Publikohen emrat e 25 poetëve të cilët kandidojnë për çmimin “Poeti Laureat”

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka bërë të ditur emrat e 25 poetëve të cilët kandidojnë për të fituar çmimin “Poeti Laureat”, shkruan KultPlus.

Sipas Qendrës, ky çmim do i dhurohet një emri të njohur në fushën e letërsisë, gjegjësisht të poezisë më 30 tetor. Poeti laureat do të jetë në krye të një fushate publike me fokus poezinë shqip.

“Komiteti Drejtues i këtij projekti të rëndësishëm për botën letrare shqiptare, kryesohet nga shkrimtari dhe poeti Besnik Mustafaj dhe në përbërje të tij janë: botuesja Arlinda Dudaj, Agron Gjekmarkaj, zv.Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në UT, profesorja dhe poetja Viola Isufaj, dhe kritiku Agim Baçi”, thuhet në njoftimin e QKLL.

KultPlus ua sjell të plotë emrat e poetëve garues:

1. Flutura Açka 2. Natasha Lako 3. Arian Leka 4. Ilirian Zhupa 5. Parid Teferiçi 6. Lindita Arapi 7. Entela Tabaku 8. Ervin Hatibi 9. Rudian Zekthi 10. Entela Kasi 11. Visar Zhiti 12. Bardhyl Londo 13. Rudolf Marku 14. Luljeta Lleshanaku 15. Primo Shllaku 16. Krenar Zejno 17. Agron Tufa 18. Ledia Dushi 19. Gëzim Hajdari 20. Preç Zogaj 21. Mimoza Ahmeti 22. Skënder Rusi 23. Skënder Buçpapaj 24. Hamit Aliaj 25. Petrit Ruka. / KultPlus.com

Për herë të parë Shqipëria do të ketë Poetin Laureat

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli ka njoftuar se për herë të parë Shqipëria do të ketë Poetin Laureat.

Një traditë e njohur kjo në shumë vende perëndimore, do të marrë jetë gjatë muajit tetor nën kujdesin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

“Për herë të parë QKLL do të krijojë atë që në vende të tjera quhet institucioni i Poetit Laureat, një praktikë e njohur kjo në vende si SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Kanada, Gjermani, Holandë etj. Qëllimi i këtij çmimi të rëndësishëm është ndërgjegjësimi i publikut mbi rëndësinë e leximit të poezisë, shprehet Alda Bardhyli, drejtore e QKLL.

Ky çmim do ti akordohet një poeti të gjallë me një vepër të botuar vitet e fundit që ka sjellë një risi në poezinë shqipe. Poeti Laureat do të ketë një mandat dy vjeçar e gjatë këtyre viteve ai do të jetë në krye të një fushate mbi rëndësinë e leximit të poezive, apo aktiviteteve të ndryshme me në fokus poezinë.

“Po kujtoj poetin amerikan Billy Collis që gjatë mandatit të tij botoi antologjinë “365 poezi” si format xhepi, apo Robert Pinsku një tjetër laureat i cili hartoi një antologji për nxënësit e shkollave të mesme. Laureati shqiptar do ketë programin e tij”, shprehet Bardhyli.

Komiteti drejtues i këtij projekti të rëndësishëm për botën letrare shqiptare, kryesohet nga shkrimtari dhe poeti Besnik Mustaj dhe në përbërje të tij janë botuesja Arlinda Dudaj, Agron Gjekmarkaj, Zv. Dekan në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në UT, profesorja dhe poetja Viola Isufaj dhe kritiku Agim Baci.

Sot Komiteti zhvilloi takimin e parë pranë QKLL-së, duke përzgjedhur kandidatët për këtë çmim të madh.

Më 5 tetor do të bëhen publik emrat e kandidatëve për këtë çmim. Poeti Laureat do të shpallet më 30 tetor, duke mbyllur kështu siparin e një sërë aktiviteteve kushtuar një muaj dedikuar librit. / KultPlus.com