve të arkivës e shumë projekte të tjera. /atsh / KultPlus.com

“The Guardian” rendit “Marubin” mes galerive më mbresëlënëse të Evropës

Prestigjiozja britanike “The Guardian” rendit Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi, në listën e muzeve dhe galerive më mbresëlënëse të Evropës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e “The Guardian” me titull “U mahnita nga bukuria”, ku  një pasazh i kushtohet Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi.

“Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi në qytetin verior të Shkodrës është një mrekulli. Fotografi me origjinë italiane, Pietro Marubi hapi studion e parë të fotografisë në Shqipëri, në mesin e shekullit të 19-të, kur vendi ishte nën sundimin osman”, shkruan “The Guardian”.

“Gjatë tre brezave ai, çiraku i tij Kel dhe djali i Kelit, Gegë, dokumentuan një periudhë magjepsëse të historisë shqiptare, që nga fillimet e lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë, përmes luftës Ballkanike dhe Luftës së Dytë Botërore, deri në regjimin komunist të Enver Hoxhës. Koleksioni i fotografive të ekspozuara tregojnë bukur të gjitha sferat e jetës – revolucionarë, fermerë, politikanë, muzikantë, fe, shumëllojshmërinë e mahnitshme të veshjeve tradicionale shqiptare, etj”, shkruan prestigjiozja britanike. /atsh /KultPlus.com

Hapet “Biografi Shqiptare: Nga tani deri më 1991” nga fotografja Jutta Benzenberg

Fotografja Jutta Benzenberg hapi në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, një ekspozitë personale.

Ekspozita titullohej “Biografi Shqiptare: Nga tani deri më 1991” dhe vjen si një projekt që u mbështetet nga Ministria e Kulturës, Goethe-Zentrum Tirana dhe Ambasada holandeze në Tiranë.

Ekspozita e fotografes Benzenberg, është kuruar nga Kim Knoppers.

“Shqipëria dhe shqiptarët, në syrin e një fotografeje që e ka jetuar vendin tonë jo thjesht si kalimtare”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Fotografitë krijojnë një subjekt narrativ me ngritjet e uljet e veta, me horizonte të gjera dhe detaje që shtjellojnë identitetin shqiptar përmes syve të Benzenberg-ut, duke nxjerrë njëkohësisht në pah, edhe personalitetin e saj.

Aty pasqyrohet historia e 30 vjetëve të fundit e dokumentohen disa nga ngjarjet kryesore në vend. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në muajin nëntor./atsh/ KultPlus.com

Ekspozohen objekte të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”

Objekte që ruhen në arkivin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër janë ekspozuar për publikun.

Ekspozita “Expose”, e çelur nën kujdesin e kuratores Orestia Kapidani, duket si një udhëtim në kohë dhe laboratorët e mjeshtërve të fotografisë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se këto objekte janë trajtuar dhe prekur nga baballarët e fotografisë shqiptare.

“Objekte të trajtuara e të prekura nga baballarët e fotografisë shqiptare, pjesë e koleksionit që ruhet në arkivin e Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, Shkodër, janë ekspozuar për publikun nën kujdesin e kuratores Orestia Kapidani. “Expose”, një udhëtim në kohë dhe laboratorët e mjeshtërve të fotografisë”, theksoi Margariti duke sjellë momente nga ky aktivitet. / KultPlus.com

‘EXPOSÉ’ nga kuratorja Orestia Kapidani në Muzeun Marubi

Në muzeun Marubi do të hapet ekspozita e titulluar “EXPOSÉ” që nga 26 marsi dhe do të qëndrojë e hapur deri në korrik.

Ekspozita e kuruar nga Orestia Kapidani, nxjerr në pah objekte të trajtuara e të prekura nga fotografët e koleksionit të cilat ruhen sot në arkivin e muzeut, duke i vendosur në një raport fiziko-emocional me vizitorin.

Ky projekt realizohet në bashkëpunim me Ministria e Kulturës dhe me mbështetjen e Fujifilm Shqip.

Oresat Kapidani është fotografe dhe kuratore e pavarur që asiston profesionalisht  artistë të rinj në punëtori për krijimin e një identiteti me anë të mediumit të fotografisë dhe formave të shumta që ai merr.

Përreth 18 vite i është përkushtuar krijimtarisë dhe ekspozitave personale e në grup. Gjatë viteve të punës si fotografe e pavarur, ka bashkëpunuar me shumë institucione të kulturës në Gjermani, Shqipëri, Francë, Itali.

Aktualisht jeton dhe punon në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com

Së shpejti hapet ekspozita “Kujtesa e Ajrit”, artistët në një hulumtim të Shkodrës dhe Tiranës

“Kujtesa e Ajrit” titullohet ekspozita që do të hapet te muzeu “Marubi”.

Janë artistët italianë Chiaralice Rizzi e Alessandro Laita, që vijnë me ekspozitën personale kuruar nga Gabi Scardi, e cila merr titullin nga vepra poetike e autorit Visar Zhiti,  “Kujtesa e Ajrit” (1993). Sipas muzeut, puna e tyre, në vitet e fundit, është qendërzuar tek tematika të ndërlidhura me arkivat, e koleksionet fotografike veçanërisht.

“Gjatë një rezidence në Shqipëri, ata kanë zhvilluar një hulumtim në zonën e Shkodrës dhe Tiranës, mbi fotografitë e shkrepura nga Marubët dhe pasardhësit e tyre. Vepra e artit që ka lindur nga këto takime, ka formën e një instalacioni audio shoqëruar nga një seri fotografish të ambienteve familjare ku fotografitë ruhet ende sot”, thuhet rreth kësaj ekspozite nga muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”.

Hapjen e kësaj ekspozite nesër e ka bërë me dije më parë dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti në faqen e saj. Projekti mbështetet nga edicioni IX i Italian Council, një program i Direzione Generale Creatività Contemporanea i Ministrisë së Trashëgimisë Kulturore, Aktiviteteve dhe Turizmit në Itali.  Projekti prezantohet nga Afol Metropolitana dhe Cfp Bauer, në bashkëpunim me muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi” dhe Ministria e Kulturës. Partnerë kulturorë: Museo Fotografia Contemporanea Centro Itard that’s contemporary  Harabel Contemporary Art Platform Arthouse Fondazione Pini. Ekspozita “The memory of the air” ( Kujtesa e Ajrit), që hapet më 14 janar do të qëndrojë deri më datë 14 shkurt.

Rreth ekspozitës

Nisur nga gjurmët e arkivit “Marubi”, Chiaralice Rizzi dhe Alessandro Laita, në një ekspozitë të kuruar nga Gabi Scardi, kanë regjistruar një seri historish me banorët e shtëpive dhe kur ka qenë e mundur, edhe me vetë protagonistët e fotografive. Rreth ekspozitës thuhet se, regjistrimi dhe prania e fotografive në shtëpitë e familjeve të ndryshme, interpretuar si arkivë e jetuar, si dhe historitë e lidhura me subjektet e fotografive, e vendosin ekspozitën në ndërthurjen mes imazhit dhe fjalës, të kaluarës dhe të tashmes, privates dhe publikes, subjektives dhe kolektives.

“Kjo nënvizon gjurmën e pashlyeshme të historisë dhe marrëdhënien e gjallë që individi ka me të. Aty ku historitë zyrtare tentojnë të ngrijnë narrativën në një version të reduktuar të saj, Laita dhe Rizzi na sjellin nuanca, kontradikta dhe të papritura, ndonjëherë të paparashikueshme e shpesh, aspekte të patrajtuara. E gjitha kjo në një vend që për 40 vite, ka qenë nën trysninë e një diktature që ndër të tjera, ka shkaktuar humbje të thella”, thuhet mes të tjerave.

Artistët Alessandro Laita dhe Chiaralice Rizzi janë diplomuar në Arte Pamore pranë IUAV në Venecia, 2009. Nga viti 2010 deri në vitin 2015 kanë punuar në të njëjtin fakultet si asistentë në kurset e Antonello Frongia-s, Lewis Baltz-it dhe Adrian Pacit. Praktika e tyre artistike artikulohet rreth marrëdhënieve ekzistuese mes peizazhit, imazhit, kujtesës dhe formave të tyre. Në punët e tyre, përmes një procesi vëzhgimi, imazhet bëhen histori, duke shkuar përtej kuptimit të thjeshtë pamor. Në përdorimin e mediumeve të ndryshme, kërkimi ngre pyetje kritike rreth gjuhës fotografike si praktikë. Kuratorja Gabi Scardi është historiane arti, kuratore dhe shkrimtare, kërkimi i saj fokusohet në ndërthurjen mes artit pamor, antropologjisë, arkitekturës, dizajnit, modës dhe kulturës urbane. 

Nga Julia Vrapi /Sot/ KultPlus.com

Arkivi i Muzeut të Fotografisë “Marubi” në proces dixhitalizimi

Arkivi i Muzeut të Fotografisë “Marubi” është në proces dixhitalizimi.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se deri më tani janë digjitalizuar 23 regjistra me 15,260 faqe, falë punës së specialistëve të “Marubit”, Shkodër dhe studentëve të shkollës austriake “Peter Mahringer”.

“Arkivi i Muzeut të Fotografisë “Marubi” është krenari kombëtare, ndaj edhe ruajtja e tij është detyrë parësore. Me digjitalizimin e tij i zgjasim jetën koleksioneve origjinale dhe i bëjmë më të aksesueshme për publikun e në veçanti studiuesit e fotografisë. Deri më tani janë digjitalizuar 23 regjistra me 15,260 faqe falë punës së specialistëve të “Marubit”, Shkodër dhe studentëve të shkollës austriake “Peter Mahringer””, bëri të ditur Margariti.

Në vitin 1970 u themelua Fototeka “Marubi” dhe në maj të vitit 2016, me koleksionet e fototekës u inaugurua Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër, i cili sot konsiderohet si një nga muzetë unikë në Evropë.

Muzeu sot përmban një koleksion të rrallë me fotografi me rreth 500 mijë negativë në teknika dhe formate të ndryshme, si dhe aparate fotografikë, dokumente të ndryshme dhe portrete të fotografëve shqiptarë. / KultPlus.com

Në Muzeun Marubi, ekspozitë për fotografët e periudhës osmane

Muzeu Marubi me një ekspozitë unike që sjell bashkë krijimtarinë e disa prej fotografëve më të rëndësishëm të Periudhës Osmane duke përfshirë këtu edhe fotografitë e Pietro Marubbi-t, të zbuluara së fundmi në koleksionin fotografik të Sulltan Abdyl Hamitit II në Stamboll, shkruan KultPlus.
 
Në këtë ekspozitë do të prezantohen fotografitë e : Vëllezërit Abdullahyan / Pascal Sébah (1823 – 1886) / Vasilikis Kargopoulos (1826 – 1886) / Félix Bonfils (1831-1885) / Pietro Marubbi (1832 – 1903) / Guillaume Berggren (1835-1920) / Nikolas Andriomeno (1851-1929) / Bogos Tarkulyan (Phébus) (?-1940?) / Vëllezërit Gülmez / Bahriyeli Ali Sami (1872-?). Kjo ekspozitë do të hapet më 12 nëntor, me fillim në ora 18:00 dhe është kuruar nga Lucjan Bedeni./ KultPlus.com

Ekspozohet koleksioni i Pjetër Rraboshtës, fotografi që risjellin Shkodrën e viteve ‘40

Pas një periudhe të gjatë mbyllje për vizitorët për shkak të pandemisë, për herë të parë pas 70 vitesh në Muzeun Kombëtar të fotografisë “Marubi” u hap ekspozita e Pjetër Rraboshtës, njërit prej fotografëve më të njohur të qytetit të Shkodrës gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, imazhet e së cilit sjellin jetën e qytetit në mes të viteve 1949-1959.

Ai vjen me një rrugëtim imazhesh të cilat paraqesin jetën e qytetit, ritet e aktivitetet fetare, tregtare, sportive si dhe manifestimet politike. Nuk mungojnë as temat e ushtrisë, apo ato në malësi që njihen si fotografitë për letërnjoftime.

Në ekspozitën e fotografit Pjetër Rraboshta janë ekspozuar 84 foto dhe rreth 150 imazhe të projektuara, pjesë e koleksionit prej më shumë se 16 mijë imazhesh, të cilat ai j’a dhuroi shtetit shqiptar në fillim të viteve ‘70 të shekullit të kaluar.

Kuratori i ekspozitës, profesori i historisë së artit dhe pikturës Zef Paci, thotë se fotografia e Rraboshtës bart një gjurmë vërtetësie, nganjëherë duke mos u kujdesur shumë për kuadrin, por kjo i jep atyre një lloj grafizmi dhe vërtetësie prekëse.

“Ndryshe prej fotografëve të tjerë ai është i vendosur me aparatin e tij fotografik pranë lulishtes së qytetit, pranë katedrales, duke qenë se ai ndjek shpesh herë ritualet e krezmimeve të fëmijëve të ndryshëm apo ngjarjeve të tjera, që gjithnjë kanë lidhje të ngushtë me fëmijët”, thotë ai.

Fotografët e njohur të Shkodrës të shekullit të kaluar njiheshin nga emërtimet që u kishin vënë banorët. Kështu, Marubin e thërrisnin “fotografi i zotnijve”, Picin “fotografi i malësive”, Jakovën si “fotografi i të rinjve”, ndërsa Rraboshtën si “fotografin e fëmijëve”.

Ndërsa, drejtori i muzeut, Luçian Bedeni, thotë se koleksioni i fotografit Rraboshta ruhet në arkivën e muzeut dhe përbëhet prej më shumë se 16 mijë imazhesh. Ekspozita, thotë ai, ven pas një pune të gjatë për dixhitalizimin e koleksioneve të fotografëve të tjerë, përtej dinastisë Marubi.

“Kjo ekspozitë nuk kërkon për me e shterru prurjen interesante që bjen një fotograf si Pjetër Rraboshta, por kërkon me dhanë një pamje se çfarë përmbajnë këto 80 e sa imazhe të printume dhe disa të projektume. Me dhanë një shije të qëndrimit të tij, botëkuptimit të tij dhe, për pasojë, edhe të Shkodrës së periudhës kur ai operoi si fotograf”, ka thënë Bedeni.

Fotografi Pjetër Rraboshta rininë e tij të hershme e kaloi si nxënës pranë “Dritëshkrojës” së Kel Marubit. Për shumë vite ai punoi te studioja e Marubëve me Gegë Marubin.

Ndërsa, në fillim të viteve ’40, ai hapi në rrugën kryesore të qytetit studion e tij “Foto Rraboshta” ku punoi deri ne vitin 1963, kohë kur në Shqipëri u mbydhën akitvitetet private.

Në imazhet e Pjetër Rraboshtës është një pjesë e konsiderueshme e Shkodrës të atyre viteve që në këto 30 vite shumëçka ka humbur dhe i vetmi ngushëllim janë pikërisht këto foto.

Të shumtë janë sot qytetarët e Shkodrës, që gjejnë fëmijërinë e tyre te fotot e Rraboshtës. / VOA / KultPlus.com

Muzeu ‘Marubi’, një ndër 50-të muzetë evropianë më inovatorë të katër dekadave të fundit

“Revisiting Museums of Influence. Four decedes of Innovation and Public Quality in European Museum”, ka prezantuar së fundmi portretet e 50 muzeve europianë që kanë sjellë inovacionin, për nga trashëgimia dhe cilësia e ofertës kulturore përgjatë 40 viteve të fundit.

Pjesë e këtij klasifikimi, ishte dhe ‘Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi’.

Në këtë klasifikim ishin disa nga muzetë europianë më të njohur, si Rijksmuseum, Hollandë; MuCEM- Museum of European and Mediterranean Civilizations, Francë; The British Galleries at the Victoria and Albert Museum, Britani e Madhe; Museum of Broken Relationships, Kroaci; War Childhood Museum, Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kujtojmë se ky muze fotografik, mban një koleksion prej më shumë se pesëqindmijë negativësh që shtrihen nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, e deri në fundin e shekullit njëzet.

Muzeu “Marubi” priti në 2019 më shumë se 16 mijë vizitorë, ku çdo vit e më shumë është kthyer në një pikë kryesore për turistët vendas por dhe ata të huaj.

Në lidhje me këtë klasifikim, reagoi edhe stafi i  Muzeut “Marubi”, në rrjetin social Facebook ku u shprehën ndër të tjera se ndihen mjaft të motivuar nga ky klasifikim:

“Vlerësime të tilla na shtyjnë së pari të falenderojmë stafin, bashkëpunëtorët, miqtë e muzeut, vizitorët vendas e të huaj të cilët shpesh kanë ndarë me ne edhe përshtypjet e tyre, gjë që na ka ndihmuar edhe në cilësinë e shërbimeve të ofruara.

Kjo na motivon çdo ditë e më shumë të jemi më pranë komunitetit artdashës e po ashtu një publiku të ri, të apasionuar e të vëmendshëm ndaj trashëgimisë kulturore të lënë nga brezat e që transmetohet sot përmes formave inovative e bashkëkohore.

Ju faleminderit e shihemi te Marubi “, shkruhet ndër të tjera, në faqen zyrtare të Marubit në Facebook. / KultPlus.com

32 vjet nga vdekja e fotografit të njohur shqiptar, Gegë Marubi

Më 11 qershor 1988 u nda nga jeta Gegë Marubi, fotograf dhe atdhetar i shquar.

U lind në Shkodër në vitin 1907 në familjen e fotografit të njohur Kel Marubi. Familja Marubi historisë së fotografisë shqiptare i ka dhënë kontributin më të madh të mundshëm.

Ata kanë kaluar nëpër duar mbi 15.000 foto, negativë që shënojnë ngjarjet më të rëndësishme të kohës, personalitetet me rëndësi, pamje nga jeta shqiptare, veshjet, kostumet, dasmat dhe tërë jetën etnografike shqiptare.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë ”Marubi” në Shkodër është një thesar që përfshin një arkiv prej mbi 500 000 negativash, që përshkruajnë familjet, qytetarët, ushtarë, politikanë dhe tregtarët lokalë në Shkodër, momentet e përditshmërisë dhe ngjarjet historike nga mesi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.

Ai ishte fotografi i fundit i familjes dhe vlerësohet si një nga fotografët më të shquar në Ballkanit të brezit të tij. / KultPlus.com

Vizitë në muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, pa lëvizur nga shtëpia

Edhe kultura iu është përshtatur mjeteve të reja të teknologjisë, që në momente si këto, të përhapjes së koronavirusit të ri, vijnë më shumë se kurrë në shërbim të qytetarëve. Kështu, Kultura vjen pranë jush nëpërmjet teknologjisë.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi ndodhet në Shkodër, por të gjithë qytetarët mund ta vizitojmë atë nga shtëpitë e tyre përmes tureve virtuale të Ministrisë së Kulturës.

Muzeu kombëtar i fotografisë ”Marubi” është muzeu i parë i fotografisë në Shqipëri, si dhe një nga më të pasurit në rajonin e Ballkanit, që daton nga një periudhë kohore nga fundi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.

Më 9 maj 2016, muzeu kombëtar i fotografisë ”Marubi” u përurua së bashku me koleksionin e Bibliotekës së Fotografive. Muzeu i ri është një prej trashëgimive më të rëndësishme të kulturës shqiptare, pasi ai dëshmon për më shumë se një shekull të historisë dhe hedh dritë mbi momente, njerëz dhe ngjarje të rëndësishme që shërbejnë si një pasaportë thelbësore për kulturën shqiptare. /Atsh /KultPlus.com

Studioja fotografike më prestigjioze e Francës vjen në Muzeun Marubi

Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” do të bëhet hapja e ekspozitës “Nadar. Mes rregullave dhe tekave” e kuruar nga Michel Poivert.

Studioja fotografike më prestigjioze e Francës të fund shekullit XIX dhe fillim shekullit XX vjen në Muzeun Marubi me një përzgjedhje unike imazhesh nga atelieri Nadar, që na tregon se si portreti klasik i « burrave të mëdhenj » të shekullit XIX, i shpikur nga Félix, i la vend suksesit të fotografisë së aktorëve të teatrit të fotografuar nga i biri Paul në fillim të shekullit XX. Tregtia e portretit kalon nga kthjellësia në fantazi duke na rrëfyer zhvillimin e një shoqërie ku kodet e famës ndryshojnë.

Kjo ekspozitë vjen si një bashkëpunim me Muzeun e Fotografisë Jeu de Paume në Paris, Médiathèque de l’architecture et du patrimoine, Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë dhe Francës me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Tiranë.

Hapja e ekspozitës bëhet më datë 10 tetor, në ora 18:00 dhe do të qëndrojë e hapur deri më datë 3 shkurt 2019. /KultPlus.com

Muzeu Kombëtar “Marubi”, atraksioni më tërheqës për të huajt

Me fillimin e sezonit të verës, turizmi lëviz me hapa shumë më të shpejtë. Kështu, në Shkodër shumë turist nga anë e kënd botës kanë ardhur për të vizituar qytetin dhe për t’u njohur me historinë e tij. Vitet e fundit, forma më e pëlqyer e kësaj njohjeje është nëpërmjet fotografisë.

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”, i vendosur në qendër të Shkodrës aty ku dikur ishte Banka, është kthyer në atraksionin kryesor për turistët e huaj dhe vendas. Nëpërmjet fotografive, ata shohin se Shqipëria nuk ishte vërtetë aq e prapambetur sa thuhet dhe se në të ekzistonte një kulturë e dëshmuar prej asaj fotografike.

Në ndarje të ndryshme të muzeut ka vajtime çka tregon një kulturë gjamash me baza pagane; ka dasma çka tregon një kulturë dashmash; ka pagëzime, meshë dhe falje të namazit.

Martesë, fotografi nga Gegë Marubi. Mungojnë të dhënat për këtë foto.

Funerali i Ferit Frashërit

Gjithashtu ka edhe familje të fisshme, fisshmëria dhe aristokracia e të cilëve shfaqet në gjithë aparencësn, duke nisur me veshjen, mënyrën e rregullimit të flokëve apo të kapeles e duke përfunduar me mënyrën se si i qëndrojnë, plot elegancë.

Lin Luka me grua, ditën e dasmës… Sikruse shihet, burri është në këmbë, ndërsa gruaja, ulur. Diçka e rrallë për kohën…

Edhe fotografitë e objekteve të dikurshme dëshmojnë për një arkitekturë unike të qytetit të Shkodrës, me ndikime të forta nga ajo italiane dhe austro – hungareze.

Katedralja e Shën Shtjefnit “në profil”.

Marubët qenë ato që ndoqën çdo ngjarje historike, prandaj fotografitë e tyre tregojnë pavarësinë, monarkinë, ardhjen e nazizmit, fashizmit, komunizmit dhe manifestimet e tyre.

Festime me rastin e Shpalljes së Pavarësisë, Shkodër.

Leximi i dekretit të shpalljes së Monarkisë në ballkonin e prefekturës së Shkodrës.

Dhe të huajt, në këtë muze, me anë të fotove që mbushin muret e tij njihen shumë mirë me gjithçka duan të dinë e të njohin për Shkodrën dhe Shqipërinë./KultPlus.com

Muzeu Marubi kujton punën e fotografit Angjelin Nenshati me ekspozitë

Muzeu Marubi, në ekspozitën e radhës do të sjellë një retrospektive kushtuar punës së fotografit Angjelin Nenshati (Shkodër,1929 –2008), shkruan KultPlus.

Ekspozita |Angjelin Nenshati: Dëshmitar mes dy kohëve”, vjen si rezultat i programit të ekspozitave “Archive Reloaded” ku vëmendja është e orientuar në koleksionet e paekspozuara më parë për publikun.

Ajo orientohet në dy drejtime: në periudhën e diktaturës komuniste dhe në atë të tranzicionit të viteve ’90. Në të dyja këto periudha, në thelbin e fotografisë së tij, mbetet ngjarja të cilën ai e ndjek me interesin dhe me syrin e reporterit të mirëfilltë dhe të vëmendshëm.

Këtë pozicion të disiplinuar në marrëdhënie me momentin e pranishëm e perceptojmë gjithashtu edhe në ndryshimet e mëdha politike të vendit në vitet ’90, ku përmbysjet social-politike të lartpërmendura e transformojnë totalisht natyrën gjithnjë e më dramatike që merr ngjarja e çliruar nga inskenimi.

Ekspozita është bërë e mundur edhe falë kontributit të djemve të fotografit Angjelin Nenshati, të cilët vendosën në dispozicion të saj, imazhe nga koleksioni fotografik familjar i periudhës së pas viteve ’90.

Kjo ekspozitë restrospektive vjen e kuruar nga Luçjan Bedeni e Lek M. Gjeloshi. Ekspozita “Angjelin Nenshati: Dëshmitar mes dy kohëve”, hapet më 22 qershor duke filluar nga ora 19:00./KultPlus.com