Nisin xhirimet e dokumentarit për jetën dhe veprën e Bekim Fehmiut

Bekim Fehmiu, aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë, një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, mbetet ndër figurat më të dalluara të kinematografisë shqiptare, shkruan KultPlus.

Përpjekja për të realizuar një dokumentar për jetën dhe karrierën e Bekim Fehmiut, ndonëse nuk u mbështet nga Komisioni vlerësues i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), ajo nuk pranoi të mbetej në sirtar. Regjisori Valmir Tertini vazhdoi përpjekjet për të arritur deri të realizimi i këtij dokumentari me metrazh të gjatë të titulluar “Bekim Fehmiu”.

Mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë, tashmë kanë nisur xhirimet e këtij filmi dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së aktorit shqiptar, film ky që për qëllim ka shfaqjen e premierës në 10 vjetorin e vdekjes së aktorit.

Me një ekip të përthekuar mirë, filmi ka nisur xhirimet në Beograd dhe Sarajevë e për të vazhduar tutje në Zagreb.

Me skenar të gazetarit Fahri Musliu dhe nën regjinë e Valmir Tertinit, ky film do të shpalos në 60 minuta intervista nga personazhet më me ndikim në jetën e Bekimit, familjarë e bashkëpunëtorë të afërt.

Për KultPlus regjisori Tertini ka treguar se xhirimet do të zhvillohen edhe në vende të tjera.

“Xhirimet nisën në Beograd, Sarajevë për të vazhduar në Zagreb, Kosovë, Shqipëri, Itali, Francë dhe Amerikë. Dokumentari ka një trajtim opservativ, pa narracion, me intervista nga personazhet më me ndikim në jetën e tij”.

Ai tutje e ka quajtur skandaloze faktin se si një dokumentar i tillë si ky për Bekim Fehmiun nuk është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Mosmbështetja nga ana e tyre është skandaloze, përgjegjës është drejtori dhe juria”, ka pohuar Tertini.

Përmes një fotografie, regjisori ka lajmëruar që në dokumentar do të përfshihet edhe bashkëshortja e Fehmiut, aktorja Branka Petriq e cila do të sjellë një rrëfim ekskluziv për aktorin.

Skenaristi i dokumentarit, Fahri Musliu, ka njoftuar se filmi do të realizohet në tri gjuhë dhe premiera pritet të shfaqet më 15 qershor 2020, në ditën e shuarjes së aktorit, në Prizren, Tiranë dhe Beograd, kurse në ditët në vazhdim edhe në qytetet tjera të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi.

“Filmi ka nisur rrugëtimin e vet pas përgatitjeve të gjata, me vullnet të mirë dhe vendosmëri të realizuesve të tij, por pa mjete të duhura financiare. Prandaj, për realizimin e suksesshëm dhe me kohë të këtij projekti filmik me vlerë dhe karakter mbarëkombëtar, bukur të vështirë e të komplikuar, ju drejtohemi me lutje, institucioneve qendrore e lokale të pushtetit në Kosovë, organizatave e fondacioneve të ndryshme vendore e ndërkombëtare, ndërmarrjeve publike e private, grupeve të ndryshme, individëve dhe qytetarëve të vullnetit të mirë dhe dashamir e simpatizant të figurës dhe veprës së Bekimit, si dhe përfaqësive diplomatike në Kosovë, që sipas mundësive, të japin ndihmë financiare”, ka kërkuar mbështetje në këtë mënyrë Musliu. / KultPlus.com

Nisin xhirimet e filmit “Gdhend emrin tënd duke shkatërruar” (FOTO)

Fillojnë xhirimet e filmit dokumentar “Gdhend emrin tënd duke shkatërruar”, me skenar të Ervin Lera dhe regji të Parid Andoni, shkruan KultPlus.

Ky film vjen nën prodhimin e Shtëpisë Kinematografike Filter Film. Ndërsa është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë./ KultPlus.com