Letra e Albert Kamysë për mësuesin, pasi fitoi çmimin Nobel në Letërsi

Në 108 vjetorin e lindjes së Albert Kamy, KultPlus ua risjell letrën e tij për mësuesin, pasi fitoi çmimin Nobel në Letërsi.

Pasi fitoi Çmimin Nobel, Kamy mendoi që të falënderojë të parën nënën e tij, dhe të dytin një mësues të shkollës fillore.

Më poshtë letra:

19 nëntor 1957

I Nderuar Monsieur Germain,

Lashë turbullirën që më ka rrethuar këto ditë të bjerë pak, përpara se të të flas nga thellësia e zemrës sime. Sapo më është dhënë një nderim shumë i madh, një që as i isha vënë pas, as e kisha kërkuar.

Por kur dëgjova lajmin, mendimi im i parë, pas nënës time, ishte për ty. Pa ty, pa dorën e dashur që ti shtrive drejt vogëlushit të vogël e të varfër që isha unë, pa mësimet dhe shembullin tënd, asgjë prej këtyre nuk do të kish ndodhur.

Nuk është se e mendoj kushedi çfarë këtë lloj nderi. Por të paktën ai më jep mundësinë të të them, atë që ti ke qenë dhe je ende për mua, si dhe të të siguroj se përpjekjet e tua, puna jote, dhe zemra bujare që ti vendos në to, jetojnë ende tek njëri prej vogëlushëve të shkollës ku jepje mësim që, pavarësisht viteve që kanë kaluar, nuk ka pushuar kurrë së qeni nxënësi yt mirënjohës. Të përqafoj me gjithë zemër.

Albert. / KultPlus.com

Dikush e refuzon Nobelin për Letërsi, këto janë gjashtë skandalet e çmimit

Kjo është java e Nobelit. Çmimet Nobel do të ndahen këtë javë, madje dy prej tyre tanimë janë ndarë, ndërsa për neve është më interesanti Nobeli për Letërsi.

Ky çmim nënkupton që autori do të marrë për disa kohë vëmendjen e botës. Juria e vlerëson autorin a autoren me një qëllim, që zakonisht është i arsyetueshëm.

Deri ta njohim shkrimtarin që këtë vit e fiton Nobelin për Letërsi, e me shpresë se edhe Kadareja shqiptar mund të jetë fatlumi, po u kthehemi disa momenteve dhe debateve mbi Nobelin për Letërsi.

– Në vitin 1964, Jean Paul Sartre e refuzoi çmimin Nobel për Letërsi. Filozofi francez nuk ka pranuar çmime të tilla dhe mbetet deri sot i vetmi që e ka refuzuar çmimin prestigjioz

– Në vitin 1989, dy anëtarë të Akademisë që e ndan çmimin Nobel dhanë dorëheqje pasi çmimin nuk e morri Salman Rushdie. Asokohe, shkrimtari Rushdie ishte edhe cak i një letre publike për ta vrarë, me iniciativë nga Imami Khomeiny, shkruan KultPlus.

Salman Rushdie

– Kur nuk pritej fare të fitonte, fitues u bë Bob Dylan. Në dy raste ka ndodhur që publiku dhe parallogaritë të mos përputhen aspak me triumfuesin. Kjo ka ndodhur me Dylan, vitin e kaluar, dhe me Dario Fo në vitin 1997.

– Një problem i madh me çmimin Nobel për Letërsi është fakti që shpesh akademikët e harrojnë një pjesë të botës. Për vite, Akademia është akuzuar se është e dhënë pas perëndimit, dhe vetëm perëndimit. Ishte një kohë kur ishte e vështirë të vlerësohej letërsia arabe, ose ajo e vendeve tjera të Lindjes, shkaku i përkthimit. Gjithçka ndërroi kur fitoi Naguib Mahfouz në vitin 1988 dhe më pas Orhan Pamuk në vitin 2013.

Orhan Pamuk

– E kur flasim për gratë, janë fort të rralla në çmim. Janë vetëm 14-të fituese gra në Nobelin për Letërsi, ndërsa vetëm gjashtë në mes të viteve 1901-1990. Viteve të fundit, Svetlana Alexievich, Alice Munro, Doris Lessing apo Herta Muller e kanë thyer akullin. Në vitin 1993, Toni Morrison megjithatë bëri revolucion, njëjtë si Nadine Gordimer dy vite para saj.

– Institucioni i Nobelit e mban veten goxha apolitik. Megjithatë, akuzat nuk kanë munguar se me anë të politikës po ndahet edhe çmimi. Në Luftën e Ftohtë, disa prej fituesve nuk janë gjithsesi të lidhur me letërsi, si Brodsky apo Milosz. Për pak Solzhenjicini në vitin 1974 nuk mundi ta merrte çmimin shkaku i presionit sovjetik, njëjtë sikur Pasternaku. / KultPlus.com