Ditën qi të mos më duesh ma, ma thuej….

Poezi nga Liridon Mulaj

A m’premton?
Ditën qi të mos më duesh ma,
ma thuej….
Çastin kur të mos e ndish me m’puth
ma thuej…
Flokun e parë qi t’mos e krehsh për mue
ma thuej…
edhe buzët e kuqe alli,
kur ti lyesh për tjetërkend
a kjoftë për inat tem’
Ma thuej…

A m’premton qi kur t’ikësh,
për së dyti s’ke me u kthy?
se zemna e vogel sa nji guralec
s’duron dy t’vrame…

(Janar 2019) / KultPlus.com

Prishtinë motër, Kosovë o nanë

Poezi nga Liridon Mulaj

Prishtinë,
sa herë ajrit tand u enda,
kambësor i vonë , në rruginat
me shenja lufte ,
e vraga t’ndukta nën harresë
Mbrujtun andrrat n’sy vocërrakësh
qi rrëfimet e babës nuk i besojnë
madje kjeshin me to
siç kjesh nana me t’ritë e saj
t’harruem ,
me gazin e saj
me dashninë e saj
t’cilat lufta i fshiu prej qënies gjallë.
Kosovë ( Dardani a nanë, çka due vetë
i thirri )
Në sa rranjë lisash shënjove
kryqa e hana gjysmake?
Vijëzime kujtese përmbi eshna pa
Zot,
N’tokë pa Zot
n’dheun e TenZot.
Prishtinë zemër e trandun
Sa kthime odiseje t’duhen drejt
vetes?
E sa Uliksa me shpresa djerrun
kanë me mujt nji ditë me
ia mbrri Itakës
t’etun si unë për ty ,
si biri për nanë , Prishtinë motër
Kosovë o nanë… / KultPlus.com

Kur e gjitha kjo të marrë fund…

Poezi nga Liridon Mulaj

Kur e gjitha kjo të marrë fund
do zgjedh një qoshk të hapur
të horizontit
e do shtrihem të kundroj yjet në natën e gjatë
Nuk do e urrej më vëndin tim
as njerëzit dhe do të kujtoj
përherë me trishtim sytë e tyre të fikur
nga dyshimi

Kur gjithçka të ketë marrë fund
më e pastër do jetë toka
dhe këmbët e zbathura
do shkelin mbi të lehtë pa e rënduar
se aty poshtë prehen gjyshërit
tanë, teksa luftuan pa armë

Një ditë do marrë fund gjithçka,
ajri do nuk do të na dehë më
dhe britmat e zërave do jenë simfonia
e njerëzimit.
Më fort do përfaqemi
do duhemi
do puthemi
do dashurohemi
e në fund, dashtë Zoti
më pak do urrehemi.