Dafina Prokshi lanson platformën e parë në Kosovë për këshilla psiko-edukative, ngritje profesionale dhe vetëvlerësime

Zhvillimi i fëmijëve si proces është shumë kompleks dhe duhet patjetër të bëhen konsulta me ekspertët. Shumë shpesh, fëmijët mund të kenë ndonjë ç’rregullim ose të reagojnë përtej pritshmërive, e të cilat mund të tejkalohen vetëm me ndihmën e psikologëve.

Ndërkaq, sfiduese mbeten kontrollet fizike, për të cilat duhet patjetër të frekuentohet një vend i caktuar. Mirëpo, puna e psikologes Dafina Prokshit bashkë me ekipin e saj e ka lehtësuar shumë këtë punë, duke qenë afër me këshilla, workshope, mësime në formë digjitale, të qasshme kudo, kurdo dhe sa herë do.

Iniciativa e saj dhe e epikes së saj është kurorëzuar me një web të përbashkët në të cilin fokusi kryesor janë fëmijët, ndërkaq target grupet përfituese janë prindërit të cilët dëshirojnë ta kuptojnë dhe t’i qasen më drejtë fëmijëve të tyre; studentët e psikologjisë dhe të edukimit të cilët dëshirojnë të ngriten akademikisht dhe qendrat e edukimit të hershëm të cilat përmes praktikimit të drejtë të këtyre instruksioneve aftësohen profesionalisht.

Dafina bashkë me ekipin e saj ofrojnë vlerësime psikologjike për fëmijë dhe të rritur, terapi individuale, kurse online për punonjës ose studentë të fushave të psikologjisë, edukimit; konsultime me prindër, punëtori për edukimin e hershëm, planifikim të programit të edukimit të hershëm, punëtori dhe trajnime online.

Ndërkaq qasja në këto materiale është shumë e lehtë. Në web faqen e krijuar nga Dafina dhe ekipi i saj janë të prezantuara një mori leksionesh e workshopesh, të cilat mund të posedohen me një parapagim të një shume modeste. Kështu, cilido që do ta blej materialin, do ta posedoj atë përherë.

Ky ekip prej ekspertësh të psikologjisë, edukimit e fushave tjera që ndërlidhen me fëmijët ofrojnë këshillime për shkathtësitë e të nxënit (vëmendja, organizimi), sociale (vetë rregullimi-aftësia për të luajtur dhe ndërvepruar me rrethin), emocionale (vetëbesimi), akademike (të lexuarit, të shkruarit), të jetës (ushqyerja, veshja, gjumi, punët dhe detyrat e tjera), të kuptuarit dhe komunikimi.

Ndërkaq, ato që mund të porositni i takojnë leksioneve të fushave si: udhëzime për prindër rreth disiplinës pozitive; terapia njohëse e sjelljes për depresion, ankth, fobi dhe sulme paniku; vlerësim i vetes nëse ke fobi; ndikimi i ushqimit të shëndetshëm në zhvillimin e fëmijëve; psikoterapia; zhvillimi intelektual i trurit të fëmijëve nga lindja deri në moshën 12 vjeçare; roli i gjenetikës dhe mjedisit në zhvillimin e fëmijëve; zhvillimi njohës i fëmijëve dhe piketat e zhvillimit nga mosha 0-5 vjeç; zhvillimi i gjuhës dhe komunikimit nga lindja deri në moshën 5 vjeçare; kuptimi dhe trajtimi i sjelljeve autike; zhvillimin social përgjatë jetës së fëmijëve; tranzicionin e fëmijëve nga shtëpia në kopsht-fazat e adaptimit; njohja e zhvillimit të fëmijëve-edukimi i hershëm; ADHD dhe zgjedhja e duhur.

Ky është webi në të cilën mund të kontaktoni me profesionistet e psikologjisë dhe edukimit, në mënyrë që ta njihni dhe të keni qasje të duhur ndaj fëmijëve, nxënësve, rasteve të studimeve tuaja: https://www.dafinaprokshi.com/ / KultPlus.com

Platforma “Poetet shqiptare” një dritare e hapur për krijimtarinë letrare të grave

Jeta Zymberi

Me një angazhim vullnetar, poetja Vlora Konushevci për t’i dalë në krahë poeteve shqiptare, zgjodhi datën 8 Mars për të lansuar platformë online të poeteve shqiptare, shkruan KultPlus.

“Poetet shqiptare” është platformë online kushtuar krijimtarisë letrare të grave si rrjedhojë e mungesës së diversitetit në peizazhin letrar të hapësirës shqiptare.

Pabarazia gjinore është e theksuar edhe në fushën e botimeve, ndaj kjo platformë do të shërbejë për publikim online të krijimtarisë letrare të grave shqiptare.

Platforma përbëhet nga disa rubrika si: Muzat, Bulëzat dhe Yllëzat. Sipas bagazhit që ka poetja ashtu edhe ndahen në rubrika.

Në këtë platformë, aktualisht janë të përfshira 55 poete. Natyrisht, kjo në vazhdimësi do të plotësohet me autore të reja. Secila nga to janë të prezantuarave nga 4 poezi dhe nga një biografi të shkurtër.

Poetet  që janë përfshirë në këtë platformë, po ndihen të nderuara që tashmë ju është krijuar kjo hapësirë e munguar deri më tani.

Ndërsa themeluesja e kësaj platforme, Vlora Konushevci ka treguar për KultPlus se platforma është konceptuar si një përgjigje ndaj qasjes tradicionale në kontekstin kulturor kosovar, sipas të cilës hapësira e botimeve në njëfarë mënyrë i favorizon burrat.

“Ky raport duhet ndryshuar. Shoqërisë kosovare i duhet një ridefinim i marrëdhënieve ndërgjinore. Ajo duhet ta njohë më shumë anën shpirtërore të grave, duke mos i konceptuar ato si objekt, por si subjekt përmbajtësor. Gratë kanë çfarë t`i ofrojnë kontekstit kulturor tonit, ndaj e vetmja që duhet është ta kenë hapësirën për veprim. Kjo platformë është në këtë frymë. Është një dritare e hapur ku secila nga krijueset, pavarësisht moshës e ka mundësinë të prezantohet me krijimtarinë e vet. Puna e secilës i nënshtrohet vlerësimit të publikut, i cili ka mundësi pastaj të lexojë poezitë e grave e vajzave krijuese”, ka thënë Konushevci për KultPlus duke treguar tutje se kjo do të ndihmojë edhe në njohjen më esenciale të botës së grave e vajzave kosovare.

“Sa më shumë që i njohim vlerat e grave e vajzave do ta kemi një shoqëri më konkurrente ku barazia gjinore nënkupton edhe përpjekjen për rritjen e nivelit kulturor.”

Krijimtaria e poeteve shqiptare, tashmë mund të gjendet online (www.poetetshqiptare.com) , e qasshme për të gjithë, përmbledhur në një vend, në një adresë. 

Platforma për poetet shqiptare mirëpret paraqitjet nga gratë krijuese, qofshin ato me përvojë apo në fillet e karrierës. Kjo platformë ka për qëllim të shërbej si strehë e vargjeve të tyre. / KultPlus.com

Vlora Konushevci