Dirigjenti Lodi Luka dhe orkestra e harqeve u prezantuan me një koncert emocionues në hapje të Kosova Kamerfest

Koncerti me vepra të kompozitorit, pianistit dhe dirigjentit Lodi Luka dhe orkestra e harqeve pranë Universitetit të Prishtinës- Universiteti i Arteve u prezantua në mbrëmjen e së mërkurës në edicionin XXII të Kosova Kamerfest, koncert që edhe bëri hapjen e këtij edicioni, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert hapës u prezantuan edhe solistët Leufat Bucuku në violinë e Megi Rexhepi në klarinetë të cilët u paraqitën me programin: Living Spaces, Writing to Ludwig, La tenerezza del ruvido (Dhembshuria e vrazhdësisë), Aria per violine e orkestër, Spy Story, Rinascere (Rilindje) dhe Remembrance for clarinet and orchestra.

Ndërkohë, kompozitori, pianisti dhe dirigjenti Lodi Luka ka thënë për KultPlus se pjesëmarrja në këtë festival ishte një kënaqësi e madhe për të, pasi që është edhe paraqitja e parë me krijimtarinë e tij në këtë pjesë të atdheut.

“Kam mbetur shumë i kënaqur nga gjallëria e ambientit dhe entuziazmi i të rinjve që edhe pse ishin të impenjuar me provime dhe koncerte, dhanë maksimumin e tyre në realizimin e veprave të mija, që janë mjaftë impenjative”, ka thënë Luka.

Ai ka falënderuar nga zemra profesorët Sihana Badivuku dhe Blerim Grubi, të cilët kanë krijuar në Kosovë një shkollë të harqeve me kaq nivel të lartë, sipas tij, shkollë që mund të krahasohet me shkollat më të mira evropiane.

“Falënderoj gjithashtu edhe violonçelistin e mirënjohur Bledar Zajmi që na u bashkëngjitë me eksperiencën e tij në këtë rrugëtim. Publiku me nivel më dha gjithashtu shumë emocione dhe i mirëpriti me shumë duartrokitje veprat që i paraqitëm për herë të parë”, ka thënë Luka.

Ndërkohë, edicioni i XXII i Kosova Kamerfest që filloi mbrëmë do të zgjasë deri më 14 nëntor./ KultPlus.com

Ansambli XXI-Kosova në mënyrë spektakolare me premierën botërore “Polar Voices”, përmbyll “Kosova KamerFest”

Violinistja finlandeze Pia Siirala, dirigjentja irlandeze Lygia O’Riordan dhe Ansambli XXI-Kosova, mbrëmë në kuadër të festivalit  “Kosova KamerFest” kanë dhuruar një program plot lakmi. Me një numër të madh të të pranishmëve që kanë mbushur të gjitha karriget e vendosura në hapësirë, kjo treshe ka përmbyllur mahnitshëm koncertin e fundit që shënoi mbylljen e këtij festivali, i cili tash e disa net ka dëshmuar për një pasion të pakrahasueshëm ndaj muzikës klasike dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Modelariumi i Fakultetit të Arkitekturës ka mirëpritur mbrëmë këtë treshe, që kanë performuar një program tejet të rrallë, e pothuajse edhe të padëgjuar më parë në kryeqytet. Interpretimi i tyre ka qenë diçka që jo çdokush mund ta bëjë. Karrige të shumta ishin të vendosura përballë “skenës”, dhe në dy anët e saj, kësisoj për të admiruar çdo pozicion të instrumentistëve që hapësira e ofronte. Akustika në këtë vend po ashtu ka qenë diçka mbresëlënëse, duke pasur parasysh qetësinë absolute që publiku e pati.

Duke qenë një numër më i lartë i të pranishmëve, hapësira u bë ende më e ngrohtë. Me një reflektorë, reflektimi i së cilit binte anash skenës dhe dritave normale të objektit, gjithçka filloi fiks në orën 20:19.

Kanë qenë gjithsej dy veprat e vetë violinistes Pia Siirala ato që kanë ardhur mahnitshëm nëpërmjet interpretimit të instrumentistëve të talentuar. Violinistja Siirala shqyrton në veprën e saj “Ulita’s walk”, ndikimin që ka muzika e popujve indigjenë të Rusisë në mënyrën se si muzika dëgjohet dhe perceptohet. Nëpërmjet luajtjes së violinës dhe kompozimit, ajo përpiqet të eksplorojë se çfarë mund të sjellë muzika arkaike, e bazuar në kujtesë në muzikantin e saj.

“Ulita’s walk”, qe një vepër tetëmbëdhjetë minutëshe e cila rrëqethu çdo të pranishëm. E vetme në mes të skenës, violinistja Siirala solli një teknikë tejet të rrallë. Prekte violinën me dorë, e me hark, teksa harkun e lëvizte me një ngadalësi adhuruese. Tingujt që pasonin, hynin thellë në shpirtin e pranishëm, asisoj që të depërtonin edhe më thellë me mesazhin e veprës.

Ndërsa, vepra tjetër nën emërtimin “Zërat polarë” (Pengeneku, Omryl’kot, Mulingaut, Rol’tytval-Jarar), që përkonte me emërtimin e këtij koncerti të fundit, nga violinistja Siirala, ka sjell në skenë Ansamblin XXI-Kosova, me ç’rast është krijuar një mbrëmje që vështirë se harrohet dot. Vepra për orkestër harqesh ka gjallëruar instrumentet diversive. Violina 1 qe e përbërë nga Sihana Badivuku, Leufat Buçuku, Fjollë Koxha, Arsim Gashi, violina 2 qe e përbërë nga Pleurat Doli, Dijetar Zeka, Eliona Raqi, Florentina Hyseni, Festim Haxhikadrija, në violë qenë Blerim Grubi, Entela Qarkaxhija, Alkesta Gllogjani, në violonçello qenë Miltiades Cassaras, Enis Alji, Donjeta Cërmjani si dhe në kontrabas Lulëzim Lushtaku.

Nën dirigjimin e jashtëzakonshëm të Lygia O’Riordan, vepra “Zëra polarë” ka përçuar një ndjesi magjike. Me një stil ndryshe të të dirigjuarit e performuarit, kjo mbrëmje ka qenë dëshmi e prurjeve unike nga bota, që sjellin diçka të veçantë nga vetja dhe e lënë haptazi në çdo vend që ata prekin. I tillë ke rasti me violinisten finlandeze Pia Siirala dhe dirigjenten irlandeze Lygia O’Riordan, të cilat në ndërlidhje me Ansamblin XXI-Kosova kanë përthekuar koncertin e fundit të këtij edicioni të festivalit “Kosova KamerFest”, në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ishin duartrokitjet e zgjatura ato që falënderuan këtë treshe për performancën e tyre të pakrahasueshme, me shpresën që të rikthehen përsëri në Prishtinë, për të shpalosur dashurinë e tyre ndaj botës së artit.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe përshtypjeve të saj përgjatë edicionit, për KultPlus foli drejtoresha dhe njëherit violinistja Sihana Badivuku.

“Publikut besnik prishtinas, Kosova KamerFest i dhuroi 11 mbrëmje koncertale kamertale gjatë këtyre dy muajve. Koncerti përmbyllës ishte diçka më ndryshe dhe risi jo vetëm për publikun por edhe për ne, anëtarët e këtij ansambli ku së bashku fituam përvoja të reja të performimit të veprës botërore premierale “Zërat Polarë” e cila mbrëmë u realizua edhe si pjesë e provimit të Doktoratit të violinistes Siirala. Si drejtore artistike jam mjaft e kënaqur nga koncepti dhe laramania e veprave që u performuan nga artistët botërorë dhe vendorë me rreth 40 instrumentistë dhe rreth 15 vepra premierale”, ka thënë Badivuku.

Sipas saj, edhe këtë vit janë realizuar 7 punëtori në bashkëpunim me prodekanin e degës së muzikës së Fakultetit të Arteve, profesori Drinor Zvmberi dhe punëtori të audio inxhinierit nga Finlanda në bashkëpunim me Universitetin UBT – degën e audio-produksionit dhe menaxhimit që e udhëheq profesoresha Aida Gjikolli.

“Për mua secili koncert ishte i veçantë, duke filluar nga mbrëmja e parë me violinistin e mirënjohur Klajdi Sahatçi, pianisten Merita Rexha-Tërshana, tek koncerti i talenteve të Garave ArsKosova , koncerti për autizmin me fëmijët e talentuar nga shkollat e muzikës së Kosovës, pastaj mbrëmja me pianisten Kristina Laço-Petrollari, çelisten Dorina Laro, violinistin e ri te talentuar Dejon Bendaj, spanjollët Jose.M.Alvarez Losada dhe Pedro Mateo, francezët Celine & Eric Lesage, bullgaret Galina Kovcheva dhe Daniela Dikova, pianistet Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli-Dehari, kolegët e mi Blerim Grubi e Aristidh Prosi dhe ENSEMBLE XXI-Kosova me artistet e lartpërmendura”, thotë tutje.

Ndërkaq, ajo po ashtu ka bërë të ditur se edicioni i 22-të varet nga mbështetjet financiare të institucioneve kulturore dhe ambasadave, bankave e kompanive të ndryshme që do të ndikojnë shumë në cilësinë dhe numrin e koncerteve posaçërisht të ansambleve dhe artistëve botërorë që kanë kosto dhe honorare sipas standardeve Evropiane-Botërore.

Fotografitë: Elbasan Kryeziu/ KultPlus.com

“1 piano, 2 zonja, 4 duar” vjen magjishëm në natën e parafundit të “Kosova KamerFest”

Dyshja në piano, Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli-Dehiri sonte në natën e parafundit të “Kosova KamerFest” ka mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm të artdashësve të cilët kanë vëzhguar me vëmendje interpretimin e tyre. Me vepra të njohura të kompozitorëve botërorë dhe shqiptarë, dyshja ka krijuar një mbrëmje magjike ku krejt lehtazi është deshifruar dhuntia dhe dashuria e tyre për këtë art, shkruan KultPlus.

Salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës tash e disa net ka mirëpritur muzikën klasike në forma të ndryshme. Por, ajo që nuk ka ndërruar asnjëherë, është dukja e këtij vendi. Me lule shumëngjyrëshe në skenë dhe këtë herë me një prapavijë të bardha, ka qenë pianoja e zezë ajo që ka marrë vëmendjen e publikut kur koncerti gjeti nisjen fiks në orën 20:11.

Njashtu si veshja e tyre vezulluese, edhe fytyrat e tyre vezullonin nga pasioni për të interpretuar para një publiku që me qetësi absolute ia kthen respektin. Ndërsa, ndriçimi po ashtu ishte në një nivel ku dukshëm mund të shohësh gishtërinjtë e dyshes, që herë-herë, varësisht veprës, ndërronin pozicionet e tyre nga e djathta në të majtë.

Sonte, çelësat e pianos kanë dalë përtej imagjinatës së njeriut. Ato janë pushtuar me një energji të jashtëzakonshme nga pianistja Syzana Jakupi dhe pianistja tjetër, Alba Muçolli-Dehiri. Të dyja pianistet kanë dhënë hijshëm një program të larmishëm, me ç’rast vijat melodike kanë hyrë në secilin njeri prezent. Qenë veprat e kompozitorëve si: Robert Schumann, Franz Peter Schubert, Rauf Dhomi, Gabriel Urbain Fauré, Antonín Leopold Dvořák dhe Aram Ilyich Khachaturian, ato të cilat i dhanë shumë kësaj nate. Secila melodi kishte një rrallësi të paparashikueshme.

“Skena balloje, op.109”, “Rondo D.608”, “Panorama”, “Dolly Suite op.56”, “Valle simfonike, op.72, op.46, no.7” dhe “Vals nga maskerad”, ishin veprat që erdhën me një frymë të famshme por që është pikërisht kjo që ka bërë që publiku të përhumbej akoma më shumë në ato. Dyshja shqiptare padyshim që ka dhënë më të mirën e mundshme, dhe kjo dallohej në secilën herë që duartrokitjet e zjarrta zinin vend pas çdo vepre të performuar.

Përgjatë gjithsej një ore, ajo që u dallua më së shumti ka qenë lëvizjet trupore në përputhje me gishtërinjtë e dyshes. Të dyja pianistet kanë qenë trupa të dytë përkrah pianos në skenë. Ndërsa, vetëm një piano e katër duar kanë rrëmbyer zemrat e të pranishmëve. Vepër pas vepre, buzëqeshjet vetëm sa shtoheshin mes të pranishmëve, dhe e gjitha kjo nga interpretimet precize të dyshesh në piano.

Kështu krejt në fund, nuk kanë munguar as duartrokitjet, brohoritjet, buqetat me lule me rastin e përmbyllës së këtij koncerti. “1 piano, 2 zonja, 4 duar” qe emërtimi i këtij koncerti që la mbresa të mëdha dhe një dëshirë të pashtershme për të qenë pjesë e një organizmi të tillë kulturor, artistik e klasik.

Ndërsa, në skenë për një fjalë rasti pas këtij koncerti, doli pianistja Alba Muçolli-Dehiri në emër të sajën dhe pianistes Syzana Jakupi.

“Faleminderit të gjithëve për prezencën tuaj, dhe që keni gjetur kohë për të ardhur sonte këtu. Njëkohësisht, në emër timin dhe koleges time, do të doja ta shfrytëzoja rastin për të falënderuar për këtë organizim, drejtoreshën e festivalit, Sihana Badivuku. Po shpresoj që do të shihemi edhe në organizime të tjera të radhës. Faleminderit shumë përsëri”, ka thënë Muçolli-Dehiri.

Kujtojmë që koncerti i fundit në kuadër të “Kosova Kamerfest” vjen me datë 1 dhjetor nën emërtimin “Zërat Polarë”, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Jose Manuel Alvarez Losada dhe Pedro Mateo, dyshja e mrekullueshme që solli vallet dhe këngët spanjolle në “Kosova KamerFest”

Një dyshe spanjolle ka dëshmuar për një dashuri të pa krahasuar ndaj muzikës klasike, mbrëmë në kuadër të festivalit  “Kosova KamerFest”, me ç’rast ka mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm të artdashësve të cilët me vëmendje të lartë kanë pikasur dhuntinë e tyre të veçantë. Violinisti Jose Manuel Alvarez Losada dhe kitaristi Pedro Mateo kanë shkrirë magjinë e tyre në ato instrumente krejt natyrshëm, gjegjësisht, kanë interpretuar një program që ka lënë mbresa të mëdha, shkruan KultPlus.

Modelariumi i Fakultetit të Arkitekturës ka mirëpritur këta dy artistë nga Spanja, të cilët me një program krejt unik, kanë lënë shpirtin e tyre në hapësirë. Karrige të shumta ishin të vendosura mu përballë “skenës” ku dyshja ka performuar. Ndërlidhja e violinës dhe kitarës ka qenë e mahnitshme, ndërsa akustika qe e mirë pikërisht për këtë dyshe.

Arkitektura e hapësirës i shtonte një ngrohtësi ndryshe këtij koncerti. Hijeshia e çdo objekti, e bënte mbrëmjen më të afrueshme me të pranishmit. Ndonëse nuk kishte ndonjë ndriçim specifik ndaj instrumenteve, ajo që sillte dritë përbrenda shpirtit të pranishëm, qe vija melodike e secilës vepër të interpretuar.

Mbrëmë, harku i violinës ka thyer limitet e interpretimit perfekt. Ndërsa, kitara që i bashkëngjitej violinës në një vallëzim melodish, ka qenë ajo që ka rrëmbyer tingujt spanjoll e i ka dërguar edhe përtej mureve të objektit. Kompozitorët si: Joaquín Nin, Leo Brouwer, Manuel de Falla, Feliu Gasull, Joaquín Rodrigo, Astor Piazzolla, janë vlerësuar mbrëmë në mënyrë jashtëzakonshme nëpërmjet dyshes spanjolle. Magjia e këtyre kompozitorëve u shndërrua në një mrekulli interpretuese të dyshes që pasonte lehtazi nga melodia në melodi.

“Suite espanola (Vieja Castilla, Murciana, Catalana, Andaluza)”, “Elegia por Cinito Vitier”, “Suite popular espanola (El pano moruno, Asturiana, Jota, Nana, Cancion, Polo), “L’anima del vent”, “Canciones valencianas (Allegro, Andante moderato, Andantino, Tempo di bolero), “Historia del tango (Bordel 1900, Cafe 1930, Night-club 1960, Concert d’aujourd’hu)”, ishin veprat unike që erdhën nën mjeshtërinë e violinistit Jose Manuel Alvarez Losada dhe kitaristit Pedro Mateo.

Duke filluar nga shprehjet e fytyrës, lëvizja e kokës që vazhdimisht merrte kahje të ndryshme, gishtërinjtë e pandalshëm mbi instrument, mbi tela e mbi hark e deri tek frymëmarrjet që dëgjoheshin në hapësirë, të dy instrumentistët kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre. Kjo dukshëm vërehej kur duartrokitjet e zjarrta zinin vend pas secilës vepër të interpretuar, teksa buzëqeshjet e dyshes qenë vezulluese ndaj këtij publiku. E gjithë vëmendja e të pranishmëve i dedikohej dyshes, ndërsa e njëjta gjë vlente edhe për dy instrumentistët, që fokusin e kishin vetëm ndaj violinës dhe kitarës, që qëndronin përpara tyre.

Ishin duartrokitjet e zgjatura ato që e rikthyen dyshen edhe një herë në skenë. Me një vepër të famshme, ata përmbyllën një orë e gjysmë performancë të mrekullueshme. Qe një teknikë e rrallë që ata e shfaqën mbrëmë, dhe që me patjetër ka frymëzuar edhe fytyrat e të rinjve në publik. Fotografi, video e plot palë sy, kanë mbështjellë këtë natë brenda një foleje melodike krejt të pasur.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe përshtypjeve të tyre, për KultPlus folën Violinisti Jose Manuel Alvarez Losada dhe kitaristi Pedro Mateo.

“Po ndihemi shumë mirë. Ishte një përvojë e mrekullueshme të luajmë këtu për këtë audiencë që dukej sikur ishin mësuar të shkonin në koncerte muzikore-klasike. Është hera jonë e parë në Kosovë dhe ne kemi ardhur tek dje. Jemi shumë të befasuar për ndërtesat, njerëzit dhe jetën e qytetit. Është si një qytet i mbushur me jetë”, thotë dyshja.

Sipas tyre, programi i përzgjedhur është kryesisht i bërë nga muzika spanjolle dhe latine, dhe disa nga to janë vepra shumë të njohura e disa tjera janë transkripta për repertor të pianos, por ky program nga ta, është luajtur tash e disa vite, andaj dhe atyre u pëlqen ta luajnë pikërisht atë.

“Gjithçka për ne ishte vërtet e re këtu. Ne nuk jemi mësuar me audiencën e këtij populli dhe mënyrën se si i bëni gjërat, por na pëlqen dhe ishte vërtet i organizuar mirë. Mendoj se krijuesja e festivalit, Sihana, po bën një punë shumë të mirë. Ajo është shumë entuziaste dhe na trajtoi shumë mirë. Ne jemi vërtet të lumtur për këtë”, përfundon dyshja. / KultPlus.com

Celine Lesage dhe Eric Lesage, dyshja franceze që solli frymën tradicionale të Transilvanisë në “Kosova KamerFest”

Një dyshe franceze ka mbushur sallën në natën tjetër të radhës, në kuadër të festivalit “Kosova KamerFest”, duke mbledhur kështu rreth vetes artdashës e fytyra të reja që pasionin për muzikën klasike e kishin të shprehur në fytyrën e tyre. Ata patën rastin të shijojnë nga afër interpretimin e rrallë e të fuqishëm, të violinistes Celine Lesage dhe pianistit Eric Lesage, me ç’rast loja e tyre ka dhënë emocione të shumta mbrëmë, shkruan KultPlus.

Si në të shumtën e rasteve, salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës nuk ka ndërruar pamje, por ishin lulet e vendosura mu në mes të skenës, ato që i dhanë një hijeshi kësaj mbrëmjeje. Në anën tjetër, pianoja bardh e zi qëndronte e vetme në skenë, teksa priste që pianisti francez t’ia nisë magjisë së tij nëpërmjet gishtërinjve. Në anën tjetër, violinistja franceze qe ajo që violinën e shndërroj në trup të dytë të saj, krah saj.

Perdet e zeza në prapavijë vinin në pah këndshëm, kur edhe veshja e dyshes franceze ishte po në të njëjtën ngjyrë. Ndriçimi po ashtu qe elementi kryesor që e afroi këtë mbrëmje në nivel tjetër, me të pranishmit.

Mbrëmë, çelësat e pianos u pushtuan nga melodi e tinguj që preknin skajshmërinë perfekte. Notat e sakta dilnin përtej kontrollit, me precizitetin e pianistit Lesage, ndërsa harku i violinës që manovrohej nga violinistja Lesage lëvizte pa mëshirë, për të krijuar një vijë melodike hyjnore. Vepra e kompozitorëve të njohur si: Jeno Hybay, Cesar Frank, Fritz Kreisler/Antonin Dvorak, u interpretuan në mënyrë të mahnitshme. Mrekullia e tyre dallohej në secilën notë.

Veprat si: “Fantasie Briliante Carmen”, “Sonata in a-major”, “Slavonic fantasy”, “Scenë nga çardash”, “Yarou Yarou”, “Chanson de Tania”, “Sarba Staccoato”, “Csardas Rhapsodie”, erdhën me një frymë krejtësisht ndryshe nga koncertet e herëve të kaluara. Talenti i dyshes franceze kaloi përtej prishtmërive. Përgjatë plot dy orëve, ata dëshmuan për një dashuri ndaj artit klasik, e në veçanti atij francez. Ritmi i tyre në çdo moment ka krijuar një harmoni të paparë.

Lëvizja trupore e pianistit, në ndërveprim me atë të violinistes, ka qenë e bukur për tu vëzhguar. E gjithë energjia e tyre kaplonte instrumentin para tyre, dhe bashkë me to, edhe zemrat në publik. I gjithë fokusi i të pranishmëve binte direkt në skenë, aty ku po shkrihej dhuntia e dyshes franceze, krejt lirshëm, por me një pasion të vërtetë. Qe një punë mjeshtërore e tyre e interpretimit dhe kjo u dallua nga duartrokitjet e zjarrta që merrnin, pas secilës vepër, shumica e së cilave zgjasnin një kohë të gjatë.

Kështu krejt në fund, brohoritjet për këtë dyshe fantastike qenë të jashtëzakonshme. Admirimi për ta dallohej në sytë e secilit, teksa dëshira për t’i falënderuar ata për këtë natë, qe e madhe. Ishte me të vërtetë mahnitëse teknika e tyre e interpretimit dhe kjo veçmas dallohej nga mënyra e tyre unike në ndërveprim me instrumentet.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe përshtypjeve të tyre, për KultPlus folën pianisti Eric Lesage dhe violinistja Celine Lesage.

“Jemi shumë të lumtur që jemi këtu sepse ishte ëndrra jonë të interpretonim këto pjesë të Transilvanisë, muzikë tradicionale. Për ne në Francë është një ëndërr, sepse ne e duam shumë muzikën tradicionale të Transilvanisë, folklorin, vallet dhe meloditë popullore. Është hera e parë që jemi këtu në Kosovë, publiku ishte shumë i ngrohtë dhe mikpritës, po ashtu ata ishin shumë të fokusuar”, thotë dyshja.

Sipas tyre, pjesa e preferuar ishte e fundit sepse ishte një kompozitor francez, i cili shkroi dhe kompozoi muzikë të shkëlqyer.

“Sonatat kishin një teknikë shumë të vështirë, sidomos për shkak të muzikalitetit të tyre. Ne patjetër do të kthehemi për të performuar këtu. Ne me të vërtetë do të dëshironim të vinim përsëri herën tjetër”, përfundon dyshja. / KultPlus.com

Violinisti Dejon Bendaj dhe pianistja Kristina Petrollari-Laço nderojnë kompozitorët Çesk Zadeja e Cesar Frank në “Kosova KamerFest”

Edicioni i 21-të i “Kosova KamerFest”, festivali i muzikës kamertale ka filluar rrugëtimin e tij të suksesshëm tash e një muaj. Pas dy viteve pauzë, festivali ka arritur që të sjell emra të njohur të skenës kombëtare dhe jo vetëm. Talente të reja, njashtu kanë zënë vend të posaçëm në këtë edicion, ndërsa gërshetimi i tyre me emra të njohur, nuk ka qenë aspak e huaj për këtë edicion. Mbrëmë, ka qenë violinisti Dejon Bendaj dhe pianistja Kristina Petrollari Laço, të cilët kanë shndërruar koncertin, në një të paharrueshëm, shkruan KultPlus.

Si në të shumtën e rasteve, salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës ka mirëpritur një numër të konsiderueshëm të publikut. Në skenë, pianoje e vetme bardh e zi qëndronte gati për t’u pushtuar nga pianistja, ndërsa më vonë do i bashkohej edhe violinës që nën duart e violinistit, do të krijoheshin tinguj të mrekullueshëm. Perdet e zeza në prapavijë dhe ndriçimi nga muri lart, ishin elementet që i dhanë këtij koncerti një pamje më serioze. Të veshur kokë e këmbë në ngjyrë të zezë, të dy instrumentistët kanë dëshmuar për një talent të paparë.

Fillimisht, ishte Sihana Badivuku, drejtoreshë artistike e festivalit, e cila hapi mbrëmjen me një fjalë rasti.

“Violinisti vjen këtu për herë të parë me koncert recital, përndryshe, ai dhjetë vite më parë ka qenë fitues i garave ‘ArsKosova GrandPrix’ dhe tani po rikthehet si një muzikant aktiv i Shqipërisë, i cili posa i ka mbaruar edhe studimet master në Moskë. Ndërsa, pianistja e mirënjohur shqiptare, Kristina, ka qenë më parë edhe soliste në këtë festival si dhe pjesëmarrëse në shumë festivale të tjera. Shpresoj që ky koncert do të iu lë mbresa shumë të mëdha, posaçërisht emocione të fora”, ka thënë Badivuku.

Ajo tutje ka bërë të ditur se është shënuar edhe përvjetori i kompozitorit shqiptar Çedk Zadeja si dhe kompozitorit francez Cezar Frank.

Në këtë mbrëmje gjithsej pesë vepra kanë gjetur vendin e tyre në atmosferë. Meloditë dhe tingujt që pasonin vazhdimisht nga violinisti Dejon Bendaj dhe pianistja Kristina Petrollari Laço, kanë ngjallur emocione të forta në publik. Kjo vërehej qysh në fillim, kur sytë e të pranishmëve binin direkt në skenë, veshët e tyre ishin të mbushur me muzikë, ndërsa këmbët e tyre trokitnin vazhdimisht në tokë, në hap me vijën melodike të prezantuar.

Koncerti që nisi fiks në orën 20:13, ka sjell një program tejet të bukur, por ajo që i shtoi hijeshinë këtij programi qenë edhe dy instrumentistët që dhuruan shpirtin e tyre në skenë. Lëvizjet e tyre të kokës, duarve, krahëve e edhe të këmbës, ishin të mrekullueshme për t’u parë. Dukej se i gjithë trupi i tyre shkonte pas tingujve, me ç’rast ato me të vërtetë plasoheshin nëpër muret e sallës.

Ishin veprat e kompozitorëve si: Çedk Zadeja, Cezar Frank dhe Béla Bartók, ato që shpalosën një program të veçantë që zgjati fiks një orë.  Ndërsa, veprat si: “Sonatë për violinë dhe piano”, “Sonata në A-dur”, “Sarasate Caprice Basque”, “Vallet rumune”, dëshmuan për një seriozitet në të luajtur e dashuri në interpretim.

Kështu krejt në fund, ishte publiku që me duartrokitje ka falënderuar dy talentet që pa ndalë kanë dhënë një performancë të shkëlqyer. Sa herë që dilnin në skenë për veprën e radhës, buzëqeshja e tyre që pika më e fortë në të cilën dallohej pasioni për violinën e pianon, dhe jo vetëm.

Për KultPlus, violinisti Dejon Bendaj ka shprehur emocionet e tij pas koncertit si dhe idenë për bashkëpunimin me pianisten e mbrëmjes.

“Sa herë që vij këtu është një kënaqësi e madhe për të luajtur. Në Prishtinë kam kujtime shumë të bukura dhe njerëzit janë mikpritës ndërsa audienca është në rritje. Programi është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë ka përfshirë dy sonata, njëra nga Çedk Zadeja dhe tjetra nga Cezar Frank, që i përket periudhës së romanticizmit. Pjesa e dytë përfshin një repertor virtuoz të violinës. Me pianisten, kemi nisur një bashkëpunim prej kohësh dhe ne merremi vesh shumë mirë. Kemi shumë lidhje të përbashkëta për muzikën të cilat ndoshta edhe ndihmojnë në ndërlidhjen tonë skenike”, ka thënë Bendaj.

Po ashtu, pianistja Kristina Petrollari Laço për KultPlus ka treguar përshtypjet e saj për këtë mbrëmje.

“Për mua në Prishtinë është një mrekulli gjithmonë që të luaj e sidomos kur prezent janë miqtë, artdashësit, publiku i dashur e shumë i ngrohtë. Mendoj që ke një koncert me sonata të rëndësishme të violinistikës dhe këtu ke një sallë shumë e dashur për ne por që kushtet nuk janë më të mirat të mundshme. Por, gjithçka shkoi mirë. Dy kompozitorët që i nderuam sonte, ishin dy shtyllat kryesore të repertorit violinistik, andaj menduam që pasi edhe përkohet me dy përvjetorët e tyre, t’i sjellim pikërisht veprat e tyre. Bashkëpunimi me Kosovën, ka qenë shumë i dashur për ne, gjithmonë”, thotë ajo.

Kujtojmë se sonte do mbahet koncerti tjetër i radhës në Sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore UP, me fillim nga ora 20:00.

Festivali i muzikës kamertale ‘Kosova KamerFest’ po mbahet nga 1 tetor dhe do zgjasë deri më 1 dhjetor ku përgjatë 11 mbrëmjeve koncertale do të shfaqet program dhe koncept i larmishëm me performim të veprave kolosale dhe kamertale të artistëve dhe ansambleve kamertale botërore dhe mbarëshqiptare.

Ky festival do të mirëpresë edhe artistë të tjerë të radhës si: Dorina Laro, Galina Koycheva, Duo Lesage, Celine Lesage, Eric Lesage, Jose Manuel Alvarez Losada, Pedro Mateo, Syzana Jakupi, Alba Muçolli, Ensemble XXI, Lygia O’Riordan dhe Pia Sirala. / KultPlus.com

Vesa Dume, Elsa Gashi dhe Eda Vllaço, treshja që dhuroi një mbrëmje të paharrueshme në “Kosova KamerFest” 

“Kosova KamerFest”, festivali i muzikës kamertale ka filluar tashmë rrugëtimin e tij të suksesshëm drejt edicionit të 21-të, pas dy viteve pauzë. “New spirits, voices & hopes” ka qenë emërtimi i koncertit të djeshëm që ka shënuar mrekullueshëm koncertin e tretë me radhë. Talentet e reja si violinistja Vesa Dume, pianistja Elsa Gashi dhe pianistja Eda Vllaço kanë sjell një program tejet të bukur e të njohur për publikun artdashës, shkruan KultPlus. 

Salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës mbrëmë ka mirëpritur një numër të konsiderueshëm të publikut. Ndërkaq, në skenë qe instrumenti i pianos bardh e zi, ai që ia ka shtuar hijeshinë kësaj nate. Perdet e zeza në prapavijë dhe ndriçimi i nevojshëm në sallë, kanë qenë elemente shtesë që këtë natë e kanë bërë më të ngrohtë për syrin e publikut.  

Fillimisht, ishte Sihana Badivuku, drejtoreshë artistike e festivalit, e cila hapi mbrëmjen me një fjalë rasti. 

“Ky është koncerti i tretë me radhë dhe sonte kemi rastin e nderin e veçantë që të kemi tri talente të rralla, që janë finaliste të garave ‘ArsKosova 2022’. Koncertin do ta hap fituesja e të gjitha çmimeve, Vesa Dume, pra është fituese e çmimit ‘Grand Prix ArsKosova’ që është çmimi më i madh i këtij kompeticioni. Ajo njëkohësisht është fituese e shumë çmimeve tjera në rajon dhe Evropë. Ndërsa, pjesa e dytë e koncertit na sjell fitueset e tjera si Elsa Gashi që ka fituar çmimin ‘Ensemble XXI-Lygia O’Riordan’ dhe pianistja Eda Vllaço që ka fituar çmimin ‘Akil Koci’”, ka thënë Badivuku. 

Sipas saj, të gjithë të pranishmit do t’i shohin këto talente të reja dhe artiste të rralla në instrumentet e tyre. Dhe me të vërtetë që kjo ndodhi. Vesa Dume para violinës, Elsa Gashi dhe Eda Vllaço para pianos, kanë shprehur një talent që tregon shumë për të ardhmen e tyre, pra një e ardhme pa mëdyshje drejt suksesit.  

Violinistja Vesa Dume, qe ajo që hapi mbrëmjen fiks në orën 20:12 me një program që zgjati pothuajse tridhjetë minuta. Ishin veprat e kompozitorëve si: Fritz Kreisler, Niccolo Paganini, Frederic Chopin dhe Felix Mendelssohn, që kanë lënë një gjurmë të madhe në këtë mbrëmje. Dhuntia e violinistes Dume, ka dalë përtej përsosmërisë dhe ka arrirë që veprat “Sicilienne & Rigaudon”, “Kapriqo”, “Nocturno No.20” dhe “Koncert në e-mol, koha 3”,  t’i sjellë në mënyrë të mahnitshme.  

E shoqëruar në piano por e vetme në luajtjen e violinës, ajo në skenë ka dëshmuar për një pasion të dukshëm për muzikën klasike. Koka e saj ishte në harmoni të saktë me lëvizjet e duarve e gishtërinjve, ndërsa buzëqeshjet që pasonin pas çdo vepre, ishin sinjalizues për një përfundim me sukses të secilës vepër.  

Në anën tjetër, dy pianistet e radhës, Elsa Gashi dhe Eda Vllaço, thjesht të lënë pa fjalë. Instrumenti bardh e zi, para tyre u shndërrua në një dhuratë të cilën mezi prisnin ta hapnin. Meloditë e pastra, pushtuan hapësirën krejt lehtazi. Ishin veprat si: “Sonata e hënës, op.27, no.2”, “Adagio sostenuto”, “Allegretto”, “Presto agitato” të kompozitorit L.V.Beethoven, si dhe “Toccata” nga Feim Ibrahimi, ato që erdhën nën mjeshtërinë e pianistes Elsa Gashi. Ndërsa, “Scherzo no.2” nga F.Chopin dhe “Elegie, op.3, no.1” nga S.Rachmaninoff u performuan në mënyrë të jashtëzakonshme nga pianistja Eda Vllaço.  

Kështu krejt në fund, ishte publiku që me duartrokitje ka falënderuar këto tri talente të reja që posedonin një talent të rrallë që shumë lehtë vërehej edhe në sytë e tyre, sa herë që ato preknin skenën dhe shfaqnin dashurinë nëpërmjet instrumenteve. 

Kujtojmë se sonte do mbahet koncert për fëmijët me autizëm, me titull “Fëmijët për fëmijë – për njëri-tjetrin”, në Sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore UP, me fillim nga ora 18:00. 

Festivali i muzikës kamertale ‘Kosova KamerFest’ po mbahet nga 1 tetor dhe do zgjasë deri më 1 dhjetor ku përgjatë 11 mbrëmjeve koncertale do të shfaqet program dhe koncept i larmishëm me performim të veprave kolosale dhe kamertale të artistëve dhe ansambleve kamertale botërore dhe mbarëshqiptare. 

Ky festival do të mirëpresë edhe artistë të tjerë të radhës si: Dejon Bendaj, Kristina Laqo, Dorina Laro, Galina Koycheva, Duo Lesage, Celine Lesage, Eric Lesage, Jose Manuel Alvarez Losada, Pedro Mateo, Syzana Jakupi, Alba Muçolli, Ensemble XXI, Lygia O’Riordan dhe Pia Sirala. / KultPlus.com 

Ishte mik dhe shtyllë e festivalit, koncerti i dytë i ‘Kosova KamerFest’ i dedikohet pianistit Derek Han

Flonja Haxhaj

Kryeveprat e ikonave të muzikës botërore, Ludvig Van Beethoven dhe Ernst von Dohnanyi, zbritën mbrëmë në Prishtinë nën interpretimin e pashoq të Sihana Badivukut në violinë, Blerim Grubit në violë dhe Aristidh Prosit në violonçel, në mbrëmjen e dytë koncertale të festivalit ‘Kosova KamerFest’, përcjell KultPlus

Mbrëmja e dytë koncertale e edicionit të XXI-të të këtij festivali iu kushtua e gjitha pianistit amerikan, Derek Han, i cili ishte mik dhe shtyllë e këtij festivali që nga themelimi i tij në vitin 2001.

Ishin tingujt e instrumenteve harkore ato që lanë pa fjalë për një orë publikun që kishin mbushur plot sallën e Modelariumit në fakultetin e Arkitekturës në Prishtinë, sallë kjo ndonëse e improvizuar, në këtë koncert ishte e përshtatshme në paraqitjen e akustikës së duhur për veshin e dëgjuesve.

Në mbrëmjen kushtuar kolegut dhe mikut të saj, pas performancës foli për KultPlus violinistja dhe drejtoresha artistike e festivalit, Sihana Badivuku e cila mes emocionesh thotë se ky koncert për ‘Trio harkor Kosova’ ka qenë tejet i veçantë dhe me shumë përgjegjësi.

“Kjo mbrëmje për mua si violiniste, artiste dhe si drejtoreshë artistike e festivalit, por edhe e kolegëve të mi, ka qenë shumë e veçantë sepse kemi pasë shumë përgjegjësi sepse ia kemi kushtuar pianistit Derek Han i cili ndërroi jetë vitin e kaluar e ai ka qenë shtyllë e këtij festivali prej vitit 2001”, tha Badivuku e cila shtoi se Han ka qenë një mysafir i përhershëm i festivalit ku kanë luajtur në formacione të ndryshme.

Ndonëse ‘Kosova KamerFest’ u rikthye pas dy viteve mes shumë vështirësive sidomos për shkak të mungesës së sponzorëve, Badivuku thotë se ky edicion ka filluar me këmbë të mbarë për shkak të pjesëmarrjes së artistëve të mirënjohur.

“Koncerti i parë ishte shumë impresiv me violinistin shqiptar me famë botërore Klaidi Sahatçi dhe në piano Merita Rexha Tërshana e cila është zëvendës-dekane në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ajo ka qenë edhe më herët në ‘Kosova KamerFest’ kurse Klaidi për herë të parë.Çka është ajo e veçanta prej vitit 2017 është se është zgjeruar ‘Kosova KamerFest’ më degët e festivaleve të ngjajshme në ‘Skupi KamerFest’ dhe ‘Albanian KamerFest’.”, u shpreh ndër të tjerat drejtoresha artistike e festivalit, Sihana Badivuku.

Pas interpretimit të pashoq në mbrëmjen e dytë koncertale, për KultPlus foli edhe violisti Blerim Grubi i cili është njëherësh edhe themelues i këtij festivali.

“Këtë festival e kemi themeluar në vitin 2000, dhe kemi pasur një rrugëtim 21-vjeçar së bashku ku kemi bërë shumë koncerte me shumë artistë botërorë. Shumë ngjarje kulturore kanë kaluar nëpërmjet këtij festival, mundet të shënohet një histori kulutore artistike nëpërmjet këtij festivali sepse nga fillimi kemi pasur emra të njohur botërorë dhe tash në fund pas dy viteve po e rifillojmë, po e rivazhdojmë aty ku kemi mbetur.”, tha Grubi për KultPlus.

Grubi tha se ‘Trio Harkor Kosova’ u kthye sërish në Prishtinë pas shumë performancave në Evropë dhe në festivale të ndryshme evropiane.

“Kishim dëshirë të shprehim një ngushëllim dhe një mirënjohje artistit dhe mikut tonë Derek Han i cili ka pasë një ndjesi shumë të madhe ndaj neve shqiptarëve sidomos artit, kulturës dhe ka bërë gjithçka që të ecë përpara muzika dhe arti duke na përkrahur, ai ka bërë çmos me mënyrat e tij që të bëjmë hapa që ne të shkojmë përpara si shoqëri artistike.”, u shpreh Grubi duke folur për tematikën e këtij koncerti.

I pranishëm në mbrëmjen ku jehoi muzika e dy kompozitorëve që lanë gjurmë në historinë botërore artistike ishte edhe gazetari i kulturës në ‘Rilindje’ i cili e cilëson veçanërisht këtë festival si një bazament të jashtëzakonshëm për muzikën dhe artin në Kosovë.

“Nga i gjithë ai spektër i prezantimeve që deri tashmë janë bërë në Prishtinë, festivali ‘Kosova KamerFest’ ka arritur të sjellë emra më me renome të muzikës kamertale dhe jo vetëm, solistë dhe interpretues të të gjitha fushave artistike dhe ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme në jetën muzikore në Kosovë.”, deklaroi Piraj duke shtuar më tutje se përgjatë 22-viteve që nga themelimi ky festival ka lënë gjurmë në jetën artistike muzikore në Kosovë dhe tashmë edhe në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.

Tutje, Piraj foli edhe për grupin ‘Trio Harkor Kosova’ i cili rikthehet në Prishtinë pas dy viteve pauzë dhe pas një numër të madh të koncerteve në Evropë dhe nëpër festivale të ndryshme.

“Trio Harkor Kosova tashmë ka një kredibilitet të jashtëzakonshëm të prezantimit të vlerave artistike sepse me vite performojnë së bashku, jo vetëm këtu në Prishtinë por edhe më gjerë, krijuar një moment të bukur, një mbrëmje që u pëlqye shumë për faktin sepse, edhe në aspektit stilistik por edhe në aspektin e veprave që prezantuan, krijuan një imazh të bukur dhe vlera që tashmë janë të dëgjuara por që u sollën edhe një herë në skenën e Prishtinës.”, shtoi për fund Piraj.

Ju kujtojmë që publiku do të ketë mundësi të shijojë magjinë e veprave kamertale në ‘Kosova KamerFest’ nga 1 tetor deri më 1 dhjetor 2022 në 11 mbrëmje koncertale.

Përveç koncertit të djeshëm të dedikuar pianistit Han, ky festival e ka emërtimin e çdo koncert me simbol ose të përvjetoreve të kompozitorëve siç janë Cesar Frank dhe Çesk Zadeja, dedikuar fëmijëve me autitëzm etj.

‘Kosova KamerFest’  do të mirpresë edhe artistë të tjerë si: String Trio Kosova, Sihana Badivuku, Blerim Grubi, Aristidh Prosi, ArsKosova Competition 2022 laureats, Vesa Dume, Eda Vlaqo, Elsa Gashi, Dejon Bendaj, Kristina Laqo, Dorina Laro, Galina Koycheva, Duo Lesage, Celine Lesage, Eric Lesage, Jose Manuel Alvarez Losada, Pedro Mateo, Syzana Jakupi, Alba Muçolli, Ensemble XXI, Lygia O’Riordan dhe Pia Sirala./ KultPlus.com

Formacioni artistik i udhëhequr nga Eric Courreges bëri që KamerFest mbrëmë të flasë me emocion

Qendrim Badalli

Mbrëmjet me shumë duartrokitje si dhe publik relativisht të madh janë bërë pjesë e përditshmërisë së KamerFestit 2019 në Kosovë. Veçantia e djeshme ishte një projektor i madh i  vendosur në skenë, ku po falënderoheshin sponsorët e këtij festivali, ndër të cilët është edhe KultPlus.com.

Sihana Badivuku, Eric Courreges, Venera Mehmetagaj-Kajtazi, Klevis Gjergji, si dhe Blerim Grubi ishin pjesë e formacionit të djeshëm artistik të cilët për rreth dy orë i dhanë publikut një atmosferë të mrekullueshme muzikore. Pjesët artistike të Johan Hummel, Ludwig van Beethoven, Claude Debussy, ishin tri nga disa pjesët që u interpretuan nga instrumentistët në fjalë.

Violonçelistii, Anton Gashi, e quajti mbrëmje të këndshme, mbrëmjen e djeshme.

“Ishte një mbrëmje e këndshme dhe siç e thash edhe më parë trio i Hummeli-it ishte shumë i mirë për ta dëgjuar”.

Ai vlerësoi edhe violonçelistin francez, Eric Courreges, për të cilin tha se i njëjti është solid dhe i mirë.

“Instrumentist i mirë, po shihet që ka edhe eksperiencë të madhe në muzikën kamertale. Unë e lexova biografinë, ishte pjesë edhe e disa orkestrave franceze, pra një çellsitë solid dhe i mirë”.

“Për mua sonte ishte kënaqësi që bëmë këtë koncert, këtë repertor para publikut”, tha pianisti, Klevis Gjergji, i cili kishte lënë Shqipërinë sonte që të ju bashkohej trupës muzikore në KamerFest 2019.

Ai tha se pavarësisht se nuk kishin shumë kohë për përgatitje, ata ishin kuptuar shumë shpejtë dhe shumë mirë për performancën e tyre të djeshme.

“Në fakt, koha për përgatitje është gjithmonë shumë e shkurtë kur bëhet fjalë për këso bashkëpunimesh sepse të gjithë janë me aktivitete. Në këtë rast kishim edhe më pak kohë, kishim mbrëmë edhe sot, por jemi kuptuar shumë mirë. Kemi pasur të njëjtat ide muzikore”.

Violonçelistit francez, Eric Courreges, i kishte lënë përshtypje mosha e re në publik teksa ishte i kënaqur edhe me kolegët e tij artistikë gjatë performancës së tyre të përbashkët.

“Ajo çfarë më ka pëlqyer këtu dhe që e vërejta që në fillim ishte publiku i ri meqë në Francë kemi një publik më të moshuar. Jam i kënaqur po ashtu edhe me bashkëpunimin me artistët dhe me shoqërimin e tyre”.

Mbrëmja përfundoi me një numër të madh të pranishmëve të cilët iu afruan skenës në pritje për fotografi me formacionin e djeshëm. Mysafirët po shkëmbenin përshtypjet e tyre për një mbrëmje plotë emocion që dhuroi KamerFesti mbrëmë.

KamerFest do të vazhdojë edhe netëve tjera me aktivitetet e tyre artistike të dhëna në Kosovë, Shqipëri dhe së fundmi edhe në Maqedoninë Veriore, duke krijuar kështu një strukturë interesante artistike nëpër trevat shqiptare gjithandej.  / KultPlus.com

Veprat e Schubert dhe Mendelssohn, sollën emocione dhe profesionalizëm mbrëmë në KamerFest

Qendrim Badalli

Amfiteatri i Bibliotekës Kombëtare ishte destinacioni i radhës i KamerFestit 2019, aty ku trupa e përbërë nga Derek Han, Sihana Badivuku, Blerim Grubi, Aristidh Prosi dhe Arben Ahmeti, dhuruan një paraqitje shumë të mirë para një publiku relativisht të madh që kishte ardhur në sallë, shkruan KultPlus.

Veprat e Franz Schubert si dhe të Felix Mendelssohn, qenë ushqimi për gjigandët në skenë të cilët me plotë emocione dhe profesionalitet të vlerësuar më pas nga kritikë të kësaj fushe, mbajtën vëmendjen e publikut.

Pianisti, Derek Han, tha se në këtë përvjetor të Kamerfestit është shumë i lumtur t’i shoh gjithë këto ndryshime që kanë ndodhur në Kosovë që nga viti 1999.

“Kësaj radhe eksperienca ime është shume speciale sepse është 20 vjetori i Kamerfestit dhe unë isha para 20 viteve këtu dhe tashmë unë po shoh shumë ndryshime të mëdha në vend dhe është një ndjenjë e mrekullueshme të shohësh sa shumë ndryshime janë bërë”.

Ai ishte i kënaqur edhe me shkollën e muzikës, për të cilën tha se po avanconte shumë çdo vit e më shumë.

“Me masterklasat që unë i mbajë është me të vërtetë interesante. Çdo herë që unë vij këtu niveli është lartë e më lartë dhe të shohësh sa shumë punë është bërë në shkollat e muzikës dhe përgjithësisht në sferën e kulturës është me të vërtetë e mrekullueshme”.

Për atmosferën në Prishtinë folëm shkurt, atij po i vinte mirë që kishte pjesëmarrje masive në zgjedhje.

“Ishte shumë mirë që të shoh sa shumë njerëz po participonin në procesin zgjedhor, kishte një atmosferë shumë të mirë”.

Blerim Grubi, i cili luajti në viole, tha se është i kënaqur për rezultatet e arritura nga kjo trup.

“Për këto ditë sa kemi punuar bashkë, jemi shumë të kënaqur me rezultatet që kemi arritur, ne kemi pasur këto ditë Festivalin Kamerfest edhe në Shkup dhe Shqipëri, ne duhet të mendojmë që në këto tre shtete t’i kemi koncertet e njëjta”.

Ai, tutje tregoi sesi pavarësisht se po e përsërit kërkesën për një infrastrukturë më të mirë kulturore, zëri i tij ka mbetur i padëgjuar tash e njëzet vite.

“Qysh në vitin e parë në 1999, kur e kemi themeluar Kamerfest bashkë më Sihanën, prej atëherë e deri më sot gjithmonë po e përmendim një sallë më të mirë, një infrastrukturë që na mungon edhe si publik edhe neve si instrumentist”.

Besa Luzha, profesoreshë në Fakultetin e Arteve, duke vlerësuar mbrëmjen tha se ishte mundësi unike që të dëgjohen dy vepra kaq të mëdha në një mbrëmje të vetme.

“Më vjen keq që Kamerfesti ka qëlluar pikërisht në kohë të zgjedhjeve dhe nuk ka pasur shumë jehon. Mendoj se publiku e ka humbur një mbrëmje shumë të bukur sepse është shumë e rrallë t’i dëgjosh dy vepra kaq të mëdha në një mbrëmje”.

Sihana Badivuku, organizatorja e Kamerfestit, tha se është nder të punohet me pianistin Derek Han.

“Është nder i veçantë të punohet me një pianist koncertal siç është Derek Han, i cili ka një eksperiencë rreth 30 vjeçare, dhe këto vepra ai i ka të njohura mirë”.

Duke folur për zgjerimin e Kamerfestit edhe në Shqipëri e Maqedoninë Veriore, Badivuku, ka thënë se ky zgjerim që ngjason me një bashkim kombëtar në nivel kulture, nuk po ngjanë sot, por ka ngjarë para njëzet viteve.

“Ne e kemi bërë bashkimin e trojeve shqiptare para njëzet vjetëve, në kulturë dhe në muzikë”.

Festivali Kamerfest do të vazhdojë edhe netëve në vijmë, tashmë i zgjeruar edhe në Maqedoninë Veriore dhe në Shqipëri, duke krijuar një rrjetëzim kulturor shqiptar por njëkohësisht duke e ruajtur edhe elementin e hapjes meqë pjesë e këtij edicioni kanë qenë dhe janë emra eminent të fushës së artit dhe muzikës në nivele ndërkombëtare. / KultPlus.com




Sihana Badivuku me koncert në Itali

Violinistja Sihana Badivuku së shpejti do të paraqitet me një koncert të radhës në Ragusa të Italisë, shkruan KultPlus.

Koncerti i cili mbahet më 24 mars do ta sjellë Sihana Badivukun në skenë me pianisten me të cilën ajo bashkëpunon plotë 25 vite Maja Kastraroviç.

Veprat që do të performohen përmes violinës dhe pianos janë: Dietrich-Brahms-Schumann:F.A.E sonata, Manuel de Falla:Suite after “Siete canciones populares españolas”arranged by Kochansky, Manuel de Falla: Spanish dance from “La vida e breve” arranged by Kreisler, Sarasate:Malagena, Sarasate:Caprice Basque dhe Ravel:Rhapsody”Tzigane”./ KultPlus.com

Sihana Badivuku do të prezantohet në “Rassegna Internazionale di Musica da Camera” në Milano të Italisë

Violinistja shqiptare Sihana Badivuku është pjesë e edicionit të trembëdhjetë të “Rassegna Internazionale di Musica da Camera” që mbahet në Milano të Italisë, shkruan KultPlus.

Duke pas një shtrirje të prezantimeve prej tetorit të vitit të shkuar e që do të mbyllet në gusht të këtij viti, violinistja shqiptare do të prezantohet në muajin shkurt.

KultPlus mëson se Sihana Badivuku do të prezantohet më 16 shkurt, ku do të prezantohet edhe orekstra e Milanos./KultPlus.com

Në kujtim të baballarëve, me një përjetim të veçantë muzikor në KamerFest

“Në kujtim të baballarëve tanë” u titullua koncerti i tetë i KamerFest Kosova ndërsa me mjaft emocion e përkushtim erdhi përmes violinistes nga Kosova, Sihana Badivuku dhe pianistit nga SHBA, Derek Han, shkruan KultPlus.

Një homazh për Hysen Badivukun dhe Lit Sien Han, u përmblodh me një koncert prej tri sonatave të kompozitorëve Schubertë, Bethovenit dhe Griegut. Një reflektim muzikor për një lidhje të veçantë shpirtërore, vije përmes një programi të pasur muzikor kur Sihana Badivuku e Derek Han zënë vendet e tyre në skenë. Sihana Badivuku vendosur në mes të saj, me lëvizjen e harkut të violinës dukej si me një shpejtësi sillte tinguj të pasur përmes saj. Ajo lëvizte herë një hap prapa, e herë para duke i përcjellë në përpikëshmëri notat e partiturës.

Sihana Badivuku e cila njëherësh është edhe drejtoreshë artistike e këtij festivali, tregoi për KultPlus, që gjatë interpretimit erdhi më një përgjegjësi e të madhe ndaj publikut dhe kompozitorëve.
“Ishte përgjegjësi e madhe të performoje pranë këtij publiku dhe ta kryesh obligimin ndaj kompozitorëve veçmas dalja në skenë si një artiste/soliste pas të gjitha atyre organizimeve si drejtoreshë artistike” u shpreh Badivuku.

Biografia e saj ka një pikënisje që e lidh tërë veprimtarinë e saj me babanë duke qenë se mësimet e para i kishin nisur së bashku. Ndërsa mbrëmë ajo dukej që përmes këtij dedikimi, i falte dhe një shpërblim atij, të cilin e quan meritor të punës së saj. Ndjeshmëria që ajo e përktheu në interpretimin e veprave, e solli po ashtu edhe me fuqishëm përmes syve të mbushur me lot, teksa flet për KultPlus.

“Krejt këto çfarë i dëgjuat sot janë meritë e tij, është puna dhe angazhimi i tij që ka hulumtuar në atë kohë profesorët më eminent në ish- Jugosllavi, profesorët rus dhe ka paguar nga gjepi i tij për këto orë private për ngritur një violiniste të re në një violiniste të zhvilluar’, tha Sihana për KultPlus.

Derek Han,i cili po ashtu këtë vit kishte përjetuar të njëjtën humbje, këtë dedikim muzikor e reflektonte me një dedikim shpirtëror derisa lëvizte duart herë në njërin skaj, e herë në tjetrin, e që e përcillte me lëvizje të këmbeve një harmoni me tingujt që shpërndante. Për Derek Han,interpretimi i mbrëmshëm ishte një rrjedhë e natyrshme e tingujve, ndërsa vepra ishte më shumë se një dedikim, ishte një lutje për baballarët që nuk jetonin më.

“Është e jashtëzakonshme të luash më Sihanën, në muzikën e saj u demonstrua jo vetëm si një person i cili punon shumë , ajo është edhe një shembull shumë i mirë jo vetëm për këtë vend por për tërë botën muzikore. Ishte sugjerimi i saj që të luajmë në nderim të baballarëve tanë. Në veprën e fundit vërehej veçmas dedikimi i Sihanës që po luante për babanë e saj, por njëjtë edhe për mua vepra e fundit ishte si një lutje për baballarët tanë”

Të mrekullueshëm dhe emocional e cilësoj këtë program edhe profesoresha Besa Luzha, e cila për KultPlus tha se këto kryevepra të dy instrumentistet i sollën më mjaft mjeshtëri.

“Sihana këndon me violinën e saj, sonte koncerti ishte me një përkushtim të mahnitshëm duke qenë se ishte dedikim ndaj baballarëve të tyre që ishte mjaft emocionuese. Edhe vepra e parë dhe e dytë janë kryevepra të cilat mjeshtërit si Sihana dhe Dereku e luajtën jashtëzakonisht bukur edhe sonata e Greigut ishte tamam një këngë për piano dhe violinë”, u shpreh Luzha për KultPlus.

Festivali KamerFest Kosova do të vazhdoi të hënën nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ku do të sjellë koncertin e nëntë me radhë “Vetëm Harkorë” me instrumentist nga Kosova, Greqia, Maqedonia dhe SHBA-ja. G.H./ KultPlus.

Një brez i ri i orkestrës solli ndjeshmëri artistike në koncertin e gjashtë të KamerFest

Kosova KamerFest – International Chamber Music Festival solli mbrëmë koncertin e gjashtë nën interpretimin e Orkestrës Harkore të Festivalit Kamerfest, në përcjellje të pianistit francez Bertrand Giraud dhe pianistit shqiptar, Klevis Gjergji, shkruan KultPlus.

Ky koncert nisi momentin kur Sihana Badivuku drejtoi hapat e saj në mes të Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë, duke sjellur pas vetes kryesisht një brez të ri artistesh nga Orkestra Harkore e këtij festivali. Kur ata filluan të zënë vend pas dy pianove, skenës iu bashkëngjiten edhe pianisti Bertrand Giraud dhe Klevis Gjergji. Kështu së bashku me një përzierje instrumentesh e melodish, filloi një natë e magjishme muzikore që sollën veprat e Poulenc dhe Britten.

Bertrand Giraud, në njërën piano derisa me mjeshtëri puqiste tastet e saj, herë-herë edhe kryqëzonte lëvizjet e duarve në të, derisa dukej sikur sillte një kërcim të lehtë kur tërhiqte gishtërinjtë së bashku me Klevis Gjergjin në pianon tjetër, ku për disa sekonda tingujt e tyre mbizotëruan sallën, duke u shoqëruar pastaj me një kordinim me Orkestren Harkore.

Bertrand Giraud, i cili nuk po vine në këtë sallë dhe Kosovë për herë të parë, tregoi për interpretimin e tij mbrëmë, ku tha se ky koncert po i ofron atij shumë kënaqësi dhe mundësi të njoh artistë të ndryshëm.
“Sihana Buduvuku është ajo që kujdeset më shumë për përzgjedhjen e veprave, ishte hera e parë me veprat e Polencit sonte, dhe po ashtu edhe me të Schubertit mbrëmë, mirëpo sonte interpretimi me orkestrën ishte më i vështirë dhe më stresuese, sepse veprat ishin më virtuoze edhe unë së bashku me publikun sonte ndjeva shumë kënaqësi”, u shpreh Bertrand Giraud për KultPlus.

Në pjesën e dytë të koncertit e gjithë vëmendja u zhvendos tek Orkestra Harkore, e cila solli me një ndjeshmëri të lartë muzikore veprat e Brittenit. Sihana Badivuku, e cila pos interpretimit të shkëlqyer në violinë, në të njëjtën kohë dirigjonte orkestrën me shikim. Së bashku me zëvendëskoncert mjeshtrin Visar Kuci, prapa tyre ishin reshtur edhe njëmbëdhjetë violinistë, kurse përballë saj katër instrumentist të violës dhe katër të violoncellos dhe matanë tyre ndodheshin dy artistë në kontrabas.
Në momentin kur ambienti u mbush nga tinguj të thellë, e publiku dukej se kishte mbetur pa frymë, një zë tjetër i papritur i shtohej këtij interpretimi. Një zë i maces që nuk dihej se nga vinte, bëri audiencën të kërkonte me sy burimin e tingullit të saj, duke u dhënë pas buzëqeshjeve. Mirëpo, Orkestra e tejkaloi me një buzëqeshje shumë të lehtë këtë zë, duke arritur që për të disatën herë në mënyrë shumë të natyrshme ta kthej vëmendjen e publikut drejt vetes.

Sihana Badivuku, drejtoreshë artistike e këtij festivali tregoi për KultPlus se raste të tilla përsëriten shumë shpesh, e që lidhen me problemet e infrastrukturës dhe mungesën e një salle koncertale ndërsa u shpreh shumë e lumtur që sonte sollën një energji të re nga Orkestra Harkore e Festivalit KamerFest.

“Unë jam shumë e lumtur që sot erdhi një energji e re e vajzave dhe djelmoshave që më të vërtetë janë gjenerata të reja të harkorve nga Universiteti i Prishtinës dhe Universitetit të Tetovës. Ishte kënaqësi shumë e madhe të kesh këta solistë të rinj dhe këto janë vepra premierë, që sonte janë ekzekutuar për herë të parë jo vetëm për KamerFest por edhe për gjithë Kosovën. Për kaq kohë të shkurtër jemi munduar ta japim maksimumin dhe sonte jemi të lumtur që publiku e shijoi këtë kënaqësi”, tregoi Badivuku për KultPlus.

Të premten festivali KamerFest Kosova do të sjellë koncertin e shtatë në hapësirat e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare. Duke filluar nga ora 20:00 do të interpretojnë pianisti nga SHBA-ja, Derek Han, Sihana Badivuku në violinë 1 dhe Rron Bakalli në violinë 2, Blerim Grubi në violë dhe Frank S.Dodge në violoncello. /KultPlus.com

Dy vepra të vështira dhe një frymë e re muzikore erdhën mbrëmë në Kosova Kamerfest

Sihana Badivuku, drejtoreshë e festivalit, tregon se me këtë edicion të 18-të fokusi po kthehet kah rinia dhe instrumentistët e rinj, pasi po mbushen gati dy dekada të festivalit dhe tanimë tek publiku është krijuar një edukatë për muzikën klasike.

Arbër Selmani

Vetëm dy dekada jetë, Andi Duraku secilës garë i vërsulet për fitore. Pianisti nga Gjakova, i lindur në vitin 1997, e ka tanimë një mini-biografi në të cilën figurojnë disa çmime të para, pjesëmarrje në Berlin e në Francë e në Itali, masterklase me emra të njohur të muzikës e instrumenteve klasike.

Andi Duraku mbrëmë për disa minuta qëndroi në piano i përcjellë nga instrumentistët tjerë në koncertin që sjellë frymën e re të instrumentistëve kosovarë, në kuadër të Festivalit të Muzikës Kamertale Kosova KamerFest.

Duraku e nisi këtë koncert të mbrëmshëm shoqëruar nga Sihana Badivuku, Mrika Hocha, Festim Haxhikadria, Dijana Osaj, Pleurat Doli, Festim Fanaj, Rron Bakalli, Vlora Citaku, Fortesa Fejza, Blerim Grubi, Driton Gaxha, Brikena Berisha, Antonio Gashi, Fraim Gashi dhe Miltiades Cassaras. Koncerti i Bahut erdhi në formën e tij më të mirë në pjesën e parë të koncertit, të mbajtur në sallën e re muzikore të Bibliotekës Universitare në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Duraku, fitues i “Pianisti i Ri” dhe “ArsKosova 2017” tregon se ndihet i privilegjuar dhe i kënaqur që pati mundësinë të performojë me një formacion të tillë, para një numri njerëzish të cilët mbushën sallën dhe madje pritën në këmbë për të ndjekur koncertin gati dy orësh.

“Unë e interpretova koncertin numër 1 të Bahut, dhe është e vështirë pasi është ndër ato koncerte të rralla ku nuk ka pushime dhe vepra vetëm ecën e ecën si motor. Unë e kam nisur punën për këtë koncert para dy muajsh por gjithçka ishte e lehtë pasi interpretova krahas emrave që janë niveli më i lartë i instrumentistëve që ka vendi ynë” tregon Duraku pas koncertit dhe duartrokitjeve që morri nga publiku.

Profesoresha Besa Luzha, një prej organizatoreve të Kamerfestit në edicionin e tij të parë para 18-të vitesh, tregon se koncerti erdhi i fuqishëm.

“Festivalet e tilla kamertale e kanë këtë qëllim, të tregojnë muzikimin e përbashkët pasi këta artistë takohen për një kohë të shkurtër para koncertit dhe e sfidojnë veten më pas për tu bashkuar në instrumente. Të dy veprat janë të vështira, sikur koncerti në d-mol i Bahut por edhe vepra e Tchaikovskyt, por mendoj se erdhën fuqishëm, si një përzierje e atmsoferës së shkollës ruse por edhe pak emocion italian shkaku i veprës së dytë” tregon Luzha.

Pjesa e dytë e koncertit solli të përthekuar në katër kohë Tchaivkosvkyn, kësaj radhe për sekstet dhe me gjashtë instrumentistë që përcollën mrekullueshëm emocionin duke mos lënë njëri tjetrin prapa në bashkimin e tyre muzikor. Sihana Badivuku e Festim Fanaj në violinë, Blerim Grubi e Driton Gaxha në violë dhe Antonio Gashi e Miltiades Cassaras në violoncello nuk e patën të lehtë të zënë ritmin e shpejtësisë që kërkon një produkt i shkollës ruse, sikur “Souvenir de Florence” nga Tchaikovsky.

Sihana Badivuku, drejtoreshë e festivalit, tregon se me këtë edicion të 18-të fokusi po kthehet kah rinia dhe instrumentistët e rinj, pasi po mbushen gati dy dekada të festivalit dhe tanimë tek publiku është krijuar një edukatë për muzikën klasike.

“Në fakt ne po i përgatisim gjeneratat e reja, sepse janë pjekur kushtet dhe kanë ardhur kuadrot e reja muzikore, njëjtë sikur Andi Duraku i cili sonte ishte i magjishëm por edhe na përfaqësoi denjësisht në Filarmoninë e Berlinit” tregon Sihana për KultPlus.

“Është megjithatë mëkat që festivalet e tilla po përkrahen në mënyrë modeste edhe sot, sepse unë ende i qëndroj parimit të edicionit të parë, se Kosovës duhet t`i vie era Evropë, dhe po punojmë në atë aspekt me të gjithë ekipin por edhe artistët e ftuar në festival” tregon Badivuku.

Festivali Kamerfest do të vazhdojë sonte, me 19 tetor, në ora 20:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare me lojën e Frano Lufit dhe Klevis Gjergjit nga Shqipëria, për të sjellë veprat e Verdit, Schubertit, Mozartit por edhe këngët e ndryshme popullore shqiptare. / KultPlus.com

Nesër mbahet koncerti që i paraprinë KamerFest-it

Kosova KamerFest, sivjet nis edicionin e 18-të të tij, shkruan KultPlus. Ky festival i cili përgjatë këtyre edicioneve ka sjellë emra të ndryshëm të muzikës klasike, këtë vit nis me një koncert që i paraprinë hapjes së festivalit.

Pre-KamerFest koncert mbahet nesër të martën e 10 tetorit, në Amfiteatrin e Bibliotekës së re të UP-ës me fillim nga ora 20:00.

Ky koncert sjellë sopranon Silvia di Falco dhe pianisten Diana Nocchiero. Në program do të ketë arie botërore siç janë “Donde lieta” nga opera “La Boheme” e Giacome Puccinit. Arie të tjera nga ky kompozitor do të jenë edhe ato nga operat e mirënjohura si “Madame Butterfly” e “Gianni Schicchi”./ KultPlus.com