Përkujtohet shkrimtari, përkthyesi dhe studiuesi Arshi Pipa

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin, përkthyesin dhe studiuesin Arshi Pipa.

Arshi Pipa lindi më 28 korrik 1920, në qytetin e Shkodrës. Pasi kreu mësimet e mesme në liceun e vendlindjes, studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, ku u diplomua më 1942 me dizertacionin: “Morali dhe feja tek filozofi Henri Bergson”. U kthye në Shqipëri dhe deri më 1946 filloi të jepte mësim në shkollat e mesme në Tiranë dhe Durrës.

Gjatë periudhës kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nisi botimin e organit të vet “Bota e Re”, Arshi Pipa me Mitrush Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Iu kërkua të shkruante diçka për përvjetorin e vdekjes së Migjenit, shkrim që nuk u pëlqye nga njerëzit e partisë. Në 27 prill 1946 e arrestuan dhe e dënuan me dy vjet heqje lirie. U ridënua më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet heqje lirie si bashkëthemelues i grupit socialdemokrat. Vuajti në burgjet dhe kampet e internimit (Durrës, Gjirokastër, Korçë, Burrel etj.) U lirua më 26 prill 1956 dhe në 1957 u arratis bashkë me të motrën. Fillimisht u vendos në Sarajevë deri në vitin 1959 dhe më pas emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1959-n.

Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët” e botoi në vitin 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruar në letra cigaresh, në burgjet e kampet e punës së detyruar, e botoi në Romë në vitin 1959.

Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69) dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane.

Pipa ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Gjatë kohës që jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu një vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”. Shkrimet e tij të botuara në shqip, anglisht, frëngjisht dhe italisht ndahen në poezi, estetikë e filozofi si dhe kritikë letrare.

Përsa u përket studimeve dhe kritikës, disa prej tyre janë: “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare, “Fan Noli si një nga figurat komëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Humanistët italo-shqiptarë”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare” etj.

Arshi Pipa u nda nga jeta më 20 korrik 1997, në Uashington D.C./atsh/

Biblioteka Kombëtare e Kosovës hapë ekspozitë në kujtim të Robert Elsie

Albanologu i njohur Robert Elsie i cili ndërroi jetë para pak ditësh në moshën 67 vjeçare, po vazhdon të përkujtohet me vente të ndryshme si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Kësisoj me këtë rast Biblioteka Kombëtare e Kosovës ‘Pjetër Bogdani’, më 6 tetor organizon mbledhje përkujtimore dhe hapë ekspozitë në hollin e këtij institucioni për këtë figurë kaq të rëndësishme për shqiptarët, shkruan KultPlus.

Të premten më 6 tetor me fillim nga ora 11:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, do të përkujtoj albanologun Robert Elsie, me një mbledhje komemorative dhe ekspozitë./ KultPlus.com