Mes dhimbjes e dashurisë, Ramë Lahaj jetësoi Festivalin Operistik në Kosovë

Era Berisha

Fotografitë: Arben Llapashtica

Ngjyrat operistike të zërave që të lënë pa mend por të mbushura me emocione nga më të ndryshmet e që depërtojnë përtej lëkurës së njeriut për të arrirë në thellësinë e fshehur të tij, aty ku rrahjet e zemrës buçojnë furishëm teksa valëviten mes vete si një harmoni melodish, erdhi pikërisht nga mbizotërimi i tre zërave botërorë si: tenori Ramë Lahaj, sopranoja Lana Kos dhe baritoni Simone Piazzola, të cilët nën dirigjimin e veçantë të italianit Antonello Allemandi, mbrëmë atmosfera në sheshin ‘Skënderbeu’ u pushtua nga madhështia e zërave artistik, që porsi një ylber lëkundeshin në ngjyra diversive e magjishëm ndërlidheshin me tingujt e instrumenteve të cilat u gjallëruan nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, me ç’rast koncerti ‘Ramë Lahaj & Friends’ në kuadër të edicionit të parë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”, pikturoi Prishtinën me ndjenja aq të fuqishme sa që gjurmën e pashlyeshme nuk do të donte ta zëvendësonte askush, shkruan KultPlus.

Zogjtë me vallëzimin e cicërimave të tyre, flladi i butë i netëve verore, dritat e ngrohta lartë në qiell, shushurimat e melodive që lehtas dëgjoheshin nga instrumentet e të cilat po bëheshin gati të ringjallen përsëri, dhe sytë e kalimtarëve që kthenin kokën për të njëqindtën herë për të shikuar se çfarë po ndodhte, ishin këto veçanti të bukura që po shoqëronin çdo njeri fiks një orë para se magjia operistike të zinte vendin kryesor në skenën gjigande të vendosur përballë audiencës. E gjysma e karrigeve tashmë ishin të mbushura plot teksa një varg njerëzish që nuk po i dihej fundi, me padurim po prisnin radhën për të hyrë brenda e disa të tjerë preferonin të shfrytëzonin shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ora shënoi 20:40 e duke filluar nga karriget e kuqe në fillim, të katërtat e të zezat mu në mes e deri tek ato të bardhat në fund, publiku tashmë kishte mbushur çdo hapësirë të mundshme për të shijuar atë që pas pak minutash do të fillonte e që në vete ngërtheheshin surprizat e shumta të njëpasnjëshme. Ndonëse qetësia absolute në një ambient të tillë është tejet e paimagjinuar, në publik mbizotëroi respekti i madh kur lëvizja e parë e dirigjentit të njohur italian, Antonello Allemandi papritmas theu pritjen e publikut e Orkestra e Filharmonisë së Kosovës filloi jetësimin e instrumenteve diversive të cilat qysh në sekondën e parë u shndërruan në trupa të dytë në skenë krahas instrumentistëve, lëvizjet e së cilëve për bazë kishin ashpërsinë e ëmbël që vërehej lehtësisht gjer në fund të audiencës.

Pas interpretimit të mahnitshëm e tejet emocionues të veprës ‘Baresha’, që shënoi fillimin e koncertit e njëkohësisht nderoi lartë ikonën, Nexhmije Pagarusha, në skenë doli tenori shqiptar Ramë Lahaj, i cili u mirëprit me duartrokitjet e publikut që pas disa sekondave pushuan për t’i dhënë rastin të marrë fjalën. Ai filloi me një fjalim të shkurtër, dukë falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre që me padurim prisnin magjinë e zërit të tij, e gjithashtu për të shprehur se Nexhmija gjithmonë do të mbetet në zemrat e çdo kujt, teksa fotografitë e saj lëshoheshin anash si një rrjedhë e bukur kujtimesh.

Një artist me famë ndërkombëtare që ka prekur skenat e mëdha botërore, Ramë Lahaj mu në mesin e Prishtinës të mbushur me artdashës e krijues artistik, me një qëndrim pingul në skenë e me një orkestër të tërë prapa tij, zëri i tij i cili posedonte nota të larta në çast zgjoi terqethët e qenies njerëzore që po përjetonin timbrin shkëlqyes të vokalit të tij unik, me ç’rast tingujt e këngës spanjolle u interpretuan në një mënyrë aq mbresëlënëse sa që kur zëri i tenorit arriti deri në kulm, ishte publiku ai që shikonte e dëgjonte me entuziazëm majën shurdhuese të talentit që Lahaj me një mjeshtëri madhështore e derdhte nga brendësia shpirtërore e tij.

Pas këtij interpretimi, në skenë performuan ndaras edhe dy yje botërore si baritoni Simone Piazzola dhe sopranoja Lana Kos. Piazzola i veshur në të zezë në një kostum klasik, interpretoi veprën ‘Nemico della patria’ e sopranoja Kos u shfaq me një fustan të bardhë duke dhënë një iluzion se një engjëll i bardhë sapo kishte shkelur këtë skenë magjepsëse e po këndonte pikërisht për publikun kosovar.

Sheshi kumbonte nga turma e brohoritjet e duartrokitjet e publikut që tashmë ishin bërë pjesë kyçe e çdo vepre të performuar dukë lënë gjurmë në atmosferën e krijuar kurse nuk munguan as video prezantimet e dedikuara për atdheun e mërgimtarët që shfaqeshin anash skenës e që ringjallnin kujtime e zgjonin emocione të veçanta e të ndryshme për qytetarët e Kosovës. Ndërkaq, pas përfundimit të këtyre videove që shikoheshin me admirimin e syve të pranishëm, tenori Lahaj bëri të ditur se një surprizë e vogël pas pak momentesh, nuk do të jetë më e tillë.

Përpara audiencës që nuk po ngopej dot me madhështinë e këtyre talenteve e tek të cilët gjithmonë vërehej uria e tyre për të dëgjuar hyjnizimin operistik të gërshetuar me simfoniken e Orkestrës së Kosovës, doli tenori i njohur botëror, Xhelal Bakraqi. Dëshmia se dashuria e papërmbajtur për operën e dëshira e madhe për ti dhuruar publikut tonë një natë që do ngelet në kujtesën tonë e ku harresa nuk vihej në pyetje, u shpalos mbrëmë më së miri nga vetë Bakraqi i cili pushtoi skenën me një timbër të jashtëzakonshëm, teksa duart e dirigjentit Allemando dhuronin imazhin e një dallëndysheje, krahët e të cilit përplaseshin në një harmoni të lëvizjeve të shpejta, precize e shumë delikate.

Në këtë natë e cila solli së bashku tenorin Lahaj, sopranon Kos dhe baritonin Piazzola, nuk do të kishte kuptim nëse të tretë së bashku nuk do të gërshetonin talentin e tyre në një tingëllimë të vetme e që në të vërtetë interpretimi i tyre së bashku pushtoi tërë Prishtinën duke kapluar zemrat e të pranishmëve në guaskën e ngjyrave të zërit që lehtësisht jehonte në qiellin e hapur të qytetit e depërtonin deri në mbulojën e shpirtit të publikut që kishte kohë pa dëgjuar një koncert të tillë të papërsëritshëm.

Ndërkohë, vepra e titulluar ‘O moj e bukura Arbëri’ nga Adhurim Grezda dhe Endrit Xerxa erdhi në një frymë të shumëpritur nga publiku që po adhuronte muzikën shqipe e edhe më shumë kur këndohej nga këta shqiptar të cilët prekin skenën botërore por rikthehen sërish në vendin e tyre për të performuar me sukses të plotë një program të pasur në përmbajtje e që pothuajse ulërinte në veshin e çdo kujt duke lënë momente të ngulitura thellë në shpirtin e publikut. Por kjo natë e cila në secilin moment frymonte copëza magjike, u përmbyll më herët, për arsye se tenori Lahaj në skenë bëri të ditur se dy orë para se koncerti të fillonte, nëna e tij fatkeqësisht kishe vdekur por dashuria e tij e madhe për të interpretuar para publikut kosovar nuk e ndaloi atë që të mos e anulonte koncertin.

Pas këtij lajmërimi të paparashikuar, gulçimet në publik ishin në numër të madh e lotët e tyre përcilleshin me duartrokitjet nga më të zjarrta që një njeriu mund ti përjetonte ndonjëherë në jetë. Andaj, programi i plotë i planifikuar nuk u interpretua por që ky koncert i cili filloi me emocione të hareshme e u mbyll me ndjenja të papërshkruara, vendosi përkufizimin e saktë se talenti i tenorit Ramë Lahaj kalon përtej çdo limiti e shpresa se një artist i tillë të rikthehet çdo vit në Prishtinë u vulos dukshëm në zemrën e secilës qenie njerëzore të pranishme.

Për të treguar më shumë rreth natë së mbrëmshme, për KultPlus foli tenori Xhelal Bakraqi.

“Ka qenë një natë e mrekullueshme, nuk e mbaj mend që ka pasur ndonjëherë kaq shumë njerëz në Prishtinë. Me të vërtetë ka qenë një koncert shumë i mirë andaj edhe unë u mundova ta dhuroj maksimumin nga vetja për të kënaqur të gjithë këta mysafirë sonte. Të gjitha veprat ishin të bukura sepse këngëtari e ngjall secilën vepër e edhe Orkestra më ka pëlqyer shumë. Por, në fund Lahaj na brengosi të gjithëve, por artistët gjithmonë janë pajtuar me të mirën e të keqën”, thotë Bakraqi.

Sipas tij, publiku është gjithmonë ai që lë më së shumti përshtypje sepse pa publik nuk ka performancë e tërheqja mes të dyjave është tejet e madhe.

Ndërsa, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari për KultPlus e cilësoi këtë natë tejet të veçantë meqë për herë të parë po organizohet një festival operistik ku pjesë e tij është Filharmonia e Kosovës.

“Orkestra simfonike ka realizuar një program të larmishëm operistik dhe ajo se cka më ka bërë përshtypje është dëshmia se Prishtina e kombi ynë ka kulturë. Mbi 2,500 ulëse së bashku me shkallët e Teatrit dhe përqendrimi i jashtëzakonshëm nga orkestra e solistëve, tregon për një nivel të jashtëzakonshëm që seriozisht komuniteti artistik duhet ta ketë parasysh se tashmë mund të llogaritet një seriozitet i organizimit të koncerteve të muzikës klasike”, thotë Jashari.

Sipas tij, ajo se çfarë muzika klasike interpreton nuk është thjeshtë vetëm për 400 njerëz por për mijëra njerëz.

“Përcjellja me vëmendje e krejt publikut prezent në çdo moment dhe mos lëshimi i koncertit nga asnjë person, është arritja më e madhe krahas fillimit të një festivali mjaft të rëndësishëm e cila koincidon me fillimin e themelimit të institucionit të Operës së fundmi nga Qeveria e Kosovës”, përfundon Jashari për KultPlus.

Kjo ngjarje vjen si bashkëpunim ndërinstitucional në mes të Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Filharmoninë e Kosovës. / KultPlus.com

Nesër koncerti ‘Ramë Lahaj & Friends’, dirigjenti i njohur Allemandi: Jam i impresionuar me punën e Orkestrës së Kosovës

Era Berisha

Festivali Operistik i titulluar ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’, një festival i muzikës operistike, këtë vit po shënon edicionin e tij të parë në Kosovë. Festivali i parë në llojin e vet erdhi si pasojë e ëndrrës së kamotshme të tenorit Lahaj, i cili si fëmijë gjeti veten në mesin e një lufte kurse tani po realizon ëndrrën për organizimin e një festivali që përfaqëson artin lirik dhe krijon një ure lidhëse mes artistëve të mrekullueshëm vendor dhe atyre ndërkombëtarë. Pikënisja kryesore e festivalit ‘RLIOF’ është bazuar në situatën e zhvillimit të artit lirik në Kosovë dhe nga dëshira e etja e madhe për të pasur një institucion i cili jo vetëm formon por edhe shfaq mundësinë e performimit të brezit të ri por që në të njëjtën kohë krijon një traditë të artit lirik në Kosovë, shkruan KultPlus.

Sot në një konferencë për media në hotelin ‘Opera’ në Prishtinë, të pranishëm ishin tenori shqiptar Ramë Lahaj, dirigjenti Antonello Allemandi, sopranoja Lana Kos dhe baritoni Simone Piazzola, për të shpalosur më shumë rreth përvojës së tyre për mbajtjen e një koncerti që përfshin një program të larmishëm të veprave diversive italiane të cilat konsiderohen mjaft të thella në stil, e që nesër këta artistë të skenave botërore do të performojnë së bashku në koncertin e titulluar ‘Ramë Lahaj & Friends’, koncert ky që shënon fundin e edicionit të parë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”.

Fillimisht, për të treguar më shumë rreth emocioneve të tij për këtë festival, foli tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj.

“Për herë të parë po provojmë për të ndërtuar një platformë që është edukative para se gjithash. Koncerti është vetëm një plus, dëshira ka qenë gjithmonë për të shfrytëzuar të gjitha kontaktet dhe mundësitë që janë krijuar dhjetë vitet e karrierës time ku në bashkëpunim me institucionet dhe partnerët tonë që kanë shprehur gatishmërinë për të na mbështetur, të sjellim pedagogë të muzikës në Prishtinë. Po ashtu, besoj se festivali do të zgjerohet edhe jashtë specifikës së këndimit”, thotë Lahaj. 

Sipas tij, është me rëndësi mbështetja e të gjitha institucioneve sepse në një farë forme, të gjithë janë përgjegjës për një platformë edukative dhe ai po shpresoj që të kuptohet se nisma të tilla për themelimin e teatrit të Operës, çdo lloj ndihme është e rëndësishme. 

“Unë jam tejet i kënaqur që në këtë edicion të parë kemi pasur artistë si Jessica Nuccio, Davide Giusti, Korin e Pejës, e shumë artistë të tjerë. Ka qenë një platformë që për pak momente, muzika e atmosfera e mirë të merr me vete. Sigurisht është privilegj dhe kënaqësi që kemi zhvilluar një koncert me gjeneratën e re duke kaluar nëpër vështirësi të dyfishta, andaj është një ndjenjë e papërshkrueshme kur arrin ti ndihmosh e lumturosh sadopak ata fëmijë në punëtori dhe festival”, përfundon ai.

Tutje, për të treguar për provat me Orkestrën e Kosovës dhe ndjenjave të tij për interpretimin e parë në qytetin e Prishtinës, foli dirigjenti i njohur, Antonello Allemandi.

“Është hera e parë këtu në Kosovë dhe zbulova pak atë se çfarë shihja. Ekipi i cili më ka ftuar këtu është shumë miqësor dhe shumë profesional, e sidomos Ramë Lahaj me të cilin kam punuar në të kaluarën në Operë. E njihja prej shumë kohësh dhe jam shumë i kënaqur që më ka ftuar në këtë koncert. Programi është me të vërtetë një program shumë kërkues sepse ka stile shumë të ndryshme italiane të cilat janë shumë të thella në përmbajtje”, thotë Allemandi.

Sipas tij, atmosfera në prova me Orkestrën e Kosovës ka qenë shumë e mirë dhe ai është ndarë shumë i impresionuar me ndryshimet përgjatë tre ditëve të punës ku në fillim Orkestra ishte më simfonike por kjo konsiderohet normale pasi që janë 18 pjesë të ndryshme me të cilat duhet të jesh shumë i shpejt jo vetëm në lëvizje por edhe me mendje, për të performuar më së miri.

“Dita e parë ishte e vështirë por menjëherë në ditën e dytë e vërejta një përmirësim të jashtëzakonshëm në Orkestër dhe sot kemi bërë përsëri prova me këngëtarët, andaj ne kemi punuar shumë mirë dhe shpresoj se publikut do ti pëlqej shumë”, përfundon Allemadni.

Ndërkohë, për të treguar për ndjenjat para një koncerti të cilën ajo e konsideron të jashtëzakonshëm, foli sopranoja nga Kroacia, Lana Kos.

“Me të vërtetë kemi kaluar një kohë të mirë dhe ndjeva një progres të jashtëzakonshëm sot në prova. E koncerti që quhet ‘Ramë Lahaj& Friends’ nuk është i rastësishëm sepse ne me të vërtetë jemi shokë dhe në fakt kjo është një moment shumë emocionues për mua e andaj dua të falënderoj Ramën që më ka ftuar për këtë ngjarje shumë të bukur. Është një nder dhe luks i madh që jam këtu për të interpretuar sepse kemi qenë të heshtur për një kohë të gjatë dhe jemi shumë të uritur për të performuar e të jemi në skenë për të shpërndarë emocione dhe muzikë të bukur me interpretim live”, shpalos Kos.

Po ashtu, baritoni Simone Piazzola foli rreth mënyrës se si ky koncert dëshiron të sjell kulturë dhe se sa është e rëndësishme që emocionet e artistëve të transmetohen tek publiku.

“Është një nder i madh që jam këtu me juve, dua të falënderoj Ramën për ftesën e tij. Jemi njohur në Madrid dhe sigurisht që nisëm përnjëherë komunikimin dhe shpresoj se së shpejti do të mund të jem sërish në skenë me të. Është një nder i vërtetë sepse në këtë moment vërtetë historik dhe në një vështirësi të madhe, jemi këtu para një publiku. Mundësia që të transmetojmë emocionet tona ndaj juve është një gjë unike sepse është e rëndësishme që ti sjellim kulturë të gjithëve”, ka thënë Piazzola.

Ndërsa, drejtoresha artistike e festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”, Ulpiana Aliaj, ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në koncert.

“Ne jemi të lumtur që nisim me një nivel artistësh dhe ju ftoj të gjithëve të keni vëmendjen e duhur”, ka thënë Aliaj.

Kështu krejt në fund producentja, Besa Luzha tha se kapaciteti i ulëseve është rreth 3 mijë derisa ka bërë thirrje që të jenë të pranishëm të gjithë qytetarët edhe pse tashmë interesimi është mjaft i madh.

Në kuadër të “Ramë Lahaj International Opera Festival”, koncerti ‘Ramë Lahaj & Friends’ do të mbahet nesër në orën 20:30 në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.

Kjo ngjarje vjen si bashkëpunim ndërinstitucional në mes të Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Filharmoninë e Kosovës./ KultPlus.com 

Ramë Lahaj & Friends me koncert më 7 gusht në Prishtinë

Më 7 gusht, në sheshin Skëndërbeu në Prishtinë do të mbahet koncerti Rame Lahaj & Friends.

Përmes një postimi në Facebook, tenori ka njoftuar se koncerti që do të mbahet në kuadër të Rame Lahaj International Opera Festival do të fillojë nga ora 20:30, shkruan KultPlus.

“Kësaj radhe kemi miq artistë nga më të mirët e botës së operës. Përveç kësaj në ketë periudhë e kemi gjysmën tjetër të zemrës sonë, mërgatën e cila Kosovës i jep jetë gjatë gjithë verës, e ne na mungon gjatë gjithë vitit, andaj ejani të festojmë të gjithë së bashku”- shkruan Lahaj.

Për të gjithë ata që dëshirojnë ta ndjekin nga afër këtë koncert, biletat mudn tí marrin pranë biletarisë së Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Lahaj tutje njofton se më datë 6 gusht nga ora 14:30 do të mbajë një konfernecë për media në hotel Opera në Prishtinë./KultPlus.com

‘RLIOF’ sjell edhe një tjetër yll të operas italiane, Davide Giusti vjen për herë të parë në Kosovë

Tenori shqiptar, Ramë Lahaj, për herë të parë po zgjerohet më tej, për të sjell festivalin e parë Operistik në Kosovë. Festivali do të jetë i pari në Kosovë dhe do të titullohet “Ramë Lahaj International Opera Festival”, përcjellë KultPlus.

Ndërkaq, sot, tenori i famshëm shqiptar ka bërë të ditur se skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me 4 gusht të këtij viti, do të mirëpres yllin e operas italiane, Davide Giusti.

“Ne kuader te RLIOF, sjellim yllin e operas italiane Davide Giusti ne Teatrin Kombetar te Kosoves, 4 Gusht 2021, ora 19:30. Edhe shume surpriza te tjera do t’i bejme te ditura se shpejti!”, ka shkruar Lahaj në Facebook. / KultPlus.com

Tenori Lahaj: “Ramë Lahaj International Opera Festival”, urëlidhës mes skenës kosovare dhe asaj ndërkombëtare

Tenori i njohur kosovar, Ramë Lahaj po e bën ëndrrën realitet duke organizuar në Kosovë festivalin “Rame Lahaj International Opera Festival.

Ky festival shënon sivjet edicionin e parë dhe ka për qëllim promovimin e Kosovës dhe artistët e saj në arenën ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Lahaj përmes një postimi në Facebook jep detaje për këtë festival duke thënë se lindi si nevojë për të krijuar një urë lidhëse në mes të skenës kosovare dhe asaj ndërkombëtare.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Festivali Ndërkombëtar “Rame Lahaj International Opera Festival “, lindi si nevojë për të krijuar një urë lidhëse mes skenës Kosovare dhe asaj ndërkombëtare.

Duke patur parasysh që Kosova dhe rajoni ka talentë të mrekullueshëm, ishte e domozdoshmeri një iniciativë e tillë e cila vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Komunes së Prishtinë, Ministrisë së Kultures dhe Filharmonise së Kosoves. Në 2019, të gjithë të përmendurit themeluan koncertin “Rame Lahaj & Friends “ me idenë per tu zhvilluar me tutje në një Festival dhe Fondacion në fokus të artistëve të rinj, të artit dhe të kulturës në përgjithësi por mbi të gjitha për të promovuar Kosovën dhe artistët e saj në arenën ndërkombëtare .

Rrugetimi i Z.Lahaj eshte krejt i pazakontë. Pas studimeve, ai nis krejt rastesisht eksperimentimin mbi muzikën në moshën 21 vjecare, për tu bërë më pas një nga tenorët më të spikatur për timbrikën e tij vokale dhe një nga këngëtarët më prominent në gjeneratën e tij.

Rame Lahaj është artisti i parë në Kosovën e para dhe të pas luftës, i cili ka performuar në skenat më të rëndësishme të arenës ndërkomëtare në botën e Operës, përkrah emrave të mëdhenj si legjendari i Operes Placido Domingo, i cili e ka vlerësuar me Cmimin e Festivalit më prestigjoz e më të rëndsishemë operistik “Operalia “ në 2016.

Në dekadën e parë të karrierës së tij ndërkombëtare, Z. Lahaj ka interpretuar në teatrot më prestigjioze si: Royal Opera House Covent Garden, Semperoper Dresden, Paris National Opera, Gran Teatre del Liceu, Los Angeles Opera, Teatro Real-Madrid, Deutsche Oper Berlin, Balshoi Theater Moscoë, Opera Australia, Royal Albert Hall, Opera Tel Aviv, Haus Fur Mozart – Salzburg, Arena di Verona, La Monnaie de Munt, Staatsoper Berlin, Staatsoper Hamburg, Polish National Opera, Hungarian State Opera, Oslo Opera House, Finnish National Opera, Teatro Massimo di Palermo, e të tjera.

Z. Lahaj është dekoruar me Medaljen e Presidentit të Republikës së Kosovës me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë, me motivin “Afrimi i Kosovës në Arenën Ndërkombëtare përmes Artit Operistik“. Ai është dekoruar edhe nga Kryeministri i Kosovës, me titullin “Gjergj Kastrioti Skenderbeu“ dhe njëherit ështe shpallur “Ambasador Global i Kulturës së Kosovës në Botë“. / KultPlus.com

Ramë Lahaj jetëson ëndrrën, e bën Kosovën me “Ramë Lahaj Opera Festival”

Tenori shqiptar, Ramë Lahaj, për herë të parë po zgjerohet më tej, për të sjell festivalin e parë Operistik në Kosovë. Festivali do të jetë i pari në Kosovë dhe do të titullohet ”Ramë Lahaj International Opera Festival”, përcjellë KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lahaj gjithashtu bëri të ditur se do të mbaj koncert në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.

Koncerti do të mbahet më datë 7 gusht të këtij viti.

“Një ëndërr e imja e kahmotëshme – krijimi i një ure lidhëse mes artistëve të mrekullueshëm vendor dhe atyre ndërkombëtar”, tha Lahaj.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Të dashur miq,

Jam tejet i lumtur të ju njoftoj se koncerti Rame Lahaj & Friends do të mbahet edhe këtë verë më datë 7 gusht 2021, në sheshin Skënderbeu në Prishtinë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Filharmoninë e Kosovës.

E akoma më shumë më gëzon fakti që kjo iniciativë për herë të parë po zgjerohet më tej, për tu bërë festivali i parë Operistik në Kosovën e para dhe pas luftës, i quajtur Ramë Lahaj International Opera Festival.

Një ëndërr e imja e kahmotëshme – krijimi i një ure lidhëse mes artistëve të mrekullueshëm vendor dhe atyre ndërkombëtar.

Festivali RLIOF do të zgjasë përplotë 10 ditë (29 Korrik – 7 Gusht 2021), ku do të ketë punëtori mbi teknikat e këndimit dhe interpretimit operisitik. Festivali këtë vit do ketë disa koncerte, për të cilat do të njoftoheni gjatë ditëve në vijim.

Në punëtorinë 5 ditore të këtij viti për këngëtarët e rinjë e në karrierë do të kemi mjeshtrin italian Vito Maria Brunetti, i cili ka trajnuar artistët e mëdhenj të lirikës botërore.

Më të dalluarit e punëtorisë do të performojnë në Koncertin “New generation”, kurse studentët e dalluar të puntorisë do të përfitojnë bursa studimi brenda dhe jashtë vendit.

Të gjithë studentët e interesuar për punëtorinë ftohen të dërgojnë 2 audio/ video materiale jo më të vjetra se 1 vit ne email-in: [email protected]

Puntoria është e hapur për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për artin operistik. Detajet rreth vendit dhe kohës së puntorisë, bashkë me infromatat mbi yjet pjesëmarrëse dhe mbrëmjet performuese të festivalit, do t’i bëjmë të ditur shumë shpejtë.

Paçit shëndetin. / KultPlus.com