Kalaja e Lëkurësit dhe Manastiri i 40 Shenjtorëve në Sarandë shpallen pasuri kulturore

Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme në mbështetje “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Sarandës, “Kalasë së Lëkurësit” e “Manastirit të 40 Shenjtorëve”.

Në vendim, miratohet edhe zonimi i zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Sarandës, “Kalasë së Lëkurësit” dhe “Manastirit të 40 Shenjtorëve”, sipas koordinatave dhe hartave të zonimit në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH).

Këshilli i Ministrave miratoi po ashtu planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave.

Këshilli i Ministrave shfuqizoi vendimin e mëparshëm  të vitit 2012, “Për shpalljen e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Sarandës dhe miratimin e rregullores së administrimit”.

Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi  dhe aktet nënligjore në fuqi. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartat e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Sarandës në Gjeoportalin Kombëtar.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /ATSH /KultPlus.com

Restaurimi i kishës në Maligrad, pasuri kulturore e historike në ishullin e Prespës

Në kishën e Shën Mërisë, në ishullin Maligrad po vijon puna për restaurimin e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore.

Restaurimi i çatisë në kishën e Shën Mërisë, platformës së vizitorëve dhe shtegut në ishullin Maligrad do i kthejë identitetin këtij monumenti të kulturës ku nuk ishte vënë dorë prej 50 vitesh.

Kjo kishë është një atraksion turistik i rëndësishëm jo vetëm për parkun Kombëtar të Prespës, por për mbarë rajonin dhe Shqipërinë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti thekson se restaurimi i kishës së Shën Marisë në ishullin Maligrad dhe rehabilitimi i shtegut panoramik, një prej pasurive kulturore më të rëndësishme në rajonin e Prespës, për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore.

Ajo shprehet se ky projekt po realizohet nga DRTK Korçë, në bashkëpunim me Bashkinë Pustec.

Kisha e Shën Mërisë ndodhet ne liqenin e Prespës, në ishullin e Maligradit. E ndërtuar në shekullin XIV është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore e cila ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat shqiptarë.

Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.

Ishulli ka një gjatësi prej rreth 800 m e gjerësi rreth 200 m dhe rrethohet nga shpati shume të pjerrët e mahnitëse, me përjashtim të pjesës perëndimore të tij dhe ka një bimësi natyrore barishtore dhe shumë pak shkurre, si dhe shpella.

Mund të vizitohet duke ndjekur itinerarin Korçë – Zvezdë – Liqenas, ku për t’u futur në ishull përdoren varkat e peshkatarëve apo së fundmi edhe ato turistike. Udhëtimi me varka nëpër liqen është një tjetër kuriozitet për vizitorët e shumtë. Prespa në stinën e nxehtë tërheq pushues nga zona rreth saj për të bërë plazh në ujërat e liqenit, por edhe turist të largët që interesohen për historinë, kulturën, biodiversitetin për dhe për gastronominë e kësaj zone.

Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte si tjegulla, kolona e kapitele që i përkasin sipas arkeologëve një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit./ atsh / KultPlus.com

Reportazh: Ulqini, perla 2.500 vjeçare e turizmit shqiptar

Era Berisha

Perla e vendosur në bregdetin e Mesdheut ngërthen në vete një kulturë, histori dhe traditë mjaft të veçantë duke filluar nga plazhet mahnitëse, ullinjtë mijëvjeçarë, fushat pjellore, liqenet, lumenjtë, monumentet kulturo-historike, klimën e butë e deri tek ngrohtësia shpirtërore e ulqinakëve që plotësojnë tërësisht këtë destinacion turistik të qytetit të Ulqinit në Mal të Zi, shkruan KultPlus.

Gjëja e parë që tërheq vëmendjen në hyrje të këtij qyteti është peizazhi antik i modernizuar i cili tërheq pas vete një numër të madh të vizitorëve duke i futur ata në magnetin e jashtëzakonshëm të ngjyrave verbuese, gjelbërimit diversiv dhe ujit të kristaltë që frymon në çdo cep të vendit.

Pylli i pishave i cili shtrihet prej plazhit të vogël në një gjatësi prej dy kilometrash shpalos një panoramë gërshetuese mes shkëmbinjve përreth që janë të vendosura buzë detit duke u bërë kështu copëza të pandashme të tij dhe së bashku me pishat të cilat herë të lejojnë të vështrosh pamjen e qetë të detit e herë të tjera të mbështjellin në një hije të domosdoshme duke i’u larguar kështu për pak sekonda rrezeve të diellit të cilat vendosen pingul mbi pamjen e bukur të këtij parku.

Ndërthurja e aromës freskuese të detit dhe zhurmës karakteristike të valëve krijuan një iluzion se edhe natyra gjallërohet në një mbizotërim ndjenjash që derdhen afër brigjeve të detit duke u përplasur me njëra-tjetrën dhe njëkohësisht duke ofruar një qëndisje emocioni të pakrahasueshëm në kujtimet e secilit njeri.

Interpretimi i valëve dinake përhapnin një melodi joshëse për udhëtarët të cilët dëgjonin tingujt tundues që portretizonin një peshë të veçantë të elementeve atraktive dhe jo vetëm. Në këtë shëtitore të bukur është e bashkangjitur edhe ‘’Plazhi i grave’’, me një përmbajtje mjaft të pasur të burimeve sulfurike dhe funksioneve shëndetësore. Pra, këto hapësira rekreative posedojnë një thesar për shpirtin e dashamirëve të heshtjes dhe qetësisë.

Ndërsa pjesa kyçe e qytetit të Ulqinit e titulluar si ‘Kalaja e Ulqinit’ dhe e njohur si ‘Qyteti i vjetër i Ulqinit’, e shtrirë përgjatë bregdetit Adriatik daton qysh nga shekulli V dhe zotëron një mbijetesë unike nga një numër i madh i pushtuesve të cilët kanë ndikuar në shndërrimin e mureve të kësaj kalaje por asnjëherë në vlerat kulturore të cilat nisin qysh nga periudha parahistorike.

Monumentet më të rëndësishme të historisë së Ulqinit si: Kulla e Balshajve, Tregu i Robërve, Pallati, Oborri mbretërorë dhe Kisha-Xhami e Ulqinit janë një pjesë mjaft e njohur për vendasit si dhe turistët ndërkombëtarë. Po ashtu, fragmentet e enëve të vogla dhe të mëdha nga dheu i pjekur mirë, mbeturinat e ornamenteve, elementet dekorative, guroret, sëpatat e tipit shkodrano-dalmatin të epokës së bronzit, mbishkrimet antike, kame antike, kapitele jonike, koleksionet arkeologjike, qeramika nga enët ilire, vajzat greke me figura të kuqe, skulpturat, pikturat, përmendoret e vjetra të cilat janë të shfaqura në Muzeun e Ulqinit i themeluar në vitin 1975, janë vulë e rëndësishme e rrugëtimit drejt urbanizimit.

Këto dëshmi interesante rrethojnë muret e gdhendura të këtij qyteti historik i cili hap dritaret e shumta por të veçanta, nëpërmjet të cilave shihet pamja e detit që depërton në vizualen e ngjyrës së gjelbër dhe të kaltër duke krijuar një skulpturë lëvizëse e cila asnjëherë nuk mund të pikturohet njëlloj nën vëzhgimin e shkëndijave të vogla të dritës që vijnë nga brendësia e syve tonë.

Kurse, gjurma e vazhdueshme që dallohet në çdo anë është edhe vetë Plazhi i Vogël i Ulqinit që njësoj sikurse dallgët e detit përputhet me imazhin piktoresk të një vëllimi të papritur dhe i cili përmban një dominancë bardhësore që vie direkt nga shtëpitë e rregulluara bukur në një arkitekturë që ngjason me atë të ‘Cinque Terre’, në Itali, shtëpi këto që njihen si një varg fshatrash bregdetarë dhe të cilat dallohen për shtëpitë shumëngjyrëshe por që në këtë rast shtëpitë përballë plazhit të vogël janë të vendosura në një vijë çoroditëse dhe ato komandohen nga bardhësia reale e cila ofron pamje gjithëpërfshirëse të detit dhe përfundon në një fantazi hyjnore me takimin abstrakt të pafundësisë së rrjedhës valore dhe ekzistencës së përjetshme të qiellit, të cilat vallëzojnë së bashku herë në një tango pasioni e herë në një vals të ëmbël.

Portet janë të mbushura me anije të ndryshme të cilat mundësojnë një xhiro përmes së cilës mund të adhurohet fluturimi i zogjve të veçantë që shquhen për madhështinë e lirisë absolute e cila dërgon vizitorin në një gjendje të paqes, në një vendngjarje ku shpirti bie të flejë dhe zemra goditet nga bubullima e emocioneve të llojllojshme.

Ndërsa, plazhi kryesor i prodhimit të ullirit në Komunën e Ulqinit është gjiri i Valdanos, i vendosur në bregun e Jugut të Malit të Zi dhe i njohur për bregdetin e tij me guralecë të rrumbullakët. Forma gjysmëhëne e tij përkon me një bukuri të ujit të kristaltë dhe gjelbërimit masiv të pishave stërmadhore që rrënjët e tyre vështirë se vjetërsohen nga dashuria që pikon për këto pjesë natyrore. Prandaj,  duke e parë atë nga lart duket se gjiri izolohet nga njëra anë dhe pothuajse dëshiron të frymojë i vetëm në një vijë bregdetare shkëmbore që dhuron një performancë të lezetshme e cila pason nga lëkundjet e vogla të cilat rrëqethet e shpirtit dhe trupit i zgjon nga balanca stabile.

Pas gjirit të Valdanosit, pak metra më poshtë ndodhet Ullishtja e Valdanosit që konsiderohet si monumenti më i madh i ullinjve në Mal të Zi, ka një vlerë të jashtëzakonshme ekonomike dhe ekologjike. Duke ecur përgjatë këtij vendi dallojmë një rrugë kalldrëmi që këndshëm vie në pah edhe në mesin e 18 mijë pemëve ulliri prej rreth 800 vjetësh dhe drunjëve më të vjetër se dy mijë vjet, të cilët janë të rritura në një zhvillim interesant dhe sjellin një përshtypje se dëshirojnë ti afrohen tokës duke i’u ‘përulur’ me shtrembërimin e veçantë rrotullues dhe të vrazhdë të tyre, me ç’rast kthehen edhe në një burim individual të frymëzimit për krijime artistike apo edhe vetëm për një soditje të momentit.

Si zakonisht në qytetin e Ulqinit, përjetimi i kënaqësisë verore nga të rinjtë ndodh në ‘Bamboo May Fest’, në hotelin Otrant, por që në këtë vit ky organizim është i pamundur për shkak të rrethanave pandemike. Këtë e ka bërë të ditur artisti vendor i njohur si ‘’Mr.Cool’’, në një prononcim për të gjitha mediat kosovare të pranishme.

Prandaj, në vend të këtij festivali i cili organizohet nga Bamboo Bar dhe Hotel Otrant, u zhvillua ‘Vikend i Kënaqësisë’, i cili shënoi fillimin e verës nën muzikën e tingujve dhe melodive shqiptare për të vazhduar me rrymat e ndryshme të cilat pasuan në një natë të çmendur të botës magjike muzikore.

Reflektimi i skenës gjigande boshe dhe dritave rozë po i vinin në pah pemët e vendosura mbi barin e hotelit që ndodhej buzë detit dhe valëve të cilat kryeveprën e tyre e mbyllën në një guacë të vogël për ta zëvendësuar atë me kulminacionin e këngëve që mizorisht po goditnin atmosferën e gjallë që pasonte me kërcime e buzëqeshje të shumta por krejtësisht të shkujdesura nën aromën dhe jehonën e detit.

Po ashtu, përgjatë qëndrimit në qytetin e Ulqinit, si trashëgimi kulturore e këtij vendi janë edhe muzika, hotelet, restorantet, kafenetë dhe diskotekat që përkojnë qytetin dhe të cilat gjatë verës janë gjithmonë të mbushura plot duke kaluar edhe kapacitetin e menduar. Netët e gjata nën shoqërimin e pijeve dhe ushqimeve tradicionale të cilat e karakterizojnë Ulqinin si vend bregdetar dhe mesdhetar janë mjaft të dalluara e sidomos me kulturën mesdhetare diversive. Pra, kuzhina e shëndetshme mediterane ka sjellë një laramani karakteristike mesdhetare.

Kështu, krejt në fund, pas ecjes përgjatë shtigjeve të ngushta në male të thepisura, tufave të kafshëve të cilat tashmë janë të zakonshme në Ulqin, maleve të larta dhe peizazheve të mrekullueshme kemi arritur të përjetojmë një përzierje të kulturës tradicionale dhe moderne që tërheq udhëtarë të shumtë në një ndjenjë të thellë që pasqyron botën e brendshme dhe të jashtme të këtij vendi përmes së cilit përjetohet përplasja melankolike dhe sentimentale e cila shpalos një burim kreativiteti ku misticizmi dhe imagjinata gdhenden si një daltë në kujtimet e çdo kujt.

Perëndimi mbresëlënës i diellit që u përhap afër kufirit të Ulqinit, ka hedhur krahët në një mbizotërim të përhershëm të kujtimeve me pamjen e shkëlqyer të gërshetimit mes ngjyrës së kuqe dhe portokalli, një ndezje e papritur spektakolare e cila vulosi fundin e këtij udhëtimi.

Gjatë qëndrimit në qytetin e Ulqinit, ne patëm rastin të lëvizim nëpër hotele, restorante dhe plazhe të ndryshme si: Hotel Cruzer, Hotel Albatros, Hotel Palata Venezia, Hotel Mediteran, Eneida Apartments, Hotel Platinium, Hotel Lajka, Hotel MonteFila, Hotel Otrant, Hotel Llolla, Restoranti Higo, Taphana, Teuta dhe Barakuda, Plazhi Copacabana dhe Cabo.

Ndërsa, në fund të këtij udhëtimi, kryetari i Komunës së Ulqinit Aleksander Daboviq, në një prononcim për media ka falënderuar dhe uruar mirëseardhjen e gazetarëve, kameramanëve, redaktorëve dhe të pranishmëve nga Kosova.

“Ju jeni mysafirët e parë që vini në Ulqin në një numër kaq të madh pas një viti të vështirë për të gjithë globin. Populli ynë thotë se dita e mirë duket në mëngjes, e nisur nga mysafirë që kanë ardhur gjatë këtyre ditëve duke e llogaritur si një sezon të suksesshme për të gjithë”, thotë Daboviq.

Sipas tij, nuk ka dyshim se Kosova është dhe do të jetë një nga tregjet më të rëndësishme për shkak të lidhjeve vëllazërore, farefisnore, shoqërore e të tjera. Po ashtu, është e ditur se një numër i madh i kosovarëve tashmë janë banorë të Ulqinit, me shtëpitë dhe banesat e tyre, jo vetëm gjatë stinës së verës por edhe gjatë dimrit.

Aktivitet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga ’’Trip to Albania’’, Asociaconi i Gazetarëve të Kosovës dhe Organizata Turistike e Ulqinit, në veçanti drejtori Gëzim Hajdinaga, i cili ishte bashkudhëtar dhe i pranishëm gjatë gjithë kohës të këtij rrugëtimi duke ofruar të dhëna dhe fakte interesante për secilin vend të vizituar.

Qyteti i Ulqinit është një qytet 2500 vjeçar dhe konsiderohet si më i vjetri i Mesdheut, një thesar i Malit të Zi dhe një bërthamë multikulturore që posedon një pasuri të madhe historike dhe natyrore. / KultPlus.com

Qendra Historike e Shkodrës shpallet pasuri kulturore

Këshilli i Ministrave vendosi deklarimin pasuri kulturore të “Qendrës Historike” të qytetit të Shkodrës dhe përcaktimin e zonës mbrojtëse të saj, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit.

Këshilli i Ministrave vendosi edhe miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave.

Ngarkohet ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, me propozim të strukturave të specializuara, të përcaktojë zonat mbrojtëse të monumenteve të kulturës, të ndodhura brenda pasurisë kulturore.

Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartën e “Qendrës Historike” të qytetit Shkodër dhe të zonës mbrojtëse të saj në Gjeoportalin Kombëtar.

Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi./atsh/ KultPlus.com