Drama sociale “Dita zë fill”, mbrëmë erdhi premierë në Prishtinë (VIDEO)

Ky film i cili është propozim i Shqipërisë për Oscar, ka nisur një rrugëtim të suksesshëm qysh me premierën botërore në “Sarajevo Film Festival”, ku aktorja e këtij filmi Ornela Kapetani ka fituar çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit, sikurse që ky film ka fituar edhe çmimin ‘Golden Sun’, filmi më i mirë në Cinedays Fest of European Film.

Gili Hoxhaj

Filmi shqiptar i metrazhit të gjatë “Dita zë fill”, me regji të Gentian Kocit, erdhi mbrëmë premierë në ekranin e Kinemasë ABC, në Prishtinë, shkruan KultPlus. Ky film i cili është propozim i Shqipërisë për Oscar, ka nisur një rrugëtim të suksesshëm qysh me premierën botërore në “Sarajevo Film Festival”, ku aktorja e këtij filmi Ornela Kapetani ka fituar çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit, sikurse që ky film ka fituar edhe çmimin ‘Golden Sun’, filmi më i mirë në Cinedays Fest of European Film.

E gjitha ngjarja e këtij filmi zhvillohet nga loja e aktorëve: Ornela Kapetani, Suzana Prifti, Hermes Kasimati, e Adela Gjoka. Violeta Kurti, është subjekti kryesor rreth së cilës përqendrohet gjithë historia e filmit. Një grua, e ndodhur në një situatë të vështirë financiare, nxirret jashtë apartamentit të saj pasi që qiraja e saj nuk është paguar për muaj.

Ajo nuk ngec në përpjekjet e saj për t’iu kundërvënë situatës në të cilën ndodhet, derisa me foshnjën e saj një vjeçare braktis apartamentin dhe zhvendoset në një strehë të re, ku kujdeset për gruan e moshuar, Sofian. Jeta e saj sillet në kujdesin e dy gjeneratave, e një fëmije i cili ka jo shumë kohë që ka ardhur në jetë dhe një gruaje të moshuar e cila çdo ditë e më shumë prek fundin e jetës së saj.
Leta, e ndodhur në një apartament në Tiranë, ajo paguhet nga e bija e gruas së moshuar për kujdesin ndaj gruas e cila qëndron e shtrirë pas shtratit. Ajo për të siguruar mbijetesën e saj, duhet ta mbaj Sofien në jetë me çdo kusht. Regjisori Koci, e ka vendosur personazhin e gruas së re brenda zgjidhjeve ekstreme. Ajo me shikimin e saj të ftohtë, ecën mes rrugëve të Tiranës , e kthehet tek apartamenti i saj ku mes lodhjeve dhe përpjekjeve të pareshtura mban Sofien në jetë. Jeta e saj bredh nga një ditë në tjetrën, shpesh me vështrimin e saj drejt qiellit bluan mendimet për ditët e saj. Është i vetmi personazhi i postierit, ai i cili sjellë pak gjallëri në fytyrën e ngrysur të Letës.

Ajo derisa luftën kryesore e ka për mbijetesë, lufton edhe për të mbajtur frymën e të tjerëve në jetë, e ndodhur në dhimbjet e rënkimet e tyre, ajo ndodhet në një situatë ku mban në duar timonin e jetës së tyre. Pikërisht para këtij vendimi, kjo dramë ndërlidh edhe një element, jo shumë të prekur në kontekstin social të shqiptarëve, që është eutanazia.

Ky film do të qëndrojë për një javë në reportorin e Kino ABC dhe në DokuKino. Orari i rregullt i filmit është ora 20:00 ABC, në Prishtinë dhe duke filluar nga ora 19:30 në DokuKino, në qytetin e Prizrenit. /KultPlus.com

Filmi “Dita zë fill” filmi më i mirë në Cinedays Festival of European Film (VIDEO)

Filmi me regji të Gentian Kocit është shpërblyer me çmimin “Golden Sun”, çmim i cili jepet për filmin më të mirë në Cinedays Festival of European Film, shkruan KultPlus.

Ky film flet për një nënë e cila bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Kompromiset morale që njerëzit duhet ti bëjnë kur ballafaqohen me sfida ekonomike dhe ato të mbijetesës, sipas Koçit, janë të pranishme dhe trajtohen në filmin shqiptar që nuk ka shumë kohë lansimi në treg.

Në film luajnë: Ornela Kapetani: Suzana Prifti, Hermes Kasimati, Adele Gjoka…/KultPlus.com

Edhe dy ditë “Dita zë fill” me Gentian Koçin

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Dita zë fill”, me regji të Gentian Koçit do të prezantohet në kinemanë Cineplexx në Tiranë, pas premierës botërore në Festivalin e Sarajevës, ku prej atje solli edhe “Zemrën e Sarajevës”, për rolin më të mirë të aktores Ornela Kapetani, shkruan KultPlus.

Filmi do të shfaqet nga 14 shtatori në Tiranë, dhe kjo paraqitje mund të nënkuptojë që ky film mund edhe të propozohet nga Shqipëria për çmimin prestigjioz Oscar, në kategorinë e filmit të huaj.

Një nënë bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Kompromiset morale që njerëzit duhet ti bëjnë kur ballafaqohen me sfida ekonomike dhe ato të mbijetesës, sipas Koçit, janë të pranishme dhe trajtohen në filmin shqiptar që nuk ka shumë kohë lansimi në treg./KultPlus.com

“Dita zë fill” me Ornela Kapetanin, së shpejti në kinematë e Tiranës

Filmi shqiptar “Dita zë fill”, i cili zbardhi fytyrën e shqiptarëve në Festivalin e Filmit në Sarajevë, së shpejti vjen në kinematë e kryeqytetit shqiptar.

Me regji nga Gentian Koçi dhe me një lojë aktoriale të hatashme të Ornela Kapetanit – kjo e fundit edhe fituese e çmimit aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, filmi në fjalë vjen për publikun shqiptar pasi ka mahnitur shikuesit në Sarajevë, shkruan KultPlus.

Një nënë bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Kompromiset morale që njerëzit duhet ti bëjnë kur ballafaqohen me sfida ekonomike dhe ato të mbijetesës, sipas Koçit, janë të pranishme dhe trajtohen në filmin shqiptar që nuk ka shumë kohë lansimi në treg. / KultPlus.com

Ornela Kapetani: Çmimi në Festivalin e Sarajevës nuk ishte një fitore personale, por një mundim kolektiv

Aktorja shqiptare Ornela Kapetani, e cila me rolin e saj në filmin “Dita zë fill” nga Gentian Koçi fitoi çmimin e aktores më të mirë në edicionin e 23-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, një sukses ky goxha i madh për aktoren shqiptare, tregon se të marrësh një çmim të tillë në një festival me kaq garë brenda tij, është sukses i madh dhe arritje e një grupi njerëzish që synuan perfeksionin kinematografik.

Ornela, aktorja e dëshmuar tanimë me role në “Hostage”, “Correction” dhe me rolin e Letës në filmin me të cilin fitoi çmim në Sarajevë, në një intervistë për KultPlus ka shpalosur emocionet e saj nga kjo natë ku ajo doli fituese, si dhe ka zbuluar më shumë rreth projekteve që po e presin në vazhdimësi.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: “Dita zë fill”, po del të jetë filmi që përmbushi një ëndërr tuajën, pasi që pikërisht për rolin e këtij filmi u shpërblyet me “Zemra e Sarajevës”, në Festivalin e Filmit në Sarajevë, për aktoren më të mirë. Të kanë lëshuar emocionet tashti, apo akoma je me këtë ndjenjë të bukur?
Ornela Kapetani:
Ndihem shumë mirë, jam ende e emocionuar por puna nuk më ka lënë shumë kohë të mendoj për Sarajevën. I jam kthyer normalitetit ditor.

SARAJEVO, Bosna i Hercegovina – 17. avgust 2017: Nagradu za najbolju glumicu 23. SFF-a dobila Ornela Kapetani iz filma “Buđenje dana”. ( Mustafa Öztürk – Anadolu Agency )

KultPlus: Lotët dhe emocionet që të solli ky çmim u panë edhe me rastin e pranimit të këtij çmimi, pse ishte kaq i rëndësishëm për ju ky çmim?
Ornela Kapetani:
Kjo nuk ishte një fitore personale por një mundim kolektiv. Vështirësitë për tu bërë ky film kanë qenë shumë të mëdha. Ky çmim ishte i rëndësishëm për të gjithë ne që punuam me përkushtim për këtë projekt. E kam të nevojshme të falënderoj të gjithë stafin grek e shqiptar për dedikimin e tyre. Sidomos drejtorin e fotografisë Ilias Adamis.

KultPlus: Festivali i Sarajevës tashmë ka krijuar një traditë dhe po konsiderohet si një ndër festivalet më të rëndësishme evropiane, dhe pikërisht suksesi i këtij filmi nisi me këtë festival. Po pret një rrugëtim edhe më të suksesshëm me këtë film?
Ornela Kapetani:
Sigurisht që ‘Dita Zë Fill’ tashmë duket se do të ketë një rrugëtim të gjatë dhe interesant në festivalet evropiane dhe më tej. Sarajeva i dha shtyrjen e duhur. I uroj rrugëtime të mbara e të gjata Gentit dhe filmit!

KultPlus: Në anën tjetër, Gentian Koci ka debutuar me këtë film të metrazhit të gjatë, sa patët besuar atëherë në punën e këtij regjisori kur ta ka ofruar këtë rol?
Ornela Kapetani:
Skenari më tërhoqi që në fillim dhe e besova. Më intrigoi shumë Genti sepse nuk njeh shpesh meshkuj që shkruajnë për femra në këtë mënyrë intime. Nga punët e tij të mëhershme, kuptova që kisha të bëja me një njeri shumë të ndjeshëm por dhe me një vend qëndrim interesant. Na është dashur të punojmë shumë afër me Gentin për të krijuar të gjitha nuancat psikologjike të Letes. Gjithashtu ndikim pozitivë kishte dhe trupi Grek, me të cilët kisha punuar në projekte të tjera në Athinë.

KultPlus: Në bazë të trailerit, është dashur një përkushtim i madh të sillni atë karakter të përvuajtur, sa dhe si jetuat me këtë rol?
Ornela Kapetani:
Leten e njoha në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe kam jetuar me të pothuajse 12 muaj. Më është dashur të jetoj me të dhe mbasi xhirimet kishin mbaruar. E kishim të vështirë të ndaheshim nga njëra-tjetra. Në mënyrë figurative mund të themi që i dhashë jetë, ashtu siç linda dhe tim bir. Të afroja sa më afër personazhin dhe të gjeja vërtetësinë e saj, si aktore mu desh të kërkoja në thellësi të vetvetes materiale dhe ndjenja të cilat do t’i jepnin një frymë Letes. Sa më thellë zhytesha aq më shumë konfrontoja dhe po aq më shumë kërkonte personazhi. Personazhi vetë gjeti një rrugë dhe arsye të jetojë. Shpresoj mos ta kem zhgënjyer Leten.

KultPlus: Ju jetoni jashtë Shqipërisë, dhe pikërisht ky film ju riktheu aty prej ku edhe keni dalë. Sakrificë që ka vlejtë, besoj?
Ornela Kapetani:
Të gjitha sakrificat kanë vlerë. Aq më tepër ato që të sjellin më pranë njohurisë se vetvetes. Leta për mua ishte një zbulim i vërtetë. Qëndrimi im në Tiranë ishte shumë domethënës. Erdha përsëri në kontakt në pjesë të vetvetes të harruara dhe shpesh të përçmuara. Të cilat kishin nevojë, kushtrim, vëmendje dhe vlerësim.

KultPlus: Dhe për fund, keni ndonjë ofertë tjetër në Shqipëri, apo në ndonjë projekt filmik ndërkombëtar?
Ornela Kapetani:
Punoj për një film në Greqi dhe një seri komike për TV-n britanike. Oferta shqiptare nuk kam pasur. / KultPlus.com

Është lansuar traileri i filmit “Dita zë fill”, ku Ornela Kapetani fitoi Zemrën e Sarajevës (VIDEO)


“Dita zë fill” me regji të Gentian Kocit është filmi i parë i metrazhit të gjatë, por suksesi i këtij filmi duket se veç sa ka filluar, shkruan KultPlus.

Për rolin më të mirë të aktores është shpërblyer pikërisht aktorja shqiptare Ornela Kapetani, në edicionin e 23-të të Festivalit të Filmit të Sarajevës që është mbajtur së fundi.

Ndërkaq, sapo është lansuar edhe traileri i këtij filmi ku shihet Ornela Kapetani, Kasem Hoxha e aktorë të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e këtij projekti filmik, që tashmë ka marrë ftesa edhe nga shumë festivale të rëndësishme botërore.

Në film luajnë edhe Suzana Prifti, Hermes Kasimati, Adele Gjoka…/KultPlus.com