Moza Demiri: Rexhep Çelikun e ngritën nga shtrati i lëngimit për t’ia dhënë shpejt e shpejt titullin

“Rexhep Çelikun e ngritën nga shtrati i lëngimit për t’ia dhënë shpejt e shpejt titullin, ashtu…me e heq qafe debatin mbas” dhe pas dy ditësh zemra i pushoi, e cila mund të kishte ndodhur edhe në ato momente, shkruan Moza Demiri, ish-mexosoprano e Operas.

“Flisni, o artistë, Mos e poshtëroni kolegun tuaj…do iu vijë radha edhe juve… Nga këta mund të presësh gjithçka”, shkruan ajo në fillim të reagimit të saj të ashpër.

REAGIMI

“Flisni o artistë, Mos e poshtëroni kolegun tuaj… do iu vijë radha edhe juve… Nga këta mund të presësh gjithçka.

Banditizmi, djallëzia, pabesia…. arrin deri në shtratin e…!

Banditët edhe vlerësimin e një artisti të madh e bëjnë banditçe… Rexhep Çelikun e ngritën nga shtrati i lëngimit për t’ia dhënë shpejt e shpejt titullin, ashtu… “me e heq qafe debatin mbas” dhe pas dy ditësh zemra i pushoi, gjë që mund të kishte ndodhur edhe në ato momente, mjaftone ata të mos kishin telashe… Ja, ta dhamë edhe titullin sa je gjallë dhe 48 orë… Nuk dua të shkruaj gjatë për horrat e djallëzuar që kanë në dorë njerëzit me vlera të vërteta, ajo është bërë tashmë e zakonshme… harxhojnë gjithçka duke u kujdesur për antivlerën dhe nuk kanë lënë kriminel pa bërë nderi i kombit, madje i nderojnë ata duke iu bërë salltanete festimesh nëpër salla luksi akoma atyre që nuk iu ka munguar kurrë privilegji, si në komunizëm edhe sot, janë me farë e fis në krye të artit, që vendosin akoma fatin e të tjerëve… ndërkohë vlerave të kombit iu jepet titulli i mëshirës dy ditë para se të vdesin.
Turpi i tyre është kthyer tashmë në sukses dhe mund të pritet gjithçka e kobshme./ KultPlus.com

Ansambli “Shota” shpreh ngushëllime për Çelikun: Po të ishte dhimbja një objekt që do ndahej, juve nuk do t’ju ngelej asnjë thërrime

Lajmi për vdekjen e valltarit të njohur, Rexhep Çelikut ka tronditur gjithë publikun shqiptar, ndërsa me dhimbje e krenari këtë humbje e ka përjetuar edhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, shkruan KultPlus.

Me anë të telegrami të shkruar nga drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe i Valleve “Shota”, ShefqetGjocaj ka shprehur ngushëllimet për familjen Çeliku, ndërsa humbjen e valltarit e ka konsideruar të pakompensueshme për artin shqiptar në përgjithësi dhe në veçanti për atë koreografik.
KultPlus ju sjellë të plotë këtë shkrim:

E nderuara familje Çeliku,
Shumë të nderuar kolegë të Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve dhe të TKOB,
Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Korifeut të valles shqipe, Rexhep Çeliku, “Mjeshtër i madh” dhe “Nder i Kombit”. Duke e konsideruar si një humbje tepër të madhe dhe të pa kompensueshme për artin shqiptar në përgjithësi dhe atë koreografik, në veçanti, me lejoni që nëpërmes kësaj letre të shpreh ngushëllimet më të thella, në emër të punëtorëve të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe në emrin tim personal. Më besoni, të dashurit e mij, se po të ishte dhimbja një objekt që do ndahej në pjesë, juve nuk do t’ju ngelej asnjë thërrime. Sepse “Xhepi” ishte i të gjithëve dhe ashtu siç jemi mburrur më të, të gjithë, ashtu ndjejmë edhe dhimbjen për shkuarjen e tij në amshim. Gjithsesi, ai ishte njeri me fat! Duke arritur të realizohej në nivelin më të lartë të mundshëm, në artin e tij, ai u bë i gjithëkoh’shëm: Edhe sa ishte gjallë, ishte sinonim dhe frymëzim! Dhe i tillë do të jetë përgjithmonë, gjithnjë përderisa përmendet dhe luhet vallja shqipe. Gjithnjëpërderisa kujtohen dhe nderohen Korifenjtë!
Pusho në paqe artisti i kombit tim!
LAVDI!
ShefqetGjocaj, drejtor./KultPlus.com

Rexhep Çeliku, nga punëtor ndërtimi në valltar fluturues

“Valltari fluturues” titullohet monografia e radhës së autorit Dedin Suli. Kjo monografi i dedikohet mjeshtrit të valleve popullore Rexhep Çeliku, i cili numëron mbi 45 vjet krijimtari artistike në skenë. Promovimi i librit u bë dje mes kolegëve, miqve dhe të afërmve, të cilët shprehën përshtypjet e tyre për monografinë, por edhe për krijimtarinë artistike të Çelikut. Besim Zekthi, një nga emrat që përbëjnë historinë e valles shqipe, shprehu indinjatën e tij për indiferencën e institucioneve ndaj folklorit. Pas kësaj të ftuarit patën mundësi që të ndjekin një koncert nga Ansambli i Valleve dhe Këngëve Popullore. Gjatë një interviste, Çeliku tregon për hapat e parë se si është ngjitur në skenë, pa harruar të përmend edhe dorën e ngrohtë të të madhit Panajot Kanaçi .

Një monografi e Dedin Sulit, enkas për ju… Si ndiheni?
Jam i emocionuar, edhe pse unë nuk kisha koncert, përsëri ky është një “koncert” shumë i madh për mua. Kjo monografi ishte përmbledhja e gjithë jetës sime, duke filluar që nga adoleshenca dhe deri në ditët e sotme. Janë rreth 45 vjet në skenë, 45 vjet të mbushura me emocione, sepse artistit nuk i ndahen emocionet deri sa të mbyllë sytë. Kështu që, edhe promovimi i sotëm ishte një emocion i madh, sepse këtu kisha të gjithë profesorët e Teatrit Kombëtar të Operës, duke filluar nga teatri, opera, orkestra etj., prandaj ky promovim do të ngelet në kujtesën time si një moment shumë i veçantë.

A ka ndonjë episod të rëndësishëm të jetës suaj që nuk është përmendur në libër?
Sado që t’i shikoj episodet, në libër ka shumë gjëra që nuk janë shkruar. Duhen shumë libra që të shkruash për jetën e një artisti, sepse ka edhe detaje jashtë jetës artistike që përsëri lidhen me artin. Pra janë shumë gjëra që në libër edhe nuk janë shkruar.

Nëse ndalim te fillimet e tuaja në kursin e valltarëve, çfarë do të veçonit?
Fillimisht si të gjithë adoleshentët jam marrë me sport. Pas futbollit kam filluar punë në kursin e ansamblit. I jam mirënjohës dorës së ngrohtë të profesorit Panajot Kanaçit, sepse nëse nuk do të ishte dora e tij, nuk do të isha ky që jam sot.

Profesor Panajot Kanaçi ju ka marrë teksa ishit duke punuar në ndërtim?
Të rinjtë në kohën e monizmit punonin ose në ndërtim, ose në fermë, për t’i ardhur në ndihmë familjes. Unë isha një nga ata të rinj që nuk doja të rrija kot. Duke qenë me trup të madh mendova se, në ndërtim mund të jepja më shumë, pasi edhe lekë kishte më shumë. Kështu që, tri muajt e verës nisa ndërtimin dhe gjatë kësaj kohe, profesor Panajoti më ka parë teksa punoja mbrapa TKOB-së. Kështu, nisën hapat e parë në këtë institucion dhe më pas nisa kursin e valltarëve. Më përpara unë nuk e njihja dhe nuk e kisha idenë se kush ishte profesori i nderuar Panajot Kanaçi. Në klasë të shtatë kisha parë vetëm baletin “Peter dhe ujku” që na mësonte shkolla, kaq njohuri kisha përsa i përket artit.

Si ndihesh kur të krahasojnë me valltarin e madh Besim Zekthi?
Është një kënaqësi e madhe që e ndiej qysh në moshën 16-vjeçare, sepse qysh atëherë kam kërcyer me Besim Zekthin, derisa ai doli në pension. Unë përsëri vazhdoj një jetë të afërt me profesor Besimin, komunikojmë edhe e ndihmoj kur ai ka krijimtari.
Profesor Zekthi preku disa problematika të ansamblit, por ju si drejtues çfarë do të thoshit?
Unë po vazhdoj me një kujdes të veçantë për të mbajtur gjallë atë punë që kanë bërë profesorët tanë si: Panajot Kanaçi, Agron Aliaj, Besim Zekthi etj., dhe po mundohem që të vazhdoj në vijën e tyre, duke u përpjekur dhe duke bërë maksimalen për ta mbajtur ansamblin të freskët.

Dhe sa do të vazhdoni që të kërceni?
Skena gjithmonë kërkon gjak të ri. Siç na e kanë lënë të parët tanë artin skenik, ashtu do t’ua lë vendin edhe unë të rinjve. Nëse nuk do të kërcej më në skenë, në ambiente të tjera do të kërcej derisa të jem i fuqishëm.

Rexhep Çeliku ka lindur më 19 korrik 1954 në Tiranë. Qysh nga viti 1976 është solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, numëron në repertorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit. Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin: “Për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.
Intervista është botuar në vitin 2014, në gazetën Shekulli.

“Vallja e Shqiponjave”, vallja e famshme e Rexhep Çelikut (VIDEO)

Ai është konsideruar si valltar që ka zotëruar skenën, dhe njëra ndër vallet që ka shkëlqyer është edhe “Vallja e Shqiponjave”, shkruan KultPlus.

Një incizim i vitit 1995 tregon valltarin Çeliku duke vallëzuar këtë valle, i cili me magjinë e tij ka mbërthyer audiencën. Për më shumë mund ta përcillni videon./KultPlus.com


Në vitin 1996, Rexhep Çeliku pat ngritur në këmbë audiencën prishtinase (VIDEO)

Populli shqiptar është tronditur me lajmin mbi vdekjen e valltarit të famshëm Rexhep Çelikut, i cili ka shkëlqyer gjithmonë me paraqitjet e tij skenike, shkruan KultPlus.

Ai shumë herë është vlerësuar si valltari fluturues, dhe pikërisht një paraqitje të tillëpat pasë edhe në vitin 1996, kur Ansambli Kombëtar i Valleve të Shqipërisë pat mbajtur një koncert në Prishtinë, në vitin 1996.

Për të parë më afër këtë koncert që është përcjellë edhe nga figura të rëndësishme të Kosovës, mund ta përcillni videon e bashkangjitur nga KultPlus./KultPlus.com


Shuhet legjenda e valles shqiptare Rexhep Çeliku

Vetëm katër ditë më parë Rexhep Çelikun do ta shihnim në hollin e institucionit të Presidencës, teksa Ilir Meta do t’i jepte dekoratën e lartë të “Nderit të Kombit”, por mesa duket krijuesi e ka kërkuar lart, pasi mjeshtri i valleve ka humbur këtë të premte jetën.Rexhep Çeliku vdiq në moshën 63 vjeçare pas betejës me një sëmundje të rëndë. Zemra e tij pushoi në orën 02:30 të orëve të para të kësaj dite.

Ai ishte solist i parë i Ansamblit të këngëve dhe valleve. Meta e dekorioi katër ditë më parë me motivacionin.
“Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”./KultPlus.com