Revoltohet Elton Deda: Ne muzikantët në Shqipëri e Kosovë po hyjmë në muajin e 8-të pa punë, po shkojmë drejt falimentit

Për shkak të pandemisë muzika live dhe koncertet janë të ndaluara të zhvillohen pasi janë burim i përhapjes së COVID-19, por ky akti normativ i qeverisë ka bërë që këngëtarët të revoltohen pasi kanë ngelur pa punë.

Pjesë e emrave që kanë reaguar është edhe muzikanti i njohur, Elton Deda i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook shpreh shqetësimin për veten dhe gjithë kolegët e tij të kësaj fushe, duke përmendur se tashme po hyjnë në muajin e 8 pa punë.

Ai shprehet se pjesa dërrmuese e artistëve sigurojnë të ardhurat kryesore të jetesës,duke punuar deri në orët e para të mëngjesit, në klube e bare të ndryshme, por sot nuk munden më dhe kjo sipas Dedës, jo për shkak të paaftësisë së tyre për të punuar, por sepse nuk lejohen.

Deda poashtu potencon se qeveria në momentin që i la artistët pa punë duhet të mendonin edhe një mënyrë kompensimi , pasi edhe artistët paguajnë rregullisht taksat si të gjithë njerëzit e tjerë.

Statusi i plotë i Dedës.

Tashmë, ne muzikantët në Shqipëri e Kosovë po hyjmë në muajin e 8 pa punuar. Një pjesë dërrmuese e jona, të ardhurat kryesore i kanë prej punës së lodhshme deri në orët e para të mëngjesit, në klube, bare e lounge të ndryshme. Nuk punojmë dot jo sepse jemi të paaftë por sepse nuk lejohemi. Mbasi na kanë denigruar mirë e mirë me akte normative të bëra nga njerëz që thjesht nuk duan t’ja dinë për jetët e të tjerëve, mbasi na konsiderojnë pasanikë ndërkohë që shumë prej nesh po shkojnë drejt falimentit financiar, edhe nuk na dëgjojnë e nuk na përfillin.

Nëse na mbyllën, duhet të mendoheshe një strategji kompesimi. Minimumi që mund të bëjë një shtet te i cili ne paguajmë rregullisht taksa. Personalisht ndihem tepër pesimist më tepër prej indiferencës sesa prej gropës që thellohet çdo ditë. / KultPlus.com