Lunaçek: S’mund ta kuptoj ndarjen e Nobelit për Handken

Sekretarja e re e shtetit për Kulturë dhe Arte në Qeverinë austriake, Ulrike Lunaçek, në një intervistë për mediat austriake ka thënë se nuk mund ta kuptojë ndarjen e Çmimit Nobel në Letërsi për shkrimtarin austriak Peter Handke, transmeton KultPlus.

“Më parë, kam lexuar shumë gjëra të tij dhe më pëlqente vërtet. Megjithatë, mënyrën se si ai flet për çështje politike ku mijëra njerëz janë në dhimbje të mëdha, unë nuk e kuptova”, potencoi ajo për mediat austriake Kurier, Standard dhe Tiroler Tageszeitung.

“Nuk e kuptova vendimin e jurisë për t`ia dhënë çmimin Nobel”, vazhdoi tutje ajo

Ajo poashtu tha se nuk i kuptoi kurrë deklaratat e Handkes për luftërat në Ballkan.

Fituesi i çmimit Nobel për Letërsi, u ballafaqua me shumë akuza nga vende të ndryshme e persona me ndikim të madh në fusha të ndryshme të artit dhe jo vetëm. / KultPlus.com

Mjekja suedeze e kthen çmimin Nobel të fituar 31 vite më parë, shkaku i Peter Handkes

Dhënia e çmimit Nobel për letër për shkrimtarin austriak Peter Handke, ka ngjallur polemika të shumta në opinionin publik në lidhje me mbështetjen e tij për regjimin Slobodan Millosheviq gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, dhe protestat u organizuan me rastin e këtij çmimi.

Për këtë mjekja suedeze Christina Doctare e kthen prapa çmimin Nobel të fituar në vitin 1988 për shkak të Handkes.

Ceremonia u pasua nga një bojkot nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia Veriore, Shqipëria dhe Turqia. Protestat spontane, përpara ceremonisë zyrtare të ndarjes, u mbajtën para Qendrës Memoriale Potocari në Srebrenica, dhe më vonë në kryeqytetin Suedez, Stokholm.

Të mbledhur në një minutë heshtje për nder të viktimave të genocidit të Srebrenicës në verën e 1995 dhe viktimave të armiqësive në të gjithë Bosnje-Hercegovinën, shkruan Al Jazeera përcjellë Klan Kosova.

Doctare kujtoi luftërat në Ballkan, nga të cilat raportoi dhe tregoi krimet që kanë ndodhur. Ajo foli për trupat e masakruar e të rënë dhe tmerret që ajo dëshmoi.

“Për sa kohë që unë jetoj, unë do të dëshmoj se e vërteta e një lufte të tmerrshme nuk do të ekuilibrohej kurrë,” shtoi ajo. / Klan Kosova / KultPlus.com

Peter Handke pranon Nobelin për Letërsi (VIDEO)

Shkrimtari austriak Peter Handke ka pranuar Çmimin Nobel për Letërsi nga Mbreti i Suedisë Karl Gustav, në një ceremoni të organizuar në Stokholm.

Këtu u vlerësuan lartë veprat e Handkes, për punën e së cilit u tha se kishte shpirt zbulues dhe se ishte inspiruese për gjeneratat e ardhshme.

Handke është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës Srpska që nga viti 2008 dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë që nga viti 2012.

Nderimi i tij me Nobelin për Letërsi u përcoll me reagime dhe kundërshti të mëdha nga vende të ndryshme të botës, kjo pasi Handke ishte mbështetës i Sllobodan Millosheviqit dhe kishte mohuar gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë.

Pikërisht për këtë Shqipëria, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Afganistani bojkotuan ceremoninë e dhënies së çmimit.

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës kishte dërguar letër Akademisë Suedeze ku potencohej se Handke kishte mohuar krimet gjenocidale të Millosheviqit, për të cilën kjo e fundit pati thënë se “Nobeli ndahej për arritjet në letërsi e jo për personalitetin e tij”. Klan Kosova /KultPlus.com

Srebrenica kundër Akademisë Suedeze për ‘Nobelin’: T`ju vije turp!

               

Në ditën kur mbahet ceremonia e dorëzimit të Nobelit të Letërsisë, shoqatat e myslimanëve të Bosnjës i dërguan akademisë suedeze një mesazh të qartë me një pankartë gjigande të vendosur në zemër të Sarajevës, në të cilën janë shkruar fjalët “Turp të të vijë”.

Ato kanë denoncuar vendimin që çmimi prestigjoz t`i jepej shkrimtarit austriak, të shumëpërfolur për qëndrimin pro-serb dhe mbështetjen e Sllobodan Milosheviçit.

Përzgjedhja e Akademisë Suedeze, e njoftuar në tetor, shkaktoi zemërim në Ballkan dhe më gjerë.

Autori 77-vjeçar do ta marrë çmimin nga Mbreti i Suedisë Carl XVI Gustaf në një ceremoni zyrtare me laureatët e tjerë të këtij viti, një event që do të pasohet nga një banket gala, ku do të marrin pjesë më shumë se 1200 të ftuar specialë, por që duket se do të pritet me protesta. / KultPlus.com

Handke refuzon pyetjet për përkrahjen ndaj Milosheviqit

Shkrimtari austriak Peter Handke, të cilit javën që vjen do t’i dorëzohet çmimi “Nobel” për letërsi, ka thënë të premten në Stokholm, në konferencën tradicionale për media se e do letërsinë, duke i bërë bisht polemikës për qëndrimet e tij proserbe në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë.

“E dua letërsinë e jo mendimet”, i është përgjigjur ai një gazetareje, e cila e ka lutur ta thotë mendimin e tij në lidhje me ngjarjet e viteve ‘90 në Ballkan. “I urrej mendimet”, ka thënë ai. Një tjetër gazetar e ka pyetur se përse në librat e tij s’e përmend Tribunalin e Hagës që ka pranuar gjenocidin në Srebrenicë, për të cilin janë shpallur fajtorë liderët ushtarakë e politikë, Ratko Mladiq e Radovan Karaxhiq.

“Vetëm vazhdoni me pyetjet tuaja, më pëlqejnë pyetjet tuaja”, me ironi është përgjigjur ai teksa ka lexuar letrën “armiqësore”, që i është adresuar bashkë me letër tualeti.

“Më shumë më pëlqen një letër anonime me letër tualeti sesa pyetjet tuaja”, ka thënë ai në konferencën për media, e cila ka nisur në një atmosferë të gëzueshme pasi kori ia ka kënduar Handkes këngën e ditëlindjes. Të premten ai ka festuar 77-vjetorin.

Por disa orë para konferencës, reagime kundër tij kanë ardhur edhe nga institucioni që vendos për laureatin e “Nobelit” për letërsi. Një anëtar i Akademisë suedeze, që ndan çmimin “Nobel” për letërsi, ka thënë të premten se do të bojkotojë kremtimet e sivjetme në shenjë proteste për çmimin e dhënë për Handke, një mbështetës i presidentit të ndjerë serb. /Koha.net /KultPlus.com

Kadare: Handke kaloi vijën që s’duhet kaluar në letërsi, vrasja nuk duhet të pranohet nën asnjë rrethanë

Shkrimtari 83-vjeçar shqiptar Ismail Kadare tha të mërkurën në Seul të Koresë së Jugut se ishte i lumtur që nderohej me çmimin prestigjioz Pak Kyong-ni për vitin 2019.

Çmimi do t’i dorëzohet shkrimtarit më 26 tetor në qytetin Wonju me një ceremoni të veçantë.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve jugkoreanë në Qendrën e Shtypit në Seul, Ismail Kadare tha se “Shqipëria ka qenë një ndër vendet më të izoluara në Evropë, një vend komunist nën diktaturë.”

Por, shtoi ai, Tiranën e ndan vetëm një distancë e shkurtër nga Italia dhe “njerëzit mund ta ndienin ndikimin e botës perëndimore. E megjithatë, ata bënin sikur një ndikim i tillë nuk ekzistonte. Ishte e ndaluar të flisje se sa afër ishte bota perëndimore.”

“Shumica e shkrimtarëve në atë kohë ishin të censuruar nga qeveria. Në Kushtetutë thuhej se nuk mund të shprehje mendime nëse ato ishin kundër regjimit. Shumë nga shkrimtarët ishin në situata të rrezikshme dhe disa u burgosën. Jeta ime është e vetëm njëra nga ato mijëra raste,” tha shkrimtari Kadare.

Ai foli për frymën universale të letërsisë dhe tha se edhe në Shqipërinë dikur të izoluar njerëzit megjithatë dinin për Korenë dhe për realitetin e dyfishtë të popullit korean.

Pastaj shkrimtari iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Duke folur për fituesin e Nobelit në letërsi për vitin 2019, shkrimtarin Peter Handke, i cili u bë objekt debatesh për lidhjet e tij me Sllobodan Millosheviçin, Ismail Kadare tha se është dakord me mendimin e shumë kritikëve të tjerë. Akademia Suedeze nuk duhet t’ia kishte dhënë çmimin Handkes, tha ai.

“E njoh personalisht Handken dhe kam ngrënë drekë me të disa herë. Mendoj se ekziston një vijë që letërsia nuk duhet ta kalojë, por Handke e kaloi atë. Vrasja nuk duhet të pranohet nën asnjë rrethanë,” tha Kadare.

Ai tha se ka qenë vetë viktimë e censurës dhe shtypjes së qeverisë dhe se kjo mund ta ketë bërë të jetë kaq i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje.

Çmimi Pak Kyong-ni do t’i dorëzohet Ismail Kadaresë më 26 tetor në qytetin Wonju të provincës Gangwon.

Ky është çmimi i vetëm ndërkombëtar letrar që Koreja e Jugut u jep shkrimtarëve. / KultPlus.com