Kompozitori Rafet Rudi nderohet me Çmimin për Vepër Jetësore “Niketë Dardani”

Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve tjera vjetore për muzikë, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku fillimisht falënderoi të gjithë laureatët e çmimeve në muzikë duke u shprehur që kjo është më e pakta që mund të bëjnë për këta artistë.

“Si ministri po e kryejmë një obligim ndaj punës suaj dhe kjo është më e pakta që mund të bëjmë sepse ju meritoni shumë më shumë. Para 30 minutave i kam nënshkruar çmimet. Përgjegjësia për të vlerësuar punën artistike është shumë e madhe”, tha Çeku.

Anëtarët e jurisë për ndarjen e çmimeve vjetore për muzikë ishin: kompozitori nga Franca, Stephane de Gerando, kompozitori nga Kosova, Kushtrim Gashi dhe kompozitori nga Kosova, Ardian Halimi.

Tutje në emër të jurisë, Sami Pirraj zyrtar i muzikës në Ministri ka komunikuar rezultatet e konkursit për muzikë për vitin 2020.

Çmimi për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” u nda për kompozitorin e dirigjentin Rafet Rudi.

“Çmimi kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani” i jepet kompozitorit Rafet Rudi që është kontribuues i jetës muzikore mbi gjysmë shekulli në nivele kombëtare e ndërkombëtare me shumë vepra cilësore. Veprimtaria e profesor Rudit është e larmishme me shtrirje të gjerë të veprave të begatshme”, thotë Pirraj.

Çmimi për Vepër Orkestrale Simfonike dhe Koncertante shkoi për kompozitorin Kreshnik Aliçkaj për veprën ‘Simfonia nr.4’.

Çmimi për Vepër Kamertale u nda për Ersan Januzin me veprën “Attempt” për orkestër harqesh dhe për Hajrulla Sylën me veprën “Udhëtimi në mjegull” për orkestër harkore.

Çmimi për kategorinë Vepër Solistike, shkoi për veprën “Flas me heshtjen” për soprano dhe piano të kompozitorit e dirigjentit Memli Kelmendi.

Kompozitori Rafet Rudi pas marrjes së çmimit u shpreh falënderues për këtë vlerësim.

“Do falënderoja ministrinë e kulturës për këtë iniciativë që ka filluar 10-15 vite më parë dhe që konsiderohet një rëndësi për krijimtari që shumë vështirë gjendet në vendin tonë. Pozita e kompozitorit është një çështje që diskutohet gjithmonë në shoqëri dhe e di se në fazat e ndryshme çfarë pozite ka pasur kompozitori. E çmoj këtë konkurs si shumë të rëndësishëm për jetesën dhe mbijetesën e krijimtarisë sonë”, tha ndër të tjera Rudi. / KultPlus.com

Sot ndahen çmimet e muzikës “Niketë Dardani”

Sot nga ora 13:30, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në një ceremoni solemne do të bëjë ndarjen e Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” për vitin 2018 dhe çmimeve tjera vjetore për muzikë.

Çmimet ndahen në bazë të Rregullores për Dhënien e Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” dhe Çmimeve për Vepra Muzikore.

Niketë Dardani ishte ndër të parët kompozitor i cili shkroi shumë vepra të ndryshme si ato laike dhe fetare. Njihet si autori i “Te Deum” hymnit bazë dhe simbol të krishtërimit, ky artist nga Dardania është një nga emrat e parë të historisë kulturore të krishtërimit dhe një nga themeluesit e kësaj kulture. /KultPlus.com

Zeqirja Ballata, laureat i Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” (FOTO)

Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi sot u mbajt ceremonia e ndarjes së Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” dhe çmimeve vjetore për vepra muzikore për vitin 2016, shkruan KultPlus.

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani”, iu nda kompozitorit kosovar Zeqirja Ballata, pas propozimit të jurisë në përbërje të Valton Beqirit, Baki Jasharit e Dinor Zymberajt.

Valton Beqiri, kryesuesi i komisionit të jurisë theksoi opusin e gjerë të veprimtarisë së Zeqirja Ballata, i cili përmban rreth 170 vepra nga të gjitha gjinitë, nga ato sofistike, kamertale dhe vokalo-instrumentale, të cilat janë interpretuar në shumë vende të botës.

Zeqiraja Ballata pasi që pranoi çmimin u shpreh se ndihet shumë mirë pasi që këtë çmim e merr së bashku me kolegë të rinj, të cilët i njeh me decenie të tëra.

“Edhe pse nuk janë të gjithë të një gjeneratë, ata janë aktiv për shumë gjatë pikë se pari duke krijuar vepra të ndryshme. Është kënaqësi e madhe për mua dhe kolegët që janë aktiv dhe marrin pjesë edhe në koncerte dhe festivale edhe ndërkombëtare”, u shpreh Ballata, duke thënë se atë sot e gëzon edhe një element tjetër pasi që sot kemi edhe kompozitore të gjinisë femërore.

Çmimi për veprat vokalo-instrumentale dhe muzikore-skenike iu nda kompozitorit Kreshnik Aliçkaj për veprën “Përtej luftës e paqes”.

Çmimi për veprat orkestrale-simofonike dhe koncertanle e mori kompozitorja Dafina Zeqiri për veprën “Koncert për piano dhe orkestër”.

Çmimi për veprat kamertale shkoi për kompozitorin Mendi Mengjiqi për veprën “String Quartet Nr. 4”.

Çmimi për veprat korale iu nda kompozitorit Rafet Rudi për veprën “Deti i varreve të hapura” për kitarë dhe kor.

Ministri Kujtim Gashi tha sot gjatë ndarjes së çmimit se Ministria është mirënjohëse për punën dhe angazhimin e tyre për avancimin dhe fuqizimin e muzikës klasike.

“Ne si ministri jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi njerëz të tillë që vazhdimisht punojnë dhe krijojnë dhe si rezultat ministria natyrisht që organizon edhe momente të veçanta për ndarjen e çmimeve”, tha ministri Gashi sot gjatë ndarjes se ceremonisë, duke shtuar se ministria do të vazhdoj të ketë përkrahje të vazhdueshme për krijuesit, performuesit e artit, të cilët lënë gjurmë në arkivin e pasur të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Ndërkaq, çmimi për veprat solistike dhe duo nuk u nda pasi që në këtë kategori nuk pati vepra konkurruese të kësaj gjinie./ KultPlus.com