Kryeministri Kurti përkujton Albright: Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për përkrahjen e saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar ish-sekretaren e shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright në dyvjetorin e vdekjes.

Kryeministri Kurti, ka thënë se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse ndaj saj për ndalimin e gjenocidit në Kosovë.

“Kanë kaluar dy vjet që nga vdekja e Sekretares së Shtetit të SHBA, Madeleine Albright, një avokate e vendosur për vlerat amerikane jashtë vendit. Kosova do të jetë gjithmonë jashtëzakonisht mirënjohëse për përkrahjen e saj ndaj ndërhyrjes së NATO-s, e cila ndaloi krimet e papërshkrueshme të gjenocidit”, ka shkruar Kurti në platformën X.

14 fakte nga jeta e Madeleine Albright, gruaja me origjinë hebreje që bëri historinë

Madeleine Albright ishte gruaja e parë që shërbeu si Sekretare amerikane e Shtetit.

Kujtimet e saj kryesore, ajo i përshkroi në librin e shkruar në vitin 2003 – “Zonja Sekretare”.

Ishte pothuajse e pakonceptueshme që dikush që nuk kishte përvojë politike deri në të 40-at, e për më tepër nëna e tre fëmijëve, të bëhej gruaja më e rëndësishme në historinë amerikane.

Kredencialet e saj mbresëlënëse janë: profesoreshë, ambasadore, autorja më e shitur sipas New York Times, kryetare e Institutit Kombëtar Demokratik për Çështjet Ndërkombëtare, si dhe kryesuese e Grupit Albright Stonebridge, një biznes i strategjisë globale.

Ajo njihet për thënien: “Ka një vend të posaçëm në ferr për gratë që nuk i ndihmojnë gratë e tjera”,

Por si kaloi jeta e saj nga fëmijëria deri në shtigjet e politikës, mund ta mësoni më poshtë:

“Madaleine” nuk është emri i saj origjinal

Ajo quhet Marie Jana dhe ka lindur në Pragë më 15 maj 1937, si fëmija i Anna Spieglova dhe Josef Korbel. Por emri “Marie” nuk u përdor gjatë. Anëtarët e familjes e quajtën Madla, Madlin ose Madlenka kur ishte shumë e re. Kur Albright filloi të studionte frengjishten, ajo pëlqeu versionin Madeleine. Megjithatë, Albright kurrë nuk e ndryshoi ligjërisht emrin e saj zyrtar – Marie Jana.

Familja e saj iku nga nazistët

Roli i babait të saj si ambasador i Çekosllovakisë në Beograd dhe respekti i thellë për demokracinë, vënë në dyshim sigurinë e familjes nën regjimin nazist.

Ndërsa prindërit u organizuan për të shkuar në Londër, Albright jetoi me gjyshen në Çekosllovaki. Albright dhe familja e saj u larguan për në Angli 10 ditë pasi nazistët pushtuan kryeqytetin Pragë.

U shfaq në një film për refugjatë

Kur ishte në Angli, Albright u përzgjodh për t’u shfaqur në një film për fëmijët e refugjatëve të luftës. Si formë shpërblimi, ajo morri një arush prej pellushi.

Familja kthehej në Çekosllovaki herë pas here

Albright (e cila flet rrjedhshëm gjuhën çeke) do të kthehej në Çekosllovaki shumë herë si e rritur, duke përfshirë edhe tetorin e vitit 2003, kur ajo udhëtoi atje për të nisur autobiografinë e saj.

Megjithëse familja i ishte mirënjohëse që u kthye në vendin e lindjes, ajo nuk qëndroi atje shumë gjatë.

Familja e tyre nis një jetë të re në Denver

Pasi babai i saj mbërriti në SHBA, familja jetoi në Long Island duke pritur që t’i jepej azil politik. Pasi Josef siguroi punë si mësimdhënës në Universitetin e Denverit, familja u vendos në qytetin e tyre të ri dhe Albright filloi të studionte në Kolegjin Kent Denver, ku dhe themeloi Klubin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të shkollës.

Ishte tejet e sukseshme në Kolegj

Albright studioi Shkenca Politike në Kolegjin Wellesley, dhe u diplomua me nderime të larta në vitin 1959. Në vitet para diplomimit, ajo u bë shtetase dhe u njoh me burrin e saj të ardhshëm, Joseph Medill Patterson Albright, gjatë një pune praktike në Postën e Denverit. Në librin e saj, Albright kujton se ishte traditë që gratë në Wellesley të martoheshin në ditën e diplomimit. Përkundër kësaj, ajo priti tri ditë pas marrjes së diplomës për t’u martuar me Jozefin.

Nga një vend në tjetrin – një jetë në lëvizje

Albright u zhvendos disa herë për shkak të karrierës së Jozefit. Nga viti 1961, çifti jetoi në Rolla të Missourit dhe Çikago përpara se të jetonin në Long Island, ku edhe lindën binjakët e tyre, Alice dhe Anne.

Në vitin 1962 familja u zhvendos në Georgetown, ku Madeleine studioi marrëdhëniet ruse dhe ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.

Kur ata u kthyen në Long Island në vitin 1963, Albright vazhdoi studimet e saj në Universitetin e Kolumbias, ku dhe morri një certifikatë masteri, në vitin 1968 edhe një doktoraturë, e më pas lindi edhe vajza e saj e tretë.

Zhvendosja në Uashington i dha kahje karrierës së saj

Albright u përfshi më shumë në politikë kur familja e saj u rikthye në D.C në vitin 1968. Nga viti 1976 deri në vitin 1978, ajo shërbeu si ndihmëse kryesore e senatorit Edmund S. Muskie, më pas ndihmëse e senatorit Zbigniew Brzezinski.

Ajo ndoqi hapat e të atit për shkollim akademik

Pasi martesa e saj 22-vjeçare përfundoi me divorc në vitin 1982, Albright u bashkua me Shkollën e Shërbimit të Jashtëm të Universitetit Georgetown si profesoreshë e Shkencave Kërkimore në Çështjet Ndërkombëtare, ku ushtroi disa kurse universitare dhe pasdiplomike. Ajo gjithashtu shërbeu si drejtoreshë e programit të Shërbimit të Gruas në Shërbimin e Jashtëm.

Si ambasadore e OKB-së bëri zgjedhje të vështira

Si ambasadore e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Albright votoi në favor të një rezolute të OKB-së më 10 gusht 1995, përmes së cilës serbët e Bosnjës detyroheshin të tërhiqeshin nga lufta, gjë që çoi edhe në mbarimin e konfliktit më të përgjakshëm të Europës pas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithëse ishte shpesh një nga gratë e pakta në Dhomë (dhe shumë herë, e vetmja), Albright nuk e la veten në heshtje; ajo e kuptoi se nëse vetëm vëzhgonte, dëgjonte dhe nuk do të fliste, do të thoshte se zëri i Shteteve të Bashkuara nuk do të dëgjohej.

Roli i saj historik si Sekretare Shteti

Ndërsa Presidenti Bill Clinton morri detyrën, Albright u betua si Sekretare e Shtetit në janar të vitit 1997.

Albright në librin e saj shkruan për postin që Clinton i besoi. “Ai më dha mundësinë që asnjë individ, mashkull apo femër tjetër, nuk më ka dhënë. Ai më ka nderuar duke më emëruar Sekretare e Shtetit e SHBA-ve”.

Ky emërim e bëri Albright si gruan më të lartë në pozitë në gjithë historinë e qeverisë amerikane deri atëherë.

E para zyrtare amerikane që takohet me liderin koreanoverior

Sekretarja amerikane e Shtetit Albright u takua me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Il më 23 tetor 2000.

Udhëtimi i saj drejt vendit komunist, shënoi herën e parë që një Sekretar amerikan i Shtetit dhe zyrtar i nivelit të tillë shkel aty.

Ajo vonë e kuptoi prejardhjen hebreje

Albright u rrit si katolike nga prindërit të cilët ishin konvertuar në krishterizëm me të ardhur në SHBA. Megjithatë, ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë përkatësie të mëparshme fetare.

Gjatë procesit të vetingut për Sekretar Shteti, ajo zbuloi se mund të ketë paraardhës hebrenj. Gjatë hulumtimi, Michael Dobbs, gazetar i Washington Post, zbuloi se tre prej gjyshërve të Albright vdiqën në Aushvic dhe Terezin. Familja e saj bëri kërkime të mëtejshme dhe mësoi se 25 anëtarë të tjerë nga trungu vdiqën në kampet e përqendrimit.

Gjithnjë ka patur një sens humori

Albright ka thënë se ajo ishte shumë serioze si fëmijë, por duke u rritur ka zhvilluar sens të jashtëzakonshëm humori.

Kështu, si diplomate, ajo ka ditur të reagojë edhe në situata të tensionuara. Për t’u argëtuar, zonja Albright madje ka marrë pjesë në show-in televiziv – Gilmore Girls.

Veshja e saj me stil dhe karficat me mesazhe

Albright është e mirënjohur për karficat e saj që mbante në pallto sa herë që paraqitej në takime diplomatike. Për secilin takim kishte karfica të ndryshme, me mesazhe të ndryshme gjithashtu.

Kur mediat irakiane të Sadam Huseinit e quajtën atë “gjarpër”, ajo u shfaq në konferencë të nesërmen me një karficë në formë gjarpri, të vendosur në xhaketë.

Përgatiti: Arbnora Avdiu-Hoxha/ KultPlus.com

Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e ShBA-ve

Sot janë bërë 27 vite nga përzgjedhja e Madeleine Albright si sekretare e ShBA-ve. Madeleine Korbel Albright (15 maj 1937 – 23 mars 2022) është femra e parë në postin e sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, politikane dhe diplomate amerikane.

Madeleine Albright është ish- sekretarja e parë femër dhe njëherit e 64-ta, e nominuar nga presidenti i atëhershëm Bill Clinton dhe e konfirmuar si e tillë nga senati me 99 vota për dhe 0 kundër. Ajo ishte në postin e sekretares së Shteteve te Bashkuara të Amerikës nga 23 Janari i vitit 1997 deri me 20 Janar te vitit 2001.

Albright ka kontribuar për lirinë e Kosovës gjatë viteve të luftës dhe për ta shpërblyer Shteti i Kosovës e ka nderuar me Medaljen e Artë të Lirisë.

Përndryshe, ndër masat e gjëra shqiptare sidomos në Kosovë është e njohur për bisedën me Hashim Thaçin, në Rambuje.

Ajo vdiq më 23 mars në vitin 2022 në moshën 84 vjeqare./KultPlus.com

Blinken i drejtohet Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë duke kujtuar fjalët e Albright: Ajo mbrojti ndërhyrjen e NATO-s

Në hapje të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili fillon punimet sot në Prishtinë, dhe i cili mbahet me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pjesëmarrësve iu drejtua me një video adresim të të veçantë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari Blinken tha se Forumi i organizuar nga Presidentja Osmani bashkon dy gjëra që i kishte shumë për zemër Sekretarja Madeleine Albright: popullin e Kosovës dhe fuqizimin e grave.

falënderuar Presidenten Osmani për organizimin e këtij Forumi dhe NDI-në për mbështetjen e tij. Sipas tij, Sekretarja Albright kur është pyetur se çfarë e bën krenare gjatë shërbimit të saj prej shumë dekadash, gjithmonë thoshte Kosova.

Sipas tij, në vizitën e fundit në Prishtinë, në vitin 2019, Sekretarja Albright ka mbrojtur sërish ndërhyrjen e NATO-s, në Kosovë, më 1999.

“Lufta në Kosovë ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, ndërmjet mostolerancës së dhunshme dhe respektimit të të drejtave të njeriut, mes tiranisë dhe demokracisë. Ne fituam sepse aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishmja, ne ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës”, ka cituar Sekretari Bliken fjalët e zonjës Albright.

Sipas tij, sekretarja Albright luftoi për angazhimin e grave në të gjitha aspektet e ndërtimit të paqes dhe vendimmarrjes së sigurisë, pjesërisht sepse ajo kishte parë ndryshimin që ndodhte kur atyre u jepej një zë.

Albright ka inkurajuar edhe gratë kosovare, kur më 2005 kishte thënë se e ardhmja e vendit do të varet – në një masë jo të vogël -nga mundësitë që do t`u ofrohen grave të vendit.

“A do t’u jepet atyre një shans i barabartë për të shkëlqyer në klasë, për të pasur sukses në vendin e punës, për të ndjekur ëndrrat e tyre në çfarëdo fushe të angazhimit që mund të zgjedhin – të bëhen biznespersona ose mjekë, gazetare, programuese kompjuteri, madje në të ardhmen edhe presidente e kryeministre të Kosovës?”, ka cituar Blinken, duke potencuar se që nga ajo kohë, Kosova ka votuar dy gra presidente, respektivisht dy më shumë se Shtetet e Bashkuara.

Ai ka përmendur edhe gratë iraniane me kauzën e tyre kundër shtypjes, sikurse edhe ato kubaneze, të cilat vazhdojnë të protestojnë duke bërë thirrje që regjimi t`i respektojë të drejtat e njeriut dhe t`i plotësojë nevojat themelore të njerëzve.

Në adresimin e tij, Blinken është ndalur edhe te lufta brutale e Presidentit Putin kundër Ukrainës, duke cituar një mendim të Albright.

“Ajo na kujtonte vazhdimisht rëndësinë e qëndrimit përballë tiranëve dhe provokuesve, sikurse edhe të parandalimit që vendet me përdorim të forcës të rishkruajnë kufijtë e një tjetri dhe për të mbrojtur parimet e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”, ka cituar Blinken, Albright.

Në fund të adresimit të tij, Blinken ka thënë se duke iu përmbajtur porosive të Albright, do të triumfojmë përsëri. / KultPlus.com

Kosova zë pjesë të madhe në profilin e Albrightit, para varrimit të saj

Pas pak nis ceremonia e varrimit të ish-sekretares amerikane Madeleine Albright. Në një profil të përgatitur për gruan e parë që barti pozitën më të lartë në politikën e jashtme amerikane, nuk ka se si të mungojë Kosova. “Pse jeni kaq pasiononte kur bëhet fjalë për Kosovën”, ishte pyetur dikur Albright. Përgjigja e saj është ritransmetuar pak para se të nisë ceremonia ku Zonjës Sekretare i jepet lamtumira e fundit.

Karriera politike e ish-sekretares Albright përshkruhet me Kosovën, pjesë të rëndësishme të saj.

Në një profil që e ka përgatitur PBS, pak para se të nis ceremonia mortore në Katedralen Nacionale në Washington, D.C, është rikujtuar rrugëtimi i refugjates që u bë Sekretare e Shtetit.

Albright është kujtuar për vendosmërinë e saj për të ndihmuar shqiptarët e Kosovës, pasi regjimi i Sllobodan Millosheviqit po kryente spastrim etnik ndaj tyre.

Intervenimi i forcave të NATO-s për t’i ndalur krimet e forcave serbe në Kosovë dhe bombardimet e 1999-s janë një prej ngjarjeve të cilat e shënojnë karrierën e Albrightit në lidership.

Në një përgjigje të saj, kur ishte pyetur se pse është kaq e lidhur me Kosovën, ajo thoshte se bëhej fjalë për regjimin e një personi, Sllobodan Millosheviqit që po kryente spastrim etnik. Për t’i dhënë kontekst insistimit të saj që të mbronte popullësinë shqiptare në Kosovë nga Millosheviqi, ajo përmendte atë që kishte bërë Hitleri e Stalini.

“Kurrë më s’do të ketë shtëpi dhe fshatra të djegura. Kurrë më nuk do të ketë masakra dhe varre masive”, kishte thënë Albright në Kosovë, pjesë nga fjalimi i së cilës është ripublikuar nga transmetuesi publik amerikan.

Në një bisedë të PBS me Presidentin Clinton, ai ka përmendur rastin e Kosovës si një nga ngjarjet që ndante krenarisht me miken dhe bashkëpunëtorën e tij të afërt, Sekretaren Albright.

Clinton kujtoi një nga momentet më të mira me Sekretaren Albright kur vizituan Kosovën në vitin 2019 për të shënuar 20 vjetorin e çlirimit të cilin e përshkroi si festim të fitores së Kosovës dhe ShBA-së.

“Po e kujtoja kohën kur së bashku me Sekretaren Albright udhëtuam në Kosovë para tre vjetëve kur po festohej 20 vjetori i fitores së tyre dhe tonës, në parandalimin e spastrimit etnik dhe vet ekzistencës së Kosovës”, tha presidenti Clinton.

Albright vdiq më 23 mars, në moshën 84 vjeçe. Ceremonia e varrimit të saj mbahet sot prej orës 11 të paradites, sipas kohës lokale në Ëashington D.C, që i bie në orën 5 te pasdites, sipas kohës në Prishtinë. /Express/ KultPlus.com

Ekspozitë me karficat simbolike të Madeleine Albright

Madeleine Albright i kishte bërë karficat që vinte në veshjet e saj një mjet të veçantë simbolik për të përçuar mesazhet dhe bindjet e saj. Tani koleksioni i bizhuterive të dhuruara nga e Madeleine Albright e cila vdiq muajin e kaluar, do të ndihmojnë për të rrëfyer trashëgiminë e saj diplomatike në një ekspozitë të re që po përgatitet në Muzeun Kombëtar të Diplomacisë Amerikane.

Kuratorja e muzeut Nancy Zinn, thotë se Albright u bë e njohur për përdorimin e karficave të xhaketës gjatë kohës që shërbente si ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara.

“Shumë njerëz e dinë se sa e famshme ishte ajo për koleksionin e saj të karficave dhe përdorimin e tyre për të shprehur gjendjen e saj, për të treguar historinë, për të ndarë përvojat. Dhe gjatë gjithë kohës deri ditën që vdiq, ajo mbante karfica për t’u shprehur këto çështje dhe idetë e saj”.

Ekspozita me rreth 200 karfica është planifikuar sipas temave dhe përfshin imazhe patriotike si flamujt dhe shqiponjat amerikane si dhe shumë simbole të tjera.

Kuratorja thotë se materialet variojnë nga një karficë në formë zemre prej balte e bërë nga vajza e diplomates Albright për Ditën e Shën Valentinit deri te “bizhuteritë ekstravagante, antike dhe të çmuara”.

“Ajo kishte balona. Kishte flutura. Kishte shumë karfica me rreze dielli e të tjera. Për situata të vështira ajo shpesh përdorte karfica simbolike në formë engjëlli ose pëllumbi të paqes”, thotë zonja Zinn.

Pasi 84-vjeçarja vdiq nga kanceri më 23 mars, Zinn thotë se u shtua numri i vizitorëve në internet në faqen elektronike “Read My Pins”.

“Ajo kishte një karrierë shumë të gjatë, të pasur dhe të plotë diplomatike, dhe ne i detyrohemi asaj shumë për këtë. Kështu që shpresoj që bizhuteritë mund të shihen si një lloj pikë fillestare për të mësuar më shumë rreth saj. Për të mësuar më shumë rreth punës që ajo bëri”.

Si sekretare e shtetit, Albright ishte gruaja në pozitën më të lartë në historinë e qeverisë amerikane. Ajo luajti një rol kyç për ta bindur presidentin e atëhershëm Clinton që të shkonte në luftë kundër udhëheqësit jugosllav Slobodan Millosheviç për trajtimin që bënte ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Si ambasadore e OKB’së, ajo mbrojti një politikë të jashtme të fortë amerikane, veçanërisht në rastin e trajtimit të Bosnjës nga Millosheviqi dhe ndërhyrja e NATO’s në Kosovë u quajt përfundimisht “Lufta e Madeleine”.

Kuratoja Zinn thotë se ekspozita e Albright do të hapet në Muzeun Kombëtar të Diplomacisë Amerikane në vitin 2026 dhe do të paraqesë sende të tjera personale duke përfshirë një komplet çaji që i është dhënë nga Ministri i Jashtëm rus Igor Ivanov. / KultPlus.com

Albright falënderon Kosovën që u tregua e gatshme t’i pranojë afganët

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright ka falënderuar shtetet që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për strehimin e mijëra afganëve.

Albright përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter ka përmendur edhe Kosovën në mesin e shteteve që trëguan gatishmëri për të ndihmuar në strehimin e afganëve.

“Ne duhet të përqëndrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan. Ndërsa SHBA po punon për të evakuuar ata që janë në rrezik të veçantë nga talebanët, unë jam mirënjohës ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ofrimin e strehimit aleatëve afganë, grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që të tjerët të ndjekin këtë shembull”, ka shkruar Albright.

Albright falenderon Kosovën që u tregua e gatshme t’i pranojë afganët

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright ka falënderuar shtetet që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për strehimin e mijëra afganëve.

Albright përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter ka përmendur edhe Kosovën në mesin e shteteve që trëguan gatishmëri për të ndihmuar në strehimin e afganëve.

“Ne duhet të përqëndrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan. Ndërsa SHBA po punon për të evakuuar ata që janë në rrezik të veçantë nga talebanët, unë jam mirënjohës ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ofrimin e strehimit aleatëve afganë, grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që të tjerët të ndjekin këtë shembull”, ka shkruar Albright.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka folur për kërkesën e ShBA-së për strehimin e përkohshëm të afganëve, duke theksuar se për këtë çështje ishte kontaktuar në korrik nga ambasadori Kossnet. Ajo tha se menjëherë, pa asnjë hezitim ia ka dhënë pëlqimin, për siç e quan – operacion humanitar.

Osmani thotë se ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani.

Tutje, Osmani thotë se Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, “ka formuar grupin punues që merret me cështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë”.

Ajo shprehet se askush më mirë sesa Kosova nuk e di çka do të thotë të dëbohesh e të largohesh me dhunë nga vendi ku je rritur. / KultPlus.com

Albright dhe Levit marrin çmimin për “Mirëkuptim dhe Tolerancë”

Muzeu Hebre i Berlinit akordoi ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright dhe yllit të pianos, Igor Levit, titullin si fitues të çmimit vjetor për ”Mirëkuptim dhe Tolerancë”.

“Si një figurë politike, profesore dhe autore, Madeleine Albright mbetet një zë i domosdoshëm sot”, theksoi juria në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të muzeut.

“Ndërgjegjja e tij politike bazohet në përvojën e dyfishtë të arratisjes: nga nacional-socialistët në Pragë dhe më vonë nga diktatura komuniste në Beograd”, shtoi muzeu në deklaratën e tij.

Levit, një pianist gjermano-rus, është vlerësuar si një nga “zërat më të rëndësishëm politikë të brezit të tij”. / atsh/ KultPlus.com

Albright: M’u desh shumë kohë për të pasur një zë që të dëgjohet dhe tani që e kam, nuk do të hesht

Një përzgjedhje e shprehjeve frymezuese të thëna nga gratë të cilat kanë lënë gjurmë në histori përmes punës se tyre.

“Nëse kërkon vetëm fjalë, pyet një burrë; nëse kërkon vepra, pyet një femër.”-Margaret Thatcher, politikane.

“Një femër e fortë e kupton se logjika,vendosmëria dhe fuqia janë po aq femërore sa intuita dhe lidhja emocionale. Ajo i vlerëson dhe i përdor të gjitha këto dhunti.”-Nancy Rathburn, shkrimtare.

“Një grua është si një bustinë çaji- ti asnjëherë nuk e di sa e fortë është ajo deri sa e vendos në ujë të nxehtë.”- Eleanor Roosevelt, politikane, diplomate, aktiviste.

“Unë gjithmonë kam dashur të isha një femme fatale. Edhe kur isha e vogël, asnjëherë nuk doja të isha thjesht një vajzë, por doja të isha një grua.”- Diane von Furstenberg, stiliste.

“Unë jam e fortë, jam ambicioze dhe e di shumë mirë se çfarë dua. Nëse kjo nuk të pëlqen, atëherë punë për ty.”- Madonna, këngëtare.

“Feminist është kushdo që njeh dhe vlerëson barazinë dhe vlerat si të femrave dhe të meshkujve.”-Gloria Steinem, feministe, gazetare, aktiviste politike dhe sociale.

“Adhuroj të shoh një vajzë të re e cila del jashtë dhe e kap botën nga jaka e xhaketës. Jeta është e poshtër. Ti duhet të përpiqesh dhe të triumfosh.”- Maya Angelou, shkrimtare.

“Unë e ngre zërin-jo që të bërtas, por që, ata që nuk kanë mundësi të shprehen, të mund të dëgjohen… ne nuk mund të kemi sukses kur gjysma prej nesh ngurojnë.”- Malala Yousafzai, aktiviste pakistaneze për të drejtën e arsimit të grave, fituesja më e re e çmimit Nobel.

“Feminizmi nuk ka të bëjë me forcën e femrave. Femrat si natyrë janë të forta, por ka si qëllim të ndryshojë mënyrën se si bota e percepton forcën.”- G.D. Anderson, autore.

“Femrat thonë gjithmonë: ‘Ne mund të bëjmë gjithçka që mund të bëjnë dhe meshkujt!’ Por janë meshkujt ata që duhet të thonë: ‘Ne mund të bëjmë gjithçka që mund të bëjnë dhe femrat!’.”- Gloria Steinem.

“Nuk je e detyruar të jesh e bukur. Nuk i detyrohesh askujt për bukurinë tënde. As të dashurit/bashkëshortit/partnerit, as kolegëve të punës, veçanërisht as meshkujve që takon në rrugë. Nuk iu detyrohesh as prindërve, as fëmijëve, nuk i detyrohesh shoqërisë në përgjithësi. Bukuria nuk është një qira që e paguan sepse ke zënë një hapësirë të quajtur “femër”.- Erin McKean, leksikografe.

“Një femër që i dëgjohet zëri, përkufizohet si një femër e fortë.”- Melinda Gates, biznesmene dhe filantropiste.

“Femrat, ashtu si dhe meshkujt duhet të përpiqen për të bërë të pamundurën dhe kur të dështojnë, dështimi i tyre duhet të jetë një sfidë për të tjerët.”- Amelia Earhart, pilotia e parë grua.

“Kur një burrë jep opinionin e tij, ai është burrë. Kur një femër jep opinionin e saj, ajo është e përdalë.”- Bette Davis, aktore.

“Shpresoj që prindërit e vajzave të vogla do i shikojnë ato dhe do thonë, “Po, femrat munden.”- Dilma Rousseff, ekonomiste, politikane, presidentja e parë grua e Brazilit.

“Femrat janë lidere në çdo aspekt-si një drejtore që drejton një kompani fitimprurëse ashtu edhe një shtëpiake që rrit fëmijët dhe kujdeset për shtëpinë. Vendi ynë është krijuar nga femra të forta dhe ne do vazhdojmë të thyejmë barriera dhe të sfidojmë stereotipe.”- Nancy Pelosi, drejtuese e një prej dhomave të Kongresit amerikan.

“Natyrisht që nuk shqetësohem nëse natyra ime i frikëson meshkujt. Tipi i mashkullit që frikësohet nga personaliteti im është pikërisht tipi për të cilin nuk kam asnjë interes.”- Chimamanda Ngozi Adichie, shkrimtare nigeriane.

“Nuk ndihem më pak femër. Ndihem akoma më e fuqishme kur marr një vendim të rëndësishëm, kjo kurrsesi nuk e zvogëlon feminitetin tim.’- Angelina Jolie aktore, aktiviste.

“Pyetja nuk është kush do më lejojë mua, por kush do më ndalojë .”- Ayn Rand, shkrimtare
“Kemi nevojë për femra në të gjitha nivelet, duke përfshirë ato që janë në krye, për të ndryshuar dinamikën dhe t’i japin formë bisedës, të sigurohen që zëri i femrës të dëgjohet dhe të mos injorohet.”- Sheryl Sandberg, drejtore operative e Facebook.

“M’u desh shumë kohë për të pasur një zë që të dëgjohet dhe tani që e kam, nuk do të hesht.”- Madeleine Albright, politikane.

“Femrat janë arkitektet e vërteta të shoqërisë.”- Harriet Beecher Stowe, e angazhuar kundër skllavërisë, shkrimtare.

“Nuk kam takuar asnjëherë një femër që nuk është e fortë, por ndonjëherë ato nuk dinë ta tregojnë forcën që kanë. Duhet një tragjedi që një femër të shfaqë forcën e saj. Mesazhi im është që ta shfaqni forcën para tragjedisë.”- Diane von Furstenberg.

“Femrat kanë qenë gjithmonë më të fortat. Meshkujt kërkojnë vazhdimisht mbështetje nga ato. Ata kanë nevojë për nënën që kujdesej për ta kur ishin të vegjël.”- Coco Chanel, stiliste.

“Feminizmi është për të gjithë.”- bell hooks (pseudonim), shkrimtare.

“Besoj se mbrojtja e të drejtave të femrave është kapitull i pambyllur i shekullit XXI.”- Hillary Clinton, politikane.

“Ne duhet të riformojmë perceptimin tonë rreth mënyrës si e shikojmë veten. Duhet të bëjmë një hap përpara si femra dhe të marrim drejtimin.”- Beyoncé, këngëtare.

“Unë jam një femër fenomenale. Femër fenomenale…po, kjo jam unë.”- Maya Angelou
“Pse fjala feminizëm është bërë tabu? Nuk është fjala ajo që ka rëndësi, por ideja dhe ambicia që ajo përfaqëson.”- Emma Watson, aktore.

“Ideja e të qenit feministe: shumë femra mendojnë se të qenit e tillë do të thotë të jesh kundra meshkujve dhe të mos krijosh lidhje me seksin e kundërt, por ajo që feminizmi përfaqëson në të vërtetë, është një barazi e të drejtave të njeriut. Për mua është një pjesë thelbësore e identitetit tim.”- Lena Dunham, aktore dhe shkrimtare./ KultPlus.com

Albright gjatë takimit me Jahjagën: Kudo që shkoj flas për mikpritjen e popullit të Kosovës

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar ish-sekretaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, nga ku është ndarë shumë falënderuese për mikpritjen, shkruan KultPlus.

Me këtë rast Jahjaga e ka falënderuar Albright që ishte pjesë e festimit të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.

E nderuar për mikpritje sa herë që kishte vizituar Kosovën ishte ndjerë edhe sekretarja Albright e cila me këtë rast është shprehur se kudo që shkon flet për mikpritjen e popullit të Kosovës.

“Shumë e nderuar me mikpritjen e Sekretares Albright, të cilën e falënderova edhe njëherë që ishte pjesë e festimit të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë. Sekretarja Albright tha që ka kujtime të jashtëzakonshme nga kjo ngjarje, dhe që kudo që shkon flet për mikpritjen e popullit të Kosovës. Jemi me fat që të kemi Sekretare Albright”, ka shkruar Jahjaga. / KultPlus.com

Rugova i kishte kërkuar Albright-it që Kosova të bëhet shteti i 51-të amerikan

Adnan Merovci, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit historik, Ibrahim Rugova ditë më parë ka publikuar një fotografi derisa po lexonte librin “Zonja sekretare” të Madeleine Albright, shkruan KultPlus.

Ai ka veçuar një pjesë të librit nga viti 1998 kur Albright e përshkruan atmosferën gjatë takimit me Rugovën, ku ai i kishte kërkuar me shaka që Kosova të bëhej shteti i 51-të amerikan.

“Ri lexim: Kosova shteti i 51-të amerikan! “Gjatë takimit u zhgënjeva kur pashë mimikën e kolegëve të RUGOVËS, të cilët rrinin si të ngrirë, madje bënin edhe gjeste mosmiratimi gjatë kohës sa ai fliste. Gjithsesi, RUGOVA foli hapur. Tha se kushtet në Kosovë po keqësoheshin çdo ditë e më shumë dhe kërkoi që NATO-ja të krijonte një zonë ndalimfluturimi, që të mos lejonte sulmet me helikopter të serbëve. Ai vuri në dukje se qëllimi i shqiptarëve ishte pavarësia, por se mund të pranonin të kishte një status të përkohshëm si protektorat ndërkombëtar apo madje, bëri shaka ai, të bëheshin shteti i pesëdhjetenjëtë amerikan”, shkruhet në librin e Albright./ KultPlus.com

“Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Amerikën”

Presidenti historik Ibrahim Rugova i cili kujtohet për politikën e tij pacifiste e properëndimore, cilësohet si arkitekt i Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ibrahim Rugova ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. “Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Amerikën dhe miqtë tanë perëndimor” është shprehja që e karakterizonte pothuajse çdo fjalim të presidentit Rugova. Me këtë frazë ai largohej nga çdo tubim, takim brenda dhe jashtë Kosovës. Këtë frazë populli e dëgjonte çdo të premte kur ai mbante konferencën për media.

Kjo frazë u mishëruar me popullin dhe lidhshmëria vetëm u forcua kur Bill Klinton urdhëroi NATO-n që të bombardojë objektet serbe gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999./ KultPlus.com