‘Nji nane atje n’Anë t’Malit hise i ka ra me ia qitë syve dheun djalit’

Poezi nga Flutur Mustafa

Nanë e gjamë!

Nji nanë atje dikund
Përcjell zemren e vet n’askund!
Nanë e gjamë!
I kanë pasë thanë.

Nji nane atje n’katund,
I ka ra hise me duru çka as guri s’mund!
Me rrëketë tue i rrjedh pa fund,
Lakmi sot nuk i merr as Buna, ai lum.

Nji nane atje n’Anë t’Malit
Hise i ka ra
Me ia qitë syve dheun djalit
N’kam se nuses tij me ia qendis duvakun e arit.

Nji nanë sot n’Krythë
Durt kah qielli i ka çu
I ka mbyllë sytë,
E me plagën që i asht hapë n’shpirt
I asht drejtu Zotit t’gjithësisë!

Djalin ferishte ta dorëzova Zot, sot!

(Me pikëllim, dedikuar Familjes Duraku, që humbën dje djalin e tyre, në moshën 15 vjeçare.) / KultPlus.com

Çka është nana?

Nga Flutur Mustafa

Nana asht’ rrezja e parë e mëngjesit;
që sytë ti puth, të përqafon e shtrëngon.
Nga andrra të ndan e në realitet të sjell
që të mbron, e vetëm s’të le e me ty lufton.

Nana asht’ engjëlli i krahut të djathtë
tek ty sheh vetëm mirësinë e të do pa kushte;
e tek prehri i saj i ngrohtë gjithnjë
ka vend ku të prehesh e ta pshtetësh kryt.

Nana t’i numron lotët e dhimbje ndjen dyfish
lutje thurr për lumturinë tënde si varg inxhish
dhe nuk mallkon atë që qerpikun ta prishë
por lutet për nanen e saj/tij; shpirtin asaj mos me ja nxi.

Eh nana.

Ajo gjumin e saj e ka ba përkundje të djepit,
e ka shndërru në pik tamli t’gjinit që shtatin rrisin.
Dhimbjet e saja i ka qëndisë në ninulla
që gjumin ta bafsh pa ankthe e të qetë. / KultPlus.com

Paqe e jemja

Poezi nga Flutur Mustafa.

Kisha flejtë
asnjëherë pa u zgju
në ngrohtoren tande
që gjoks i thonë.

nuk kisha me andrru zgjimin
përpos nëse menjëherë
prap në gjumë kisha ra.
ti paqe e jemja.

prekëm,
ndjemë që jam aty
edhe pse e plogësht
dhe në gjumë.

shikomë,
mbase me sy dhembshunie
e kur ma e fortë të bahem
me sy të zjarrtë dashunie.

shkurt me thanë
kisha flejtë
asnjëherë pa u zgju
në ngrohtoren tande
që gjoks i thonë.

edhe nëse kisha me u zgju
kisha imagjinu të tanë ditën
thua se në tandin gjoks
po shijoj paqen. /KultPlus.com