Jose Manuel Alvarez Losada dhe Pedro Mateo, dyshja e mrekullueshme që solli vallet dhe këngët spanjolle në “Kosova KamerFest”

Një dyshe spanjolle ka dëshmuar për një dashuri të pa krahasuar ndaj muzikës klasike, mbrëmë në kuadër të festivalit  “Kosova KamerFest”, me ç’rast ka mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm të artdashësve të cilët me vëmendje të lartë kanë pikasur dhuntinë e tyre të veçantë. Violinisti Jose Manuel Alvarez Losada dhe kitaristi Pedro Mateo kanë shkrirë magjinë e tyre në ato instrumente krejt natyrshëm, gjegjësisht, kanë interpretuar një program që ka lënë mbresa të mëdha, shkruan KultPlus.

Modelariumi i Fakultetit të Arkitekturës ka mirëpritur këta dy artistë nga Spanja, të cilët me një program krejt unik, kanë lënë shpirtin e tyre në hapësirë. Karrige të shumta ishin të vendosura mu përballë “skenës” ku dyshja ka performuar. Ndërlidhja e violinës dhe kitarës ka qenë e mahnitshme, ndërsa akustika qe e mirë pikërisht për këtë dyshe.

Arkitektura e hapësirës i shtonte një ngrohtësi ndryshe këtij koncerti. Hijeshia e çdo objekti, e bënte mbrëmjen më të afrueshme me të pranishmit. Ndonëse nuk kishte ndonjë ndriçim specifik ndaj instrumenteve, ajo që sillte dritë përbrenda shpirtit të pranishëm, qe vija melodike e secilës vepër të interpretuar.

Mbrëmë, harku i violinës ka thyer limitet e interpretimit perfekt. Ndërsa, kitara që i bashkëngjitej violinës në një vallëzim melodish, ka qenë ajo që ka rrëmbyer tingujt spanjoll e i ka dërguar edhe përtej mureve të objektit. Kompozitorët si: Joaquín Nin, Leo Brouwer, Manuel de Falla, Feliu Gasull, Joaquín Rodrigo, Astor Piazzolla, janë vlerësuar mbrëmë në mënyrë jashtëzakonshme nëpërmjet dyshes spanjolle. Magjia e këtyre kompozitorëve u shndërrua në një mrekulli interpretuese të dyshes që pasonte lehtazi nga melodia në melodi.

“Suite espanola (Vieja Castilla, Murciana, Catalana, Andaluza)”, “Elegia por Cinito Vitier”, “Suite popular espanola (El pano moruno, Asturiana, Jota, Nana, Cancion, Polo), “L’anima del vent”, “Canciones valencianas (Allegro, Andante moderato, Andantino, Tempo di bolero), “Historia del tango (Bordel 1900, Cafe 1930, Night-club 1960, Concert d’aujourd’hu)”, ishin veprat unike që erdhën nën mjeshtërinë e violinistit Jose Manuel Alvarez Losada dhe kitaristit Pedro Mateo.

Duke filluar nga shprehjet e fytyrës, lëvizja e kokës që vazhdimisht merrte kahje të ndryshme, gishtërinjtë e pandalshëm mbi instrument, mbi tela e mbi hark e deri tek frymëmarrjet që dëgjoheshin në hapësirë, të dy instrumentistët kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre. Kjo dukshëm vërehej kur duartrokitjet e zjarrta zinin vend pas secilës vepër të interpretuar, teksa buzëqeshjet e dyshes qenë vezulluese ndaj këtij publiku. E gjithë vëmendja e të pranishmëve i dedikohej dyshes, ndërsa e njëjta gjë vlente edhe për dy instrumentistët, që fokusin e kishin vetëm ndaj violinës dhe kitarës, që qëndronin përpara tyre.

Ishin duartrokitjet e zgjatura ato që e rikthyen dyshen edhe një herë në skenë. Me një vepër të famshme, ata përmbyllën një orë e gjysmë performancë të mrekullueshme. Qe një teknikë e rrallë që ata e shfaqën mbrëmë, dhe që me patjetër ka frymëzuar edhe fytyrat e të rinjve në publik. Fotografi, video e plot palë sy, kanë mbështjellë këtë natë brenda një foleje melodike krejt të pasur.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe përshtypjeve të tyre, për KultPlus folën Violinisti Jose Manuel Alvarez Losada dhe kitaristi Pedro Mateo.

“Po ndihemi shumë mirë. Ishte një përvojë e mrekullueshme të luajmë këtu për këtë audiencë që dukej sikur ishin mësuar të shkonin në koncerte muzikore-klasike. Është hera jonë e parë në Kosovë dhe ne kemi ardhur tek dje. Jemi shumë të befasuar për ndërtesat, njerëzit dhe jetën e qytetit. Është si një qytet i mbushur me jetë”, thotë dyshja.

Sipas tyre, programi i përzgjedhur është kryesisht i bërë nga muzika spanjolle dhe latine, dhe disa nga to janë vepra shumë të njohura e disa tjera janë transkripta për repertor të pianos, por ky program nga ta, është luajtur tash e disa vite, andaj dhe atyre u pëlqen ta luajnë pikërisht atë.

“Gjithçka për ne ishte vërtet e re këtu. Ne nuk jemi mësuar me audiencën e këtij populli dhe mënyrën se si i bëni gjërat, por na pëlqen dhe ishte vërtet i organizuar mirë. Mendoj se krijuesja e festivalit, Sihana, po bën një punë shumë të mirë. Ajo është shumë entuziaste dhe na trajtoi shumë mirë. Ne jemi vërtet të lumtur për këtë”, përfundon dyshja. / KultPlus.com