Romani “Rikthimi” i Entela Kasit sjell një përrallë të ndjeshme në Panairin e Librit në Prishtinë

Romani “Rikthimi” i Entela Kasit u promovua në  Panairin  e Librit që po mbahet në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Një libër që shtjellon konfliktet e së shkuarës në aktualitetin botëror. 

Romani “Rikthimi” i botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku” është një libër ku në përmbajtje ka reporterë lufte, shkrimtarë, përkthyes, diplomatë, artistë dhe gazetarë  që shfaqen në mënyrë të pazakonshme në një ekspozitë fotografike si personazhe të saj. Lufta që trashëgohet dhe traumat e saj tashmë janë të rrezikuara të përsëriten. Humbja e lirisë dhe sigurisë së jetës, është një prej çështjeve të këtij romani, ndërsa fati i personazheve është dramatik për arsye të kaosit në të cilin janë të përfshirë dhe që i shoqëron ata prej fillimit. 

Autorja përveç që foli për tematikën, përmbajtjen, formën ndër të tjera vuri në pah edhe një kontribut të madh të shqiptarëve.

“Kam dashur të paraqes një të vërtetë të madhe, e që është shpëtimi i hebrenjve gjatë Holokaustit, shpëtim që e bën shqiptarët, jo vetëm të Shqipërisë por edhe ata të Kosovës”, ka thënë mes të tjerash Kasi.  

Gjithçka që ka ndodhur me Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore si edhe me Ballkanin e mbetur midis Lindjes dhe Perëndimit, rikthehet jo thjesht përmes kujtesës si element i dëshmimit të historive në të cilën personazhet kanë qenë pjesë e ngjarjeve, por edhe përmes ngjarjeve më dramatike të dokumentuara prej tyre. 

“Personazhi Hanna K. është një fotoreportere që prezanton ekspozita për luftën në Kosovë, sikurse edhe për gjenocidin në Bosnjë” shtoi tutje. 

Romani “Rikthimi” i autores Kasi tashmë është përkthyer në shumë gjuhë dhe vazhdon të jetë një libër mjaft i kërkuar./ KultPlus.com

Për herë të parë pas 14 vitesh, rikthehet grupi ‘Spice Girls’

Botës ju desh të priste fiks 14 vite për të parë dhe dëgjuar sërish Spice Girls, grupin e famshëm të vajzve që bëri jo pak bujë përgjatë viteve ’90-të. Figurat ikonike të “Viva Forever” do të rikthehen me një tjetër këngë të titulluar “Feed Your Love” si pjesë e mini-albumit që do të lançojnë së shpejti.

Lajmi për rikthimin e shumëpritur vjen në prag të 25-vjetorit të super hitit të grupit, “Wannabe”. Në nder të këtij përvjetori edhe projekti i ri quhet “Wannabe25”

“Feed Your Love” do të jetë single-i i parë i grupit që prej 2007-ës dhe bota mezi po pret ta dëgjojë! Çfarë është më mirë se kaq? Fakti që pavarësisht thashethemeve, Victoria Beckham do t’i bashkohet pjesës tjetër të vajzave.

EP pritet të publikohet në 9 korrik, por do të jetë gjerësisht e aksesueshme duke nisur nga 23 korriku. Rikthimi i “Spice Girls” përtej nostalgjisë nuk vjen pa një qëllim të caktuar. Të gjithë të ardhurat prej projektit “Wannabe” do të shkojnë si kontribut për komunitetin e braktisur LGBTQ+ në Britaninë e Madhe. / KultPlus.com