Shfaqja ‘Arrëthyesi’ së shpejti premierë nga Baleti Kombëtar në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës

Baleti Kombëtar i Kosovës po sjell shfaqjen e shumëpritur “Arrëthyesi”, si dhuratë të fundvitit për publikun.

Datat 16 dhe 17 dhjetor janë rezervuar për premierën e kësaj shfaqje e cila vjen si rezultat i bashkëpunimit në mes të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës.

Nën koreografinë e Ilir Kernit, “Arrëthyesi”, një nga shfaqjet më të njohura të repertorit botëror klasik, do shfaqet për herë të parë në Prishtinë.

Ky produksion i përmasave të jashtëzakonshme do të shfaqet në Sallën AMC duke filluar a ora 19:30. / KultPlus.com

Programi i Filharmonisë së Kosovës për muajin shtator

Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajnë dy koncerte brenda muajit shtator. 12 dhe 24 shtator, në Prishtinë e Pejë mbahen dy performancat e Filharmonisë për këtë muaj.

Më 12 shtator, Kori i Filharmonisë së Kosovës me dirigjent Memli Kelmendi, do të performojnë në Kishën Katolike “Shën Ndou”, në Prishtinë, teksa me 14 shtator do të jetë i pranishëm në Kishën Katolike, “Shën Katerina” në Pejë.

Më 24 shtator, në Sallën e Kuqe në Prishtinë, Orkestra e Filharmonisë nën dirigjimin e Antoine Marguier, do të ofrojë përformancën e fundit të muajit shtator. / KultPlus.com

Magjia e muzikës së Verdit në Prishtinë, jepet premiera e ‘Messa da Requiem’

Flonja Haxhaj

Magjia e veprave të Giuseppe Verdit, u transmetua mbrëmë në Kosovë, teksa u interpretua kryevepra e tij ‘Messa da Requiem’. Koncerti i madh i Orkestrës dhe Korit të Filharmonisë së Kosovës, Korit të Operës së Kosovës dhe Korit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në  Tiranë, nën dirigjimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa solli një frymëzim  dhe emocion të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit, shkruan KultPlus.

Rreth 250 muzikantë u bënë bashkë dhe erdhën si një trup i vetëm për të dhuruar një shfaqje magjepsëse përpara publikut artdashës që kishin mbushur plot ulëset e sallës ‘AMC’. Për një orë e gjysmë gjithçka që u prezantua ishte në sinkron dhe përtej reales.

Që në momentin kur dritat u fikën dhe ndriqimi i vetëm mbeti tek performuesit, çdo detaj i skenës dhe pozicionimi i secilit muzikant dukej se ishte menduar me detaje, e kjo ia shtonte edhe më shumë magjinë kësaj ngjarje të madhe.

Përsosmërinë, premierës së kryeveprës së muzikës klasike në Prishtinë ia dhanë edhe katër solistët e përzgjedhur, Daria Masiero – soprano, Ivana Hoxha – mexosoprano, Klodjan Kaçani – tenor dhe Davide Procaccini – bas, të cilët realizuan performanca jashtëzakonisht të veçanta, secili duke treguar talentin e tyre vokal unik.

Ndërkaq, ngjarja u bë edhe më mdhështore atëherë kur në skenë u ngjitën Kori i fëmijëve “Okarina” me dirigjente Elikona Hysaj – Shala dhe Kori i Qendrës së Fëmijëve të Prishtinës me dirigjente Diellza Sylejmani, të cilët së bashku me orkestrën dhe koret e tjera krijuan një bashkëpunim të mrekullueshëm dhe emocionues në interpretimin e veprës botërore “Messa da Requiem”.

Pas koncertit, për KultPlus foli dirigjenti Toshio Yanagisawa, ai i cili arriti të bashkojë në mënyrë të përsosur elementët, duke unifikuar orkestrën, koret dhe solistët e duke krijuar një harmoni të vërtetë mes muzikës dhe vokalistëve.

 “Këtë herë, Filharmonia e Kosovës luajti ‘Messa da Requiem’ nga Guiseppe Verdi dhe kjo është performanca e parë në Kosovë. Mendoj  që ishte një eksperiencë e mrekullueshme për orkestrën sepse kjo vepër është shumë e komplikuar dhe për ta ekzekutuar nevojiten shumë muzikantë. Është shumë e vështirë për ta realizuar , por megjithatë ne ia dolëm, dhe arritëm të përcjellim një ndjenjë të mrekullueshme”, u shpreh Yanagisawa për KultPlus, duke shtuar se ngrohtësia dhe duartrokitjet që morën nga publiku, e shtuan edhe më shumë lumturinë e muzikantëve.

Pas koncertit, mes emocionesh foli edhe mexosopranoja Ivana Hoxha, solistja e përzgjedhur, e cila dhuroi emocione të paharruara në pjesët që interpretoi duke lënë ndikim të thellë në kujtesën e publikut.

 “Ishte një emocion tepër i veçantë, publiku i Kosovës është një publik që unë e dua kaq shumë dhe ndihem shumë mirë. Dua të falënderoj të gjithë stafin organizues, të gjithë kolegët e mi, dirigjentin, okestrën, korin, të gjithë së bashku. Vepra është e vështirë për t’u realizuar, mirëpo kur jemi të gjithë profesionistë, i  ndajmë punët dhe secili bën punën e tij e vështirësitë i harrojmë” , theksoi Hoxha për KultPlus.

Ndërkaq, tenori Klodjan Kaçani, i cili ishte po ashtu i përzgjedhur në mesin e katër solistëve, ndau emocionet që përjëetoi gjatë interpretimit të kësaj vepre, ndonëse për Kaçanin është hera e dytë që e këndon, sepse për herë të parë u paraqit me këtë vepër para pak muajve në Itali.

“Kur këndon ‘Messa da Requiem’ nga Verdi, krijohet një magji që mendoj që transmetohet shumë thjesht tek publiku, sepse është një kryevepër, një prej kryeveprave më të mëdha botërore dhe sa herë që e interpreton këtë vepër, do të kërkosh ta interpretosh sërish sepse janë emocione që nuk mbarojnë”, tha tenori Kaçani, i cili më pas shtoi se pavarësisht vështirësisë dhe kompleksitetit që ofron ‘Messa de Reuqiem’, me punë ata arritën të prezantojnë një mbrëmje spektakolare.

E për Elikona Hysaj, e cila është pjesë e Korit të Filharmonisë së Kosovës, ky koncert ka qenë po ashtu sfidues ngaqë është dashur të shkëputet nga kori, për t’i sjellë në skenë Korin e Fëmijëve ‘Okarina, ku është dirigjente. Pavarësisht vështirësive, ky moment ia shtoi edhe më shumë madhështinë kësaj ngjarje.

“Vërtet ka qenë sfiduese edhe për mua si koriste të shkëputem nga kori, ku jam prezente dhe të marr Korin e Fëmijëve ‘Okarina’ dhe ta sjell në skenë bashkë me fëmijët e Korit të Qendrës së Kulturës në Prishtinë. Ka qenë një takim shumë i veçantë kulturor sepse me aktivitete të tilla ne synojmë që të ngrisim vetëdijen kulturore të shoqërisë sonë” , u shpreh Hysaj për KultPlus.

E krejt në fund, për KultPlus foli edhe drejtori i Filharmonisë së Kosovës, i cili vlerësoi lart interpretimin e sotëm dhe theksoi rëndësinë e këtij koncerti në bashkëpunimin artistik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Vërtet që ‘Requiem’ e Verdit është kryevepër e literaturës vokalo-instrumentale dhe vënia në skenë e kësaj vepre gjithkund në botë zgjon interesim të madh. Kori i Filharmonisë së Kosovës pati fatin që tetorin e kaluar, me ftesë të Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, kemi qenë pjesë e premierës atje dhe fatmirësisht edhe Kori i TKOB-së ishte pjesë e koncertit të sotëm ku u realizua me sinqeritet nje bashkëpunim mes dy vendeve”, përfundoi Jashari.

Ndërkaq koncerti i cili tregoi nivelin e lartë të talentit artistik dhe pasionin për muzikën klasike në Prishtinë përmbylli edhe sezonin 2022/2023 të Filharmonisë së Kosovës./KultPlus.com

Imazhe nga koncerti i Filharmonisë së Kosovës në Chopin PianoFEST (FOTO)

Një koncert i radhës i festivalit ‘Chopin PianoFest Prishtina’ është mbajtur të hënën, si bashkëpunim i Chopin PianoFEST dhe institucionit më të lartë muzikor në vend, Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky koncert i jashtëzakonshëm, ndër të tjera u mundësua nga profesionalizmi i  maestros Peter Donohoe, dirigjentit Robert Guy dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.

KultPlus, ju sjellë disa nga fotografitë e realizuara përgjatë koncertit nga Minstria e Kulturës:

Kosova e Shqipëria me spektakël kulturor, jepet premiera e ‘Gjergj Kastrioti Skenderbeu, Kryezot i Arbërit’

Flonja Haxhaj

Fotografitë: Arben Llapashtica

Mbi 150 interpretues nga Kosova e Shqipëria, ishin mbledhur mbrëmë në skenën e sallës ‘AMC’ për të sjellë një vepër që e pasqyron në një dimension jetësor e më shpirtëror, përveç atij heroik e historik, Gjergj Kastriot Skëndërbeun.

Vepra ‘Gjergj Kastrioti Shkënderbeu, Kryezot i Arbërit’, nga kompozitori Vasil Tole erdhi mbrëmë premierë në Kosovë, ku përveç që u soll magjishëm figura e heroit kombëtar, i ribashkoi edhe njëherë dy prej institucioneve më të rëndësishme skenike të të dyja vendeve, Orkestrën dhe Korin e Filharmonisë së Kosovës dhe Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri, nën dirigjimin e mjeshtrit Sieva Borzak, shkruan KultPlus.

E që kjo vepër u mirëprit edhe nga publiku i Prishtinës, u vërejt që në minutat e parë, atëherë kur të gjitha ulëset ishin mbushur plot dhe të gjithë ishin kuriozë në pritje të asaj që do të shfaqej më pas.

Me orkestrën në një pjesë, korin që përveç në interpretim edhe ishin rreshtuar në sinkron me njëri-tjetrin, po ashtu edhe solistët e përzgjedhur nga kompozitori, ndonëse në një sallë jo adekuate, arritën të përcjellin tek publiku një emocion vështirë të harrueshëm.

Emocioni u shtua edhe më shumë me fikjen e dritave dhe ndriçimi i vetëm mbeti në skenë, tek ata që do të mbanin vëmendjen e publikut të pushtuar për gati 63 minuta, ku përveç interpretimit edhe imazhet që lëviznin në prapavijë i shtonin edhe më shumë madhështinë kësaj ngjarje.

E pas më shumë se një ore mishërim me figurën më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, kjo shfaqje dhe të gjithë interpretuesit që e bënë të mundur realizimin e saj në perfeksion, morën duartrokitje disa-minutëshe nga publiku.

Pas premierës në Kosovë, për KultPlus foli vetë kompozitori Vasil Tole, i cili shprehet i lumtur për shfaqjen e veprës së tij para publikut kosovar dhe sipas tij ky koncert e dëshmoi edhe njëherë për kapacitetet që artistët e të dyja vendeve kanë.

“Është premiera e parë e një vepre skenike shqiptare e cila replikohet në dy kryeqytetet tona, pra është një lloj kuptimi i një rekordi, që një vepër bëhet  për shkak të forcimit të marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve tona dhe e dyta na bashkoi Skënderbeu përsëri, ku dy institucionet tona më të rëndësishme që kemi në fushën skenike, u bënë bashkë për ta realizuar këtë gjë dhe kjo provon që kemi fuqi interpretuese, kemi kapacitete muzikore të afta për të përballuar edhe vepra premierë dhe sigurisht edhe vepra të traditës që janë disi më të thjeshta për t’i interpretuar”, u shpreh Tole.

Më tutje, ai foli edhe për performancën e artistëve, e që sipas tij u realizua në maksimumin e cilësisë së mundshme.

“Kënaqësia ime si autor është e madhe, së pari sepse kam pasur edhe koncerte të tjera me krijimtarinë time në Prishtinë, por nuk kam pasur kurrë një vepër të këtyre përmasave që shkon deri në 63 minuta, kështu që kam kënaqësi që u realizua kjo vepër, që u realizua me maksimumin e cilësisë së mundshme, në kushtet e bashkëpunimit ndonjëherë edhe të vështira në kuptimin e mjeteve teknike dhe sigurisht jam i kënaqur që reagimi i publikut të Prishtinës ishte pozitiv”, tha mes tjerash kompozitori Tole.

Në këtë mbrëmje kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut, u shqua baritoni Artur Vera, me disa pika interpretuese. Ai pas performancës tha për KultPlus se ndjehet i lumtur për paraqitjen dhe performancën e tij pikërisht në Prishtinë.

“Vepra e profesor Vasos është një vepër e re e sjellë dhe e konceptuar ndryshe që e lidh Skëndërbeun me përjetësinë, realitetin dhe historiken. Skënderbeu paraqitet si një Skënderbe i menduar, më shpirtëror, që tregon për jetën e tij, për frymëzimin e tij, për burimin e frymëzimit të tij për të luftuar dhe e lidh këtë figurë me Shëngjergjin”, tha ai, duke shtuar më tutje se për të sjellë këtë premierë dhe atë në Tiranë ka qenë një përgjegjësi dhe një punë shumë e madhe.

Ai më pas foli edhe për bashkëpunimin me Korin e Filharmonisë së Kosovës, bashkëpunim ky që ka qenë goxha i shpeshtë në kohët e fundit.

“Bashkëpunimi me Korin e Filharmonisë së Kosovës ka ndodhur shpesh këto kohëve të fundit, kemi qenë shumë të lumtur që i kemi pasur në TKOB dhe kësaj radhe erdhëm ne në Kosovë dhe jemi shumë të lumtur që ribashkëpunojmë me këtë vepër por edhe në vepra të tjera”, përfundoi Vera.

Në këtë mbrëmje madhështore, emocione dhuroi edhe performanca e sopranos Kaltrina Miftari, e cila shprehet e privilegjuar për paraqitjen e saj si soliste pikërisht në këtë vepër.

“Ishte kënaqësi e veçantë të paraqitem si soliste në premierën e veprës  madhështore “Skënderbeu” te kompozitorit tonë Vasil Tole. Por sigurisht një vepër e përmasave të tilla mendoj qe duhet te shfaqet në sallë adekuate. Opera e cila u shfaq mbrëmë në mënyrë koncertale sigurisht është edhe një provë më shumë për të tregu që edhe Kosova e meriton shtëpinë e Operës”, tha Miftari për KultPlus.

Ndërkaq drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, u shpreh për KultPlus që premiera e parë e veprës ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryezot i Arbërit’, ishte e planifikuar që të mbahej fillimisht në Prishtinë, megjithatë u bë në Tiranë ku Filarmonia e Kosovës pati mundësinë të jetë prezente në një objekt siç është ai i Teatrit Të Operës dhe Baletit, hapësirë kjo që e mundëson realizimin në detaje të një vepre skenike siç ishte kjo e kompozitorit Tole.

“Ne u munduam që ta bënim premierën tonë këtu por në një hapësirë që natyrisht nuk i përmbush këto kritere përveç që jemi detyruar që të vijmë në këtë sallë e cila është e vetmja që e mundëson vendosjen e mbi 150 performuesve në skenë”, deklaroi Jashari, duke shtuar se realizimi muzikor ishte në një nivel tejet të lartë e profesional.

Ndërkaq, ju kujtojmë që vepra ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryezot i Arbërit’ nga kompozitori Vasil Tole dhe me me libret të kompozitorit mbi tekstin e Fan S. Nolit erdhi premierë në Prishtinë pas premierës së suksesshme që e pati në Tiranë më 9 maj./ KultPlus.com

Për nder të 100 vjetorit të Rexho Mulliqit, Filharmonia e Kosovës mban dy koncerte në Portugali

Për nder të 100 vjetorit të lindjes së kompozitorit Rexho Mulliqi, Kori dhe Orkestra e Filharmonisësë Kosovës do të mbajnë dy koncerte me muzikë arstistike në shtetin e Portugalisë, përcjellë KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një njoftimi në facebook ka bërë të ditur se koncertet do të mbahen në Qendrën Kulturore Belem dhe në Katedralen e qytetit të Bragas.

“Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të prezantohen me dy koncerte në Portugali. Të hënën nga ora 19:00 në Qendrën Kulturore Belem në kuadër të Javës Kulturore të Kosovës, Orkestra dhe Kori në drejtimin e Baki Jasharit do të intepretojnë vepra nga Rexho Mulliqi, Valton Beqiri dhe Karl Jenkins. Dy ditë më vonë Filharmonia do të prezantohet me koncert edhe në Katedralen e qytetit të Bragas prej orës 21:30.”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Dje është shënuar 100 vjetori i lindjes së kompozitorit të mirënjohur Rexho Mulliqi, dhe këto ditë Filharmonia e Kosovës ka mbajtur një koncert me vepra të kompozitorëve të huaj dhe të Mulliqit, duke i dhuruar qytetarëve të Prishtinës një natë të pa harrueshme me muzikë artistike.

Filharmonia e Kosovës vitin 2023 e ka shpallur si viti i Rexho Mulliqit për shkak të këtij përvjetori jubilar, ku gjithë aktivitetin e saj do ta fokusojë te veprimtaria e kompozitorit të mirënjohur shqiptarë./KultPlus.com

Nën magjinë e ‘Bareshës’, shënohet  mes emocionesh të forta 100-vjetori i lindjes së kompozitorit Rexho Mulliqi

Flonja Haxhaj

100-vjetori i lindjes së kompozitorit të mirënjohur shqiptar, Rexho Mulliqi, u shënua mbrëmë me koncertin e Filharmonisë së Kosovës, e cila për të nderuar këtë figurë që i dha shumë muzikës artistike shqiptare, i parapriu edhe sezonit që do t’iu kushtohet tërësisht veprimtarisë së kompozitorit Mulliqi, shkruan KultPlus.

Koncerti i organizuar për të shënuar një ditëlindje jubliare, solli magjinë e veprave që u përkasin stile të ndryshme, por në fund emocionet më të shumta publiku i përjetoi kur në skenë u jetësua ‘Baresha’ për orkestër simfonike.

Para një publiku që kishte zënë çdo cep të Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Antoin Marugier, u përcoll magjia e veprave të Beethoven, Prokofiev dhe Mulliqit.

Po ashtu, në rolin e solistit u rikthye edhe koncert-mjeshtri i Filharmonisë së Kosovës Visar Kuçi, i cili luajti “Koncert për violinë nr. 1” nga Prokofievi.

Pas performancës që dhuroi pafund emocione në publik, për KultPlus foli dirigjenti Antoine Marguier, i cili drejtoi Filharmoninë e Kosovës për herën e tij të dytë. E ndonëse skena në të cilën ai performoi mbrëmë mund të jetë shumë më e vogël nga ato që ai është mësuar të punojë, Marguier shprehet se më shumë se kaq për të është e rëndësishme emocioni që përçohet e që jo gjithmonë ka të bëjë me përmasat e skenës.

“Nuk ka skenë më të vogël, çdo skenë është e madhe, skena është vendi ku shpreh dëshirën e kompozitorit, kështu që ka gjithmonë të njëjtat përmasa kudo që të jetë sepse gjithmonë është më i rëndësishëm emocioni që shfaqet kur takohen interpretuesit, kompozitori e që nuk është në mesin tonë dhe publiku”, tha Marguier.

Më tutje ai foli edhe për kompozitorin Rexho Mulliqi, muzikën e të cilit, Marguier thotë se filloi ta studiojë pak javë më parë. 

“Unë nuk e kam njohur deri më tani kompozitorin Rexho Mulliqi. Fillova të studioja për të pak javë më parë dhe pata kohën të zbuloja këtë lloj muzike dhe shprehjet e tij. Gjithashtu njerëzit këtu dhe orkestra më treguan për të dhe sigurisht nuk është kurrë e lehtë të vij si i huaj nga një kulturë tjetër dhe të vendos këmbët e mia në një muzikë të re në vendin e muzikës”, tha më tutje Marguier duke falënderuar edhe pjesëtarët e orkestrës për bashkëpunimin.

Në këtë koncert të një rëndësie të madhe kombëtare, pjesa e parë ishte e rezervuar për pianisten Vesa Berisha, e cila në vitin e kaluar fitoi garën ‘Pianisti i ri 2022’. Ajo u paraqit suksesshëm duke iu bashkëngjitur orkestrës në interpretimin e kohën e parë të “Koncertit për piano nr. 3” nga Beethoveni.

Ndërkaq, ajo ndau për KultPlus emocionet e kësaj nate, e që sipas saj përjetohen rrallëherë.

“Ka qenë një emocion që rrallëherë mund të përjetohet. Jam shumë me fat dhe e vlerësoj shumë mundësinë që më është dhënë që të performoj me Filharmoninë e Kosovës”, tha pianistja Berisha, e cila më tutje vlerësoi lart edhe punën me dirigjentin Antoine Marguier.

Për të folur rreth këtij koncerti që iu kushtua kompozitorit që i dha shumë muzikës artistike shqiptare, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha për KultPlus se ky koncert është një koncert kompleks, marrë parasysh stilet e ndryshme të veprave që u luajtën.

“Ky është një koncert kompleks meqë janë shpalosur stile të ndryshme, vepra të kompozitorëve të ndryshëm duke filluar nga Bethoveeni që është një botë në vete, më pas Prokofievi i cili në botën e muzikës artistike konsiderohet si një kompozitor shumë i veçantë në stilin e tij dhe natyrisht këtu Visar Kuçi ka bërë një punë të mrekullueshme. Është e pashmangshme të përmendet që meqë është edhe ditëlindja e kompozitorit tonë të madh Rexho Mulliqi, e kemi parë të arsyeshme që në vigjilje të 100-vjetorit t’ia kushtojmë këtij kompozitori”, u shpreh Jashari, i cili mes tjerash tha se Filharmonia e Kosovës do të mundohet që me mundësitë e sa të bëjë promovimin e veprave të Mulliqit edhe jashtë vendit.

Ndërkaq, në sezonin artistik të vitit 2023, Filharmonia e Kosovës do t’ia kushtojë veprimtarisë artistike muzikore të Rexho Mulliqit./ KultPlus.com

Filharmonia shpall vitin 2023 si viti i Rexho Mulliqit, sjell koncert artistik në nderim të kompozitorit

Filharmonia e Kosovës vitin 2023 e ka shpallur si viti i Rexho Mulliqit, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij, ku përgjatë gjithë sezonit do të fokusojë programin e saj nga veprimtaria e kompozitorit të mirënjohur shqiptar, përcjell KultPlus.

Si pikënisje e këtij viti artistik në nderim të Mulliqit, Filharmonia e Kosovës organizon koncert të premten mbrëma prej orës 20:00 ku interpretohet muzikë artistike.

Në rolin e solistit rikthehet koncert-mjeshtri i Filharmonisë së Kosovës Visar Kuçi, i cili do të luaj “Koncert për violinë nr. 1” nga Prokofievi.

Pjesa e parë e koncertit është rezervuar për prezantimin tradicional të pianistëve të rinj në bashkëpunim me Dam Festival dhe International Piano Competition “Pianisti i Ri”-“The Young Pianist”-Kosovo, këtë herë me fituesen e çmimit “Pianisti i Ri 2022”, Vesa Berisha e cila do të luaj kohën e parë të “Koncertit për piano nr. 3” nga Beethoveni.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të drejtohet nga mjeshtri francez-zviceran Antoine Marguier. / KultPlus.com

Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës organizojnë koncert solemn më 16 shkurt

Në kuadër të kalendarit kulturor në shënim të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë organizojnë koncert solemn më 16 shkurt 2023 prej orës 18:00 në sallën AMC (Rr. Cerriku 15000 Mazgit, Obiliq / Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë).

Në këtë koncert do të interpretohet vepra “Hyland Mass Op. 130” e kompozitorit nga Malta Joseph Vella në dirigjimin e mjeshtrit amerikan David Hayes.

Në rolin e solistëve do të prezantohen solistë nga Filharmonia e Kosovës dhe Teatrit Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri); sopranoja Adelina Paloja, altoja Françeska Pjetri, tenori Klodian Kaçani, baritoni Erion Sheri, basi Xhieldo Hyseni, sopranoja Arta Jashari dhe Nard Gllavurda (nga kori i fëmijëve “Okarina”).

Koncerti është përkrahur nga Jim Xhema dhe mbështetjen e Christopher Hyland si dhe institucioneve dhe partnerëve: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, UBT, Vatra, Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe Radio Televizioni i Kosovës.

Rezervimet: bit.ly/3S28wOM / KultPlus.com

Koncerti i Vitit të Ri nga Filharmonia e Kosovës vjen më 22 dhjetor

Filharmonia e Kosovës do ta organizojë koncertin e ‘Vitit të Ri 2023’ më 22 dhjetor, duke filluar nga ora 20:00, përcjell KultPlus.

Koncerti i Vitit të Ri i Filharmonisë së Kosovës është një eksperiencë unike muzikore prej traditës vjeneze deri te muzika e gjigantit Ennio Morricone, nëpërmjet së cilës do të shëtisim në disa prej kolonave zanore të filmave ikonikë të shek. XX.

Me pjesëmarrjen e virtuozëve, Marco Serino (violinë) dhe Antonello Maio (piano), Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në këtë koncert vjen e drejtuar nga mjeshtri Simone Pittau nga Italia.

Koncerti do të mbahet në “A Media Center by AMC”. / KultPlus.com

uzia

Rikthimi magjepsës i Anila Aliut, premiera “Simfoni Epike” dhe ekselenca e Orkestrës Filarmonike të Kosovës në harmoni të përsosur mes veti

Uranik Emini

Në përkufizimin e saj, Orkestra përfaqëson një grup interpretuesish në instrumente të ndryshme muzikore, duke përfshirë veçanërisht instrumentet me tela të klasës së violës, klarinetat dhe flautat, kornetat dhe trombonat, daullet dhe cembalet, për të luajtur muzikë, si simfonitë, operat, muzika popullore ose kompozime të tjera. E veçanta e Orkestrës Filarmonike të Kosovës është pjesa ku ata veprojnë dhe luajnë sikur të jenë një. Aftësia më e madhe që tregon edhe madhështinë që ata posedojnë, përfshin kapacitetin e tyre për të tingëlluar si një entitet koheziv, që të gjithë luajnë të njëjtin stil për të prodhuar tinguj unikë dhe kësisoj shtojnë edhe më shumë entuziazmin e publikut, shkruan KultPlus.

Mbrëmja e së dielës për shumë qytetarë ishte e rezervuar për Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës, e cila koncertin e saj e filloi nga ora 20:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit Rinisë. Nën drejtimin e maestro Gridi Kraja, koncerti u hap me uverturën “Coriolan” të Ludwig van Beethoven për të vazhduar me “Koncertin në G major” të Maurice Ravel të interpretuar nga pianistja e re por e shquar kosovare Anila Aliu e cila u rikthye në një koncert me Filarmonia e Kosovës pas 10 vitesh. Ajo debutoi me Filarmoninë kur ishte vetëm 12 vjeçe, si fituese e çmimit “Pianistja e re”.

Pjesa e dytë e koncertit ishte e rezervuar për premierën botërore të “Simfoni Epike” nga Fatos Qerimaj me tekst të Robert Wilton dhe me soliste mexosopranon Diellza Sylejmani.

Në një intervistë për KultPlus, Anila Aliu është shprehur e lumtur për rikthimin e saj në Filarmoninë e Kosovës.

“Sonte ka qenë një koncert i mrekullueshëm, kam pasur nderin dhe kënaqësin që të performoj me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës pas 10 viteve. Gjithmonë është një nder i veçantë që të performosh në skenën kosovare përpara një publiku kaq entuziast, para shumë profesorëve të mi, para familjarëve dhe dashamirëve të artit”.

Kushtet e krijuara nga vështirësitë nuk e “thyejnë” Filarmoninë e Kosovës

Anila Aliu ka marrë pjesë në festivale të ndryshme nëpër botë, duke udhëtuar kështu në vende të ndryshme. Ajo beson se përkundër faktit se Kosova dhe kushtet e saj në këtë fushë nuk janë aspak në të njëjtin nivel me shtetet e tjera, megjithatë punohet shumë për të arritur rezultate.

“Këtë koncert do ta mbaj në mend gjithmonë, edhe pse kushtet të cilat i kemi këtu nuk janë aspak në nivel me ato të koncerteve ndërkombëtare. Përkundër kësaj, vlen të përmendet fakti që edhe pse në kushte të vështira, muzicientët këtu punojnë shumë edhe jemi munduar që të japim maksimumin dhe të shijojmë këtë mbrëmje, po besoj që edhe për publikun ka qenë një koncert fantastik në bazë të duartrokitjeve dhe entuziazmin që shfaqën. Të performosh para publikut tënd është një përgjegjësi më e madhe, më sfiduese sigurisht, mirëpo natyrisht që performimi përpara njerëzve të tu është diçka që nuk përshkruhet me fjalë”, përfundon ajo.

Nga ana tjetër, Fatos Qerimaj shpjegon për KultPlus se si erdhi te momenti për të shkruar veprën që pati premierën botërore këtë natë, “Simfonia Epike”, me tekst të Robert Wilton.

“Unë shkëputa një fragment nga Edit Dura që thotë The Land of The Living Past, e kjo më bëri që të shkruaj këtë simfoni në kohën e pandemisë, duke përfshirë konceptin epik dhe lirik të natyrës shqiptare, konkretisht atë të veriut. Kjo ishte edhe arsyeja që vendosa ta realizoj këtë vepër premierë në Prishtinë, duke pasur parasysh epizmin dhe lirikën e trevës përkatëse”.

Energji e pashtershme për të prodhuar magji pranë publikut

“Ajo që unë mora sot nga orkestra e Filharmonisë së Kosovës ishte një energji teper pozitive, e cila shpalosi me të vërtet një krenari orkestrale që është brenda veprës, për të treguar trashëgiminë dhe të ardhmen”, shpjegon kompozitori Qerimaj.

Dirigjenti Gridi Kraja pohon se bashkëpunimet me Filarmoninë e Kosovës janë të shpeshta, ndërsa e vlerëson shumë performancën nga kjo këta të fundit dhe veçanërisht nga pianistja Anila Aliu.

“Ky ishte një koncert i veçantë do të thosha, sepse në këtë koncert luhej një vepër krejtësisht premierë. “Simfonia Alpine” e Fatos Qerimaj, e bazuar në motive veriore të Shqipërisë. Simfoni shumë e veçantë e fuqishme dhe me mesazh e të gjitha. Një performancë shumë, shumë e mirë edhe nga Anila Aliu. Një koncert që është shumë sfidues për orkestrën, por mund të themi se u arrit shumë mirë. Solistja bëri një lojë shumë të mirë dhe gjithashtu edhe uvertura e njohur “Coriolan” nga L. V. Beethoven. Jam shumë i kënaqur me koncertin, gjithmonë mbetem i kënaqur me orkestrën, me të cilët kemi një bashkëpunim gjithmonë, janë kolegët e miqtë e mi”, shprehet Kraja.

Edhe solistja mekso-soprano, Diellza Sylejmani, tregon për KultPlus se përkundër vështirësive të shumta në mungesë të kushteve, sidomos mungesës së sallës adekuate, në Kosovë ka artistë të jashtëzakonshëm.

“Për mua ishte një nder së pari dhe sigurisht edhe një kënaqësi të isha pjesë e veprës premierë të Fatos Qerimajt. Kjo vepër është shkruar nga kompozitori në periudhën e pandemisë dhe për të e ka pasur një domethënie të veçantë. Pjesa ku unë këndoj fillon e këndohet për tokën, për malet, për shqiponjat, të cilat e karakterizojnë Shqipërinë. Paraqitja mund ta keni parë edhe vetë që ishim shumë afër me publikun, saqë e kisha ndjenjën që po i këndoj te veshi i dikujt. Në Kosovë ka artista, këngëtarë e instrumentista shumë të mirë që nuk po mund ta shprehin veten e tyre më së miri si shkak i mungesës së një salle adekuate”, thotë Sylejmani.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, në një prononcim për KultPlus, bën të ditur se janë duke u planifikuar disa hapësira të mirëfillta për Filarmoninë e Kosovës.

“Orkestra e Filharmonisë së Kosovë janë të mrekullueshëm, jam pothuajse në çdo koncert të tyre. Jemi duke punuar shumë që të krijojmë hapësira të mirëfillta për ta. Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës jemi duke punuar për të transformuar hapësira që të krijojmë mundësi të performancës së Filharmonisë së Kosovës. Edhe Salla e Kuqe është e vjetërsuar, por edhe tani e kemi një projekt për të rigjeneruar këtë hapësirë, por përkundër kësaj orkestra ishte e mrekullueshme, sigurisht edhe pianistja Anila Aliu”, thotë Rama.

Ai shton gjithashtu se ndërtesa e Operës dhe Baletit do të duhen 2 ose 3 vjet që të jetë gati, ndërsa deri atëherë plani është që godina e Gërmisë të shndërrohet në Galeri dhe Sallë Koncertesh.

“Fillimisht është dalë konkursi ndërkombëtar, që do të aplikojnë për të dizajnuar objektin e Operas dhe Baletit, pasi kjo të përfundojë pastaj vazhdohet me dizajnimin e kësaj ndërtese, e më pas sigurisht edhe ndërtimi i saj. Mesiguri do të kalojnë 2 ose 3 vite që kjo ndërtesë të përfundojë. Mirëpo, përkundër kësaj po them se kemi paralelisht edhe iniciativa tjera, ku ndërtesa e Gërmisë do të transformohet në Galerinë e Qytetit si dhe një Sallë Koncertale, së bashku me Bashkimin Evropian. Proceset byrokratike sigurisht që janë me shpejtësi më të vogël sesa ne kemi dëshirë, por jemi duke punuar që t’i shtyjmë përpara sa më shpejt”, përfundon Rama.

Filharmonia e Kosovës aktivitetin e muajit nëntor do ta përmbyll me koncertin “Dua më shumë Shqipërinë” duke iu bashkuar Orkestrës dhe Korit të Teatrit Kombëtar të Operës në Tiranë më 26 nëntor në sheshin “Skënderbej” në koncerti i cili organizohet në shënim të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. /KultPlus.com

Premiera botërore e “Epic Symphony” nga kompozitori Fatos Qerimaj, këtë të diel në koncertin e Filharmonisë

Filharmonia e Kosovës do ta prezantoj koncertin e radhës së Orkestrës së Filharmonisë, i cili do të mbahet të dielën (20.11.2022) prej orës 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Në këtë koncert nën dirigjimin e mjeshtrit Gridi Kraja do të interpretohen uvertura “Coriolan” nga L.V.Beethoven, “Koncert për piano në G-dur” nga M.Ravel me soliste Anila Aliu dhe premiera botërore e veprës “Epic Symphony” nga kompozitori Fatos Qerimaj.

Për të ndjekur koncertin luteni që të bëni rezervimet në këtë link https://bit.ly/3EznjLL / KultPlus.com

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës me koncert në Obiliq

Në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje” dhe organizimit të koncerteve në qytete të tjera të Kosovës, Orkestra Frymore e Filharmonisë më 10.11.2022 prej orës 19:00 do të mbaj koncert në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri” në Obiliq, përcjell KultPlus.

Në koncert do të interpretohen vepra të kompozitorëve të huaj dhe vendor në dirigjimin e Baki Jasharit dhe Lirjona Sylejmanit.

Hyrja në koncert është e lirë! / KultPlus.com

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës këtë të diel vjen me koncert simfonik

Së shpejti vjen koncerti simfonik i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës me vepra nga Kreshnik Aliçkaj, Wolfgang Amadeus Mozart dhe Amy Beach, përcjell KultPlus.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të dirigjohet nga Gregory Charette.

Koncerti mbahet këtë të diel, duke filluar nga ora 19:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit (Atelieja).

Koncerti zhvillohet në kuadër të sezonit 2022-2023. / KultPlus.com

tra

Kujtohet dirigjenti Bahri Çela, një prej më meritorëve që vuri themelet e institucionit të Filharmonisë së Kosovës

Në 4 vjetorin e vdekjes, është kujtuar sot nga Filharmonia e Kosovës, dirigjentin Bahri Çela, një prej më meritorëve që vuri themelet e institucionit të Filharmonisë së Kosovës. Ai ishte edhe pedagogu që u dha hapat e parë muzikantëve që sot prezantohen në skenën kosovare, përcjellë KultPlus.

Çela konsiderohet si një prej dirigjentëve më me ndikim prej viteve ‘70 e deri pas luftës së fundit në Kosovë. Ai fillimisht drejtoi orkestrën dhe korin e Radiotelevizionit të Prishtinës, e më pastaj themeloi edhe Filarmoninë e Kosovës së bashku me një grup muzikantësh kosovar.

Studioi në Akademinë e Muzikës, Dega e Dirigjimit në Beograd, për të vazhduar më pas specializimin në Konservatorin e Shën Petërsburgut në Rusi, te pedagogu i njohur Prof. A.P. Musin dhe në Nicë (Francë) te dirigjentët e njohur francezë P. Dervaux dhe F. Quatrocchi. Pas studimeve ai do të punësohej në Radio Prishtinë si producent i asaj që asokohe quhej muzikës serioze dhe asaj për fëmijë. Çela poashtu ishte njëri ndër iniciatorët e themelimit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës në vitin 1975. Me këtë orkestër dirigjoi një kohë duke realizuar koncerte të rregullta me vepra të autorëve shqiptarë dhe botërorë. Në mesin e tyre hyjnë emra si Rexho Mulliqi, Vincent Gjini, Esat Rozvanolli, Rauf Dhomi, Akil Koci, Çesk Zadeja e të tjerë. / KultPlus.com

Bahri Çela dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në shënim të 10-vjetorit të Filharmonisë së Kosovës. [Beethoven – Simfonia Nr. 8] Tetor 2010 / Salla e Kuqe, Prishtinë
Bahri Çela dhe Kori e Orkestra e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës [Handel – Messiah] Prill 2005 / Salla e Kuqe, Prishtinë

Fotografitë: Arben Llapashtica, Visar Kryeziu

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhuroi performancë të mrekullueshme në Izmir

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhuruan performancë të mrekullueshme për publikun në Qendrën e Artit, “Ahmed Adnan Saygun” në Izmir.

Koncerti u hap me uverturën “Coriolan” nga Beethoveni dhe koncertin për piano në a-mol nga Schumanni në intepretim të shkëlqyer të pianistes së mirënjohur turke Yeşim Gökalp.

Pjesa e dytë solli një panoramë të muzikës simfonike shqiptare me vepra nga Çesk Zadeja, Lorenc Antoni, Valton Beqiri, Hajrullah Syla dhe versionin orkestral të “Bareshës” nga Rexho Mulliqi me solist Shkumbin Bajraktarin në klarinetë.

Në koncertin që u dirigjua nga Maestro Gridi Kraja, u interpretua edhe premiera botërore e veprës “Sinfonietta” e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj.

Kjo ngjarje është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna Metropolitane e Izmirit.

Fotografitë: Arben Llapashtica / KultPlus.com

U dha premiera botërore e veprës origjinale “Monade” nga Robert Bisha

Koncerti plot imagjinatë dhe momente eklektike muzikore origjinale të kompozuara nga Robert Bisha u mbajt në Kino Lumbardhi ndërsa u performua në mënyrë fantastike nga Filharmonia e Kosovës, përcjellë KultPlus.

Një bashkëdyzim shumë i rëndësishëm i talenteve, zhanreve dhe kapaciteteve shprehëse muzikore në rrafshin stilistik nga institucioni më i lartë i muzikës koncertale në Kosovë dhe një moment mjaft me rëndësi për qytetin e Prizrenit.

Robert Bisha thurri një kompozim jo të zakonshëm për orkestrën e Filharmonisë së Kosovës me një formacion njashtu të rrallë duke përfshirë orkestrën, pjesë të korit, solistë, 2 kitara elektrike performuar nga vëllezërit Elvis dhe Gjullian Bytyqi, piano dhe çifteli performuar nga vet Robert Bisha, incizim paraprak elektronik dhe me shumë lloje të efekteve tingullore të performuara nga i gjithë formacioni.

Kompozitori Bisha u rikthye në Prizren për një qëndrim artistik, ku edhe filloi procesin për hulumtim dhe kompozim, duke e parë nga afër dhe duke njohur historinë e Kino Lumbardhit dhe rrethanat e ndryshueshme përgjatë 70 viteve të kësaj kinemaje.

Orkestra u përcoll dhe me imazhe video në projektor.

Vepra ka një narrativë në secilën nga tetë pjesët e saj dhe mundohet ta shohë në çdo këndvështrim Prizrenin. Ka qenë “Lumbardhi” vendi ku kompozitori mbajti të vetmin koncert gjatë vitit 2020 në kohën e pandemisë, kur në prani të 50 personave në bahçe kishte interpretuar “Home Neverland” për solo-piano.

Përpos hapjes së sezonit të ri të Filharmonisë, premiera e “Monade” ishte edhe kremte për 70-vjetorin e themelimit të kinemasë Lumbardhi.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe këshilltarët e ministrit Çeku, Nora Arapi Krasniqi dhe Liburn Jupolli. / KultPlus.com

Të shtunën jepet premiera e veprës ‘Monade’ nga Robert Bisha, bashkëpunim mes Fondacionit Lumbardhi dhe Filharmonisë së Kosovës

Flonja Haxhaj

Të shtunën, më 17 shtator, Kino Lumbardhi në Prizren do të jetë nikoqire e veprës ‘Monade’ të kompozitorit, Robert Bisha, një vepër kjo e bashkë-komisionuar nga Fondacioni Lumbardhi dhe Filharmonia e Kosovës, shkruan KultPlus.

Vepra e cila shënon edhe fillimin e sezonit të Filharmonisë së Kosovës dhe 70-vjetorin e krijimit të Kino Lumbardhit, është një suitë simfonike për piano, orkestër, kor, solistë dhe multi-media.

Për të folur më shumë për këtë vepër, sot është mbajtur një konferencë për media ku kanë qenë prezentë vetë kompozitori, Robert Bisha, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari dhe drejtuesi i Fondacionit Lumbardhi, Ares Shporta.

Jashari thotë se është i lumtur për hapjen e sezonit të Filharmonisë së Kosovës me këtë vepër, ndonëse filharmonia ka realizuar tashmë dy koncerte në fillim të shtatorit, më 5 shtator me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës dhe koncerti i dytë ishte pak ditë më parë i Korit të Filharmonisë së Kosovës e që u realizua në Kishën Shën Ndou.

“Tani jemi në prag të një projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm, të veçantë dhe të madh të Filharmonisë së Kosovës, bëhet fjalë për një vepër vokalo-instrumentale të kompozitorit shqiptar, Robert Bisha. Ditëve të fundit, Filharmonia e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e angazhuar në përgatitjen e një vepre shumë të veçantë, për nga përmbajtja për nga formacioni, pjesëmarrësit, tematika, ishte një përvojë më e ndryshme për Filharmoninë e Kosovës bazuar në programet paraprake”, u shpreh Jashari, i cili ndër të tjerash tha që në fillim, pjesëtarët e filharmonisë ishin pak skeptikë pasi morën me vonesë programin por kanë bashkëpunuar duke e njohur kapaxitetin dhe stilin e kompozitorit Bisha.

Ndërkaq, Ares Shporta nga Fondacioni Lumbardhi tha vepra që shënon edhe fundin e festimeve të 70-vjetorit të hapjes së Kino Lumbardhit, e ka sjellë bashkëpunimin mes Filharmonisë së Kosovës dhe Fondacionit Lumbardhi në një nivel të ri të bashkëpunimit tashmë 5-vjeçar.

“Ky është një bashkëpunim i ri mes Prizrenit, Kino Lumbardhit dhe Robertit i cili e ka mbajtur koncertin e vetëm të vitit të parë pandemik, një piano solo për 50 veta në një distancë në bahçe. Mirëpo biseda që nisi atëherë në Prizren u zgjat edhe e gjeti veten në mes të diskutimit se si duhet me kremtu 70-vjetorin e Kino Lumbardhit që trajton një 70-vjetor të një institucioni interesant me faza të ndryshme në një kontekst kontradiktor dhe me e pa se si mundemi që edhe muzikën edhe filmin, më shumë muzikën me e trajtu në  mënyrë të re, në një hapsirë që është mësuar vetëm me u konsumu dhe jo me u prodhu dhe me u diskutu.”, tha Shporta, përcjell KultPlus.

E krejt në fund fjalën e mori edhe kompozitori Robert Bisha, i cili rikthehet në Prizren pas dy vitesh me një mision tjetër të veçantë.

“Jam shumë i kënaqur që kam pasë mundësi në njëfarë mënyre me e vënë në dispozicion se çka është backgroundi im apo se çka është dhuntia ime në dispozicion të Fondacionit Lumbardhi me të cilin kam nderin që bashkëpunoj përgjatë këtyre viteve dhe gjithashtu edhe në dispozicion të filharmonisë me të cilën pata nderin të punoj këto ditë.”, deklaroi Bisha.

“‘Monade’ ndahet në tetë pjesë, numër simbolik për mua sepse çdo koncert e bëj në tetë pjesë. Janë të gjitha kohë që shpjegojnë, që ka një narrativë të tyre nga pastoralet deri te pjesa e fundit, kanë një historik të tyre që sheh apo mundohet me e pa Prizrenin si nga detaji, por edhe si nga sipër apo edhe mundohet që Prizrenin ta shohin nga pikëpamja e vetë”, u shpreh më tutje kompozitori Bisha, duke folur për pikësynimin poetik të asaj se çka sjell ‘Monade’.

Kujtojmë që koncerti ‘Monade’ mbahet të shtunën (17 shtator) nga ora 20:00 në Kino Lumbardhi./ KultPlus.com

Në shënim të 25 vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës, Filharmonia e Kosovës organizon koncert përkujtimor

Në kuadër të manifestimit “Ditët e Nënë Terezës” të hënën më 5 shtator 2022 prej orës 20:00 në Qendrën “Bogdani Polis” (Katedralja “Shën Nënë Tereza”) në Prishtinë, Filharmonia e Kosovës organizon koncert në shënim të 25 vjetorit të kalimit në amshim të Nënë Terezës, përcjell KultPlus.

Në koncert do të interpretohen fragmente nga “Rekuiem-i” i kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart dhe vepra tematike nga kompozitorët Genc Tukiçi, Valton Beqiri dhe Kreshnik Aliçkaj.

Hyrja në koncert është e hapur mirëpo duhet të bëni rezervimin përmes platformës ‘eventbrite’. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës mbrëmë mbylli sezonin me një koncert të jashtëzakonshëm në Prishtinë

Filharmonia e Kosovës mbrëmë mbylli sezonin me një koncert të jashtëzakonshëm që u mbajt në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kantata e përmasave të mëdha “Carmina Burana” e kompozitorit Carl Orff, e bazuar në 24 poema nga koleksioni mesjetar Carmina Burana, u prezantua për herë të parë për publikun kosovar.

280 persona në skenë dhuruan momente të paharrueshme për publikun. Performuan Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, Kori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Kori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Kori i fëmijëve “Okarina” dhe solistët Adelina Paloja, Arta Jashari – soprano, Safet Berisha – kontratenor dhe Xhemil Rexhepi – bas.

Koncerti u organizua në bashkëpunim me Operën e Kosovës dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.

Në këtë ngjarje të veçantë morën pjesë personalitete të shumta nga jeta politike e kulturore e Republikës së Kosovës si dhe nga stafi diplomatik ndërkombëtar i akredituar në Kosovë. Ndër ta, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori i ShBA-së, Jeff Hovenier, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zëvendësministri i MKRS-së, Sejnur Veshall, dhe shumë personalitete e qytetarë që mbushën hapësirën e sheshit “Skënderbeu”. / KultPlus.com

Vepra gjigante “Carmina Burana” i dhuroi Prishtinës momente të paharrueshme, solli 280 muzikantë në skenë

Mbrëmë në një mjedis fantastik, në qiellin e hapur të Prishtinës, u vërtetua edhe njëherë në mënyrë të jashtëzakonshme kapaciteti muzikor që ka vendi ynë.

Kantata e përmasave të mëdha “Carmina Burana” e kompozitorit Carl Orff, e bazuar në 24 poema nga koleksioni mesjetar Carmina Burana, u prezantua për herë të parë për publikun kosovar, duke dhuruar momente të paharrueshme artistike muzikore.

Plot 280 persona numëron ekipi madhështor i përbërë nga Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, Kori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Kori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Kori i fëmijëve “Okarina” dhe solistët Adelina Paloja, Arta Jashari – soprano, Safet Berisha – kontratenor dhe Xhemil Gjini – bas, e gjithë kjo e realizuar nën bashkëpunimin e institucioneve të Filharmonisë së Kosovës, Operës së Kosovës dhe partnerëve të tjerë.

Një interpretim dhe shfaqje e mrekullueshme e kapacitetit performues në vendin tonë, plot energji, fuqi ekspresive artistike dhe performuese në koncertin më të madh të këtij lloji të realizuar ndonjëherë në Kosovë.

Krahas përgëzimit për shfaqjen e mbrëmshme që dëshmon kapacitetin botëror të institucioneve tona të artit, dua t’i shpreh falënderimet e përzemërta për të gjithë udhëheqësit dhe artistët për punën vetëmohuese. Kosova është me fat që ka profesionistë të tillë të muzikës. / KultPlus.com

‘Carmina Burana’ vjen premierë në Kosovë në mbylljen e sezonit të Filharmonisë së Kosovës

Kantata e përmasave të mëdha “Carmina Burana” e kompozitorit Carl Orff vjen premierë në Kosovë në mbylljen e sezonit 2021/2022 të Filharmonisë së Kosovës.

Në këtë koncert Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, do të ngjiten në skenë bashkë me Korin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, Korin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Pejës, korin e fëmijëve “Okarina” – Prishtinë, me pjesëmarrjen e solistëve: Adelina Paloja (soprano), Arta Jashari (soprano), Safet Berisha (kontratenor) dhe Xhemil Rexhepi (bas) nën drejtimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa.

Koncerti do të mbahet më datë 26 qershor prej orës 20:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës dha koncertin premierë të radhës, një program i veçantë që zgjati rreth dy orë

Fotografitë: Arben Llapashtica

Filharmonia e Kosovës dha koncertin premierë të radhës. Një program i veçantë dhe me shumëllojshmëri që zgjati rreth dy orë, përfshiu veprat e kompozitorëve, Alexei Shor, Rafet Rudi, Shostakovich, dhe Dvorak, përcjell KultPlus.

Në koncert Filharmonia realizoi bindshëm programin artistik ku u paraqitën dhe solistet e njohura, sopranoja Besa Llugiqi në veprën “Laudatio Funebris” të Rafet Rudi dhe pianistja Artemida Qarri-Haxhiaj në interpretim të Koncertit No.2 nga D.Shostakovich, e gjithë kjo nën dirigjimin e Antoine Marguier.

Të pranishëm në koncert ishin edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministri, Sejnur Veshall dhe këshilltari i ministrit, Liburn Jupolli. / KultPlus.com

Koncerti i Orkestrës Frymore të Filharmonisë së Kosovës jehoi mbrëmë në tinguj jo të zakonshëm, intensiv dhe tejet goditës

Era Berisha

Interpretimi i Orkestrës Frymore së Filharmonisë së Kosovës mbrëmë pushtoi atmosferën vepër pas vepre. Kryeveprat botërore e shqiptare erdhën nën dirigjimin mahnitës të Baki Jasharit, Lirjona Sylejmanit dhe Hajrullah Sylës, të cilët me mjeshtërinë e tyre kontrolluan instrumentet frymore duke sjell kështu një mori melodish të cilat qysh në sekondën e parë të lëshimit, kapluan vëmendjen e gjithsecilit e njëkohësisht dolën përtej limiteve për të prekur atë ajkën e perfeksionit, shkruan KultPlus.

Ky koncert portretizoi një literaturë muzikore që mbrëmë Orkestra Frymore e mirëpriti publikun që ta përjetojë në një mënyrë tejet unike, duke filluar nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Johann S.Bach, Georges Bizet, Leonard Bernstein, Frank Erickson, Jan Van Der Roost, John Fannin, Jacob De Haan, Samuel R.Hazo dhe Klaus Badelt, për të vazhduar me magjinë e kompozitorit shqiptar Rexho Mulliqi, “Baresha”, një vepër kjo e cila mbrëmë erdhi e aranzhuar nga dirigjenti Hajrullah Syla ku me meloditë nga klarinisti Shkumbin Bajraktari dhe atyre që vinin nga instrumentet frymore, koncerti jehoi në tinguj jo të zakonshëm por mjaft intensiv dhe tejet goditës.

Pasi që të pranishmit kishin zënë vendin e tyre në një numër të madh në karriget e vendosura në Qendrën ‘Bogdani Polis’, qetësia e tyre e njohur ishte shoqëruesi i pandashëm i tingujve dhe melodive për gjatë gjithë natës. Vallëzimi i notave muzikore erdhi papritmas kur instrumentistët dolën në skenë dhe nisën nxehjen e tyre paraprake. Nuk donte aq shumë që instrumentet të viheshin në funksion të gjatë për të dëshmuar kështu talentin e pronarëve të tyre që me krenari i mbanin ato pranë vetes. Shndritja e instrumenteve dallohej qysh në momentin kur dhe nisin notat e para të veprës “Carmen Suite” nën dirigjimin e Lirjona Sylejmanit.

Nën dritat e ngrohta të vendosura pingul mbi skenë, vija melodike e veprës së parë flakëroi tërë sallën brenda një emocioni. Nuk është e mundur që dikush të mos njihte qoftë edhe një copëz të asaj vepre e cila nuk lë vend e as fjalë për ta përshkruar. Të tilla ishin edhe veprat e tjera si: “Uverturë Jubiloso”, “Flashing Ëinds”, “Fanfare Nueve”, “Oregon”, “Piratët e Karaibeve” dhe “Mambo”, të cilat vunë në pah teknikën e posaçme të manovrimit të instrumenteve frymore, interpretimin e secilit instrumentist jo vetëm në instrument por edhe në elementet koreografike, pozicionimi i trupit të tyre në përshtatje me çdo notë muzikore si dhe shpirtin e tyre kreativ që dukshëm dallohej në shprehjet e fytyrave të tyre.

Ndonëse programi i këtij koncerti shpalosej radhë pas radhe, dukshëm vërehej që publikut iu kishte munguar një rrjedhë e tillë artistike dhe ata mezi pranonin që të viheshin ballë për ballë me vepra të fuqishme e të njëpasnjëshme. Në një kontrast të ëmbël me të tjerat, vepra “Arioso” e aranzhuar nga kompozitori Jacob De Haan dhe nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, arriti që zemrat e të pranishmëve ti qetësojë pak me melodi jashtëzakonisht të lehta që i ngjasonin pikërisht zanave që shfaqën vetëm në një përrallë. Për disa minuta, “Arioso” solli një qetësi hyjnore dhe përçoi një ndjeshmëri të papërjetuar më parë.

Por, qershia mbi tortë për këtë koncert do të ishte vepra e titulluar “Arabeska” që erdhi nën dirigjimin e Baki Jasharit. Tingujt mistik të muzikës dhe motivet abstrakte e shpërfaqura në këtë vepër shpalosën një sensualizëm delikat me goditje të fuqishme dhe tradicionale të cilat dëshmuan për pikën më të lartë të këtij programi për këtë koncert. Një turne tingujsh mbizotëruan hapësirën jo vetëm të vendit por edhe të çdo trupi dhe mendjeje të pranishme. E veçantë në llojin e saj, “Arabeska” fluturoi mes unikes, perfeksionit dhe rrallësisë.

Ajo se çfarë la më së shumti përshtypje në këtë koncert ishte natyrisht dhe vepra “Baresha”, një vepër shqiptare që erdhi e aranzhuar nga dirigjenti Hajrullah Syla i cili së bashku me klarinistin Shkumbin Bajraktari sollën një version të mrekullueshëm. Kurioziteti në publik sa vinte e shtohej me ç’rast nuk munguan as fotografitë dhe videot të cilat ishin bërë pjesë kyçe mes njerëzish. Me buzëqeshje të shumta dhe admirim në sytë e tyre, të pranishmit mirëpritën veprën brohoritje të shumta.

Pas çdo vepre, duartrokitjet e zjarrta që morën të tri dirigjentët dhe Orkestra Frymore, ishin dëshmi për talentin e rrallë të tyre. Të vendosur në këmbë, duart e të pranishmëve trokitnin ende pa ndalim, gjë kjo që flet për emocionet e paharrueshme që ata i dhuruan për gjatë gjithë këtij koncerti sa intensiv e i rëndë, aq edhe i rrallë e i nevojshëm për çdokënd.  

Për të na folur më shumë rreth realizimit të aranzhimit të veprës shqiptare ‘Baresha’, për KultPlus ka folur dirigjenti Hajrullah Syla.

“Koncerti shkoi jashtë mase mirë ngase jemi përgatit me mjaft mund në provat që i kemi pasur. Ky formacion që keni parë nuk është dhe aq i zakonshëm tek ne, andaj kemi filluar një rrugëtim mjaft interesant me pjesën frymore të Filharmonisë që besoj që do të vazhdoj ende, ngase Kosovës i ka munguar një i tillë. Ne e dimë që një i tillë ekziston vetëm në Forcën e Sigurisë të Kosovës, kështu që tash e kemi edhe në Filharmoninë e Kosovës”, thotë Syla.

Sipas tij, për formacione të tilla zakonisht veprat janë nga kolonat zanore të filmave por në këtë rast edhe pse programi ka përmbajtje të veprave të tilla, është kujdesur që të jenë edhe vepra serioze të kompozitorëve të cilët kanë shkruar për formacione tjera por që janë adaptuar për orkestrën frymore.

“Aranzhimi për ‘Baresha’ është bërë në një periudhë shumë të shkurtër sepse e kemi pa të nevojshme që të ketë diçka shqip dhe ideja për atë vepër ka qenë që të sillet në këtë formacion e të ketë një muzikë të cilën publiku shumë e dëshiron. Vepra tregon me të vërtetë vlera të larta muzikore dhe interpretimi i klarinistit Shkumbini, ishte po ashtu tejet e mirë”, përfundon Syla.

Po ashtu, dirigjentja Lirjona Sylejmani për KultPlus shpalosi përshtypjet e saj pas një koncerti të tillë.

“Për mua ka qenë një kënaqësi shumë e madhe e sidomos duke marrë parasysh formacionin me instrumente frymore. Në fakt, kanë qenë ditë shumë të ngarkuara me prova intensive të cilat në fund sigurisht që ia ka vlejtur ngase të tre ne, dirigjentët, e shijuam jashtë mase performancën e sotme”, thotë Sylejmani.

Ndërsa klarinisti Shkumbin Bajraktari tregoi për veprën “Baresha” dhe interpretimin e saj në një aranzhim të ri.

“Është një ndjenjë e veçantë dhe po ndjehem shumë i privilegjuar që më është dhënë mundësia që të performoj në Filharmoninë e Kosovës. ‘Baresha’ ka qenë dhe vazhdon të jetë ikonë e jona dhe tash është shndërruar në njëfarë simfonie. Përndryshe, kjo vepër ka qenë e shkruar për orkestër harqesh por dirigjenti Hajrullah Syla e ka adaptuar dhe riaranzhuar për klarinetë dhe orkestër frymore”, thotë Bajraktari.

Sipas tij, tash e tri javë është dhënë maksimumi që kjo vepër të adaptohet më së miri.

“Vepra ‘Baresha’ neve na flet të gjithëve në shpirt por kësaj here unë me të vërtetë e dhashë maksimumin tim dhe besoj që ia kam arritur e që kjo nuk do të jetë hera e fundit që do ta luajmë”, thotë ai.

Gjithashtu, muzikologia Rreze Kryeziu për KultPlus foli rreth përshtypjeve të saj për këtë program me vepra kaq të famshme.

“Ky koncert ishte shumë i nevojshëm duke nisë edhe nga vetë përzgjedhja e programit, program ky tejet atraktiv dhe jo pak sfidues edhe për instrumentistët ku duke marrë parasysh që kishim orkestrën frymore, nevojitet goxha kondicion sidomos për një program të tillë. Sa i përket pjesës së interpretimit, kolegët kanë bërë një punë të shkëlqyer që po vazhdon të dëshmohet në vazhdimësi. Ajo se çfarë është më karakteristike dhe më e rëndësishme për ne, është kur arrijmë të evidentojmë një numër kaq të madh të interpretuesve”, thotë ajo.

Sipas saj, pjesa që la më së shumti përshtypje ishte inkuadrimi i kompozitorëve shqiptarë me veprën “Baresha”, një nga veprat antologjike që erdhi nga orkestra frymore dhe solisti Shkumbin Bajraktari i cili konsiderohet se ka realizuar një interpretim të shkëlqyeshëm.

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës zhvilloi këtë koncert premierë në kuadër të sezonit 2021/2022, në Qendrën ‘Bogdani Polis’ (Katedralja “Nënë Tereza”) në Prishtinë. / KultPlus.com