‘Syri i Kaltër’ destinacioni i mbi 185 mijë vizitorëve në 9 muaj

 I cilësuar si perla e turizmit veror, Parku natyror “Syri i kaltër” në Sarandë ka tërhequr një numër të lartë turistësh gjatë këtij viti.

Infrastruktura e re për këmbësorë e çiklistë e ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt këtij parku natyror,  duke e bërë të aksesueshme më lehtë për turistët.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Edi Breshani tha sot për ATSH-në se “pas përfundimit të infrastrukturës së re rrugore dhe krijimit të mjediseve më të përshtatshme për frekuentuesit e parkut natyror të Syrit të Kaltër, numri i vizitorëve për vitin 2023, ka ardhur çdo muaj duke u rritur”.

“Që prej janarit deri në shtator “Syri i kaltër” u vizitua nga 185 305 vizitorë, nga të cilët  60 821 vendas dhe 124 484 të huaj”, tha Breshani.

Sipas tij, edhe gjatë muajit tetor ky park natyror vijon të tërheqë tursitë vendas e të huaj.

Breshani bëri të ditur se Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka në kuadrin e masterplanit të ri shtigjet brenda hapësirës së parkut natyror “Syri i Kaltër”, sinjalistikën e munguar prej shumë vitesh dhe disa pika vëzhgimi për turistët e interesit të veçantë.

“Gjithashtu Ministria e Turizmit dhe AKZM po punojnë për rritjen e shërbimeve te kjo pikë turistike në bashkëpunim edhe me bizneset e zonës”, tha Breshani.

“Syri i kaltër” ndodhet pranë fshatit Muzinë, pranë rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Ai është burimi më i madh dhe më i bukur i Shqipërisë, që gëzon statusin e monumentit të natyrës.

Thellësia e tij arrin deri në 45 metra. Ai është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm. Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra.

Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore.

“Syri i Kaltër” tërheq çdo vit mijëra vizitorë nga mbarë bota./atsh/KultPlus.com

Parku natyror Korab-Koritnik, rreth 40 mijë turistë në janar-shtator

Turistët vendas e të huaj edhe gjatë këtij viti kanë preferuar të ngjiten në parkun natyror Korab-Koritnik.

Ky park, i shtrirë në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit vijon të vizitohet në çdo stinë të vitit.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana, tha sot për ATSH-në se “nga muaji janar deri në shtator ky park është vizituar nga 39 735 turistë, nga të cilët 18810 vendas dhe 20925 të huaj”.

Sipas tij, destinacionet më të preferuara janë Shtegu i Ngjyrave, si dhe shtegu “Brekijë-Tërshenë-Shkalla e keqe”.

Vizitorët gjatë ngjitjes për në mal kvizitojnë dhe monumente të tjera të natyrës, si “Gryka e Vanave”, Ujëvara e Beles, liqeni i Kallabakut, ku shijojnë panoramën që ofron ky liqen.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve të mbuluara me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë./atsh/KultPlus.com

Mbi 18 mijë turistë vendas e të huaj vizituan parkun natyror Korab-Koritnik

Parku natyror Korab-Koritnik vijon të jetë ndër destinacionet turistike të preferuara në çdo stinë të vitit.

Ky park shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe në të mund të gjesh gjithë bukuritë natyrore dhe peizazhe frymëzuese.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana, tha sot për ATSH-në se “nga muaji janar deri tani ky park është vizituar nga 18 400 turistë, nga të cilët 8 469 të huaj dhe 9931 vendas”.

“Në krahasim me vitin e kaluar gjatë kësaj periudhe kemi një rritje me 15% të numrit të turistëve që kanë vizituar këtë park”, theksoi Gjana.

Sipas tij, sidomos gjatë fundjavave parku vizitohet nga një numër i lartë turistësh

“Çdo fundjavë disa guida turistike të qytetit shoqërojnë turistët e pasionuar pas turizmit malor, të cilët përshkojnë shtigjet që ndodhen në këtë park, ku më të preferuarit janë Shtegu i Ngjyrave, si dhe shtegu “Brekijë-Tërshenë-Shkalla e keqe””, tha Gjana.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë. / atsh / KultPlus.com