Së shpejti fillon rikonstruimi i Mullirit të epërm të fshatit Shkozë të Malishevës

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka hartuar projektin për rikonstruimin e Mullirit të epërm të fshatit Shkozë të Malishevës. Zbatimi i këtij projekti do filloj së shpejti dhe konsiderohet se do të jetë tepër i dobishën në aspektin kulturor, ekonomik, turistik, arsimor, historik dhe tradicional të kësaj treve.

Mulliri i Mehmet Alisë apo i njohur ndryshe edhe si mulliri i sipërm i Shkozës është i ndërtuar në Luginën e Pagarushës, në afërsi të vend bashkimit të përroit të Janqistit dhe atij të fshatit Marali, në trekëndëshin mes fshatrave Marali-Goriq-Janqist, në tokat e fshatit Shkozë.

Sipas banorëve të fshatit Shkozë mulliri u ndërtua nga i pari i fshatit Shkozë Mehmet Alia me djemtë dhe nipat e tij, diku në fund të shekullit XVII. Tek banorët e fshatit Shkozë ende ruhet një gojëdhënë rreth ndërtimit të këtij mulliri. Territori i fshatit Shkozë përreth, e ka vetëm një përrua që furnizohet nga Krekëza dhe Vrella dhe që e pakëson shumë ujin gjatë verës. Bluarja e drithit kishte qenë një problem shumë i madh, për familjen e madhe të Mehmet Alisë. Thuhet se ai me djemtë e nipa, zbresin në luginën mes fshatit Janqist, Marali dhe Goriq, ku bashkohen përrenjtë e fshatit Marali dhe Janqist dhe e ndërtuan një mulli të bukur.

Për ta rritur rendimentin e bluarjes u hapën kanale të cilat sillnin ujërat e dy përrenjve nga pjesa e sipërme e mullirit dhe guri i mullirit sillej kur bashkoheshin ujërat e dy përrenjve që lëshoheshin me rrëmbim nga sipër mullirit.

Sipas të dhënave nga fshatarët mulliri bluante një shekë farë për një orë dhe u përdor nga banorët e Shkozës për bluarje deri në fillim të viteve tetëdhjeta, kur edhe u la pas dore. Mulliri megjithëse i shkatërruar gati tërësisht edhe sot e kësaj dite i ka themelet edhe mund të dallohet përskaj rrugës Marali-Goriq.

Ky projekt do të mbikqyret nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në kuadër të zbatimit të programit masat preventive intervenimet emergjente të financuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Gjysmë shekulli jetë e institucionit kryesor të trashëgimisë në Prizren

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren (ish Instituti për Mbrojtje të Monumenteve) shënoi mbrëmë gjysmë shekulli jete që nga themelimi i këtij institucioni të trashëgimisë, përcjell KultPlus.

Në një ceremoni të organizuar në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës në Prizren u shënua ky jubilar, ku u promovuan edhe katër botime të QRTK-së: “Zejet dhe Artizanatet e Prizrenit në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” të autores Shpresë Siqeca, “Gurët Mbivarrorë në Kompleksin e Teqesë Sinani në Prizren” të Media Fishekqiut, “Katalog me Eksponate nga Rajoni i Prizrenit” dhe “Katalog Araste Vice-Versa”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili mori pjesë në këtë ngjarje, me këtë rast u shpreh se është një kënaqësi e dyfishtë që po merr pjesë në shënimin e 50 vjetorit të themelimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, në Prizren, apo siç është emërtuar në fillet e themelimit tij si Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren.

“E para për faktin se po e shënoni 50 vjetorin e themelimit të këtij institucioni të veçantë, ku për plotë pesë dekada jeni angazhuar në ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë tonë të çmuar kulturore. E dyta, se nga ky ambient rikonfirmoj faktin se qyteti Prizrenit përveç se është bërë qendër universitare, nga viti ardhshëm do jetë edhe qendra apo selia e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit”, tha ministri Gashi.

Ministri foli për rëndësinë dhe kontributin që ka dhënë QRTK-ja në Prizren e cila ka bërë të mundur që vlerat e shumta e të pakontestueshme të kulturës materiale të krijuara pa ndërprerë, në këtë areal gjeografik të ruhen e të promovohen.

“Pasuria arkeologjike e rajonit të Prizrenit, asetet e shumta të trashëgimisë kulturore, dhe asaj shpirtërore, janë një thesar i çmuar, për të cilin ashtu siç mundi t’i ruajë toka me shekuj, duhet të mbetet obligim i yni që institucionalisht të përkujdesemi për to”, u shpreh ministri, duke e shprehur edhe mirënjohjen për stafin e vyeshëm dhe profesional të QRTK-së por edhe për të gjithë ata, që për dekada, me përkushtim dhanë kontribut të madh në këtë fushë.

“Njërin ndër personalitetet të cilin nuk mund të mos e përkujtojmë sot, është i ndjeri Muhamed Shukriu i cili tërë jetën ia kushtoi trashëgimisë kulturore. Andaj në përputhje me mandatin tim si Ministër me kënaqësi do i ndaj mirënjohjen për ‘Post Mortem’ për kontributin e dhënë në fushën e trashëgimisë kulturore këtij personalitetit të çmuar të vendit tonë”, theksoi për fund ministri Kujtim Gashi, duke i ndarë këtë çmim familjarëve të Shukriut.

Ministri u zotua se do të punojë për një përkrahje edhe më të madhe, për t’u mundësuar institucioneve të trashëgimisë kulturore ta avancojnë këtë fushë.

Kurse Jusuf Xhibo, u.d. drejtori i QRTK-Prizren, foli për historikun e QRTK-së, që nga themelimi në vitin 1967 e deri në sot, për sukseset dhe proceset nëpër të cilat ka kaluar ky institucion./ KultPlus.com

Shënohet 50 vjetori i themelimit të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren (ish Instituti për Mbrojtje të Monumenteve – Prizren), shënon 50 vjetorin e themelimit, përcjellë KultPlus.

Ceremonia do të mbahet në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës më datë 18 tetor duke filluar nga ora 18:00.

Agjenda

18.00 – 18.10 Pritja e të ftuarve;
18.10 – 18.20 Fjalim përshëndetës nga Z. Kujtim Gashi – Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit;
18.20 – 18.35 Prezantimi i historikut të QRTK-së nga Z. Jusuf Xhibo – U.D. Drejtor i QRTK-së;
18.35 – 18.50 Promovimi i 4 botimeve të QRTK-së:

“Zejet dhe Artizanatet e Prizrenit në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” – Shpresë Siqeca.
“Gurët Mbivarrorë në Kompleksin e Teqesë Sinani në Prizren” – Mediha Fishekqiu• “Katalog me Eksponate nga Rajoni i Prizrenit”.
“Katalogu Arasta Vice – Versa”.

18.50 – 18.55 Ndarja e mirënjohjes Post Mortem për themeluesin e IMM-së, të ndjerin Muhamed Shukriu
18.55 – 19.10 – Hapja e ekspozitës “Arasta Vice – Versa”
19.10 – Koktej i përcjellur me muzikë klasike. / KultPlus.com