“Sa herë ia ni eren kallzive t’pjekun, m’kujtohet era e teshave t’babës e e kuqna e lëkurës dhe syve prej xetit, tymit e dillit”

Një tregim personal nga poetja Flutur Mustafa

Kallzit* e pjekun

Sa herë ia ni eren kallzive t’pjekun m’kujtohen t’tana ato pasdite e mramje të sezonës verore kur kam ken fmi. M’kujtohet era e teshave t’babës e e kuqna e lëkurës dhe syve prej xetit, tymit e dillit.

Baba jem asht’ njeri i shkollum (ekonomist) i cili deri rreth të 40tave nuk ka pasë mundsi me punu n’profesion t’vetin. Ama kja nuk e ka pengu e as nuk e ka ba me marre e as nuk iu ka thanë jo punve tjera perderisa kanë kenë të nershme e me djersë.

Edhe prej tregimeve t’mahershme e dini që unë jam rritë deri 14 vjeçe në nji prej katuneve ma piktoresk në An’ t’Malit. Në Sukubinë. Nuk asht se kena pasë shumë tokë pjellore por maj men që në Baliqe mjellshim bastan e rasad salladave jeshile n’kopsht njit me shpi. Edhe gjithmonë maj men baben, axhin e krejt antart e shpisë që i vushin palë palë në gajba edhe kastravecat, mollatartat e tek tuk edhe specat.

Baba ka pasë probleme shendetsore (diskus) dhe per kete arsye nuk ka mujte me punu punë të rana fizike e me çu randë. Gjatë jetës tij ka punu kamarier, puntor sezonal n’krypore t’Ulqinit kur asht vjelë krypa edhe ka pjekë kallzi gjatë sezonës n’Plazh t’Madhe te Ura e Porto Milenës bashkë me axhen.

Temelet e shpisë n’Ulqin e deri te gaditja e murive e plloçes ka ken si fryt i puns mi qymyr tuj pjekë kallzi. Skaren e ka pasë ndreqë prej nji bojleri të vjeter të prem terthur; ne mnyre qe me i ba dy skara e te dy bashke me axhin me çalltisë e me punu.

Nana punonte masdite te dugaja e dajës e baba masdite me kallzi. Naten vishin vonë n’shpi por gjithmonë i kena ndi kur kanë ardhë ose i kena njoftë me erë t’teshave.

Për çdo nadje, masi hangshim bukë baba e numronte pazarin e mramjes s’kalume edhe mu edhe motres na e jepte nga nji markë me e rujt në kasë. Kasa ka ken e mbyllun me çils e per te tanë ata muj t’verës që baba ka punu; ky ka ken ritual ditor. E me paret e kasës duke mos lanë anash faktin që na ka msu me kursy e me ia ditë vleren; kena ble teshat e reja për me shku ne shkollë. Unë edhe sot e kam nji kasë në të cilën pothuajse çdo ditë fus patakuna (pare t’ima) sepse mduket se nuk jam rritë ala.

Baba nuk na ka lanë (e as sot nuk na len) me na mungu asgja. Bile kjo asht temë e gjanë t’cilen pa çare mduhet me e lanë per tjeter herë.

E sa herë shoh njerz qe ju kullojn djerst permi skarë tuj pjekë kallzi, mshkan menja te baba jem e jo rrallëherë nalem edhe e blej nji kallamaq që më kthen mrapa n’kohë e me iu kenë njimijë e ma shumë falenderuse prindit tem per te tana sakrificat që i ka ba për ne.

*kallinjtë *shtalbat (varet prej dialektit). / KultPlus.com

Me m’brri

Poezi nga Flutur Mustafa

N’tansi nji valë e përcëllueme ndjenje
Ma mbytë frikën e mos t’patunit n’krahë.
N’tansi nji dallgë deti sa vetë shpirti
Ma freskon trupin që digjet prej vetë diellit.

Mandej në mua hyn e rreze i falë
Brendisë që digjet e tana për pak buzë, pak lang.
Pak mshirë për t’etunin që t’falë pështymën e fundit, për pak frymë.

Matanë ke çirë me mbërri sa ma parë,
atje, n’atë vend ku mundimet i japin opium plagës që t’ban t’dridhesh
Kur mendon se veç je shliru prap kthehesh
N’pikënisje.

E kamt’ t’lshojnë, sa smundesh ma veç me u tretë,
M’iu dorzu me sy mbyllun si kur mban vesh nji lajtmotiv.
I ngreh me hundë avujt që kanë mbushë kozmosin,
Vështron për-rreth, vështron që ke mbërri. / KultPlus.com

Çka është nana?

Nga Flutur Mustafa

Nana asht’ rrezja e parë e mëngjesit;
që sytë ti puth, të përqafon e shtrëngon.
Nga andrra të ndan e në realitet të sjell
që të mbron, e vetëm s’të le e me ty lufton.

Nana asht’ engjëlli i krahut të djathtë
tek ty sheh vetëm mirësinë e të do pa kushte;
e tek prehri i saj i ngrohtë gjithnjë
ka vend ku të prehesh e ta pshtetësh kryt.

Nana t’i numron lotët e dhimbje ndjen dyfish
lutje thurr për lumturinë tënde si varg inxhish
dhe nuk mallkon atë që qerpikun ta prishë
por lutet për nanen e saj/tij; shpirtin asaj mos me ja nxi.

Eh nana.

Ajo gjumin e saj e ka ba përkundje të djepit,
e ka shndërru në pik tamli t’gjinit që shtatin rrisin.
Dhimbjet e saja i ka qëndisë në ninulla
që gjumin ta bafsh pa ankthe e të qetë. / KultPlus.com

Filozofi tradhëtie

Poezi nga Flutur Mustafa

Sa të shumta mretneshat e pabesa
Teutëri, kjo filozofi shkambi
Mbase këtë poezi e shkroi nji romak
Që heshta në shpinë iu ngul pas marrëveshjes. 

Sa të shumta të pabesat që u vetquajtën mretnesha;
Të atilla s’u banè me t’vertetë asnjiherë
Mbase keto fjalë i ka rreshtu ndoj nrikull
Që n’zemren e saj pat lulzu veç vetmia. 

Të shumta mretneshat e ma t’shumta tradhtitë;
Në puse fjalësh të dhëna mbyten;
Vetveten së pari,
armikut ia shpërfaqen Realitetin, pasqyrën fytyrën. 

Prej marres a marrisë trumbetuen gurët
Iu ngri asaj ai gjak n’vetull Teutëri,
e fjalëpërpirjes filozofi
Tradhëti, sinonim shekulli. 

Hije të ikjes

Poezi e shkruar nga Flutur Mustafa.

Unë nuk du me shku.
Me të thanë të drejtën nuk e di
as çfarë shije ka ikja.

Asnjëherë nuk ia kam mbathë.
Të tjerë janë largu,
e rrugët e ikjes jo gjithmonë lajnë vend për kthim.

Unë nuk di qysh iket.
A i nxen krejtë nji valixhe lëkure
apo duhet me marrë veç
çka me lëkurë mundesh me bajtë ?

Me buzë,
mbase me duar ?!
apo me gjuhë ?
mbase me dhëmbë.

Tregomni si me marrë me vete:
kafshimet e çarçafëve,
pështymen e jargavitjen,
si të paketoj afshin, gjumin, ndjenjën?
si të paloj pasthirmat, zanin,
dorën që ma mbyll gojën
kur çoejmë dashni …

Nuk e kam ndërmend me ikë
askund, asnjiherë.

Thjesht deshta me iu pyetë
juve që i praktikoni ikjet,
të më rrefeni
qysh e paloni dashninë?