Si lind poezia për ty

Në fillim i përshkruaj dy shpirtrat
Pastaj sytë që shkëlqejnë si xixa
Si dhe mollëzën e hatëruar për puthje
Pastaj jastëkun me pupla të bardha
 Ku e qet kryet dhe ëndërron shiun e përqafimit
Pas pak edhe buzët që dinë me heshtë Edhe flokët e zez të shtrirë në fundbel
Shikimin më vonë meqë ndoshta digjen fjalët
Kështu vazhdon çasti i frymëzimit
Me pa çka është lumturia e të dyve
Ngjyrat e qiellit sigurisht nuk do të hidhërohen
As zogjtë e lagur nga shkuma e puthjeve
Më vonë vjen përshkrimi i qepallave
Kur ndrisin si rreze dielli
Ecjen që ngjan me ditën e parë të mallit
Si kujtimet e pritjes në mëngjesin e bardhë
Sidoqoftë mjafton të mos përgjumet  kujtesa
Nëpër stuhinë e buzëqeshjes sa herë gjuha i vë kapak fatit
Do të ishte mëkat të harrojmë zgjimin e dashurisë
 Siç nuk i harruam as të dy shpirtrat
Përafërsisht kështu lind poezia për Ty
Faleminderit o Zot! /KultPlus.com



Mësohu me vdekë si Ali Podrimja

Poezi nga Sali Bashota.

Këpute edhe këtë degë druri
Këpute si litarin
Hap shteg derisa të dalë shpirti
Shteg në majë të bregut
Merre me vete simfoninë e heshtjes
Merre nëse zbardhet qielli
Vraje shpendin e zi të natës
Vraje nga pabesia
Beso në simbolin e fjalës së dhënë
Beso aty ku fle malli
Digju brenda syrit të mirë
Digju vetëm për afshin
Mësohu me vdekë si Ali Podrimja
Mësohu me vdekë afër një lumi./KultPlus.com

E bukura e perëndisë

Poezi nga Sali Bashota.

Sytë e kaltër e zgjojnë portretin tënd
Në çastin e melankolisë së gjatë
Doemos çdo gjë më bie ndërmend
Edhe ëndrra më e bukur në mesnatë

Ndoshta zjarri yt mbetet i mbërthyer
Sikur Laura e Petrarkës kur dashuron
Aty përsëritet etja e përkryer
Sa herë shikimi yt befas më rrethon

Vjeshta i shkund gjethet pa lëshuar zë
Qepallat lotojnë deri në fund të ikjes
Sikur Beatriçja e Dantes që s’hesht më
Sa herë drithëron motivi i pritjes

Sytë e kaltër e zgjojnë mallin për ty
Meqë vërtet je e bukura e perëndisë
Buzëqeshjet shëmbëllejnë vetëm me poezi
Si engjëj me flatra të dashurisë. /KultPlus.com

Flakërimë

Poezi nga Sali Bashota.

Asgjë nuk i ngjan më drithërimit të ri
Në ditën kur pagëzohet dashuria
Zbulesa e ëndrrës digjet përsëri
Aty ku thotë lamtumirë vetmia

Flakërinin buzët në çastin e bekuar
Unë e ti bëhemi engjëj në qiellin pa lot
Askush s’di për heshtjen e mashtruar
As për poezinë që shkruhet sot

Ëndrra e zgjon buzëqeshjen e ngrirë
Në çastin kur ofshama hyn në jetë
Ndjenjat pushojnë mbi puthjen e shkrirë
Çdo gjë ringjallet në të vërtetë./KultPlus.com