Riccardo Cocciante mbërrin në Tiranë për festivalin e RTSH-së

Para pak minutash ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit, kantautori i njohur Italian, Riccardo Cocciante, shoqëruar nga bashkëshortja, Catherine Cocciante me ftesë të drejtuesve të Radio Televizionit Shqiptar, për natën e çeljes së edicionit të 56-të të Festivalit të Këngës.

Në aeroport, artisti i njohur është pritur nga Drejtori i Festivalit të 56-të, z. Martin Leka.

Ai ka falënderuar Radio Televizionin Shqiptar për ftesën dhe e ka konsideruar këtë vizitë, përveçse vendosjen e një raporti të ri me publikun shqiptar,edhe një mënyrë, për ta shpërblyer këtë publik për dashurinë që i ka dhuruar atij si artist. Midis të tjerash, ai është shprehur edhe se e konsideron këtë edhe një rast për ta njohur më mirë vendin tone, sidomos pas lidhjes konkrete që u vendos me Elhaida Danin kur ajo fitoi ‘The voice of Italy”. “Ajo e meritoi dhe publiku italian e deshi. Talenti i saj u evidentua në turin me Notre Dame de Paris në versionin francez. Do ishte mrekulli që në ardhjen time të tretë të sjell muzikalin Notre Dame në Shqipëri”, ka përfunduar ai, sapo ka shkelur në tokën shqiptare.

Artisti është ndalur për të drekuar, për të vijuar ndalesën e tij në Tiranë, pasdite me provat në Pallatin e Kongreseve për performancën e tij të mbrëmjes së 21 dhjetorit.

Cocciante do të interpretojë një nga hitet e tij më të njohura, si edhe një duet me këngëtaren shqiptare Elhaida Dani, me të cilën shkoi deri në fund të udhës në “Voice of Italy”./ KultPlus.com

Riccardo Cocciante vjen në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar

Këngëtari i njohur italian Riccardo Cocciante do të jetë i pranishëm në festivalin e 56-të të Këngës që do të mbahet në Radio Televizionin Shqiptar.

Ndërsa na ndajnë vetëm 10 ditë nga çelja e këtij festivali, organizatorët konfirmojnë se kantautori i njohur italian do të vijë në natën e parë të Festivalit si i ftuari i nderit.

Kantautori i njohur italian Riccardo Cocciante ka qenë në Tiranë për një vizitë zyrtare në vitin 2013. Ai erdhi së bashku me këngëtaren shqiptare Elhaida Dani, pas triumfit të saj në “The Voice of Italy”. Cocciante i ka bërë një promovim të jashtëzakonshëm në atë kohë këngëtares shqiptare që triumfoi në spektaklin italian si zëri më i mirë.

Ndërkohë grupi i organizatorëve dhe krijuesve festivalit të janë në momentet e fundit të përgatitjes. Përveç provave në skenë po mendohet edhe për detajet e spektaklit të çdo nate të festivalit, i cili do të mbahet nga data 21 deri me 23 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Festivali do të moderohet nga Adi Krasta dhe organizimi vjen me regjinë e Pali Kukes. / KultPlus.com