Presidenti Meta poston foton me nipin e Ibrahim Rrugovës

Presidenti Ilir Meta ka uruar shqiptarët për festën e 28 Nëntorit, 109 vjetori i Pavarësisë.

Meta ka postuar një foto me Lekën, nipin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, teksa u uron shqiptarëve gëzuar festën.

“Të dashur miq, Së bashku me Lekën, nipin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ju urojmë të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen: Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar! ” shkruan Meta në postimin e tij. / KultPlus.com

“Nderi i Kombit” ndahet për gazetarin dhe publicistin Ferdinand Samarxhi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta me propozimin e të gjithë krerëve të bashkësive fetare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, vlerësoi sot gazetarin dhe publicistin e mirënjohur Ferdinand Samarxhi, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Me anë të një ceremonie të veçantë solemne, ku ishin të pranishëm krerët e të gjitha bashkësive fetare, akademikë, profesorë, gazetarë, sipërmarrës, bamirës e shumë personalitete të tjera, Kreu i Shtetit i akordoi vlerësimin e lartë me motivacionin: “Për punën gjysmëshekullore plot përkushtim të rrallë, me dinjitet e integritet, për pasqyrimin e realiteteve të kohës, sfidave të saj. Njeriut që frymëzon besimin tek Zoti, tek harmonia, bashkëjetesa fetare, në mbrojtje të virtyteve njerëzore dhe në shërbim të atdheut dhe kombit.”

Meta u shpreh se, “do doja ta nisja me një falënderim për të gjithë udhëheqësit e komuniteteve fetare për propozimin e tyre prej kohësh, për të akorduar këtë vlerësim të lartë, për Ferdinand Samarxhi. Çdo ditë e jetës së njeriut është e çmuar, por ajo bëhet e vyer kur i përkushtohesh shoqërisë, atdheut dhe kombit. Ndaj edhe gjithë këto vlerësime të deritanishme të bëra, janë pikërisht për të vlerësuar shembullin që është zhvilluar më shumë se gjysmëshekulli, në shërbim ndaj shoqërisë, atdheut, kombit dhe në veçanti, ndaj zotit dhe njeriut.”

“Këtë preambul e gjejmë të përputhur me jetën dhe veprimtarinë publicistike të zotit Ferdinand Samarxhi, këtij intelektuali aktiv, që me talent, frymëzim dhe mirësi, ka spikatur në fushën e gazetarisë televizive”, tha Meta.

“Ferdinand Samarxhiu lindi në Elbasan në një familje adhuruese të arsimit dhe dijes, por dhe e shenjtërisë së Zotit. Nuk ishin të pakta rreziqet që ai kaloi në kushte të ushtrimit të profesionit, në një sistem monopartiak. Por ishte vullneti, dashuria për njerëzit dhe talenti,  që e bënë Ferdinandin të hynte në epokën e re të demokracisë, përmes një origjinaliteti të jashtëzakonshëm dhe të spikatur, duke krijuar për herë të parë në vendin tonë kolanën e gazetarisë televizive të përkushtuar ndaj fesë dhe besimit, që kishte qenë rreptësisht e ndaluar”, u shpreh Meta.

“Në fillimet e para të punës dhe veprimtarisë intelektuale të fuqishme të zotit Samarxhi, spikat hapja për herë të parë e dritares në ekranin e Televizionit Shtetëror Shqiptar prej nga ku kundrohej me adhurim liria dhe besimi. Janë të lidhur me zërin dhe kronikat e veçanta të zotit Ferdinand Samarxhi, ekspozimi, prezantimi, njohja me emrat e shquar tashmë të kësaj bote si Hafiz Sabri Koçi, Kryepeshkopi Anastas, Dede Reshat Bardhi, Monsinjor Frano Ilia, Monsinjor Rrok Mirdita e deri tek Kardinali i ardhëm Dom Ernest Troshani”, tha Meta.

“Është i paharrueshëm portreti i At Zef Pllumbit, që gjithashtu erdhi përmes këtyre kronikave të Ferdinand Samarxhiut, në mozaikun e botës demokratike ku u shfaq përfundimisht me një aspekt jetik, origjinal por të nevojshëm më shumë se vetë kapitalizmi që kishte hyrë”, theksoi Meta.

“Ai është vlerësuar nga shumë institucione kombëtare e ndërkombëtare me tituj e çmime, nga Papa Françesku në vitin 2015, është cilësuar si ambasador i paqes dhe mbi të gjitha në këtë udhëtim të gjatë të jetës së tij gjysmëshekullor si gazetar, ai është i njohur prej të gjithë shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi, të cilëve iu është gjendur si gazetar për të gjitha problemet sociale, fetare, shoqërore dhe kombëtare”, u shpreh Meta. / KultPlus.com

Presidenti Meta kujton Gjergj Fishtën në 150-vjetorin e lindjes

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përkujtuar shkrimtarin rilindas, Gjergj Fishtën, në 150-vjetorin e lindjes së tij.

Meta përkujtimin e Fishtës e ka nisur me një strofë të poezisë “Shqypnija”:

“Edhè hâna do t’ a dijë, Edhè dielli do t’ két pá, Se për qark ksaj rrokullije, Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!”.

“Në 150-vjetorin e lindjes, nderojmë sot me përulësi, mirënjohje dhe respektin më të thellë, një prej kolosëve të shqiptarizmës, mbrojtësin e paepur të interesit kombëtar dhe një prej figurave më të ndritura të letërsisë tonë, epikun e madh dhe shprehësin më të fuqishëm të idealeve atdhetare dhe demokratike, personalitetin e jashtëzakonshëm politik, artistik, diplomatik dhe klerik, veçanërisht gjatë periudhës kur jetoi, që si rrallë kush jetësoi vlerat e Rilindjes Kombëtare, iluministin e paharruar At Gjergj Fishta”, ka shkruar Meta në Facebook.

Meta përmes këtij postimi vuri në pah kontributet e Fishtës për shqiptarët.

“Shqiptaria e kulluar, që na la trashëgim, prej së cilës frymëzohemi dhe me të cilën krenohemi, angazhimi i jashtëzakonshëm për Pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit modern shqiptar, roli i tij thelbësor në Kongresin e Manastirit për unifikimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, përpjekjet brilante diplomatike për njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë, si dhe vendosja, gjithmonë në ballë të lëvizjeve për mbrojtjen e trojeve dhe sovranitetit të vendit, e bën rolin dhe kontributin e tij, një gurthemel të rëndësishëm të vetëdijes shqiptare:, ka shkruar tutje ai.

Postimin e tij presidenti shqiptar e përfundoi me strofën e fundit të së njëjtës poezi:

“Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní, Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera, E me dije e me Lirí, Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.”./KultPlus.com

Presidenti Meta: Akademia e Studimeve Albanologjike duhet të fuqizohet

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në Akademinë e Studimeve Albanologjike, ku ndër të tjera vlerësoi rolin e madh të kësaj akademie për forcimin e identitetit tonë kombëtar.

“Të shohësh nga afër kryeveprat dhe dëshmitë e forta të civilizimit të hershëm europian të kombit shqiptar, autokton në trojet e veta, është vërtet një ndjesi e papërshkrueshme krenarie dhe emocionesh”, tha Meta.

Presidenti u shpreh se “ishte një kënaqësi shumë e veçantë të vizitoje Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe të bisedoje hapur me Profesor Luan Përzhitën dhe ekipin e mrekullueshëm të akademikëve, profesorëve dhe restauratorëve, të cilët punojnë me shumë përkushtim, për të ruajtur dhe promovuar një trashëgimi historike dhe kulturore të jashtëzakonshme, e cila duhet të jetë një prioritet edhe më i rëndësishëm mbarëkombëtar, për të gjitha institucionet shtetërore dhe jo vetëm”.

“Akademia e Studimeve Albanologjike, me një rol të madh për forcimin e identitetit tonë kombëtar, meriton të fuqizohet dhe të mbështetet më shumë”, tha Meta./atsh/KultPlus.com

Presidenti Meta nderon filantropin korçar, Selim Mborja

Presidenti Ilir Meta dekoroi sot me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” atdhetarin dhe bamirësin e njohur korçar, Selim Mborja (pas vdekjes).

Titulli i lartë u akordua me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së tij të vyer atdhetare dhe bamirëse, duke kontribuar jo vetëm financiarisht ndaj një sërë organizatash të rëndësishme shoqërore, gazetareske dhe sportive korçare, por edhe me mirënjohje të thellë ndaj gjestit të tij tejet human të dhurimit të truallit vetjak për ndërtimin e Spitalit të Korçës.”

Duke iu drejtuar të pranishmëve në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e Bibliotekës së qytetit të Korçës, Meta vlerësoi trashëgiminë mjaft të vyer që ka lënë për qytetin e Korçës, filantropi Selim Mborja.

“Selim Mborja i ka dhënë shumë qytetit të tij Korçës dhe padyshim Mborjes ku ai lindi, nga të cilat u detyrua të largohej dhe me të cilat e lidhi një dashuri dhe mall i madh i pashuar deri me ndarjen nga jeta. Veprimtaria e Selim Mborjes ka qenë intensive dhe e shumëanëshme, në periudhën 1920-1943, në trevën e Korçës dhe më gjerë, duke u bërë një prej donatorëve dhe bamirësve më të mëdhenj të kohës. Njëkohësisht Selim Mborja njihet si një nga sipërmarrësit e parë, por që aktivitetin e tij privat dhe ekonomik e kishte të lidhur me një ndërgjegje të lartë sociale”, vlerësoi Meta.

Presidenti vlerësoi se “ajo që e dallonte, Selim Mborjen përveç aftësive të tij si sipërmarrës, ishte dhembshuria dhe bamirësia ndaj më të varfërve e jetimëve të qytetit, ku ai nuk kursehej financiarisht”.

“Për t’u ardhur në ndihmë të varfërve, të pamundurve e të sëmurëve, si dhe në nderim e kujtim të babait e vëllait, Selim Mborja dhuroi tokën e tij për ndërtimin e Spitalit të Korçës. Kjo e bën atë një filantrop të madh të kohës për trevën e Korçës. Shumë nga veprat dhe investimet e tij i kanë mbetur trashëgim Korçës. Edhe pse këto investime ishin të lidhura me interesat e tij ekonomike si sipërmarrës, bamirësia, humanizmi dhe dhembshuria e tij, për më të varfërit e jetimët, vinte nga zemra e tij bujare”, tha Presidenti. / KultPlus.com

Presidenti Meta përgëzon Jusuf Buxhovin për nxjerrjen në dritë të historisë sonë të lashtë kombëtare

Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka përgëzuar historianin Jusuf Buxhovi për nxjerrjen në dritë të historisë sonë të lashtë kombëtare, deri në ditët e sotme, përcjellë KultPlus.

“Duke i uruar shëndet të mirë dhe energji të pashtershme për vazhdimin e angazhimit të tij shkencor, theksova se të dy shtetet tona dhe institucionet përkatëse studimore duhet të bashkëpunojnë edhe më ngushtësisht në hartimin e veprave të përbashkëta historike”, ka shkruar Meta.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

Shumë i ngrohtë bashkëbisedimi, që zhvillova sot, me historianin e njohur nga Kosova, Jusuf Buxhovi dhe dy botuesit e veprave të tij, shqiptaro-amerikanin Ramiz Tafilaj dhe Milaim Avdullahun.
E përgëzova për punën e jashtëzakonshme për nxjerrjen në dritë të historisë sonë të lashtë kombëtare, deri në ditët e sotme.
Duke i uruar shëndet të mirë dhe energji të pashtershme për vazhdimin e angazhimit të tij shkencor, theksova se të dy shtetet tona dhe institucionet përkatëse studimore duhet të bashkëpunojnë edhe më ngushtësisht në hartimin e veprave të përbashkëta historike, që zbardhin të vërtetat për shqiptarët dhe historinë e tyre, si e vetmja mënyrë për të hedhur poshtë me fakte pretendimet e pabazuara, që mohojnë ose shtrembërojnë historinë tonë kombëtare.
E falenderova historianin Buxhovi për dhurimin e veprave të tij “Kosova”, “Maqedonia” dhe “Kosova – histori e shkurtër”. / KultPlus.com

Ilir Meta pas triumfit të Krasniqit: Urime Distrias, më të mirës së botës

Distria Krasniqi i ka siguruar medalje Olimpike Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke e rrëmbyer të artën. Kjo është medalja e dytë Olimpike për Kosovën, pas Majlinda Kelmendit që fitoi të artën në vitin 2016, përcjellë KultPlus.

Krasniqin e ka uruar edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Meta e ka quajtur Distrian më të mirën e botës pasi fitoi medalien e artë. Ndërsa, ai ka përgëzuar edhe Driton Kukën, trajnerin e Kosovës në xhudo dhe të gjithë ekipin që sipas tij asnjëherë nuk zhgënjen.

Ai në rrjetin e tij social Facebook ka publikuar katër fotografi të Distrias dhe ekipit, duke e uruar atë teksa është shprehur i lumtur për fitoren e saj. / KultPlus.com

15 vjet isopolifonia shqiptare në listën e UNESCO-s

Presidenti i Republikës Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë artistiko-kulturore që u mbajt në Muzeun Etnografik të Vlorës, në 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO-ja.

Gjatë fjalës së tij Meta tha se “gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandara”.

Presidenti Meta uroi veçanërisht korifejtë shqiptarë të polifonisë, ata që “në rolet e ‘Marrësit’, ‘Prerësit’, ‘Hedhësit’ dhe ‘Isos’ së kësaj kënge, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar këtë traditë të shquar kombëtare, brez pas brezi.”

Duke përshëndetur kontributin e grupeve krijuese, bartësve, interpretuesve, rapsodëve, muzikologëve, studiuesve dhe artistëve të folklorit e kulturës popullore, Presidenti theksoi se ky akt vlerësimi i UNESCO-s reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar. Gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandarë!”

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se “Në këtë ditë të shenjtë të ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar këtu në Vlorë ndihem dyfish i gëzuar, sepse krahas nderimit të veprës së lavdishme të firmëtarëve të Pavarësisë me në krye Ismail Bej Vlorën, po përkujtojmë sot edhe një arritje të shënuar të kulturës sonë shpirtërore dhe kombëtare si komb: 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’, të mbrojtura nga UNESCO-ja”.

“Ku tjetër më bukur se sa në Vlorë dhe kur më shumë se sa sot, pikërisht këtu në djepin e lirisë dhe të polifonisë, në këtë qytet të ndërtuar mbi atdhedashurinë, midis valëve të detit dhe maleve të Çikës, do të mund ta festonim këtë përvjetor të shquar! Shqiptarët nuk e ndanë kurrë këngën nga pushka apo flamurin kombëtar nga gjuha dhe eposi etno-kulturor! E meritojnë gjigandi Lefter Çipa dhe të gjithë korifenjtë e polifonisë këtë nder dhe kënaqësi për gjithçka që kanë bërë për atdheun, për flamurin, për shpirtin kulturor të kombit dhe lartësimin deri në UNESCO të polifonisë shqiptare”, u shpreh Meta.

Presidenti solli në vëmendje se data 25 nëntor e vitit 2005 është dhe do të mbetet një datë historike për kulturën shpirtërore të popullit shqiptar.

Në atë ditë, 15 vite më parë, nga selia qendrore e UNESCO-s në Paris, Drejtor i saj i Përgjithshëm kumtoi për të gjithë botën se dukuria e ‘Polifonisë me iso’ e Shqipërisë futet në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’ të mbrojtura nga UNESCO-ja.

Juria ndërkombëtare e mbledhur në Paris nga data 21-24 nëntor 2005, e përzgjodhi polifoninë tonë për t’u përfshirë në listën ‘Kryevepër e njerëzimit’ midis 60 kandidaturave të propozuara  nga shtete të ndryshme në çdo anë të botës.

Presidenti theksoi se, “Polifonia, gjuha shqipe dhe shqiptaria janë një. Ajo lindi nga vajtimi dhe u bë këngë përmes muzikalitetit të gjuhës sonë të bukur, për të cilën populli nuk thotë ‘e lexoi’, por ‘e këndoi’, sepse kënga ruajti edhe gjuhën. Kjo traditë madhështore e shoqëron shqiptarin nga lindja në vdekje dhe i ka dhënë kuptim këtij udhëtimi njerëzor, në çdo kohë e nën çdo sistem”.

“Se çfarë përfaqëson polifonia më lejoni sot të citoj përsëri ikonën e saj Lefter Çipën, i cili na mblodhi sot në këtë takim të paharruar: ‘Polifonia shqiptare, njëkohësisht është këngë klasike, këngë perëndie, për ta parë, për ta dëgjuar, për ta puthur, për ta dashuruar. Por duhet patur kujdes me dashurinë e saj. Duhet ta duash me gjithë shpirt, të të hyjë në gjak e deje. Polifonia është shpirti i ditës, dhe zëri i natës, është bota shpirtërore e shqiptarit. Aty ku dëgjohen zërat e polifonisë, të bën të besosh se aty ka zot.”- u shpreh gjatë fjalës së tij Meta.

Ndërsa theksoi se “sot kujtojmë, nderojmë dhe do të vlerësojmë të gjithë ata korifej të këngës, me emra të përveçëm e që njihen nga të gjithë, të cilët në rolet e ndryshme, sepse polifonia është ekip, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar gjithë këtë traditë të madhe”.

Meta tha se “Presidenca ka dekoruar me tituj nderi disa prej artistëve të folklorit të spikatur të vendit, sot jemi mbledhur të vlerësojmë disa të tjerë të shquar prej qarkut të Vlorës, në të ardhmen do të rikthehemi sërish këtu, por edhe në treva të tjera, si dhe do të shkojmë në të tjera treva për të vendosur në piedestal të tjerë artistë me emër të këngës polifonike dhe folklorit në përgjithësi”.

Ai tha se, një nderim të veçantë e kam edhe për studiuesit, muzikologët dhe folkloristët e mëdhenj si Prof. Ramadan Sokoli, Prof. Benjamin Kruta,  Prof. Spiro Shetuni,  Prof. Afërdita Onuzi, Prof. Vaso Tole, Prof. Piro Miso e shumë të tjerë si dhe për të gjitha ato institucione studimore, të cilët e vendosën polifoninë shqiptare në shtratin e një strukture vlerash të mirë studiuara shkencërisht.

Por sot është dita që të kujtojmë dhe vlerësojmë me nderim edhe të gjithë ata këngëtarë e këngëtare popullore anonimë, ‘të heshtur’, të cilët nuk kanë emër pasi njihen thjesht me emrin ‘kori i isos’, ose ata që ‘ia mbushin këngës’ apo siç thonë ‘që bëjnë eee’.

Presidenti nderoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” këngëtarët dhe valltarët e talentuar Arap Çeloleskaj dhe Taip Madani (pas vdekjes); zoti Sejmen Gjokoli, zonja Katina Mërkuri, zotit Hysen Ruka, zoti Rrahman Nuredini; zoti Syrja Hodo, zonja Fatbardha Brahimaj, zoti Abdyl Lizaj dhe zoti Berdo Berdaj për kontributet e paçmueshme në interpretimin, ruajtjen, transmetimin dhe popullarizimin e vlerave të polifonisë me iso, në festivalet folklorike nëpër skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Me Dekoratën “Nder i Kombit” Kreu i Shtetit çmoi poetin e shquar Lefter Çipa në vlerësim të rolit të tij brilant si krijues, rapsod, mbartës dhe interpretues i perlave të këngëve polifonike shqiptare tradicionale dhe bashkëkohore duke e quajtur: “Poet të talentuar me frymëzim thellësisht kombëtar dhe me vargje të shtrydhura nga dallgët e detit dhe të përshkuara nga dashuria për dheun e mëmëdheut dhe frymëzues i përjetshëm i bukurisë së jetës dhe shpirtit njerëzor, eposit historik dhe vlerave morale, identitetit dhe ndjenjës kombëtare”.

Zotit Dhimitër Varfi iu akordua Titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” për talentin artistik, interpretimin e spikatur dhe zërin e veçantë prej tenori, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës himarjote.

Ndërsa me “Titullin Naim Frashëri” Presidenti Meta çmoi zotin Sinan Gjoleka dhe zoti Dule Beqir Gjoka për kontributet e tyre vyera si këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullor të shquar të Labërisë. /ata/ KultPlus.com