I jipet lamtumira e fundit mbretëreshës së valles shqiptare, Lili Cingu

Janë mbajtur sot homazhet për Lili Cingu, ikonën e valles shqiptare, e cila vdiq mbrëmjen e së hënës në shtëpinë e saj pas betejës për një sëmundje të rëndë. 

Ajo i dhuroi emocione skenës shqiptare, për pothuajse gjysme shekulli dhe me elegancën e saj te pakrahasuseshme, duke kërcyer vallet e të gjitha trevave.

Në vitin 1967 Lili Cingu pranohet si valltare profesioniste pranë AKVP, krahas valltareve të tjera. Që nga viti 1969 pas një turneu në Turqi ajo u bë një ndër solistet më të shquara të AKKVP, e cila për mëse 30 vjet rresht arriti që në repertorin e saj të interpretonte rreth 200 valle , nga më të thjeshtat e deri tek ato më të arrirat si “Vallëzimi i shqipeve”, “Festë të madhe  ka sot Shqipëria” “Vjelja e gështenjave”, “Në garë”, ”Valle me motive të Labërisë”, “Vallja e Tiranës”, etj.

Një rol të rëndësishëm në jetën e gjatë artistike të Lili Cingut kanë luajtur edhe koreografët, ata që i besuan asaj perlat e koreografisë, duke filluar që nga Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Agron Aliaj etj.

Lili Cingu është shquar për një interpretim dinjitoz, elegancë e finesë, si dhe një kulturë të lartë muzikore, si njohese e folklorit të të gjitha trevave. Me kërcim  të lehtë e plotë bukuri  interpretoi me shije si vallen e Jugut, Çamërisë, të Dropullit, të Korçës, të Kolonjës, të Shqipërisë së Mesme,, ashtu edhe vallet epike të Veriut (Shota dhe Azem Galica”, “Sup më sup me malet”, “Oshëtima e maleve”, etj.  Dhe natyrisht në këtë interpretim dinjitoz të saj nuk mund të mos permendim partnerët e saj në AKKVP Besim Zekthi, Bashkim Braho,  Rexhep Çeliku etj.

Lili Cingu mbante  titullin “Nder i Kombit”, por gjatë aktivitetit të saj artistik me AKKVP-në ajo është nderuar me mjaft çmime, urdhra e medalje të ndryshme, me Çmimin e Republikës”, “Urdhrin “Naim Frashëri”. “Artiste e Merituar”etj. /Top Channel /KultPlus.com

Vallëzim i mahnitshëm nga ikonat e valles shqipe, Rexhep Çeliku dhe Liliana Cingu

Rexhep Çeliku dhe Liliana Cingu, shquhen si mjeshtër dhe ikona të vallëzimit të valles shqipe, shkruan KultPlus.

Çeliku dhe Cingu për vite me radhë kanë qenë antarët më të dalluar të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë.

Për kontributin e dhënë gjatë jetës së tyre në prezantimin dhe ruajtjen e valles shqipe, iu janë dhënë çmimet ‘Nderi i Kombit’nga Republika e Shqipërisë.

KultPlus ju sjell një vallëzim të mahnitshëm të legjendave të valles shqipe, të realizuar në vitin 1988/KultPlus.com