Nesër koncerti ‘Ramë Lahaj & Friends’, dirigjenti i njohur Allemandi: Jam i impresionuar me punën e Orkestrës së Kosovës

Era Berisha

Festivali Operistik i titulluar ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’, një festival i muzikës operistike, këtë vit po shënon edicionin e tij të parë në Kosovë. Festivali i parë në llojin e vet erdhi si pasojë e ëndrrës së kamotshme të tenorit Lahaj, i cili si fëmijë gjeti veten në mesin e një lufte kurse tani po realizon ëndrrën për organizimin e një festivali që përfaqëson artin lirik dhe krijon një ure lidhëse mes artistëve të mrekullueshëm vendor dhe atyre ndërkombëtarë. Pikënisja kryesore e festivalit ‘RLIOF’ është bazuar në situatën e zhvillimit të artit lirik në Kosovë dhe nga dëshira e etja e madhe për të pasur një institucion i cili jo vetëm formon por edhe shfaq mundësinë e performimit të brezit të ri por që në të njëjtën kohë krijon një traditë të artit lirik në Kosovë, shkruan KultPlus.

Sot në një konferencë për media në hotelin ‘Opera’ në Prishtinë, të pranishëm ishin tenori shqiptar Ramë Lahaj, dirigjenti Antonello Allemandi, sopranoja Lana Kos dhe baritoni Simone Piazzola, për të shpalosur më shumë rreth përvojës së tyre për mbajtjen e një koncerti që përfshin një program të larmishëm të veprave diversive italiane të cilat konsiderohen mjaft të thella në stil, e që nesër këta artistë të skenave botërore do të performojnë së bashku në koncertin e titulluar ‘Ramë Lahaj & Friends’, koncert ky që shënon fundin e edicionit të parë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”.

Fillimisht, për të treguar më shumë rreth emocioneve të tij për këtë festival, foli tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj.

“Për herë të parë po provojmë për të ndërtuar një platformë që është edukative para se gjithash. Koncerti është vetëm një plus, dëshira ka qenë gjithmonë për të shfrytëzuar të gjitha kontaktet dhe mundësitë që janë krijuar dhjetë vitet e karrierës time ku në bashkëpunim me institucionet dhe partnerët tonë që kanë shprehur gatishmërinë për të na mbështetur, të sjellim pedagogë të muzikës në Prishtinë. Po ashtu, besoj se festivali do të zgjerohet edhe jashtë specifikës së këndimit”, thotë Lahaj. 

Sipas tij, është me rëndësi mbështetja e të gjitha institucioneve sepse në një farë forme, të gjithë janë përgjegjës për një platformë edukative dhe ai po shpresoj që të kuptohet se nisma të tilla për themelimin e teatrit të Operës, çdo lloj ndihme është e rëndësishme. 

“Unë jam tejet i kënaqur që në këtë edicion të parë kemi pasur artistë si Jessica Nuccio, Davide Giusti, Korin e Pejës, e shumë artistë të tjerë. Ka qenë një platformë që për pak momente, muzika e atmosfera e mirë të merr me vete. Sigurisht është privilegj dhe kënaqësi që kemi zhvilluar një koncert me gjeneratën e re duke kaluar nëpër vështirësi të dyfishta, andaj është një ndjenjë e papërshkrueshme kur arrin ti ndihmosh e lumturosh sadopak ata fëmijë në punëtori dhe festival”, përfundon ai.

Tutje, për të treguar për provat me Orkestrën e Kosovës dhe ndjenjave të tij për interpretimin e parë në qytetin e Prishtinës, foli dirigjenti i njohur, Antonello Allemandi.

“Është hera e parë këtu në Kosovë dhe zbulova pak atë se çfarë shihja. Ekipi i cili më ka ftuar këtu është shumë miqësor dhe shumë profesional, e sidomos Ramë Lahaj me të cilin kam punuar në të kaluarën në Operë. E njihja prej shumë kohësh dhe jam shumë i kënaqur që më ka ftuar në këtë koncert. Programi është me të vërtetë një program shumë kërkues sepse ka stile shumë të ndryshme italiane të cilat janë shumë të thella në përmbajtje”, thotë Allemandi.

Sipas tij, atmosfera në prova me Orkestrën e Kosovës ka qenë shumë e mirë dhe ai është ndarë shumë i impresionuar me ndryshimet përgjatë tre ditëve të punës ku në fillim Orkestra ishte më simfonike por kjo konsiderohet normale pasi që janë 18 pjesë të ndryshme me të cilat duhet të jesh shumë i shpejt jo vetëm në lëvizje por edhe me mendje, për të performuar më së miri.

“Dita e parë ishte e vështirë por menjëherë në ditën e dytë e vërejta një përmirësim të jashtëzakonshëm në Orkestër dhe sot kemi bërë përsëri prova me këngëtarët, andaj ne kemi punuar shumë mirë dhe shpresoj se publikut do ti pëlqej shumë”, përfundon Allemadni.

Ndërkohë, për të treguar për ndjenjat para një koncerti të cilën ajo e konsideron të jashtëzakonshëm, foli sopranoja nga Kroacia, Lana Kos.

“Me të vërtetë kemi kaluar një kohë të mirë dhe ndjeva një progres të jashtëzakonshëm sot në prova. E koncerti që quhet ‘Ramë Lahaj& Friends’ nuk është i rastësishëm sepse ne me të vërtetë jemi shokë dhe në fakt kjo është një moment shumë emocionues për mua e andaj dua të falënderoj Ramën që më ka ftuar për këtë ngjarje shumë të bukur. Është një nder dhe luks i madh që jam këtu për të interpretuar sepse kemi qenë të heshtur për një kohë të gjatë dhe jemi shumë të uritur për të performuar e të jemi në skenë për të shpërndarë emocione dhe muzikë të bukur me interpretim live”, shpalos Kos.

Po ashtu, baritoni Simone Piazzola foli rreth mënyrës se si ky koncert dëshiron të sjell kulturë dhe se sa është e rëndësishme që emocionet e artistëve të transmetohen tek publiku.

“Është një nder i madh që jam këtu me juve, dua të falënderoj Ramën për ftesën e tij. Jemi njohur në Madrid dhe sigurisht që nisëm përnjëherë komunikimin dhe shpresoj se së shpejti do të mund të jem sërish në skenë me të. Është një nder i vërtetë sepse në këtë moment vërtetë historik dhe në një vështirësi të madhe, jemi këtu para një publiku. Mundësia që të transmetojmë emocionet tona ndaj juve është një gjë unike sepse është e rëndësishme që ti sjellim kulturë të gjithëve”, ka thënë Piazzola.

Ndërsa, drejtoresha artistike e festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”, Ulpiana Aliaj, ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në koncert.

“Ne jemi të lumtur që nisim me një nivel artistësh dhe ju ftoj të gjithëve të keni vëmendjen e duhur”, ka thënë Aliaj.

Kështu krejt në fund producentja, Besa Luzha tha se kapaciteti i ulëseve është rreth 3 mijë derisa ka bërë thirrje që të jenë të pranishëm të gjithë qytetarët edhe pse tashmë interesimi është mjaft i madh.

Në kuadër të “Ramë Lahaj International Opera Festival”, koncerti ‘Ramë Lahaj & Friends’ do të mbahet nesër në orën 20:30 në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.

Kjo ngjarje vjen si bashkëpunim ndërinstitucional në mes të Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Filharmoninë e Kosovës./ KultPlus.com