Placido Domingo u hospitalizua nga komplikimet e shkaktuara nga koronavirusi


Legjenda e Operës, Placido Domingo, është hospitalizuar në Acapulco të Meksikës si pasojë e komplikimeve të shkaktuara nga koronavirusi. Kështu kanë bërë të ditur zëdhënësit e tenorit.

“Ai është më mirë dhe po i përgjigjet me sukses trajtimit mjekësor,” ka deklaruar zëdhënësi i Domingos për CNN-in.

Javën e kaluar, tenori i famshëm botëror përmes Facebookut e bëri të ditur lajmin se është diagnostikuar me COVID-19. Ai u kërkoi fansave të tij t’i lajnë duart shpesh dhe t’i ndjekin më kujdes këshillat e mjekëve dhe rregullat e qeverisë, transmeton Koha.

“Së bashku ne mund ta luftojmë këtë virus dhe ta ndalojmë krizën aktuale mbarëbotërore. Kështu, shpresojmë që shumë shpejt do t’i kthehemi jetës sonë normale,” kishte shkruar Domingo.

Tenori spanjoll 79-vjeçar, vitin e kaluar hoqi dorë nga pozita e drejtorit gjeneral të Shtëpisë së Operës në Los Angeles, pasi ishte akuzuar nga dhjetëra femra për ngacmim seksual.

Derisa, Domingo i ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij, Shtëpia e Operës në L.A. e filloi një hetim të pavarur rreth këtij rasti, dhe besohet se akuzat e më shumë se 10 femrave ndaj tenorit po dalin të jenë të vërteta.

Placido Domingo i bashkohet listës së të famshmëve të cilët kanë rezultuar pozitiv me koronavirus të tillë si: aktorët Idris Elba, Tom Hanks dhe bashkëshortja e tij Rita Wilson, Olga Kurylenko, kantautori John Prine, Kevin Durant dhe Daniel Dae Kim. / KultPlus.com

Ylli i operës, Placido Domingo del pozitiv me koronavirus

Ylli i operës, Placido Domingo, ka deklaruar të dielën se është infektuar me koronavirus.

Domingo, 79 vjeçar, i cili ishte në Meksiko, lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

“E ndjej si detyrë morale të ju njoftoj se jam testuar pozitiv me Covid-19”, ka shkuar ai, transmeton KOHA.

Ai ka thënë se ai dhe familja e tij janë në vetizolim. Domingo ka deklaruar se ka vendosur të testohet pasi kishte disa simptoma të virusit.

Ai tutje ka bërë thirrje që njerëzit të kenë kujdes dhe t’i ndjekin këshillat. / KultPlus.com


Placido Domingo pendohet dhe anulon koncertet

Këngëtari i njohur lirik, Placido Domingo njoftoi sot nëpërmjet një deklarate se nuk do të performonte më në Teatrin Mbretëror të Madridit dhe se do të tërhiqej nga të gjitha rolet në opera, pas pranimit të akuzave kundër tij për ngacmim seksual.

“Nuk jam sjellur kurrë në mënyrë agresive me dikë”, u shpreh ai, i penduar që ndjesa e tij kishte dhënë një përshtypje të gabuar.

Prej kohësh mohues i akuzave për ngacmim seksual, këngëtari i famshëm i operas, Placido Domingo u kërkoi falje të martën 20 grave në SHBA, të cilat e kishin akuzuar.

“Dua që ato të dinë se më vjen sinqerisht keq për dhimbjen që u kam shkaktuar. Unë pranoj përgjegjësinë e plotë për veprimet e mia”, tha këngëtari 79-vjeçar, në Los Anxheles.

Pasi iu desh të hiqte dorë nga karriera e tij në SHBA, Placido Domingo mori një goditje edhe nga vendi i tij i lindjes, Spanja, që për herë të parë anuloi dje pjesëmarrjen e tij në një shfaqje, pas pranimit prej tij të akuzave për ngacmim seksual.

“Kur ai tha se ajo që ka ndodhur, ka ndodhur me të vërtetë, në lidhje me fakte serioze që kanë prekur shumë gra, ne vendosëm se nuk ishte më e nevojshme prania e tij”, deklaroi ministri spanjoll i Kulturës, José Manuel Rodríguez Uribes./ atsh / KultPlus.com

Placido Domingo u kërkon falje grave për ngacmimet seksuale

Placido Domingo u ka kërkuar falje femrave që i lëndoi, të cilat e akuzuan për ngacmim seksual.

Ylli i operas dha dorëheqjen si menaxher i përgjithshëm i Los Angeles Opera pasi akuzat ndaj tij dolën në dritë.

Gjithsej 20 gra e kanë akuzuar Domingo për ngacmim seksual dhe sjellje të pahijshme.

Por ai i ka mohuar të gjitha pretendimet.

“E respektoj faktin që këto gra më në fund ndihen komode për të folur,”– tha ai për Los Angeles Times. “Dua që ato ta dinë se më vjen vërtet keq për lëndimin që u shkaktova.”

Ndërsa më pas Domingo shtoi: “Pranoj me përgjegjësi të plotë veprimet e mia dhe jam rritur nga kjo eksperiencë.”

Deklarata e tij u lëshua pas një hetimi ndaj Placido nga një sindikatë amerikane që përfaqëson interpretues të operës.

Hetimi zbuloi se ai ishte përfshirë në sjellje të papërshtatshme, duke filluar nga flirtimi deri tek ngacmimit seksuale, brenda dhe jashtë ambienteve të punës.

Akuzat, që shkojnë pas në kohë deri në vitet ’80, u bënë për herë të parë publike në gusht nga Associated Press.

Sipas pretendimeve, Domingo u kishte bërë shpesh presion grave për marrëdhënie seksuale dhe shpeshherë i ndëshkonte profesionalisht nëse refuzonin.

Në deklaratën e tij të fundit, Domingo tha se kishte marrë kohë gjatë muajve të fundit për të reflektuar mbi akuzat që kolegë të ndryshëm bënë ndaj tij.

79 vjeçari është një nga yjet më të mëdhenj të operës. Ai është i martuar me gruan e dytë, sopranon Marta Ornelas, që nga viti 1962.

Placido Domingo jep dorëheqje si drejtor i përgjithshëm i LA Opera

Ylli i operës Placido Domingo, ka dhënë dorëheqje si drejtor i përgjithshëm i Operës së Los Angeles pas deklaratave të shumta për ngacmime seksuale të raportuara nga Associated Press.

Domingo tha se deklaratat kanë “krijuar një atmosferë në të cilën aftësia ime për të shërbyer në këtë kompani që e dua kaq shumë është prishur“.

Bordi i drejtorëve të operës tha në një deklaratë të ndarë se ai performoi më shumë se 300 herë në 31 role të ndryshme. Domingo ka shërbyer si drejtor i përgjithshëm që nga viti 2003./21Media/ KultPlus.com

Placido Domingo akuzohet për ngacmime seksuale, reagon Ramë Lahaj

Placido Domingo po përballet me akuza të ngacmimit seksual, por publiku amerikan e kishte dënuar edhe para se të fillonin hetimet ndaj legjenda së operës.

AP ka publikuar deklarata e tetë këngëtarëve, valltareve dhe individë të tjerë që e akuzuan tenorin spanjoll për ngacmim, puthje të pahijshme dhe sjellje të tjera të padëshiruara. Megjithatë, deri më tani, askush nuk duket se ka paraqitur prova të qarta për pretendimet e tyre.

Në të njëjtën kohë, lajmi ka bërë një bujë të vërtetë dhe vetëm disa orë pas lajmeve, Opera e San Francisko ka anuluar performancën e tij në shtator. Ata ishin pak më të kujdesshëm në lidhje me Operën e Los Angelesit, duke thënë se do të hapnin një hetim.

Megjithatë, ndryshe nga publiku amerikan, shtëpitë e operave në Evropë nuk po arrijnë në përfundime të shpejta. Deri më tani, askush nuk ka marrë vendim që të anulojë performancat e Domingos duke përfshirë edhe qytetet si Milano, Cyrih e Londra. Disa nga kolegët e Domingos në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk janë të befasuar nga këto akuza dhe se duhet të “lihet të sharroj”. Nga ana tjetër, evropianët janë më të kujdesshëm dhe disa prej tyre i kanë dalë në mbrojtje.

Ndryshe, kujtojmë se spanjolli është mik i mirë edhe me tenorin tonë, Ramë Lahajn, ku në disa raste edhe kanë performuar së bashku në operat ndërkombëtare. Për këtë rast Lahaj ka reaguar përmes një statusi në Facebook duke i dalë në mbrojtje mikut të tij. Ai pohon se të gjithë ata që e njohin Domingon e dinë që një gjë e tillë nuk është e vërtet sepse ai është babai i mirë, që në mënyrë specifikë kujdeset për të gjithë.

“Jetojmë në një kohë të çuditshme, ku mjafton t’i mbledhësh, 2 apo 3 shoqe e të akuzosh dikë për gjëra të pabazuara, edhe krejt farë lehtë mund të vësh në mëdyshje personalitetin e dikujt. Kjo po ndodh edhe me Maestro Domingon. 
Nuk di nëse ka artist në botën e operës të këtë pas sado pak talent e të mos jetë mbështetur nga Maestro Domingo. 
Për të gjithë, që kishim fatin ta takojmë e të punojmë me të, e dimë mirë se çfarë personaliteti ka ai dhe kush është ai. Lirisht mund të them për të gjithë ne artistët e rinj, ai është Baba i mirë, që në mënyrë specifike është kujdes për secilin prej nesh. 
Maestro, ti je heroi ynë, ti je shembull dhe po ashtu modeli më i mirë i të gjitha kohërave. 
Ne të duam dhe e dimë mirë se kush je, do të të mbështesim deri në frymën e fundit”, ka shkruar Rame Lahaj. / KultPlus.com

Duartrokitje të gjata për Placido Domingon e Ermonela Jahon në Pekin

Sopranoja Ermonela Jaho është ngjitur në skenën e Qendrës Kombëtare të Arteve në Pekin në rolin e Thaïs, personazhit kryesor të operës me të njëjtin titull. Ajo është paraqitur në krah të baritonit me famë botërore Placido Domingo, që në veprën e kompozitorit francez, Jules Massenet, u prezantua me rolin kryesor të murgut, Athanael, shkruan KultPlus.

Ngjarjet zhvillohen në Egjiptin bizantin të shekullit të IV para erës sonë. Murgu Athanael që jeton në Aleksandri, përpiqet të konvertojë kurtizanen e quajtur Thais në krishterim, por zbulon mëkatin trupor dhe e gjen veten të nënshtruar ndaj hijeshisë së saj.

Forca krijuese që fshihet pas prodhimit të ‘Thais’-it nga Qendra Kombëtare e Arteve e Pekinit, është regjisori argjentinas Hugo de Ana. Ai është gjithashtu skenografi dhe kostumografi i shfaqjes.
Opera ‘Thaïs’ është vepra e parë e Qendrës Kombëtare të Arteve të Pekinit për kalendarin e vitit 2018, kurse audienca e atjeshmë është mrekulluar me performancën e kësaj shfaqje, ku duartrokitjet e tyre shihen edhe nëpërmjet videos më poshtë./KultPlus.com

Ermonela Jaho dhe Placido Domingo, verën tjetër së bashku në Peralada

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është ndër të parat këngëtare klasike që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Festivalin Peralada.

Ermonela Jaho do të jetë krahas Placido Domingos në festivalin e madh spanjoll, duke performuar operën “Thais” nga Jules Massenet. Koncerti do të ndodhë verën e ardhshme, me 29 korrik.

Një ditë më parë, me 28 korrik, tenori Jonas Kaufmann do të shoqërohet nga Orkestra e Teatrit Mbretëror të Spanjës.
Ermonela Jaho, në anën tjetër, ka bashkëpunuar edhe në të kaluarën me Placido Domingon ndërsa në Spanjë do të sjellin operën më të mirë të francezit, e cila tani po kalon në një periudhë lulëzimi në disa skena të mëdha botërore, shkruan KultPlus.

Jaho vjen në rolin e kurtizanes, ndërsa Domingo në rolin e Athanael. Artistët do të shoqërohen nga Michele Angelini, Jean Teitgen, Lidia Curtis dhe Elena Copons. Performanca fillon në ora 22:00 në The Castle Gardens Auditorium në qytetin Peralada.

Libretoja e operës bazohet në novelën me të njëjtin titull nga Anatole France. Premiera e operës është dhënë në Paris me 16 mars 1894. / KultPlus.com

Shqiptarja Ermonela Jaho, në koncertin e karrierës së Placido Domingos (FOTO)

Sopranoja e njohur botërisht, Ermonela Jaho, ka qenë mbrëmë e pranishme krahas Placido Domingos në përvjetorin e këtij të fundit, për të festuar 50 vjetorin e karrierës së tenorit Placido Domingo.

Në këtë koncert nuk kishte si të mungonte sopranopja shqiptare Ermonela Jaho e cila e ka shprehur emocionin e mbrëmjes përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Jam shumë e lumtur dhe e nderuar të jem në festimin e 50 vjetorit të karrierës së të Madhit Maestro Placido Domingo në Los Angeles dhe të ndaj skenën me kolegët e mi të mrekullueshëm të dirizhuar nga Dirigjenti James Conlon”, ka shkruar ajo.

Hera e parë e Placido Domingos në Los Angeles ishte në nëntor të vitit 1967, ndërsa tenori ka thënë se asokohe nuk ka pritur se sot do të festonte me kaq lumturi e sukses jetën dhe suksesin e tij në skenë.
Arturo Chacón-Cruz, Ana María Martínez, Nino Machaidze, Nancy Fabiola Herrera, Janai Brugger, Michael Fabiano dhe Mario Chang i janë bashkuar poashtu tenorit, ndërsa ai njihet për bashkëpunimin me artistët shqiptarë, përfshirë këtu Ermonela Jahon dhe Ramë Lahajn.

Aktorja e “Orange is the Neë Black”, Uzo Aduba, ishte poashtu e pranishme në këtë koncert, duke performuar “I could have danced all night”, shkruan KultPlus.

Aktorja Helen Mirren poashtu ishte e pranishme në këtë festim të karrierës së Placido Domingos, i cili është edhe drejtor i Operës së Los Angelosit që nga viti 2003. / KultPlus.com

Placido Domingo: Tenori Ramë Lahaj i ka të gjitha mundësitë për një karrierë fantastike (VIDEO)

Tenori legjendar Placido Domingo flet për Ramë Lahajn.

Vetë tenori shqiptar e ka postuar një video ku dëgjohen disa nga mendimet e Domingos për punën e Lahajt. Lahaj ka kohë që bashkëpunon me Placido Domingon.

“Jam më se i nderuar për gjithë përkrahjen që më jep në çdo hap te karrierës sime” ka shkruar Lahaj duke e shoqëruar edhe një video ku Domingo tregon se Lahaj është një tenor që i ka të gjitha mundësitë për të bërë një karrierë fantastike, shkruan KultPlus.

“Ai ka performuar në teatrot më të mëdhenj botërore dhe është në kohë të përkryer për të gjitha paraqitjet e tij” thotë mes tjerash Domingo.

Shumë shpejtë do të dalë versioni komplet i videos.

Tenori Ramë Lahaj ka lindur në Istog. Vitin e kaluar ai ishte njëri prej fituesve të Çmimit operistik OPERALIA. Lahaj së fundmi ka performuar kahas Domingos kur në Meksikë salla operistike morri emrin e legjendës Placido Domingo. / KultPlus.com

Salla operistike në Meksikë merr emrin e Placido Domingos, në koncertin gala edhe tenori shqiptar Ramë Lahaj (VIDEO)

Është inauguruar salla 1 e Shtëpisë Operistike në Meksikë, ku në koncertin gala, bashkë me tenorin e famshëm Placido Domingo, janë ngjitur në skenë edhe finalistë të Operalias, ku i pranishëm ishte edhe tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj, shkruan KultPlus.

Një paraqitje të shkëlqyer kanë prezantuar këta artistë para audiencës në Meksikë, dhe të njëjtit, për të falënderuar tenorin e madh me famë botërore Placido Domingon, ata po këtë sallë kanë emërtuar me emrin e Placido Domingos. Performancën e Ramë Lahaj dhe të tjerëve mund ti ndiqni në videon më poshtë./KultPlus.com

Ramë Lahaj përkrah Placido Domingos me koncert në Meksikë

I famshmi Placido Domingo, bashkë me disa nga fituesit e Operalia do të jenë artistët që do të përurojnë sallën 1 të Shtëpisë Operistike në Guadalajara, që do të mbahet më 21 tetor, shkruan KultPlus.

Në mesin e artistëve që do të performojnë në këtë mbrëmje është edhe tenori shqiptar Ramë Lahaj, i cili bashkë me mexosopranon Nancy Fabiola Herrera, tenori meksikan David Lomeli, baritoni meksikan Juan Carlos Heredia…do të bëjnë edhe përurimin e kësaj salle operistike.

Ndërkohë, në faqen zyrtare për këtë ngjarje kulturore bëhet e ditur se tashmë biletat janë në shitje, dhe ato sillen prej 500 deri në 4000 mijë dollarë./KultPlus.com