Rama: Prespa dhe Ohri përmes syrit të NASA-s, promovim i krenarive natyrore

Kryeminisri Edi Rama përcolli sot përmes rrjeteve sociale pamjen nga Prespa dhe Ohri përmes syrit të NASA-s, foto e cila bëri xhiron e botës në promovimin e krenarive  natyrore të Shqipërisë.

“Prespa dhe Ohri përmes syrit të NASA-s që i prezanton publikut botëror këto dy liqene, ndër më të vjetrit në Europë, ekzistenca e të cilëve provohet prej të paktën 1 milion vitesh”, u shpreh ai.

”Fotoja e kapur më 19 gusht nga OLI-2 në Landsat 9 ka bërë xhiron e globit në promovimin e krenarive tona natyrore Shqipërisë”, vijoi Rama.

Liqeni i Ohrit dhe Liqeni i Prespës, dy nga liqenet më të vjetër të Evropës, shtrihen në një zonë malore përgjatë kufijve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Greqisë. Liqenet kanë ekzistuar për të paktën 1 milion vjet dhe ndoshta edhe më gjatë.

Ohri është më i madhi dhe më i thelli nga të dy, me një thellësi mesatare prej 155 metrash. Prespa ka një thellësi mesatare prej 14 metrash. Gjeologët klasifikojnë 30 liqene në botë si më të lashta, në këtë kategori bëjnë pjesë Ohri dhe Prespa. Pjesa më e madhe e ujit të liqenit të Ohrit vjen nga burimet nënujore, shkruan NASA.

Në liqenin e Ohrit ndodhen 200 lloje speciesh që nuk gjenden askund tjetër, këtu bëjnë pjesë kërmijtë e pazakontë, rosat dhe trofta.

Liqeni i Ohrit mbrohet nga UNESCO-s dhe në disa raste është quajtur “Galapagos Evropian” ose një muze i fosileve të gjalla për shkak të biodiversitetit të tij të jashtëzakonshëm. /atsh / KultPlus.com

Restaurimi i kishës në Maligrad, pasuri kulturore e historike në ishullin e Prespës

Në kishën e Shën Mërisë, në ishullin Maligrad po vijon puna për restaurimin e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore.

Restaurimi i çatisë në kishën e Shën Mërisë, platformës së vizitorëve dhe shtegut në ishullin Maligrad do i kthejë identitetin këtij monumenti të kulturës ku nuk ishte vënë dorë prej 50 vitesh.

Kjo kishë është një atraksion turistik i rëndësishëm jo vetëm për parkun Kombëtar të Prespës, por për mbarë rajonin dhe Shqipërinë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti thekson se restaurimi i kishës së Shën Marisë në ishullin Maligrad dhe rehabilitimi i shtegut panoramik, një prej pasurive kulturore më të rëndësishme në rajonin e Prespës, për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore.

Ajo shprehet se ky projekt po realizohet nga DRTK Korçë, në bashkëpunim me Bashkinë Pustec.

Kisha e Shën Mërisë ndodhet ne liqenin e Prespës, në ishullin e Maligradit. E ndërtuar në shekullin XIV është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore e cila ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat shqiptarë.

Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.

Ishulli ka një gjatësi prej rreth 800 m e gjerësi rreth 200 m dhe rrethohet nga shpati shume të pjerrët e mahnitëse, me përjashtim të pjesës perëndimore të tij dhe ka një bimësi natyrore barishtore dhe shumë pak shkurre, si dhe shpella.

Mund të vizitohet duke ndjekur itinerarin Korçë – Zvezdë – Liqenas, ku për t’u futur në ishull përdoren varkat e peshkatarëve apo së fundmi edhe ato turistike. Udhëtimi me varka nëpër liqen është një tjetër kuriozitet për vizitorët e shumtë. Prespa në stinën e nxehtë tërheq pushues nga zona rreth saj për të bërë plazh në ujërat e liqenit, por edhe turist të largët që interesohen për historinë, kulturën, biodiversitetin për dhe për gastronominë e kësaj zone.

Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte si tjegulla, kolona e kapitele që i përkasin sipas arkeologëve një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit./ atsh / KultPlus.com

Investime për ta shndërruar liqenin e Prespës në një destinacion të vërtetë turistik

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi e vlerësoi çështje shumë të rëndësishme në politikat e qeverisë ruajtjen e biodiversitetit dhe pasurisë natyrore që ka zona e Prespës, në bashkinë e Pustecit, në juglindje të vendit.

Në interpelancën e kërkuar nga deputeti Vasil Sterjovski, i cili kërkoi shpjegime nga ministri mbi programet dhe punën që po bën qeveria për të mbrojtur dhe zhvilluar zonën e Prespës, që shtrihet në kufijtë e tre shteteve (Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi), Klosi tha se, “Prespa për vetë shtrirjen gjeografike që ka dhe lag tre shtete, është një pasuri natyrore me vlera të veçanta, për të cilën ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për ta shndërruar në një burim të madhe ekonomik” .

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare Klosi tha se, “jemi përpjekur dhe kemi organizuar një sërë aktivitetesh në bashkëpunim me bashkinë e Pustecit dhe qarkun e Korçës për ta shndërruar liqenin e Prespës dhe zonën e Pustecit në një destinacion të vërtetë turistik”.

“Vetëm vitin e kaluar janë 110 mijë turistë që kanë vizituar zonën e Prespës dhe Pustecit që padyshim kanë ndikuar në përmirësimin e ekonomisë së zonës. Ajo për të cilën punojmë fort është fakti se sa industria e turizmit dhe mbrojtja e mjedisit, do të ndikojnë në përmirësimin e ekonomisë shqiptare”- tha Klosi.

Ministri theksoi se, “tashmë në zonën e Prespës bashkia Pustec, ka disa bujtina dhe njësi pritje të turistëve, të cilat mungonin para dy vitesh. Ka mbi 100 shtretër në atë breg liqeni të vogël ndërsa kërkesa është në rritje të vazhdueshme. Sot Pusteci është një destinacion dhe në ditë të vitit është vështirë të gjesh vende të lira për të drekuar pa pronotim” .

Klosi shpjegoi filozofinë e programit të qeverisë për zhvillimin ekonomik ku nënvizoi se, “zgjidhja nuk është një projekt por të gjejmë ndryshimin në shndërrim në destinacion dhe sot Korça shënon një destinacion 12-mujor edhe falë investimeve që janë bërë në gjithë infrastrukturën e zonës, ku padyshim vend zë edhe Pusteci. Pra ky është ndryshimi ku turizmi sjell impakt pozitiv në ekonomi”.

Klosi tha se, “qeveria ka ndërmarrë projekte radikale dhe multisektoriale në këtë zonë që përfshijnë investime në rehabilitimin e trashëgimisë kulturore, sistemet e kanaleve kulluese, të përpunimit të ujërave të zeza, mbrojtjes në mjedis, zhvillimin e agroturizmit etj”.

Ai theksoi angazhimin e qeverisë në ruajtjen e liqenit të Prespës si simbol të bashkëfqinjësisë mes tre kombeve tona./ atsh/ KultPlus.com

Klosi: Prespa, destinacion që nuk duhet humbur sapo të kemi mundur koronavirusin

“Parku Kombëtar i Prespës është një destinacion që nuk duhet humbur sapo të kemi mundur të gjithë bashkë, koronavirusin”, u shpreh sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi

Ministri Klosi publikoi sot një reportazh të RTSH-së të titulluar “Magjia e fshehur e Prespës” ku flitet për bukurinë, magjinë, vlerat dhe cilësitë që ka ky liqen.

Këto vlera u prezantuan edhe në Konferencën Shkencore të mbajtur me rastin e 20-vjetorit të Parkut Kombëtar të Prespës, ku u analizuan të gjithë të rejat, problematikat, si dhe vizioni për të ardhmen e këtij parku me një bukuri të rrallë.

“Prespa siç nuk e keni njohur. Parku Kombëtar Ndërkufitar mes 3 shteteve, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë, që nuk duhet humbur si destinacion sapo të kemi mundur të gjithë bashkë, koronavirusin”, nënvizoi ministri Klosi.

“Qëndro në shtëpi sot të udhëtojmë nesër”, përfundoi ministri Klosi. /atsh / KultPlus.com