Oda Haliti në “Berlin Beats”

Një nga momentet e rëndësishme të kësaj vere përsa i përket muzikës elektronike, përfaqësimit ballkanik në skenën e techno-s dhe ndërthurjen me artin bashkëkohor i gjejmë në Berlin, javën e fundit të gushtit mes ‘Berlin Beats’ dhe një programi me artistë vendas në Gjermani të muzikës elektronike, por jo vetëm. 

Më 26 gusht (ditën e shtunë), Oda Haliti, një ndër pioneret e muzikës elektronike në Ballkan, do të performojë në ditën më të rëndësishme të ‘Berlin Beats’ të ‘Hamburger Bahnhof’ në atë që quhet “Lange Nacht der Museen zu Berlin” (Nata e gjatë e muzeve)  me një repertor të kuruar të muzikës industrial techno, breaks etj. 

DJ Oda Haliti njihet ndër të tjera si performuese në shumë skena të rëndësishme evropiane të muzikës elektronike si dhe si nismëtare e një rryme alternative në vendin e saj. Pjesëmarrja në Berlin Beats shënon një tjetër sukses e parë kjo për nga rëndësia dhe emrat pjesëmarrës të mirënjohur botëror të programit, por edhe të qasjes që ka në mjediset e entuziastëve të kulturës. Në ‘Berlin Beats’ përveç emrave të njohur botëror siç janë: Ellen Allien, David August, Metaraph, Oda Haliti është e vetmja artiste jo-vendase që do të interpretojë në natën më të rëndësishme te vitit në Berlin, që pret një audiencë të jashtëzakonshme e adhurues të panumërt të artit dhe muzikës. 

Oda Haliti do të performojë në hapësirën e jashtme të ‘Hamburger  Bahnhof’, një nga muzetë më të vlerësuar e më të rëndësishëm të artit bashkëkohor në botë. Kjo ndërtesë është thellësisht e prekur nga ngjarje të ndryshme historike, që para dy shekujsh, duke qenë si fillim një stacion treni e sot është e vetmja ndërtesë e këtij tipi që mbart historinë me vete që prej shekullit të XIX.

Prej vitin 1996, tanimë bëhen rreth 27 vjet, ‘Hamburger Bahnhof’ ka marrë trajtën e një muzeu dhe sot është ndër hapësirat më me rëndësi në botë përsa i përket praktikave të artit bashkëkohor.   

Kjo natë e festës së të gjithë muzeve në Gjermani, bëhet bashkë me muzikën e DJ Oda Halitit, në zemër të qendrës së artit dhe kulturës në Berlin. / KultPlus.com

‘Sytë’, La Fazani, ‘Zwada’, Sahati & Oda Haliti me koncert në Teatrin Oda

“KREJT SUPER!”, titullohet koncerti i përbashkët mes artistëve: “SYTË”, La Fazani, “ZWADA”, Sahati dhe ODA Haliti, përcjell KultPlus.

“KREJT SUPER!” është iniciativë për të promovuar një sub-kulturë të skenës së pavarur të muzikës në Prishtinë. Sipas njoftimit, Prishtina gjithmonë ka qenë e pasurar me muzikë alternative, dhe ky koncert pritet të shfaq lulëzimin e ri të kësaj skene.

Më në fund, pas pandemisë, kjo konsiderohet të jetë mundësia për t’i mbështetur disa prej artistëve të cilët e kultivojnë këtë kulturë.

“Nuk jemi bash rock, as pop, as elektronikë apo hip-hop, por jemi krejt ka pak dhe KREJT SUPER!”, thuhet tutje në njoftim.

“KREJT SUPER!” do të mbahet me datë 25 qershor (e shtunë), në Teatrin ‘Oda’, duke filluar nga ora 19:00. Ndërsa, biletat me çmim 5€ shiten në Dit’ e Nat’.

Koncerti është mbështetur nga HAPU festival, Let’s CML, dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Oda gati për turneun e saj të 5-të në Evropë

Alberina Haxhijaj
Foto: Gerta Xhaferaj

Oda Haliti është një DJ nga Kosova që po krijon një prezencë të rregullt duke luajtur në vende të njohura në të gjithë Ballkanin dhe Evropën. Ajo ka gati data për turneun e saj të 5-të në Evropë. Oda do të paraqitet në Munich dhe Berlin të Gjermanisë si dhe në Zurich, Luzern, dhe Lausanne të Zvicrës.

Oda Haliti, është bërë e njohur për performancën e saj si DJ, edhe në festivalet më në zë në Kosovë dhe Shqipëri, ku performanca e saj konsiderohet si qershia mbi tortë e këtyre ngjarjeve kulturore.

“Këto tre vitet e fundit kam qenë pothuajse gjithë kohës në lëvizje si në Evropë ashtu dhe në Ballkan e rajon. Sado që kam filluar të mësohem me këtë ritëm, emocione kam gjithmonë edhe në Kosovë dhe jo vetëm jashtë vendit. Nuk dallojnë shumë paraqitjet, vetëm se kur jam jashtë Kosovës performancat dinë të jenë më sfiduese nganjëherë. Për arsye se publiku përherë është i ri i panjohur për mua, ashtu sikur unë për ta. Prandaj nuk e di kurrë se çfarë duhet të pres, si do të reagojnë apo si do të shkojë paraqitja. Mirëpo pikërisht kjo e bënë procesin e punës sime më emocionues, interesant dhe intrigues”, u shpreh ajo për KultPlus.

Zgjedhja unike e muzikës së Oda-s gjallëron audiencën e saj, gjersa ajo luanë tinguj eksperimentues elektronikë.

Gjatë tri viteve të fundit ajo ka punuar intensivisht në zhvillimin e projekteve të reja muzikore, madje edhe jashtë Kosovës duke bashkëpunuar me artistë të mirënjohur lokalë dhe ndërkombëtarë. Kohët e fundit ajo ka qenë duke u përqendruar në një bashkëpunim me muzikanten e njohur Blerta Kosova, me të cilën kanë krijuar grupin “Tandem”.

Në vijim KultPlus, ju sjellë datat se kur ODA do të performojë në Gjermani dhe Zvicër:

22.02 Rote Sonne – Munich, Germany
24.02 Favorit Bar – Munich, Germany
02.03 Safari Disco – Radio Banda Larga – Berlin, Germany
10.03 “Girls Not Brides” – Photobastei – Zurich, Switzerland
16.03 Uferlos – Luzern, Switzerland
23.03 Genevegas – Lausanne, Switzerland