Ramë Lahaj, uron shqiptarët për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës (VIDEO)

Tenori shqiptar Ramë Lahaj, nëpërmjet një videoje, uron të gjithë shqiptarët për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ai shpreh keqaredhjen që nuk ka mundur të jetë i pranishëm në Kosovë, por prej Parisit, ai ka përshëndetur të gjithë qytetarët, nëpërmjet një interpretimi/KultPlus.com

Familja Kadare në Operën e Parisit, ndjek nga afër performancën e Ramë Lahajt

Familja e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare ka ndjekur shfaqjen e tenorit të njohur shqiptar, Ramë Lahaj që po mbahet në Operën Kombëtare të Parisit, shkruan KultPlus.

Ramë Lahaj përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka ndarë emocionet e tij për pjesëmarrjen e familjes së shkrimtarit në shfaqje dhe ka falënderuar familjen Kadare për ftesën për të kaluar një mbrëmje së bashku.

“Dikur Ismail Kadarenë e njihja vetëm si një prej shkrimtarëve të mëdhenj ndërsa kësaj radhe kënaqësia e të rikthyerit në Operan e Parisit më dha edhe nderin të kem prezent familjen Kadare në njërën prej shfaqjeve të mia. E veçantë të kalonim një mbrëmje bashkë dhe ju faleminderit për ftesën”, ka shkuar tenori Ramë Lahaj në Facebook.

Tenori shqiptar Ramë Lahaj, këtë muaj po prezantohet me shfaqjen “La Traviata”, të Giuseppe Verdi në Operën Kombëtare të Parisit. Premiera e kësaj shfaqje është prezantuar më 2 shkurt ndërsa do të ketë shfaqje të tjera deri më 28 shkurt, duke numëruar gjithsejtë 8 shfaqje./KultPlus.com

Ramë Lahaj, në rolin e Alfredos po prezantohet në Operën Kombëtare të Parisit (FOTO)

Tenori shqiptar, Ramë Lahaj, këto ditë këto ditë po prezantohet me shfaqjen “La Traviata”, të Giuseppe Verdi në Operën Kombëtare të Parisit, shkruan KultPlus.

Ramë Lahaj më parë ka njoftuar se kjo shfaqje operistike është realizuar me regji të Benoit Jacquote dhe me dirigjent Dan Ettinger.

Ramë Lahaj në këtë shfaqje është prezentuar në rolin e Alfredos, ndërsa në krah ka Marina Rebekan, e cila është paraqitur në rolin e Violetës. KultPlus ju sjellë një fotografi të publikuar nga tenori shqiptar, me sopranon Rebeka në Operën Kombëtare të Parisit.

Në bazë të faqes zyrtare të Operës Kombëtare të Parisit, premiera e kësaj shfaqje është prezantuar më 2 shkurt ndërsa do të ketë shfaqje të tjera deri më 28 shkurt, duke numëruar gjithsejtë 8 shfaqje./ KultPlus.com

Me rolin e Alfredos, Ramë Lahaj do të ngjitet në skenën e Operës Kombëtare të Parisit

Tenori shqiptar Ramë Lahaj do të prezantohet me shfaqjen “La Traviata” të Giuseppe Verdi në Operën Kombëtare të Parisit, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje operistike do të ngjitet me premierë më 2 shkurt. Vetë Ramë Lahaj ka njoftuar se kjo shfaqje operistike është realizuar me regji të Benoit Jacquote dhe me dirigjent Dan Ettinger.
Ramë Lahaj në këtë shfaqje do të prezantohet në rolin e Alfredos, kurse në atë të Violetës do të paraqitet Marina Rebeka.

Në bazë të faqes zyrtare të Operës Kombëtare të Parisit kjo shfaqje do të ngjitet si premierë më 2 shkurt dhe do të ketë shfaqje të tjera deri më 28 shkurt, duke numëruar gjithsejtë 8 shfaqje./KultPlus.com

Ramë Lahaj: Bolshoi i Moskës është gjiganti i operës botërore për mua, më bën te ndihem sikur po jetoj në kohën e divave

E nisi karrierën në moshë të madhe, por suksesi i erdhi në paketë. Vetëm për gjashtë vjet, qysh nga ngjitja e parë në njërën nga teatrot ndërkombëtare ka bërë që emri i tenorit Ramë Lahaj të kërkohet gjithandej nëpër teatro prestigjoze të botës. Ai tashmë ka të rezervuar agjendën deri në vitin 2021, kurse viti 2018 shënon një ngjitje tepër të rëndësishme, pasi që edhe tre shfaqje të rëndësishme do të marin formë pikërisht nga Ramë Lahaj, por që do të prezantohen në Bolshoi të Moskës, ku Ramë Lahaj në intervistën e dhënë për KultPlus ka treguar se këtë Shtëpi Operistike e vlerëson si gjigant botëror të operave.

Tenori Lahaj ka treguar edhe për përvojën e tij me të famshmin Domingo, sikurse që ka treguar edhe për një ngjarje të madhe me artistë shqiptarë, që do të ndodhë pasi që do të rinovohet Shtëpia e Operas në Tiranë.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Akoma nuk janë mbushur dhjetë vite nga diplomimi i juaj në Akademinë e Arteve në Tiranë, por nëse i referohemi suksesit tuaj nëpër botë, duket sikur një jetë e tërë. E keni edhe ju këtë ndjesi për ngjitjen e juaj kaq të shpejtë në karrierë, apo keni përshtypjen se tek tash ka filluar puna e madhe?
Ramë Lahaj:
Në fakt, plot herë surprizohem edhe vet se sa shpejt kanë ecur gjërat për një periudhë ma pak se 6 vjeçare. Ajo që më bën shumë krenar është se mundi im i madh dhe lufta ndaj ëndrrës time u realizuar për një kohë kaq të shkurtër. Realisht ky është vetëm fillimi, konsideroj fillim sepse këto ishin vitet e mija të para ku unë kisha mundësi te bindja teatrot e mëdha që më kishin besuar produksionet e para për të më rikthyer me produksione të tjera në të ardhmen.

KultPlus: Tek në vitin 2012 rrugët e tua u hapën me një shpejtësi marramendëse dhe ofertat tashmë për role të ndryshme nëpër skena prestigjioze nuk kanë të ndalur, cilën ofertë e konsideroni si një shans që bindët profesionistët se jeni njeriu i duhur për skena të mëdha?
Ramë Lahaj:
Është një paketë e madhe që unë nuk mund ta veçoj asnjë, sepse çdo produksion ka pasur rëndësinë e vet dhe kudo kam dhënë diçka ndryshe, kështu që të gjitha së bashku kanë dhënë frytin që unë të jem i rezervuar edhe për sezonin 2021…

KultPlus: Shumë herë keni deklaruar nëpër medie se rrugën prej një tenori e nisët në një moshë të madhe, në moshën 21 vjeçare, por para kësaj, keni ndjerë që ju jeni bërë për këtë profesion?
Ramë Lahaj:
Po, qysh në vitin e dytë të Akademisë së Arteve e kam ndjerë se kjo është me e mira që mund të bëj , ndaj edhe nuk i jam ndarë kurrë.

KultPlus: Nëse kërkon në internet, përshkruhet se ju vini nga Istogu, nga një vend që nuk ka pas as shkollë të muzikës. Besoni se jeni një shembull për të tjerët se një ëndërr duhet ndjekur, pavarësisht rrethanave?
Ramë Lahaj:
Unë jam i bindur se prejardhja se nga vjen nuk ka hiç rëndësi, përkundrazi mund të shihet si pozitive në rastin tonë, sepse nervi, temperamenti, bagazhi jetësor, vuajtja e një jete të rënd se nga kalojmë ne dhe te paret tanë, na bëjnë shumë të veçantë në skenë, janë emocione që i duhen skenës dhe që neve na ka bekuar me to.

KultPlus: Kur jemi të ëndrrat, ju e ndoqët ëndrrën apo fati ishte i tillë që të jeni këtu ku jeni?
Ramë Lahaj:
Nëse presim fatin nuk bëhemi artist kurrë e as nuk realizojmë ndonjë nga ëndrrat tona, unë besoj që fryt i suksesit është vetëm puna e madhe dhe lufta për ta realizuar atë.

KultPlus: Paraqitjet e tua në shfaqje të mëdha prestigjioze deri në Sidney u vlerësuan shumë të suksesshme, por për karrierën tuaj të mëtutjeshme duhej edhe një vulë më madhe që të konsideroheshit si një tenor big, gjë që erdhi në vitin 2016, çmimi i Operalis, çmim që e ëndërrojnë shumë artistë, si ndikoi ky çmim për rrugëtimin e mëtutjeshëm?
Ramë Lahaj:
Në kohën kur jam vlerësuar me çmimin Operalia unë tanimë vetëm kisha në kalendar teatro te mëdha, gjë që e ka bërë akoma më të komplikueshme konkurrimin për mua, por fati deshi të vlerësohesha nga vet Maestro Domingo që për mua ka qenë një ëndërr, është privilegj që vjen vetëm një herë në jetë.

KultPlus: Dhe pikërisht ky çmim ka bërë që ju të keni paraqitje të shpeshta me artistin e madh Placido Domingon, kur jeni në skenë me të, të besohet akoma se me të vërtetë jeni duke e përjetuar një paraqitje kaq të madhe, ndarjen e skenës me të madhin Domingo?
Ramë Lahaj:
Paraqitja me Maestron, ka qenë një nga ëndrrat dhe synimet e mija. Jam tejet i lumtur që pata fatin ta takoj, te vlerësohem nga ai dhe njëkohësisht të më bëhet mentor i karrierës time.

KultPlus: Kurse viti 2018 është një vit i ngjeshur me shumë paraqitje duke përfshirë edhe atë në Teatrin e Moskës, po ashtu një teatër shumë prestigjioz, çfarë ndjesie keni për këtë rol që do ta paraqitni para audiencës ruse?
Ramë Lahaj:
Me Moskën kam gjithsejtë katër produksione , një e kam bërë këtë nëntor e ndërsa tri të tjera vijnë sezonet e ardhshme, Bolshoi i Moskës është gjiganti i operës botërore për mua , teatër që më bën te ndihem sikur po jetoj në kohën e divave kur opera ka qenë në piedestalin më të lart, kënaqësi që nuk përshkruhet.

KultPlus: Ndërkohë, me rolet që je paraqitur deri tashti, cili është ai që të ka mbërthyer më shumë?
Ramë Lahaj:
Faust nga Gounod që unë e debutova në fillim të këtij viti në Tel Aviv me një prej dirigjenteve më të talentuar të gjeneratës së re Dan Ettiger.

KultPlus: Po rolin që do të doje?
Ramë Lahaj:
L’elisir d’amore nga Donizetti që do ta debutoj në një nga teatrot më prestigjioz te Spanjës.

KultPlus: Gjithë këta artistë shqiptarë nëpër botë, ëndërron për një shfaqje të madhe operistike me nivel ndërkombëtarë që do të kishte krejt trupën me artistë shqiptarë?
Ramë Lahaj:
Kjo do ishte një nga gjërat që do ta bëja me shuuumë qejf, do te ndodhë së shpejti sapo teatri në Tiranë të rinovohet.

KultPlus: Megjithatë, kur ktheheni në Kosovë, ju nuk keni mundësi të shfaqni talentin e juaj para audiencës kosovare, si pasojë e mungesës së shfaqjeve operistike por edhe të një shtëpie operistike, sa të dhemb ky fakt?
Ramë Lahaj:
Hmmmm ,më dhemb më shumë fakti se nuk po bëhet as edhe një gjë me e vogël në këtë drejtim që të paktën të kemi shpresë për të ardhmen… jam shumë i zhgënjyer në këtë aspekt me ata që janë përgjegjës për këtë fushë.

KultPlus: Kosova është e privuar nga këto kushte, megjithatë Shqipëria qëndron më mirë në këtë drejtim, keni ndonjë ofertë që mund të paraqiteni para audiencës shqiptare atje?
Ramë Lahaj:
Kam pasur oferta të vazhdueshme, kam pasur shuumë më shumë oferta nga Tirana se sa nga Prishtina, por agjenda ime e ngjeshur nuk më ka dhënë shumë mundësi që të rikthehem në Tiranë apo Prishtinë edhe pse më me shumë qejf do të vija.
Dhe për fund, me cilin artist shqiptar më me dëshirë do të bashkëpunoje për një shfaqje operistike?
Janë shumë, nuk është vetëm një./ KultPlus.com

Placido Domingo: Tenori Ramë Lahaj i ka të gjitha mundësitë për një karrierë fantastike (VIDEO)

Tenori legjendar Placido Domingo flet për Ramë Lahajn.

Vetë tenori shqiptar e ka postuar një video ku dëgjohen disa nga mendimet e Domingos për punën e Lahajt. Lahaj ka kohë që bashkëpunon me Placido Domingon.

“Jam më se i nderuar për gjithë përkrahjen që më jep në çdo hap te karrierës sime” ka shkruar Lahaj duke e shoqëruar edhe një video ku Domingo tregon se Lahaj është një tenor që i ka të gjitha mundësitë për të bërë një karrierë fantastike, shkruan KultPlus.

“Ai ka performuar në teatrot më të mëdhenj botërore dhe është në kohë të përkryer për të gjitha paraqitjet e tij” thotë mes tjerash Domingo.

Shumë shpejtë do të dalë versioni komplet i videos.

Tenori Ramë Lahaj ka lindur në Istog. Vitin e kaluar ai ishte njëri prej fituesve të Çmimit operistik OPERALIA. Lahaj së fundmi ka performuar kahas Domingos kur në Meksikë salla operistike morri emrin e legjendës Placido Domingo. / KultPlus.com

Tenori shqiptar Ramë Lahaj mrekullon audiencën në Rusi (VIDEO)

Dy fituesit e cmimit prestigjioz Operalia: Dinara Alieva e Ramë Lahaj kanë qenë pjesë e shfaqjes operistike “La Traviata”, shfaqje kjo që është prezantuar në Bolshoi Theatre në Moskë të Rusisë, shkruan KultPlus.

Vetë Ramë Lahaj ka ndarë me fansat e tij momentet kur është përshëndetë nga publiku i Moskës, ku shihet të jenë entuziazmuar me performancën e tenorit shqiptar.

Ramë Lahaj është një ndër artistët shqiptarë që po shënon suksese në teatrot më prestigjioze të botës, duke u prezantuar në shfaqje shumë të rëndësishme e me role të mëdha. Së fundi, Ramë Lahaj është prezantuar edhe në Meksikë./KultPlus.com

Salla operistike në Meksikë merr emrin e Placido Domingos, në koncertin gala edhe tenori shqiptar Ramë Lahaj (VIDEO)

Është inauguruar salla 1 e Shtëpisë Operistike në Meksikë, ku në koncertin gala, bashkë me tenorin e famshëm Placido Domingo, janë ngjitur në skenë edhe finalistë të Operalias, ku i pranishëm ishte edhe tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj, shkruan KultPlus.

Një paraqitje të shkëlqyer kanë prezantuar këta artistë para audiencës në Meksikë, dhe të njëjtit, për të falënderuar tenorin e madh me famë botërore Placido Domingon, ata po këtë sallë kanë emërtuar me emrin e Placido Domingos. Performancën e Ramë Lahaj dhe të tjerëve mund ti ndiqni në videon më poshtë./KultPlus.com

Ramë Lahaj përkrah Placido Domingos me koncert në Meksikë

I famshmi Placido Domingo, bashkë me disa nga fituesit e Operalia do të jenë artistët që do të përurojnë sallën 1 të Shtëpisë Operistike në Guadalajara, që do të mbahet më 21 tetor, shkruan KultPlus.

Në mesin e artistëve që do të performojnë në këtë mbrëmje është edhe tenori shqiptar Ramë Lahaj, i cili bashkë me mexosopranon Nancy Fabiola Herrera, tenori meksikan David Lomeli, baritoni meksikan Juan Carlos Heredia…do të bëjnë edhe përurimin e kësaj salle operistike.

Ndërkohë, në faqen zyrtare për këtë ngjarje kulturore bëhet e ditur se tashmë biletat janë në shitje, dhe ato sillen prej 500 deri në 4000 mijë dollarë./KultPlus.com