Kandiqi jep dorëheqje nga Fondi për të Drejtën Humanitare

Natasha Kandiq, themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka njoftuar në rrjetin social Twitter se po ndërpret çdo bashkëpunim me organizatën që ajo e themeloi.

“Kam kohë që nuk i ndaj të njëjtat vlera me Fondin për të Drejtën Humanitare. Fund. Vazhdoj me Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë”, ka shkruar Kandiq.

Natasha Kandiq themeloi organizatën joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare në vitin 1992 me qëllim të dokumentimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut që u kryen masivisht në të gjithë ish-Jugosllavinë, gjatë konflikteve të armatosura në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë, shkruan “Danas”, transmeton Klankosova.tv.

Siç thuhet në faqen e internetit të FDH-së, dokumentacioni në të cilin ka punuar Fondi ka qenë i rëndësishëm për rastet në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (Tribunali i Hagës), siç është Foça (qytet në Republika Sërpska, BeH), një rast kyç në ndjekjen penale të dhunës seksuale në luftë.

“Kur filloi lufta në Kosovë, FDH hapi një zyrë në Prishtinë dhe mbeti në Kosovë gjatë bombardimeve të NATO-s, edhe kur u larguan KNKK-ja, OSBE-ja dhe mediat ndërkombëtare, duke raportuar nga Kosova. Pas përfundimit të luftërave, FDH iu përkushtua drejtësisë tranzicionale. FDH ka zhvilluar një model të përfaqësimit të viktimave në gjyqet e krimeve të luftës para gjykatave vendase, duke u mundësuar familjeve të viktimave nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Kosova të vijnë dhe të shikojnë gjyqet në Serbi. Po ashtu, FDH ka përfaqësuar më shumë se 1000 viktima të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftës në procedurat e kompensimit para gjykatave në Serbi”, thuhet në faqen e internetit. /klan kosova

Natasha Kandiq dhe Qendra për të Drejtën Humanitare të nominuar përsëri për Nobelin për Paqe

Aktivisjta serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq dhe Qendra për të Drejtën Humanitare janë nominuar për herën e dytë për ta fituar çmimin Nobel për Paqe.

Kandiq dhe qendra të cilën e ka themeluar ajo kanë qenë të nominuar edhe në vitin 2018 për ta fituar këtë çmim, transmeton KlanKosova.tv.

Të premten do të shpallet zyrtarisht fituesi. Favorit për ta fituar atë është presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky./ KultPlus.com

Kandiq: Dekorimi i Handkes është nisje e luftës ndaj rajonit dhe neve që bartim turpin e gjenocidit dhe krimeve që kreu Serbia

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, ka reaguar pasi presidenti Aleksander Vuçiq ka dekoruar mohuesin e gjenocidit dhe mbështetësin e Millosheviqit, Peter Handke me medaljen më të lartë shtetërore “ Urdhëri i Yllit të Karagjorgjit”.

Kandiq përmes një reagimi në Twitter ka thënë se Vuçiqi me atë gjest ka filluar një luftë kundër botës së civilizuar, fqinjëve dhe njerëzve në Serbi që mbajnë turpin e gjenocidit të kryer nga Millosheviqi në vitet e 90-ta.

“Duke dekoruar me “Urdhrin e Yllit të Karagjorgjitit” Peter Handken, Presidenti i Serbisë, filloi luftën kundër botës së civilizuar, fqinjëve dhe secilit prej nesh në Serbi që mbajmë turpin e gjenocidit të kryer dhe krimeve masive të forcave serbe në luftërat e viteve 1990. Nuk ka asnjë dromcë shprese”, ka shkruar Kandiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para dy ditësh e ka dekoruar me medaljen më të lartë shtetërore “Urdhri i Yllit të Karagjorgjit” fituesin e çmimit Nobel për letërsi vitin e kaluar, Peter Handke, i cili i bëri apologjetikë Sllobodan Millosheviqit për krimet e kryera në Ballkan.

Vuçiq e falënderoi Handken për gjithçka që bëri për Serbinë, duke e konsideruar “zëdhënës” të tyre.

Në anën tjetër, asnjë zyrtar shtetëror i Kosovës nuk ka reaguar ndaj dekoratës që presidenti serb Aleksandër Vuçiq i ka bërë mbështetësit të Millosheviqit, shkrimtarit austriak, Peter Handke. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Kandiq: Serbia duhet të tregojë shpejt se ku gjenden trupat e shqiptarëve të vrarë

Natasha Kandiq, themeluesja e Qendrës për të Drejtën Humanitare tha se Serbia duhet të përgjigjet për trupat e shqiptarëve të vrarë në luftë.

“Në lidhje me gjykimet e Thaçit dhe komandantëve të tjerë të UÇK-së, Serbia do të duhet të përgjigjet shumë shpejt se ku janë trupat e shqiptarëve të vrarë në Beleg, ku janë trupat e të vrarëve të mbetur në fshatin Kraljane, trupat e të vrarëve të mbetur në Izbice”, ka thënë Kandiq.

Ajo tha se pritej që të konfirmohej padia kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe përfaqësuesve të tjerë të UÇK-së.

“Sa i përket viktimave, ka indikacione serioze se prokuroria, për shkak të mungesës së provave të besueshme, nuk u mor me “Shtëpinë e Verdhë dhe heqjen e organeve njerëzore”, por sigurisht që do të hapë tema të ndaluara në Kosovë – vrasje të shqiptarëve, romëve dhe serbëve dhe gjykata do të arrijë në përfundime. gjë që do të çmitizojë rrugën nga urdhri në kryerjen e krimit – thekson Kandiq për Danas.

Në dy ditët e fundit u është konfirmuar aktakuza kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, ndërsa u bastis shtëpia e Jakup Krasniqit, i cili u arrestua nga Policia e EULEX-it dhe u dërgua në Hagë. /Express/ KultPlus.com

Dëshmia e Saranda dhe Fatos Bogujevcit dhe lajmërimi i Natasha Kandiqit

Tragjeditë dhe humbjet njerëzore gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk duhet harruar asnjëherë.

Marrë shkas nga tregimi i Saranda Bogujevcit, e cila mbrëmë në Beograd pati mundësinë që para audiencës të flasë për familjen e saj dhe për krimet e Serbisë në Kosovë, ne sot po e rikujtojmë këtë histori e cila nesër, me 28 mars, bëhet një histori e vuajtjes 19 vjeçare.

Natasha Kandiq, një aktiviste për të drejtat e njeriut, kësisoj e përshkroi lajmërimin e rastit Bogujevci në Prishtinë, në vitin 2008.

“Me ne janë Saranda dhe Fatos Bogujevci nga Podujeva. Më 28 mars të vitit 1999 ajo kishte dy muaj pa i bërë 14 vjet; Fatosi kishte 12 vjet, pas gjithë asaj që ndodhi, në korrik ai i mbushi 13 vjet. Ata i kishin familjet e tyre, vëllezërit e tyre, motrat e tyre. Dolën nga ajo ngjarje, asnjëri prej tyre nuk ka më nënë dhe ajo që ata përjetuan, ajo që u ndodhi atyre nëse do të mund të mos i ndodhte asnjë fëmije në botë do të ishte diçka e natyrshme për t’u kërkuar, për të pritur dhe për të luftuar për atë. Unë do ta lus Sarandën dhe Fatosin që ata bashkërisht të përpiqen të tregojnë se çka u ka ndodhur dhe ata janë të parët. Në viitn 2003 ata erdhën në Beograd për të dëshmuar. A mund ta paramendoni, në vitin 2003, kjo është pra pas më pak se katër vjet të plota, ata të dy, baballarët, vëllezërit dhe motrat e tyre vendosën të vinin dhe të dëshmonin përpara gjykatës në Beograd sespe ata e kuptuan se kjo është e vetmja gjë që ata mund të bëjnë për të gjithë ata që u vranë më 28 mars. Nuk ishte e lehtë që fëmijët të cilët me sytë e tyre i shikuan vrasjet të vinin në Beograd dhe të shihnin uniforma në rrugë. Por edhe Saranda edhe Fatosi që atëherë kishin kuptuar se e vetmja gjë që ende mund të bënin, ishte të përpiqeshin që faktet të vërtetoheshin, në mënyrë që ata të mund të dëshmonin publikisht. Dhe pastaj vetëm Saranda dëshmoi përpara gjykatës së hapur, përpara publikut, Fatosi ishte i mitur, ai dëshmoi në seancën e mbyllur por askush nuk mund ta përballonte dhe të ballafaqohej me atë për të cilën Saranda fliste. Nëse ekziston ndonjë drejtësi, atëherë unë ndjeva se ajo që u ka ndodhur atyre prapëseprapë ndryshon diçka. Një pjesëtar i Skorpionëve u lajmërua atëherë dhe më tha, ai kishte qenë atje në atë kohë, kishte parë se çka kishte ndodhur dhe ka dalur para gjykatës dhe ka folur për atë që ka ndodhur. Por unë nuk do të flas më për këtë sepse tani në Beograd ende po zhvillohet gjykimi ndaj katër pjesëtarëve të ri të Skorpionëve të cilët gjithashtu morën pjesë në këtë ngjarje. Por ja, do ta lus edhe njëherë Sarandën dhe Fatosin që të përpiqen ta tregojnë ngjarjen, e këtu, në rendin e tretë është Enver Duriqi dhe unë e lus që të përmbahet, sepse ai i ka [humbur] të katër fëmijët e tij, bashkëshorten, i kanë mbetur vetëm rruzujt lodër të cilët i mban në xhep që nga ajo kohë. Asgjë nuk i ka mbetur më pas kësaj. Pas atij 28 marsi.”

Më poshtë po e sjellim edhe dëshminë e Saranda Bogujevcit bashkë me vllaun e saj, Fatosit, në vitin 2014-të, në kuadër të iniciativës KOMRA. / KultPlus.com