Vojsava Nelo nderohet me çmimin e parë në festivalin e poezisë në Sarandë

Qyteti i Sarandës mirëpriti këtë vit festivalin e poezisë, ku morën pjesë poetë nga shumë treva shqiptare.

Në përfundim të këtij festivali u nderua me çmimin e parë për poezinë më të mirë poetja Vojsava Nelo.

Kjo nuk është hera e parë që poetja edhe shkrimtarja Nelo fiton çmim sepse veprat e saj te mëparshme janë vlerësuar për stilin e veçantë. Disa nga krijimet e rëndësishme të autores  janë: “Muzgjet e Bostoni”, “Gërsheti i prerë” dhe “Gruaja me të zeza”.

Autorja shprehet se shpesh herë gjen frymëzimin për vargjet dhe shkrimet e saj në qytetin e saj të lindjes, Sarandën.

Poetja Vojsava Nelo po punon së fundmi dhe për një tjetër botim të cilin pret që ta botoj së shpejti. Libri i ri që do botohet së shpejti mbanë tërësisht autorësinë dhe redaktimin e saj. /atsh/ KultPlus.com

Pema e rrallë, që Naim Frashëri mbolli në Sarandë, sot kërkon shpëtim

Dëshmia e Moikom Zeqos: “…Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit.

Pema e madhe e piperit është aty, në zemër të Sarandës, në vendin e braktisur që është ende në një ankand shtetëror të bërë e të anuluar. Mund të këtë sot 145 vjeç dhe mezi mbahet në këmbë. Kushedi kush e dëshiron këtë vend në kërthizë të qytetit e shpresojmë që një njëri i mirë ta marrë e ta vlerësojë. Apo ndonjë që as nuk do t’ia dijë për pemën e piperit?

Pakkush e di që Rilindasi ynë Kombëtar, Naim Frashëri, ka jetuar e punuar në Sarandë për pak vite në të largëtin 1874-76. Ishte nëpunës i doganës së qytetit jugor dhe në këtë kohë mik i çmuar i Hasan Tahsinit. Me disa ditë pushime në qytetin tonë në breg të detit Jon, edhe unë duke shijuar bukuritë, mikëpritjen, ushqimin, kërkova me ngulm të gjeja ndonjë gjurmë të Naimit. Librin e Moikom Zeqos mbi Naim Frashërin e Bektashizmin “Syri i Tretë” e kisha lexuar, por një rilexim pas ikjes së tij nga kjo jetë, më erdhi natyrshëm ta bëja. Dhe aty, në faqen 281 ka një dëshmi befasuese, një sinjal, një shenjë: “… Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit. Naim Frashëri tani nuk është më, por drurët e piperit janë, të cuditëshme si dy qënie jashtëtokësorësh në këto brigje jonike, si dy emigrantë të habitshëm dhe të pa shpërbëshëm në klimën dhe peizazhin jonik…”, shkruante Moikom Zeqo në 2001, 19 vite më parë.

Në Sarandë pak e dinë këtë histori. Disa nuk e kanë dëgjuar asnjëherë, por gazetari i Report Tv Limos Didani e gjeti pemën e vjetër të piperit. Ishte këtu. Në qendër të qytetit bregdetar, në një vend të braktisur e ndoshta më të lënin pasdore se kudo.

Këtu jam edhe unë. Pema është e vuajtur, e gërryer, e vjetër, është vetëm 1, ndryshe nga dëshmia në libër. Ndoshta ka qenë dhe një tjetër më parë, tani nuk është më. Të jetë kjo pemë piperi vallë e mbjellë me duart e Naimit, siç dëshmon agronomi e shkencëtari i bujqësisë,(për fat të keq edhe ai nuk jeton më), Ahmet Osja? Ekspertët mund të llogarisin kollaj moshën e saj për të kuptuar nëse është pema që mbolli Naim Frashëri, apo një rimbjellje në kohë? Nëse do të ishte pema e piperit gati 145 vjeçare do të kishte një vlerë të jashtëzakonshme natyrore, nëse do të ishte vërtetë pema e Naimit, vlera dhe misioni për ta shpëtuar e rivlerësuar është e shumëfishtë, e jashtëzakonshme për Sarandën e Shqipërinë mbarë.

Nuk e di sa e rastësishme është ardhja ime këtë vit këtu, nuk e di nëse dy burra të nderuar si Moikom Zeqo dhe Ahmet Osja kanë të drejtë, por unë dua shumë ta besoj që këtë pemë të bukur, të vjetër, plot plagë e dhimbje, këtë pemë të piperit ta ketë mbjellë Naim Frashëri siç thonë, më i miri dhe më i madhi nga poetët tanë. Kanë shkruar dhe e kanë admiruar të gjithë Naimin: Lasgush Poradeci e kishte idhull, Kadareja “vdiste” për të, Dritëro Agolli e kishtë në zemër, Rexhep Qosja e Dhimitër Shuteriqi janë ndër më të mëdhenjtë studiues të tij. Që Naim Frashëri punoi në Doganë, është pak e sikletshme ta thuash sot, sidomos në ditët kur doganierët nuk mund të jenë kurrësesi naimë, e megjithatë, Dogana, Saranda, pema e piperit janë dëshmi të një Shqipëria të mirë, të pastër, të drejtë, të bukur e njerëzore. Moikom Zeqo fliste shumë me gazetarët, i donte shumë si lajmës të të vërtetave, të fakteve. Sigurisht fliste me ata gazetarë që dinë të dëgjojnë, jo me kë vetëm flet e flet papushim. Kërkonte gjithmonë t’i ngacmonte, t’i inkurajonte për të gjetur lajmin e mirë, lajmin që do t’i shërbejë më shumë Shqipërisë.

Saranda është kthyer në këto ditë të nxehta në një kantier ndërtimi: Pikërisht Bulevardi “Naim Frashëri” do të bëhet më i bukur se kurrë. Dy shqiptarë të nderuar dëshmuan dhe na e lënë amanet se atë pemë të rrallë piperi, vetëm Naimi e ka mbjellë me duart e tij. Ndërsa ne shqiptarët modernë po mbjellim pemë në çdo cep, sa bukur dhe mirë do të ishte të ruanim dhe shpëtonim pemën e tij. Pema e rrallë dhe e e bukur dhe me vlerë e Naim Frashërit në Sarandë/Shqiptarja / KultPlus.com

“Social Crafting Garage Saranda”, biznesi social për gratë e vajzat, viktima të dhunës familjare në Sarandë

Tetë gra dhe vajza që kanë qenë viktima të krimit të organizuar dhe dhunës në familje, punojnë sot në Social Crafting Garage Saranda, ku përmes punimeve në gur, ato krijojnë art dhe gjenerojnë të ardhura.

“Dikur një pasuri e krimit të organizuar në Sarandë, sot falë mbështetjes së BE-së, “Social Crafting Garage Saranda”, është bërë një biznes shoqëror që i shërben komunitetit.

Falë trimërisë dhe forcës së disa OSHC-ve vendore dhe Partner Albania, këto gra e vajza kanë mundësi  të krijojnë mozaikë me motive kulturore dhe të ndryshme, i shesin ato dhe gjenerojnë të ardhura.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu sot. Këto nuk janë vetëm fjalë, por është ajo që ndjej me të vërtet. BE e konsideron këtë seri projektesh shumë të rëndësishme, është një hap në drejtimin e duhur për të luftuar krimin e organizuar dhe për të luftuar, në këtë rast specifik në Sarandë edhe dhunën kundër grave”,- tha Luigi Soreca, Ambasador i BE në Tiranë.

Pas pastiçerisë “KE Bruno” në Fier, dhe kafe librarisë “Kinofolk” në Durrës,  ky është biznesi i tretë shoqëror i vendosur në një pasuri të konfiskuar nga krimi organizuar në kuadër të projektit “C.a.u.s.e”. /Atsh /KultPlus.com

Syri i Kaltër, një nga pasuritë më të vizituara, tani me një plan menaxhimi

Komiteti i Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura në Qarkun Vlorë, në drejtimin e kryetarit Flamur Mamaj, njëherësh edhe prefekt i këtij Qarku, miratoi në mbledhjen e fundit që u zhvillua Sarandë, Planin e Menaxhimit për Zonën e Mbrojtur të Parkut Natyror “Syri i Kaltër “.

Ky plan u diskutua gjerësisht nga anëtarët e këtij komiteti, ekspertë të mjedisit dhe specialistë nga rajoni i këtij Qarku.

Flamur Mamaj, prefekt i qarkut Vlorë, me cilësinë e kryetarit të Komiteti të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura të këtij qarku, vuri në dukje se ”Prezantimi i draftit të Planit të menaxhimit “Syrit te Kalter” përbën një event të rëndësishëm jo vetëm se realizohet për herë të parë një produkt  i tillë me një vizion bashkëkohor dhe një standard të ri të shërbimeve por edhe se adreson objektiva të qarta të menaxhimit  të qëndrueshëm.“

Nexhip Husolakoj, drejtor i Administrates se Zonave të Mbrojtura të qarkut Vlorë tha për ATSH-në se “anëtarët e Komitetit me diskutimet, vërejtjet dhe adresimet konkrete, sollën një pasurim të dobishëm të draftit për menaxhimin e Zonës së mbrojtur “Syri i Kaltër”, një nga pasuritë më të vizituara gjeonatyrore të vendit, nga mijëra shtetas vendas e të huaj. Husolakoj, vuri në dukje se në këtë park është planifikuar funksionimi i biletarisë elektronike si në Butrint dhe përmirësime të disa shërbimeve sot me mangësi si nyje hidrosanitare, tualete, pika informacioni, shtigje me sinjalistikë në natyre, etj.

Parku natyror i Syrit të Kaltër përfshihet në territorin administrativ të Bashkisë Finiq në qarkun Vlorë. Ky park mori statusin Zonë e Mbrojtur në vitin 2002.

Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore. Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me  harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare./ atsh/ KultPlus.com

Beautiful turquoise spring Blue Eye (Syri i Kalter) near a town of Muzine, Albania. The spring is very powerful, cold and deep and is a source of a river Bistrice

Business Insider: Saranda, mes 6 vendeve që duhet të vizitohet


Qyteti i bregdetar i Sarandës me ujërat e tij të kristalta, plazhet mahnitëse dhe monumentet e shumta kulturore dhe arkeologjike është renditur një ndër 6 vendet që duhet të vizitohet tani para se të gjithë ta bëjnë, sipas ekspertes së udhëtimeve, Patricia Schultz, shkruan “Business Insider”.

Patricia Schultz është autorja e bestsellerit të New York Times “1000 vende për të parë para se të vdesësh”, një Bibël udhëtimesh të cilës i janë drejtuar miliona udhëtarë, që kur u botua për herë të parë në vitin 2003.

Duke reflektuar për mënyrat e shumta, në të cilat udhëtimi ka ndryshuar në mbi 30 vjet, Schultz vë në dukje se media sociale ka nxjerrë në dritë shumë vende më pak të njohura.

“Unë e di se bota po bëhet më e arritshme. Vende që do të ishin lista jonë e dëshirave tani janë”, tha ajo, duke shpjeguar se ndjehet se Europa, për shembull, është bërë një lloj destinacioni “kur jam në pension” duke e krahasuar atë me “pizhame të rehatshme”.

E di ku po shkojnë njerëzit? Apo edhe më mirë, ku duhet të shkojnë njerëzit? Vazhdoni të lëvizni për të parë gjashtë vendet që parashikon Schultz që do të jenë pikat e nxehta të radhës, ku edhe qyteti i Sarandës bën pjesë.

“Ka një vijë të bukur bregdetare dhe ka shumë turistë të rinj që shkojnë atje”, shprehet Schultz.

Ajo shton se në Sarandë është gjithashtu shumë lirë dhe një vend i shkëlqyeshëm për të punuar nga distanca.

“Është e ngjashme me Gjerogjinë, e cila është më e njohur dhe ka të njëjtën histori të verës dhe ushqim të mirë”, shkruan Schultz.

Përveç Sarandës, Schultz rendit edhe Rodebay, në Grenlandë, Salar de Uyuni, në Bolivi, Ugandën, Victoria Falls, Zimbabwe dhe Moldavinë./atsh / KultPlus.com

Rihapet “Syri i Kaltër”

“Syri i Kaltër” në Sarandë, një mrekulli natyrore që të befason, disa ditë pas incidentit të ndodhur rreth një javë më parë, rihapet për vizitorët.

Lajmi u konfirmua për ATSH- në nga prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, i cili së bashku me drejtorin e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Nexhip Hysolakoj dhe ekspertë të jashtëm, inspektuan këtë pikë turistike.

“Gjatë inspektimit të zonës dolëm në konkluzionin se është kjo pikë turistike është e parrezikshme për vizitorët”, – tha Mamaj.

Prefekti Mamaj bëri të ditur se u vërejtën disa mangësi, të cilat do t’i korrigjojë Administrata e Zonave të Mbrojtura, Vlorë, si rrethimi i gjithë zonës së Syrit të Kaltër dhe ballkoni panoramik që shërben për të fotografuar burimin”.

“Ballkonin panoramik do ta mbajmë të bllokuar për shkak të dëmtimit nga rënia e gurëve dhe pasi të përfundojë restaurimi do të hapet”, – tha ai.

Mamaj shtoi se bashkë me ADZM do t’i mbyllin sa më shpejt të jetë e mundur punimet.

Monumenti do të jetë i aksesueshëm per vizitorët prej ditës së enjte, duke respektuar këto masa sigurie: lëvizje e orientuar e vizitorëve me asistencën e rojeve mjedisore dhe guidave.

ADZM Vlorë kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vizitorëve dhe të agjencive turistike për respektimin e masave të sigurisë dhe konsultimin e rojeve mjedisore në terren për çdo problematikë.

Rreth një javë më parë si pasojë e rrëshqitjes së gurëve në Syrin e Kaltër u plagosën 2 turistë, një prej të cilëve grekë dhe tjetri izraelit.

“Syri i Kaltër” konsiderohet gjerësisht si një thesar kombëtar. Ai është i klasifikuar si një fenomen i befasues i natyrës, një vend i bukurisë natyrore që ndodhet në rrugën midis qyteteve të Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një burim 45 metra i thellë me ujë të kthjellët në mes të një pylli me lajthi, arra, qershi, pisha dhe drurë të tjerë gjelbërues./atsh /KultPlus.com