Elbenita Kajtazi merr iniciativën e përkthimit në shqip të historive të operave të huaja

Sopranoja e mirënjohur, Elbenita Kajtazi ka marrë një iniciativë të re, e cila do të jetë pasurim kulturor për zhanrin e operës, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një video të publikuar në kanalin ‘YouTube’ sopranoja e cila vepron qe 7 vite në Gjermani ka dhënë detaje për iniciativën e saj më të re me emër “Opera në gjuhën shqipe”.

Nëpërmjet hapjes së një llogarie me këtë emër në këtë rrjet social, ajo ka vendosur të ndaj në gjuhën shqipe historinë e çdo roli që ajo deri më tani e ka jetësuar.

“Më ka ardhur një ide që historitë dhe shpjegimet e të gjitha roleve të cilat i këndoj, i performoj, i mësoj dhe studioj t’i ndaj me juve”, shprehet përgjatë videos Elbenita Kajtazi.

Iniciatorja e kanalit “Opera në gjuhën shqipe”, tutje ka rrëfyer se si kjo ka ardhur edhe për studentët e muzikës në kuadër të Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë shumë pak material rreth historive të operës në gjuhën tonë.

“Unë kam studiuar në Prishtinë dhe e di se sa mungesë ka për përkthime të gjuhës shqipe të operave që janë jashtëzakonisht me rëndësi për të gjithë studentët e muzikës, e sidomos ata që studiojnë solo-këndimin”, ka thënë Kajtazi.

Elbenita ka theksuar se parasheh të bëj publikimin në gjuhën shqipe të dy historive të operave për çdo muaj në këtë kanal të “YouTube”.

Poashtu ajo ka thënë se iniciativa e saj nuk do të mbes vetëm me këtë formë komunikimi, por do të zgjerohet edhe nëpërmjet emailit që e ka krijuar. Në këtë formë, ajo do të jetë e hapur për idetë, pyetjet dhe dëshirat e punës së përbashkët me studentë dhe artdashës.  

Videon e plotë mund ta gjeni në: https://www.youtube.com/watch?v=If7CEjao6G0&fbclid=IwAR3orYIuN1MwXa7A8PKGEZFE7nQuFpz2B0Bw8fJYBTkhipi3wm7eZQNLQXY&ab_channel=Operan%C3%ABgjuh%C3%ABnShqipe / KultPlus.com

Përkthehet edhe në shqip vepra që ka lexues të shumë gjuhëve, “Kastrioti i madh i Shqipërisë”

Përkthyesi Qerim Raqi sjell në gjuhën shqipe veprën e Stephan Zannowich-it “Kastrioti i madh i Shqipërisë” botuar në suedisht më 1787.

Përkthyesi shqiptar me banim në Suedi, Qerim Raqi, sjell në gjuhën shqipe veprën “Kastrioti i madh i Shqipërisë i mbiquajtur Skënderbeu”.

Vepra “Kastriot i madh i Shqipërisë” e Stephan Zannovich në përkthim suedisht është botuar në Stockholm në vitin 1788 nga shtëpia botuese Anders Zetteberg, pasi ishte botuar më parë në disa gjuhë europiane si gjermanisht, frëngjisht, italisht, rusisht, etj.. Emri i përkthyesit nuk dihet. Kjo vepër ishte botuar në gjuhën frënge në vitin 1779, në Paris me titullin “Le grand Castriotto d’Albanie” dhe në Frankfurt, po atë vit, nga shtëpia botuese Cmez Kesler. Në gjuhën gjermane vepra është botuar më 1784 në Vjenë. Pjesë të librit të Zanovichit janë botuar në gjuhën shqipe, pjesa e fjalës lumtumirëse të Skënderbeut para princave të arbërit dhe birit tij Gjonit, pjesë kjo që u quajt “Testamenti i Skënderbeut”.

Përkthyesi i kësaj vepre në shqip, Qerim Raqi ka studiuar në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filologjik në Prishtinë. Në Halmstad të Suedisë ka studiuar programin studimor “Kultura dhe Komunikimi”, me orientim të ngushtë Letërsinë krahasuese dhe ka botuar librin me poezi ”Gjak në mallin tim”, ”Era”./KultPlus.com