Interes i shtuar për Muzeun “Marubi”, Bedeni: Rreth 9 mijë vizitorë në 6 muaj

Interesi i turistëve për të vizituar Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër është tepër lartë. Sipas Drejtorit Luçjan Bedeni 6-mujorin e parë të këtij, viti muzeu është vizituar nga 9000 turistë, rreth 3000 më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

“Këtë vit statistikat janë gjithnjë e në rritje, me rreth 9 mijë vizitorë”, tha Luçjan Bedeni, drejtor i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

Në muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, prej vitesh kryesojnë turistët nga Evropa Qendrore. “Muzeu Marubi gjatë këtyre viteve, eshte vizituar më së shumti nga të huaj që vijnë nga Evropa Qendrore, por vërehet një numër në rritje i vizitorëve spanjollë”, u shpreh Bedeni.

Në vitin 1970 u themelua Fototeka Marubi dhe në maj të vitit 2016, me koleksionet e fototekës u inaugurua Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, i cili sot konsiderohet si një nga muzetë unik në Evropë.

Muzeu sot përmban një koleksion të rrallë me fotografi me rreth 500 mijë negativë në teknika dhe formate të ndryshme, si dhe aparate fotografikë, dokumente të ndryshme dhe portrete të fotografëve shqiptarë./atsh/KultPlus.com

Turistët “zbulojnë” muzeun “Marubi”, rritet numri i vizitorëve

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” përveç vizitorëve vendas, vizitohet edhe nga një numër i madh turistësh, numri i të cilëve është gjithnjë në rritje.

Duke ftuar artdashësit të vizitojnë ekspozitën “Felice Beato dhe Adolfo Farsari – Dy italianë në Lindjen e Largët (1863-1890)” e cila do të jetë e hapur deri javën e parë të korrikut, Muzeu “Marubi” ndau edhe shifrat sa i përket kombësisë së vizitorëve të tij.

“Marubi” kujtoi se, në vitin 2022 në vend të parë të vizitorëve të huaj ishin francezët me 11,20%, në vend të dytë gjermanët me 8,00% dhe të tretë italianët me 7,90%. Ndërsa në vitin 2023 ishin italianët ata që e vizituan më shumë, me 11,12%, pastaj u renditën francezët me 9,76% dhe gjermanët me 8,41%.

Sipas Muzeut “Marubi”, tashmë që jemi në mesin e sezonit veror, fluksi i vizitueshmërisë së muzeut është gjithnjë në rritje, por është ende herët për të shuar kuriozitetin se vizitorët e cilit shtet do të jenë në vendin e parë për frekuentimin sa i përket 2024-ës./atsh/KultPlus.com

Bisedë me Rossella Menegazzo / Felice Beato dhe Adolfo Farsari në ‘Marubi’

Muzeu i fotografisë ‘Marubi’  më 14 qershor organizon bisedë me Rossella Menegazzo / Felice Beato dhe Adolfo Farsari: fotografë dhe sipërmarrës në Yokohama.

Historia e dy fotografëve italianë Felice Beato dhe Adolfo Farsari të cilët mbërrijnë në Japoni në gjysmën e dytë të shekullit XIX, flet për udhëtimin, kreativitetin, sipërmarrjen, për artin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Imazhet fotografike që ata kanë lënë pas, pjesërisht të koleksionuara në Arkivat Alinari në Firence, na dëshmojnë për tradita e zakone të një vendi që sapo ishte njohur me teknikën e fotografisë e me potencialin që ky mjet i ri kishte në kontekstin e një qyteti të gjallë portual si Yokohama. Beato dhe Farsari e transformojnë fotografinë në një produkt artistik me shtrirje të gjërë dhe kontribuojnë në formimin e gjeneratave të para të fotografëve japonezë duke shënjuar kështu edhe historinë botërore të fotografisë. /Express/ KultPlus.com

Muzeu i fotografisë “Marubi”, një udhëtim i pazakontë në histori

Arkivi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” ruan një koleksion prej më shumë se 500 mijë negativësh në xham, film rul e plan film, si dhe dokumente e objekte të fotografëve të koleksionit.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Gonxhja e konsideron këtë arkiv si një udhëtim i pazakontë në histori, procesi i konservimi të të cilit ka nisur falë mbështetjes së Ambasadës Gjermane në vendin tonë.

Në arkiv po kryhet një punë kolosale: procese konservimi, katalogimi dhe digjitalizimi. Ambasada Gjermane në Tiranë mundësoi financimin e materialeve të kompanisë Klug-Conversation, për sistemimin dhe mbrojtjen e arkivës sipas kushteve bashkëkohore.

Kjo mundëson zbatimin e një sistemi të ri konservimi të negativëve prej xhami, filmave rul, plan filmave, fotografive në letër si dhe dokumentave të cilat do të vendosen në zarfa dhe kuti të reja të dizenjuar sipas madhësive, cilësisë dhe standarteve përkatëse, duke respektuar parimin e konservimit të diktuar nga vetë autorët.

Një proces i tillë, i cili do të vijojë edhe në vitet e ardhshme, deri në zëvëndësimin e plotë të të gjithë materialeve të vjetra të konservimit, mundëson mbrojten e materialit arkivor dhe tejçimin e kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore tek brezat e ardhshëm./Ora/KultPlus.com

‘Felice Beato dhe Adolfo Farsari: Dy Italianë në Lindjen e Largët’, në muzeun ‘Marubi’

Ekspozita “Felice Beato dhe Adolfo Farsari: Dy Italianë në Lindjen e Largët” kuruar nga Fondacione Alinari me konsulencën shkencore të Rossella Menegazzo u hap në Muzeun “Marubi” në Shkodër.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë Alessandro Ruggiera dhe drejtoresha e Fondazione Alinari per la Fotografia Claudia Baroncini.

Ekspozita shënon bashkëpunimin e parë mes dy institucioneve dhe prezanton veprat e dy autorëve të rëndësishëm për historinë e fotografisë italiane dhe botërore. Felice Beato dhe Adolfo Farsari ishin ndër të parët që fotografuan Lindjen e Largët, në veçanti Japoninë, duke dhënë kështu ndihmesën e tyre në përparimin e fenomenit kulturor të Japonezizmit në Europë.

Ministri Gonxhja në një postim në rrjetet sociale falënderoi drejtorin e “Marubit”, Luçjan Bedeni duke e cilësuar atë “drejtorin shembull, që mbrëmë gjatë prezantimit e quajtëm Luçjano Marubi”.

“E quajtëm kështu, aq i fortë është dedikimi i tij për Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, aq i madh është respekti ynë për ekipin e tij të shkëlqyer dhe vlerësimi i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për punën pasionante të institucionit të drejtuar prej tij – sot një oaz i mrekullueshëm e frymëzues për promovimin e historisë, artit, trashëgimisë kulturore dhe aktiviteteve të çmuara ndërkombëtare”, u shpreh Gonxhja.

“Falënderim e mirënjohje nga MEKI, me premtimin se mbështetja jonë ndaj nevojave, vizionit dhe projekteve të udhëhequra nga Luçjano do të jetë e pakrahasueshme me deri tash, sikurse dhe bashkëpunimi që suksesin e Muzeut “Marubi” në Shkodër t’a kemi referencë për sistemin tonë të administrimit publik”, përfundoi Gonxhja.

Ekspozita u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Istituto Italiano di Cultura a Tirana./atsh/KultPlus.com

Muzeu ‘Marubi’ vijon punën për mbrojten e materialit arkivor sipas kushteve bashkëkohore

Muzeu i Fotografisë “Marubi” vijon punën me sistemin e ri të konservimit të negativëve prej xhami, filmave rul, plan filmave, fotografive në letër si dhe dokumenteve të cilat do të vendosen në zarfa dhe kuti të reja të dizenjuara sipas madhësive, cilësisë dhe standardeve përkatëse, duke respektuar parimin e konservimit të diktuar nga vetë autorët.

Një proces i tillë, i cili do të vijojë edhe në vitet e ardhshme, deri në zëvendësimin e plotë të të gjithë materialeve të vjetra të konservimit, mundëson mbrojtjen e materialit arkivor dhe tejçimin e kësaj trashëgimie kulturore tek brezat e ardhshëm.

Procesi i konservimit është ndërmarrë në vitin 2016, falë mbështetjes së Ambasadës gjermane, e cila mundësoi financimin e materialeve të kompanisë Klug-Conversation, për sistemimin dhe mbrojtjen e arkivës sipas kushteve bashkëkohore./atsh/KultPlus.com

Bashkëpunimi i parë i “Marubit” me Fondazione Alinari, sjell ekspozitën dedikuar Japonisë

Muzeu “Marubi” dhe Fondazione Alinari per la Fotografia do të sjellin së shpejti një ekspozitë të veçantë kushtuar Lindjes së Largët, me titullin “Felice Beato dhe Adolfo Farsari: Dy italianë në Lindjen e Largët”. Ekpozita do të kurohet nga Fondazione Alinari per la Fotografia, me konsulente shkencore Rossella Menagazzo-n.

Ekspozita shënon bashkëpunimin e parë mes dy institucioneve dhe shfaq punët e dy autorëve të rëndësishëm për historinë e fotografisë italiane dhe botërore. Autorët në fjalë, ishin ndër të parët që fotografuan Lindjen e Largët, Japoninë në veçanti, duke kontribuar kështu në përhapjen e fenomenit kulturor të Japonizmit në Evropë.

Fondazione Alinari per la Fotografia (FAF) ruan trashëgiminë fotografike të Vëllezërve Alinari, një nga studiot më të vjetra fotografike në botë, e themeluar në Firence, më 1852. Arkivat e FAF përmbajnë 5.5 milionë fotografi, teknika e të cilave përfshin që nga dagerrotipia, deri tek fotot digjitale nga të gjitha anët e botës. / atsh / KultPlus.com

‘Dy italianë në Lindjen e Largët’, ekspozitë në ‘Marubi’

“Dy italianë në Lindjen e Largët” është ekspozita e radhës që do të hapet së shpejti në Galerinë Marubi me 5 prill nga ora 19:00.

Muzeu Marubi dhe ‘Fondazione Alinari per la Fotografia’ hapin ekspozitën “Felice Beato dhe Adolfo Farsari: Dy Italianë në Lindjen e Largët” kuruar nga ‘Fondazione Alinari per la Fotografia’ me konsulente shkencore Rossella Menagazzo-n.

Ekspozita shënon bashkëpunimin e parë mes dy institucioneve dhe shfaq punët e dy autorëve të rëndësishëm për historinë e fotografisë italiane dhe botërore. Ishin ndër të parët që fotografuan Lindjen e Largët, Japoninë në veçanti, duke kontribuar kështu në përhapjen e fenomenit kulturor të Japonizmit në Evropë.

‘Paraphernalia’ ekspozitë virtuale në Muzeun ‘Marubi’

Ekspozita online kuruar nga Lek Gjeloshi është e çasshme për publikun në faqen zyrtare të Muzeut Kombëtar të fotografisë “Marubi”.

Ka parfume të forta për t’cilat çdo landë

asht poroze. T’thotë mendja se edhe qelqin e shpojnë.

Kur hapin një syndyk, ardhë prej Orienti,

që brava i kërset e i cijzë me za gërvishtës

o në një shpi të shkretë, n’ndo’j raft të moçëm

plot me erën e athët të kohës, të zi dhe të pluhnosun,

qëllon kajherë me gjetë nji shishkë që mban mend

prej kah i gjallë kërcen nji shpirt i çuem lugat. (1)

– Charles Baudelaire

Kontaktin ma të parë me fotografinë e kam pasë me nji album të Dinastisë Marubi, të prodhuem në Francë: Albanie. Visage des Balkans. Écrits de lumière, Arthaud, 1995. Nji ish nxanës i gjyshes ia kishte dhurue asaj në shenjë respekti. E shfletova mbi nji baulë, ku ruente lloj-lloj sendesh (edhe librin në fjalë). Prej atij çast automatik shfletimi, e të painteresuem, ruej të kthjellët veç megjepsjen që provova para fletëve të zeza futë, ku ishin vendosë imazhe me cepa të thyem.

Nji trajtë fotografike kësisoj, e pakopsitun gjeometrikisht, m’u paraqit edhe vite ma vonë, kur u ndesha rishtas me nji album të arkivit në fjalë, i cili bante bashkë nji numër ma të madh autorësh: Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi, FKM, 2015. Edhe këtu pjesa dërrmuese e fotografive ishte faqosë në të zezë, por ishte ma e fikun se ajo e francezëve.

Më patën ba përshtypje katër fotografi të Shan Picit (1904-1976), të cilat e ndërprenin ritmin mbizotnues e imponent të katalogut me rituale solemne, me sfonde idilike e subjekte të shtangun. “Fotot e mia”, në atë çast, ishin veç disa produkte e qelqurina të shkrepuna në vitin 1929, pesë vite mbasi Shan Pici bashkë me vllaznit e tij, Tefën e Ndrekën, kishin hapë në Shkodër studion “Fotografija Pici” (nji studio që këtë vit do të kishte celebrue 100 vjetorin e themelimit të saj). (2)

Me shpejtësinë e beftë të shikimit, kur ai don me i rrokë përnjiherë impulset, dizajni i atyne shishe, drita eterike e mbrapaskenës së pezullt, kaligrafitë e etiketat, portretet e damave, format e shkallëzueme e peshtahet, evokonin aspirata mondane e botë të largta. Tregonin, gjithashtu, për seriozitetin me të cilin këto produkte ishin konceptue e qitë në treg.

Me nji shpejtësi tjetër – këtë herë ma cerebrale – ato produkte, përtej pasunisë së naltpërmendun, m’u rikrijuen si konglomerat i mistershëm, si “paraphernalia” që qarkullonin rretheqark asaj qendre ku rrezatonin aspirata përparimtare e marrëzi të përbotshme: siç e përkufizonte Baudelaire-i – “poeti lirik në erën e kapitalizmit të epërm” (3) – Parisin e kohës së vet.

Ma fort se para do sendesh kozmetike, pata pershtypjen se ishin flakonë me eliksir, porcione të mbështjellun me temjan e opium, me merkur e shishe “Absinti” që do të servireshin – ashtu siç e kërkonte zakoni ma i mirë i poetëve “maudit” – nën dorë.

Nji përfytyrim që fotografia vetë e kishte distilue me psikedelinë e saj kimike, me xhelatinën e thatë e krypën e argjendit mbi xham, të rrafshueme mbi fletë të albumit si “lule herbariumi”.

Në vitet 1920, në Shkodër, Vllaznit Pogu kishin ndërtue fabrika: voji, sapuni, duhani, e tregtonin edhe parfumet në fjalë. Fabrikat e tyne punonin me makineri të ardhuna prej Perendimit. Vite ma vonë, mbasi regjimi komunist u konsolidue, fabrikat iu mbyllën, pasunitë iu sekuestruen dhe Tefë Pogu u dënue me burg. Tregojnë – e këto janë dëshmitë e së bijës – se gjyqi iu ba në shpinë e tij.

Ndërkohë, në panoramën ndërkombëtare, falë zhdërvjelltësisë me të cilën përdorimi i imazhit ishte thurë me rekuizitat e një “marketingu” si të thuesh ante litteram, fotografia e reklamës kishte pasë rritje eksponenciale. Nëse në vitet 1920 kjo tipologji fotografike ishte përdorë në ma pak se 15 përqind të reklamave të ilustrueme në revistat e masës, në vitet 1930 përqindja kishte shkue thuejse në 80. Përgjatë atyne vite, estetika publicitare dhe efektet e saj, butësia e atmosferave glamour, sloganet hiperbolike etj., ndoqën, paralelisht, edhe zhvillimet e dizajnit industrial. (4)

Në kontekstin tonë historik këto premisa mbetën sporadike. Vorbulla e shtetizimit, ma tej, mori para çdo iniciativë (përfshi këtu edhe studiot e fotografëve qytetës), e i la mbrapa si tendenca të venituna. Potenciale që i ruejmë, në konkluzion, si gjurmët e mbrame të nji “krisalide mortore”: të nji larve që s’mbrriti me u ba kurrë flutur./Express/KultPlus.com

‘Marubi’ rekord vizitorësh, mbi 18 mijë turistë në muzeun e fotografisë në Shkodër

Numri i lartë i turistëve që vizituan Shqipërinë u reflektua në të gjitha muzetë dhe uebsajtet arkeologjike të cilat pritën shifra rekord vizitorësh.

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” në Shkodër e vlerëson vitin që lamë pas si më të suksesshmin që nga ndërtimi i këtij muzeu .

Drejtuesi Luçian Bedeni tha se mbi 18-të mijë turistë vizituan muzeun, shifër kjo më e larta e regjistruar ndonjëherë.
Risi këtë vit është shtimi i numrit të rinjve të cilët vizituan muzeun.

Nëse viti 2023 u mbyll me shumë sukses, viti ri 2024 premton shumë surpriza për dashamirësit e fotografisë të cilët do kenë mundësinë të shijojnë koleksione të famshme ndërkombëtare duke e renditur kështu muzeun e vetëm kombëtar të fotografisë në vend mes muzeve më të rëndësishëm në Evropë./euronewsalbania/KultPlus.com

Edhe ‘Marubi’ thyen rekord, ‘lumë’ vizitorësh në Shkodër

Në Muzeun Kombëtar të fotografisë “Marubi”, këtë sezon turistik, dera nuk mbyllet asnjëherë.

Turistë nga e gjithë bota, po kërkojnë të njohin të kaluarën e Shqiperisë, përmes fotografive të shkrepura ndër vite.

“Është një muze shumë interesant për ta vizituar. Ka shumë gjëra për të parë. Fotografitë e familjes Marubi janë shumë të bukura. Fotot antike,të qyteteve, jetës në Shqipëri, traditave gjithçka është interesante. Një muze të tillë kam parë vetëm në Marok, ku përmes fotove t’i udhëton në të kaluarën dhe njihesh me historinë dhe kulturën”, tha një turist.

“Një muze shumë i mirë që të prezanton jetën në Shqipëri në epoka të ndryshme, me traditat, veshjet, jetën e përditshme në fshatra dhe qytete. Më bëri shumë përshtypje se si organizoheshin ceremonitë e dasmave apo festave dikur. Edhe fëmijëve u pëlqeu shumë pasi kishin mundësi të njihen me të kaluarën”, tha një turiste.

Marubi, sivjet ka thyer rekordet e vizitueshmërisë. Libri i përshtypjeve dhe një pyetësor i vendosur në dispozicion të turistëve, ka ndihmuar fototekën për krijimin e një opinioni mbi pritshmëritë e vizitorëve.

Vitin e kaluar, prestigjozja “The Guardian” në një artikull të dedikuar kësaj shtëpie të fotografisë, e renditi “Marubin” si një ndër 10 muzetë më të mirë në Evropë./Top Channel/KultPlus.com

Ekspozitë e fotografëve Safet e Gjylzade Dokle më Muzeun Marubi

Muzeu Marubi do të prezantojë ekspozitën personale të fotografëve Safet e Gjylzade Dokle, kuruar nga Lek M. Gjeloshi, shkruan KultPlus.
Aktiviteti fotografik i bashkëshortëve Safet e Gjylzade Dokle u zhvillua në Borje të Rrethit të Kukësit e më gjërë, duke përshkuar një hark kohor dyzet vjeçar, nga vitet ’30-të deri në fillim të viteve ’70-të.
Në koleksionin e tyre fotografik dokumentohet historia politike, jeta shoqërore, ritualet e ndryshme dhe aspektet tradicionale të Shqipërisë verilindore të asaj kohe.
Ky koleksion, i cili përbëhet nga rreth njëzetmijë negativë, është më i madhi i dhuruar mbas viteve ’90-të në arkivin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Ekspozita sendërton narracionin e parë mbi të, ku një vëmendje e posaçme i dedikohet përmasës etnografike dhe ezoterizmit që ajo ofron tanimë si fluks imazherik.

Ekspozita do të hapet më 24 mars në ora 19:00./ KultPlus.com

Kel Marubi, mjeshtri i fotografisë që mbajti gjallë dinastinë Marubi

Më 13 mars të vitit 1940 fotografi, vdiq Kel Marubi.

Emri i vërtetë i tij ishte Mikel Kodheli. Ai filloi të punonte që fëmijë si ndihmës në studion e Pietro Marubit, bashkë me vëllanë e madh Matinë. Rreth vitit 1885 Kel Marubi dërgohet nga mjeshtri i tij, për rreth dy vjet të mësojë mbi fotografinë e proceset e saj në Trieste tek studioja e Guglielmo Sebastianutti-t.

Pas vdekjes së mjeshtrit (1903), ai trashëgoi studion dhe mjeshtërinë e fotografisë, e për nder të mjeshtrit mbajti edhe mbiemrin e tij.

Marubi u përfshi që herët në lëvizjet për pavarësinë e vendit, gjë që shkaktoi burgosjen e tij disa herë nga autoritetet turke. Më 1908 në shtëpinë e tij u themelua klubi i parë patriotik “Gjuha Shqipe”. Më 1913, flamuri që lajmëroi pavarësinë në bashkinë e qytetit, qe qëndisur nga vajza e tij Bernardina. Studioja e tij shërbeu dhe si një vendtakim i figurave të njohura të politikës. Më 1926 emërohet fotograf zyrtar i mbretit Zog I.

Kel Marubi la si trashëgimi në fushën e artit të fotografisë, mbi 34000 negativë në xham të përmasave të ndryshme.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një letër të Lasgush Poradecit dërguar Marubit me kërkesën për stampimin dhe dërgimin e disa fotove kundrejt pagesës. Po ashtu, paraqitet një fletëpalosje reklame e stabilimentit fotografik “Marubi”. / atsh / KultPlus.com

‘Marubi’ përfundon katalogimin e të gjitha objekteve të arkivës

Muzeu “Marubi” ka konsideruar proces të rëndësishëm konservimin, digjitalizimin dhe katalogimin e objekteve që i përkasin trashëgimisë kulturore kombëtare.

Këtë vit u përfundua dokumentimi fotografik, kartelizimi dhe konservimi për të gjitha objektet e arkivës së muzeut (315), të cilat u ekspozuan pjesërisht në ekspozitën “Exposé”.

Kartelat e tyre i janë nënshtruar edhe plotësimit me informacione shtesë.

Me përmbylljen e këtij procesi i hapet rrugë restaurimit të objekteve specifike, të cilat gjenden në kushte më të degraduara.

Për Muzeun “Marubi” mbetet sfidë restaurimi i plotë i fondaleve origjinale (sfondeve për fotografim) të studios Marubi, me synimin ekspozimin e tyre për publikun.

Përmbyllet ‘muaji i fotografisë’ me babain e dinastisë Marubi

Ministrja e Kulturës, Margariti, e ka mbyllur “muajin e fotografisë” përgjatë të cilit eksploruam një pjesë nga vepra e fotografëve shqiptarë që lanë gjurmë në historinë e fotografisë.

Fotoja që përmbylli vazhdën e përshëndetjeve mëngjesore përmes fotografisë, sjell imazhin e ngritjes së Kishës së Madhe, në Shkodër. Ajo është e realizuar nga “mjeshtri që themeloi dinastinë më të famshme të fotografëve, Pjetër Marubi”, shkruan ministrja Margariti në rrjetet sociale.  Fotoja mban diçiturën “punëtorë shqiptarë e të huaj duke punuar tek Kisha e Madhe e Shkodrës”.

Pjetër Marubi, ishte një italian nga Piacenza, i cili pjesën më të madhe të aktivitetit të tij artistik e zhvilloi në qytetin e Shkodrës.

Me ardhjen në Shqipëri, ai hapi të parën studio fotografike, të cilën e emërtoi “Dritëshkronja”, duke sjellë shqip fjalën fotografi, pra të shkruash me dritë. Studioja u themelua më 1856 e sot mban emrin Fototeka Kombëtare “Marubi”.

Pjetër Marubi përveç se fotograf, ishte edhe skulptor, arkitekt e piktor.

Ai la një trashëgimi të pasur fotografike, e cila përtej vlerave artistike, ka vlera dokumentare e historike që dëshmojnë për periudhën në të cilën ai jetoi e veproi./ KultPlus.com

Fotografia e Angjelin Nenshatit sjell atmosferën e Shkodrës së vitit 1981

“Muaji i Fotografisë” përcolli këtë të hënë një foto të nxjerrë nga fondi i fototekës “Marubi”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi foton me autor Angjelin Nenshatin, e shkrepur në Shkodrën e vitit 1981 dhe që dëshmon për atmosferën e krijuar në qytet, ndërsa përurohej “Ekspozita Kombëtare e Kulturës”.  Siç shkruan edhe Margariti në rrjetet sociale, dikur, hapja e një ekspozite ishte festë.

Fotografi Angjelin Nenshati, lindi në Shkodër në vitin 1929. Studimet e para i kreu në Kolegjin Saverian e mbas mbylljes së tij, në gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër. Formimi i tij zë fill në mënyrë autodidakte. Impakti me fotografinë erdhi nga rasti fatlum i të rënit në dorë që herët i një aparati fotografik, me të cilin bëri shkrepjet e para në kontekstin e një qyteti me traditë në këtë fushë. Me vendosjen e regjimit komunist, për t’iu shmangur disi persekutimit për prirjet e tij demokratike e fetare, nga viti 1948 kur vendoset në Pukë e deri në 1957, është arsimtar pranë shkollave të ndryshme, por kjo nuk e pengon të punojë edhe në fushën e fotografisë. Që herët, edhe falë lidhjeve familjare, ai qëndron pranë fotografit të njohur në Shkodër, Pjetër Rraboshta, gjë që e plotësoi formimin e tij në drejtim të proçeseve të laboratorit. Në vitin 1958 hyn në kooperativën shtetërore ku punon si fotograf. Në vitet ’70 i bashkohet Gegë Marubit në aktin e dhurimit të fondit fotografik personal. Ky fond i ruajtur në Fototekën Marubi dhe i pasuruar më tej prej tij, numëron mbi 228.000 imazhe të shkrepura në film rul 24x36mm.

Angjelin Nenshati ishte fotografi që ndiqte eventet social-kulturore të vendit, por edhe familjet qytetare në ritualet e ndryshme të jetës së tyre. Aktiviteti i tij u realizua më shumë jashtë studios se brenda saj.

Punoi në repartin e fotografëve deri sa arrin moshën e pensionit në vitin 1989. Realizoi fotografi të zhanreve të ndryshme, por është shumë afër atij të reportazhit. Krahas fondit të tij në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, famija zotëron një fond të pasur me fotografi, kryesisht me ngjyra.

Ai ishte autori që ndoqi nga afër ngjarjet më të rëndësishme të qytetit, lëvizjet e ndryshme demokratike të viteve ’90, momentet e kthesave të rëndësishme, rifillimin e kremtimeve fetare, rihapjen e kishave e xhamive. Më 1993 fotografoi vizitën e Papa Gjon Palit II dhe Nënë Terezës së Kalkutës në Shqipëri. Më 1996 bashkë me djemtë e tij hap studion fotografike “Nenshati”. Angjelin Nenshati u nda nga jeta në vitin 2008. /atsh / KultPlus.com

Përfundon dixhitalizimi i regjistrave të vjetër në “Marubi”

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, ka përfunduar procesin e plotë të dixhitalizimit të 75 regjistrave të vjetër tejet voluminozë, dhe 171 dokumenteve që ruajnë gjurmët e fotografëve të koleksionit.

Kjo punë me vlera dhe voluminoze, ka ardhur falë një programi veror praktikash mësimore, e nisur që nga viti 2018.

Në programin “Summer at Marubi” kanë marrë pjesë nxënës të shkollës austriake “Peter Mahringer”, të cilët kanë zhvilluar praktikat në muze duke dhënë një kontribut të çmuar në dixhitalizimin e dokumenteve arkivorë.

Të rinjtë kanë punuar me seriozitet e përkushtim për digjitalizimin e regjistrave të vjetër, thuhet në njoftimin e dhënë nga Muzeu Marubi, në rrjetet sociale.

Verës që vjen, programi do të zëvendësohet me Marubi Open Archive, një ftesë e hapur për artistë, kuratorë e kritikë arti në hulumtimin e arkivit Marubi. /atsh / KultPlus.com

Marubi, mjeshtri i fotografisë artistike, historike e dokumentare

Në kuadër të “Muajit të Fotografisë”, ministrja e Kulturës Elva Margariti, publikoi sot një foto të të mirënjohurit Pjetër Marubi.

“Fotografia është nga ato mediume me vlera jo vetëm artistike, por edhe historike e dokumentare, si kjo foto e mjeshtrit Pjetër Marubi”, shkruan ministrja, në postimin e saj në rrjetet sociale.

Pietro Marubi ose Pjetër Marubi, siç njihet në mbarë Shqipërinë, ishte një italian nga Piacenza, i cili pjesën më të madhe të aktivitetit të tij artistik e zhvilloi në qytetin e Shkodrës.

Marubi u vendos në Shkodër pas shpërnguljes nga Italia, i detyruar për shkak të pjesëmarrjes së tij në Lëvizjen Garibaldine. Me vendosjen në Shkodër, ai hapi të parën studio fotografike, të cilën e emërtoi “Dritëshkronja”, duke sjellë shqip fjalën fotografi, pra të shkruash me dritë. Studioja u themelua më 1856 e sot mban emrin Fototeka Kombëtare “Marubi”.

Pjetër Marubi përveç se fotograf, ishte edhe skulptor, arkitekt e piktor.

Ai la një trashëgimi të pasur fotografike, e cila përtej vlerave artistike, ashtu siç thekson edhe ministrja Margariti, ka vlera dokumentare e historike që dëshmojnë për periudhën në të cilën ai jetoi e veproi.

Veprën e tij artistiko-dokumentare e çoi përpara Kel Kodheli, i cili trashëgoi studion dhe për nder të mjeshtrit, mbajti mbiemrin Marubi. / KultPlus.com

Hapet “Biografi Shqiptare: Nga tani deri më 1991” nga fotografja Jutta Benzenberg

Fotografja Jutta Benzenberg hapi në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, një ekspozitë personale.

Ekspozita titullohej “Biografi Shqiptare: Nga tani deri më 1991” dhe vjen si një projekt që u mbështetet nga Ministria e Kulturës, Goethe-Zentrum Tirana dhe Ambasada holandeze në Tiranë.

Ekspozita e fotografes Benzenberg, është kuruar nga Kim Knoppers.

“Shqipëria dhe shqiptarët, në syrin e një fotografeje që e ka jetuar vendin tonë jo thjesht si kalimtare”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Fotografitë krijojnë një subjekt narrativ me ngritjet e uljet e veta, me horizonte të gjera dhe detaje që shtjellojnë identitetin shqiptar përmes syve të Benzenberg-ut, duke nxjerrë njëkohësisht në pah, edhe personalitetin e saj.

Aty pasqyrohet historia e 30 vjetëve të fundit e dokumentohen disa nga ngjarjet kryesore në vend. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në muajin nëntor./atsh/ KultPlus.com

Shqiptarët dhe Shqipëria, hapet ekspozita e Jutta Benzenberg në galerinë “Marubi” në Shkodër

Shqiptarët dhe Shqipëria, në sytë e një fotografeje gjermane, erdhën në Fototekën Kombëtare “Marubi” përmes një ekspozite të Jutta Benzenberg dhe nën kujdesin e kuratores Kim Knoppers.

Imazhet dhe historitë e rrëfyera, krijojnë një lloj biografie të vendit tonë që nga viti 1991 kur fotografja u takua për hërë të parë me Shqipërinë e deri në ditët e sotme.

“Në ekspozitën time do të gjeni karaktere nga më të ndryshmet të cilat janë tashmë pjesë e personalitetit tim. Pse fotografoj kaq shumë në Shqipëri ? Sepse këtu njerëzit janë të hapur të tregojnë emocionet e tyre dhe unë dua të jem afër tyre, kjo më plotëson. Unë vij nga Gjermania dhe atje jam mësuar që të mos I tregoj emocionet e mia, gjë që është e gabuar sipas meje dhe prandaj zgjodha Shqipërinë, që të ngjall dhe t’i shfaq emocionet e mia sërish. Njerëzit më pyesin mua se pse pas 30 vitesh unë jam në Shqipëri ? E pyes edhe veten. Një grua e mencur shqiptare më tha: ti nuk mund të largohesh, ke 30 vite që fotografon shqiptarët dhe tashmë zemra dhe mendja jote janë ketu.”

Benzenberg, vecon momentin e fotografimit të një prej burrneshave të fundit në vendin tonë.

“Kur gazetarët e huaj vijnë në Shqipëri dhe takohen me burrneshat duan të nxjerrin në pah pjesën mashkullore të tyre, por unë i thashë vetes JO. Doja të tregoja diçka tjetër, por as vetë nuk e dija se si ta realizoja. Ia lash gjithcka rastësisë. Kur realizoj portrete dua të nxjerr pjesën shpirtërore të njerëzve. Fillova të bisedoj me të, provova t’i ndryshoj pak modelin e flokëve dhe dalëngadalë u clirua, ishte më e qetë, nxorri në pah feminilitetin e saj. U kthye sërish në një femër, por sapo e shkrepa foton dhe e përfundova, menjëherë u rikthye ai burri që takova në fillim. Kjo ishte më e veçanta.”

Ekspozita “Shqipëria në fokus: tani, prej vitit 1991… ” e cila u cel falë mbeshtetjes se ambasades Gjermane dhe asaj Hollandeze do të qendroje e hapur për të gjithë artdashesit deri në muajin Nëntor./ KultPlus.com

Koleksioni fotografik i Safet dhe Gjylzade Dokles i dhurohet Muzeut Kombëtar ‘Marubi’

Koleksioni fotografik i Safet dhe Gjylzade Dokles tashmë do të jetë pjesë e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

Në ceremoninë e dhurimit të koleksionit fotografik, ishin të pranishëm familjarë të Safet dhe Gjylzade Dokles, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtues të Muzeut Kombëtar të Fotografisë, “Marubi”, dashamirës etj.Aktiviteti fotografik i Safet e Gjylzade Dokles i zhvilluar në Borje të Shishtavecit të rrethit të Kukësit shtrihet nga vitet ’30 deri në vitet ’70.

Në koleksionin e tyre fotografik dokumentohet historia politike, jeta shoqërore, ritualet e ndryshme dhe aspektet tradicionale të Shqipërisë verilindore. Ky koleksion është më i madhi i dhuruar ndonjëherë mbas ’90 Fototekës Marubi, i cili përbëhet nga 19.548 negativë, 31 albume me fotografi dhe 33 objekte të laboratorit fotografik.

Në vijim të përmbushjes së misionit të tij, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka bashkëpunuar prej disa muajsh me Ramadan Doklen, trashëgimtar i koleksionit fotografik të prindërve të tij Safet dhe Gjylzade Dokle, me qëllim dhurimin e këtij koleksioni.Në vazhdën e misionit për të shpëtuar koleksionet fotografike të dëmtuara apo që ruhen në kushte të papërshtatshme në Shqipëri, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, gjatë viteve të fundit ka ndërmarrë disa nisma të shpëtimit të koleksioneve fotografike, si në rastin e koleksionit të Osman dhe Mehmet Kallfës në 2015 dhe të fotografit Pirro Mosit në 2016./ KultPlus.com

Ekspozohen objekte të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”

Objekte që ruhen në arkivin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër janë ekspozuar për publikun.

Ekspozita “Expose”, e çelur nën kujdesin e kuratores Orestia Kapidani, duket si një udhëtim në kohë dhe laboratorët e mjeshtërve të fotografisë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se këto objekte janë trajtuar dhe prekur nga baballarët e fotografisë shqiptare.

“Objekte të trajtuara e të prekura nga baballarët e fotografisë shqiptare, pjesë e koleksionit që ruhet në arkivin e Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, Shkodër, janë ekspozuar për publikun nën kujdesin e kuratores Orestia Kapidani. “Expose”, një udhëtim në kohë dhe laboratorët e mjeshtërve të fotografisë”, theksoi Margariti duke sjellë momente nga ky aktivitet. / KultPlus.com

Arkivi i Muzeut të Fotografisë “Marubi” në proces dixhitalizimi

Arkivi i Muzeut të Fotografisë “Marubi” është në proces dixhitalizimi.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se deri më tani janë digjitalizuar 23 regjistra me 15,260 faqe, falë punës së specialistëve të “Marubit”, Shkodër dhe studentëve të shkollës austriake “Peter Mahringer”.

“Arkivi i Muzeut të Fotografisë “Marubi” është krenari kombëtare, ndaj edhe ruajtja e tij është detyrë parësore. Me digjitalizimin e tij i zgjasim jetën koleksioneve origjinale dhe i bëjmë më të aksesueshme për publikun e në veçanti studiuesit e fotografisë. Deri më tani janë digjitalizuar 23 regjistra me 15,260 faqe falë punës së specialistëve të “Marubit”, Shkodër dhe studentëve të shkollës austriake “Peter Mahringer””, bëri të ditur Margariti.

Në vitin 1970 u themelua Fototeka “Marubi” dhe në maj të vitit 2016, me koleksionet e fototekës u inaugurua Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër, i cili sot konsiderohet si një nga muzetë unikë në Evropë.

Muzeu sot përmban një koleksion të rrallë me fotografi me rreth 500 mijë negativë në teknika dhe formate të ndryshme, si dhe aparate fotografikë, dokumente të ndryshme dhe portrete të fotografëve shqiptarë. / KultPlus.com

Letra nga Marubi në Shkodër

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Dhjetor 2021

Letër nga Shkodra e Shqipërisë

Shkodër (Shqipëri), 31 janar 1908.


Ish-studioja e fotografisë “Marubbi”, e themeluar në vitin 1856 dhe aktualisht e drejtuar nga Michel Codelli, pronari i saj i ri, është i vetmi vend (dyqan) i rekomandueshëm që ekziston në Shkodër. Porositë e tij për pllaka, filma, letra, zhvillues, kartolina dhe pajisje të tjera fotografike arrijnë në rreth 3.000 franga. Gjysma e këtyre aksesorëve furnizohen nga A. Lumière dhe djemtë e tij nga Lioni, të përfaqësuar nga z. Codelli.

Konsumi i filmave nga Franca, deri më tani ka qenë i parëndësishëm, për shkak të konkurrencës nga shtëpia “Kodak” në Vjenë.

Një sasi e caktuar kutish dhe artikujsh të tjerë fotografikë që arrijnë shifrën e përafërt prej 700 frangash, vijnë nga ndërmarrja e Bernard Wachtl (Vjenë). Ato janë të destinuara për “Marubbin” dhe për amatorë. Ka pasur edhe porosi për kamera dhe pajisje fotografike për një shumë prej rreth 2,  000 frangash të bëra në ndërmarrjen “Kodak” nga z. Codelli; ato do të përdoren nga një duzinë fotografësh modestë amatorë.

Gjatë vitit 1900, porositë e bëra në ndërmarrjen “A. Lumière dhe djemtë e tij” ishin 300 franga krahasuar me 1500 franga në 1907.

Nga të dhënat e mësipërme, qarkullimi i artikujve të fotografisë, megjithëse modest, është në rritje dhe është me fat të theksohet se një pjesë e mirë e kësaj tregtie është në duart e ndërrmarjeve franceze./ KultPlus.com