UNESCO: Opera italiane shpallet Trashëgimi Kulturore Jomateriale e njerëzimit

UNESCO njoftoi se përfshiu artin katërshekullor operistik italian nën kategorinë e saj të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, sipas BBC.

Opera italiane u zhvillua në fund të viteve 1500 dhe fillim të viteve 1600 në Firence, në oborrin e familjes Medici.

Zakonisht përfshin komplote të ndërlikuara, vënie në skenë dhe këndim virtuoz.

Këndimi i operës bashkohet me praktika të tjera të famshme italiane si pica apo arti i ngjitjes së majave alpine.

“Ky është një konfirmim zyrtar i asaj që ne e dinim tashmë. Këndimi i operës është një përsosmëri botërore”, tha ministri italian i Kulturës, Gennaro Sangiuliano në një deklaratë pas vendimit të UNESCO-s.

UNESCO e përshkroi operën italiane si “një mënyrë e kontrolluar fiziologjikisht e të kënduarit që rrit fuqinë mbajtëse të zërit në hapësirat akustike si amfiteatrot dhe kishat”.

Ajo shtoi se arti promovoi “kohezionin kolektiv dhe kujtesën sociokulturore”, si dhe ishte “një mjet i shprehjes së lirë dhe dialogut ndër breza”.

Kompozitori i parë i madh i operës konsiderohet të jetë italiani Claudio Monteverdi, i cili jetoi nga 1567 deri në 1643.

Gazeta italiane ”La Repubblica” thekson se vlerësimi vjen në prag të përurimit tradicional të sezonit 2023-2024 në teatrin e operës ”La Scala”.

Sot ka rreth 60 shtëpi operash në të gjithë Italinë – një rekord global – ndërsa këngëtarët e operës si tenori i shekullit XX, Luciano Pavarotti janë nderuar si yje të mëdhenj./ atsh / KultPlus.com

Opera italiane, trashëgimi e UNESCO-s

Opera apo kënga lirike italiane shpallet nga Unesco Trashëgimi Kulturore e Njerëzimit.

Pas kërkesës dhe një pune të gjatë, një ekselencë tjetër e Italisë, merr titullin e merituar zyrtarisht, në listën e trashëgimisë botërore jomateriale. Pavarësisht se shumë kombe kanë një traditë të gjatë e të shkëlqyer në këtë gjini, opera lindi e u rrit në Itali, që ende sot është vendi që ka më shumë teatro operash në botë përkatësisht 62, dhe që në mënyrë universale është konsideruar gjithnjë “atdheu i saj”.

Lindi në fund të shekullit  XVI dhe fillim të  XVII nga një grup intelektualësh fiorentinë, që vendosën të krijonin gjininë e re muzikore. Më pas, njohu një zgjerim të madh në epokën Baroke, kryesisht në Venezia, Napoli dhe Romë. Fillimisht konisderohej një spektakël për oborret mbretërore e më pas edhe për elitën intelektuale e klasën aristokrate. 

Sot teatri i operas më antik ende në funksion në botë është “San Carlo” i Napolit i ndërtuar në vitin 1737, i pasuar nga “La Scala” i Milanos që hapi siparin në 1778, e ai i Venezias, “La fenice”, 1792./KultPlus.com

Rihapet La Scala, ‘Requiem’ i Verdit do të nderojë viktimat nga Covid19

‘Të kujtojmë ata që kanë vdekur nga Covid-19’ është fokusi prekës i teatrit të famshëm të operas italiane La Scala, ndërsa fillon një sezon të ri koncertesh dhe baleti, transmeton KultPlus.

Requiem i Verdi, i drejtuar nga drejtori muzikor i La Scala, Riccardo Chailly, do të interpretohet në katedralen e Milanos të premten në mbrëmje, dhe do të transmetohet në kishat përreth rajonit. Gjatë javës së ardhshme të interpretimet do të zhvendosen në Bergamo dhe Brescia, dy zona të Italisë që u goditën keq nga pandemia.

Dominique Meyer, drejtori i La Scala, tha: “I gjithë rajoni është dëmtuar shumë, ne e donim këtë rekuiem si një mendim dhe kujtim për viktimat dhe familjet e tyre.”

Vetë teatri i Milanos hapet në 12 Shtator me një skenë të rindërtuar për të siguruar një distancë të përshtatshme për 189 muzikantët, koristët dhe solistët e tij.

La Scala u mbyll në shkurt mes rasteve në rritje në rajonin e Lombardisë. Ai u rihap për një seri mini-koncertesh në korrik përpara se të mbyllej përsëri deri në rihapjen zyrtare të tij këtë muaj. / KultPlus.com