Romani “Rikthimi” i Entela Kasit sjell një përrallë të ndjeshme në Panairin e Librit në Prishtinë

Romani “Rikthimi” i Entela Kasit u promovua në  Panairin  e Librit që po mbahet në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Një libër që shtjellon konfliktet e së shkuarës në aktualitetin botëror. 

Romani “Rikthimi” i botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku” është një libër ku në përmbajtje ka reporterë lufte, shkrimtarë, përkthyes, diplomatë, artistë dhe gazetarë  që shfaqen në mënyrë të pazakonshme në një ekspozitë fotografike si personazhe të saj. Lufta që trashëgohet dhe traumat e saj tashmë janë të rrezikuara të përsëriten. Humbja e lirisë dhe sigurisë së jetës, është një prej çështjeve të këtij romani, ndërsa fati i personazheve është dramatik për arsye të kaosit në të cilin janë të përfshirë dhe që i shoqëron ata prej fillimit. 

Autorja përveç që foli për tematikën, përmbajtjen, formën ndër të tjera vuri në pah edhe një kontribut të madh të shqiptarëve.

“Kam dashur të paraqes një të vërtetë të madhe, e që është shpëtimi i hebrenjve gjatë Holokaustit, shpëtim që e bën shqiptarët, jo vetëm të Shqipërisë por edhe ata të Kosovës”, ka thënë mes të tjerash Kasi.  

Gjithçka që ka ndodhur me Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore si edhe me Ballkanin e mbetur midis Lindjes dhe Perëndimit, rikthehet jo thjesht përmes kujtesës si element i dëshmimit të historive në të cilën personazhet kanë qenë pjesë e ngjarjeve, por edhe përmes ngjarjeve më dramatike të dokumentuara prej tyre. 

“Personazhi Hanna K. është një fotoreportere që prezanton ekspozita për luftën në Kosovë, sikurse edhe për gjenocidin në Bosnjë” shtoi tutje. 

Romani “Rikthimi” i autores Kasi tashmë është përkthyer në shumë gjuhë dhe vazhdon të jetë një libër mjaft i kërkuar./ KultPlus.com

‘Nëna e atit’ gërshetim poetik mes revoltës dhe melankolisë

Dukagjin Geca

Entela Kasi është shkrimtare, përkthyese dhe eseiste. Deri më tani botuar në gjuhën shqipe librat me poezi “Ëndërr e paemër” (1992), “Koha e kalit” (1998) dhe “Muzg pikëllimi” (2005).. Me romanet trilogji “Të korrat e Krishtlindjëve”, “Hannah K” ka tërhequr vëmendjen e kritikës shqiptare dhe të huaj. Poezitë e saj janë përkthyer dhe botuar në antologji dhe revista letrare nëshumë gjuhë të huaja.

Vetë titulli i veprës “Nëna e atit” mund të lexohet në disa forma, duke u nisur nga fjala nënë prej të cilës fillon njerëzimi, është zanafilla e jetës, qeliza e krijimit të shoqërisë, njerëzimit, kushti për të ekzistuar, ashtu siç është edhe ati i rëndësishëm, sepse pa atin nuk është as nëna, kjo është jeta, midis këtyre dyve, prej nga lind shoqëria, ashtu edhe kjo vepër sjell ngohtësi te secili lexues, siç sjell ngohtësi nëna dhe ati në familje.

Në këtë libër, Entelën e gjejmë si “autore të brendshme” d.m.th. kur lexon poezitë e saj, duket sikur lexon një pjesë të jetës së saj, sepse fjalët e saj letrare tëndërthurura mirë në vargje, kanë përthithur kujtimet nga çastet e jetës të cilat ajo i pasqyron në poezi. Ajo na e thotë troç e pa frikë të kaluarën e saj, sepse shkrimtari që ka frikë nga përjetmet e veta është një shkrimtar i mjerë, i pasinqertë, sepse të gjitha këto kujtime e përjetime janë ngjizur në kujtesën e saj, kanë mbetur brenda saj, të cilat i shpreh me, pothuajse, të gjitha figurat stilistike, duke na i servuar edhe më bukur më anë të metaforës, krahasimit, alegorisë… në mënyrë që lexuesi të mbajë në vazhdimësi vëmendjen dhe të mos lexojë sipërfaqësisht, por të lexojë mes rreshtash, t’i kuptojë fjalët në burim dhe ta kuptojëporosinë e saj në rrënjë, ta përjetojë apo ta lexojë përjetimin e autorës.

PEISAZHI FAMILJAR

AMIDAH, NËNA E ATIT

Mbështjellë nga drita heshtur
me kandilin ndezur shkonte tek bariu…
…Flokët e saj si një kurorë kallinjsh gruri
Mbështjellë kokës së bukur
Nën dritë yjesh
Ai mbante një kapë të zezë,
Përherë
Të premteve mbrama
Të bardhë
Tash është koha të heshtim
Të dëgjojmë…
këngët…

Një hyrje madhështore, plot metaforë e krahasim, e gruas fisnike, me dinjitet, si zanë mali që reflekton dritë, me flokët si kurorë kallinjsh: Amidah – lutje e heshtur., ndoshta sepse heshtja është më e bukur se fjalët, e në këto raste lutjesh, më shumë i shkon për shtati heshtja gruas, që pret lutjet e burrit. Amidah, ashtu është edhe gjyshja, nëna e atit, që brenda vetës gjithmonë mbarte qetësinë dhe maturinë.

Me anë të kesaj poezie autorja na e skicon një mbrëmje të një familjeje që bëhen gati për lutje. Ata pothuajse janë të vetëm apo të braktisur, megjithatë të qetë dhe të lumtur, janë hebrenj dhe përderisa kanë mbaruar punët e lodhshme të ditës, fillojnë të bëhen gati për leximin e librit të shenjtë. Nuk duhet të bëjnë asgjë, duhet thjesht të luten, t’i bëjnë çapat e llogaritur, sepse tashmë i kanë bërë gati të gjitha gjërat, dhe ky është momenti që sapo kanë mbaruar ushqimin, kanë përgatitur gjithë atmosferën, kanë vendosur librat që do t’i lexojnë me zë të lartë dhe gjyshi, në këtë rast, ka vendosur kapën e zezë kostum tipik i besimtarit hebre dhe po bëhet gati të lexoje Toran, ndërsa gjyshja, nëna e atit, pasi ka mbaruar të gjitha punët do të dëgjojë zërin e librit të shenjtë që vjen përmes burrit.

Psikoligjia është aq e thellë sa përmes kësaj pamjeje ja jepët pasqyra, thujase, e tërë librit, apo e jetës në të kaluarën: Familje e vogël, e qetë, punëtore, gruaja përfaqëson qetësinë, prehjen, dashurinë, urtësinë, ndërsa burri si baza, shtylla e shtëpisë dhe mbështetja me e madhe e gruas dhe prijës i familjes. E mbi të gjitha këto që e personalizojnë familjen, nuk mungon besimi, të drejtuarit Zotit për paqe, qetësi shpirtërore e harmoni.

Ndoshta këto janë elementet që i mungojnë nga e kaluara famlijes së sotme!

MELANKOLIA

Ta lexosh Entelën në këtë vepër, do të thotë të lexosh ndjenjat e brendshme të saj, të gjitha sfilitjet e saj shpirtërore të strukura në xhepin e shpirtit, të kaluarën e saj, herë-herë tëdhimbshme, si një kohë e vranët dhe më shi, melankolike, përmalluese, fjalë të pathëna, lot të derdhur, dhimbje të strukura, dashuri e dështuar, e largët… melankoli e dashuri, e shprehur me litotë, metaforë, alegori, simbol, krahasim… lirizëm i thellë brenda secilës strofë, ndërsa metafora e krahasimi ndihen të përsëritura dhe të pranishme, gati në secilin varg. Vjeshta dhe vetmia, rënia e gjetheve, flladi vjeshtor të gjitha këto elemente na sjellin melankolinë e shpirtit të saj mes rreshtash:

PËR TË FUNDIT HERË

…Si kristale rrëzëllejnë lotët harrimit

E pa ëndërrt dridhem si violina në shi

Si tingull që humbet në terr gjersa meket

Që shuhet e vdes gjersa tretet…

TIS I NATËS

… Qelq i natës tis krejt i përhumbur

Nëpër vetëtima mbushur plot zjarr

Tutje djeg njëëndërr të gremisur

Në ç’pikëllim e dëshpërim pa cak…

Entela,duke u tretur në lirizëm, sikur krahason gjendjen e saj shpirtërore me peisazhin, ashtu siç ndjehet brenda vetës, ashtu është edhe peisazhi që e rrethon,dhe kjo, për arsye se ky lirizëm është në pajtim me horizontet e saj.

REVOLTA

Entela është e jashtëzakonshme nga mënyra se si e ndërton poezinë, si e organizon, si e përdor fjalën në funksion të idesë, si e ndërton frazën pa asnjë tepri. Ajo arrin me sa më pak fjalë e fjali maksimumin e përcjelljes së mesazhit te lexuesit. Ia arrin qëllimit.

Gjithçka në poezinë e saj është funksionale dhe në shërbim të konstruktit të krijimit.

ATLANTIS

Që kur u fundos,

mori me vete edhe “ca kamare turpi”

me koka njerëzish

si në teatër

kur hyjmë nërend.

               Poetja vëren në bashkëkohësinë e saj moderne se njeriu nuk është përmirësuar shumë, pavaräsisht katastrofave, që i ka shkaktuar vetes gjatë shekujve, katastrofa këto që po ky njeri i ka shqyrtuar e pasqyruar në letërsinë e vet historike, biblike e mitologjike, por pa nxjerrë mësime të dobishme prej tyre.

KËTU KU JEMI

“Thuhet se liria këtu është jo thjesht një fjalë, duket,

Kyçur kemi gojën me shtatë dryna

(Çelësat dihet i kanë ata që ulur janë mbi jetët tona)

Ndaj këtu

Ne robër

Ne skllevër

Të njëjtë, të sotëm, të djeshëm.”

Edhe Migjeni donte një grusht të fortë t’i binte malit që s’bëzanë… ashtu edhe Entela shpreh revoltën e saj ndaj politikbërësve dhe ndaj gjendjes së tanishme të atdheut, sepse siç duket, edhe pse si popull i vuajtur e i shtypur, përjetues i gjenocideve e padrejtësive të shumta nga popuj të tjerë, ne shqiptarët nuk kemi mësuar, sidomos ata që merren me fatet e shoqërisë apo krijuesit e politikave për shoqërinë, kudo qofshin ato, në cepe të ndritura apo të errëta të vendit.Sepse ne si qënie humane kemi trashëguar trauma nga gjenocidet, prandaj kur shikon tëkaluaren, kujtesen dhe je në pikën reale të së sotmës, në realitet dallojmë se nuk është përmirësuar shumë sjellja, dhe problematika është gati e njëjtë, dhe thua nuk paskemi mësuar ende.Shqipëria e sotme ende i ka gjërat jo të qarta, jo të paqta, jo mirë me vetveten.

Kualitet i veçantë, pra, i disa poezive të Entela Kasit janë ironia e satira, që ndonjëherë, përshkak të angazhimit emocional të autores, ngrihen në nivelin e sarkazmit dhe të akuzës së tërë sistemit shoqëror të kohës. Kjo ironi e saj nuk i pason skenat komike të jetës, ajo nuk rrjedh prej humorit, andaj as nuk e ka atë qëllimin e rëndomtë të satirës: përmirësimin e jetës me anë të kritikës. Ironia e Entelës vjen prej tragjikes së vërejtur në realitet, prej shqetësimit që ndjen ajo ndaj shkaktarëve të mjerimit, prej turbullirave të saj shpirtërore dhe, në fund, prej dëshirës së nxitur nga pezmi që ai realitet të mohohet, të ndryshohet.

KTHIMI I POEZISË NË PROZË

Tiparet respektuese të dy gjinive nuk janë kategorike, pasi ato migrojnë sa nga njëra te tjetra, ndaj edhe një prerje e ftohtë dhe përfundimtare mes tyre është e vështirë të gjendet. Meqenëse ky “mes i artë” nuk ekziston, për të dalluar prozën nga poezia, deri në njëfarë pike, mund të aplikohen metoda formale e logjike.

Po marr një shembull dhe me të do të përpiqem të kryej një shndërrim, jo për të treguar se e gjithë poezia e Entelës mund të kthehet në prozë, por thjesht për të vërtetuar karakterin prozaik të poezisë së saj.

PËRTEJ

Nuk mund t’i gjej sytë e gjelbër të fëmijës lypës, as skalpin pa flokë në hollet e galerisë së shtetit, ku burra e gra, me gazeta palosur në dosjet bosh, ngjitnin shkallët e ligjit pa vepra origjinale.

Zemra e fëmijës lypës, e përcaktuar si organ, do të rrahë diku për një tjetër shëndetlig të botës. Skalpi pa flokë, ngjyrë bari, do të endet nëpër rrugë vazhdimisht në sheshin “Nëna Tereza. Në të majtë, në të djathtë, në qendër.

Në themel të kësaj  qëndron ideja domethënëse sa i përket faktit që poezia e Entelës nuk është tërësisht një gjini e pastër dhe se mbi të gjitha, ky tipar (sistematik) i poezisë së saj,  nuk mund të mos cilësohet si një tjetër “provokim estetik”.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale”, tek Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. /KultPlus.com

Shkrimtarja shqiptare në mesin e 5 grave fituese nga e gjithë bota për çmimin e ekselencës në Itali

Një nga 5 fitueset e Çmimit “Eccellenza Donna International” për vitin 2020 është shpallur shkrimtarja shqiptare, presidente e Qendrës Pen për Shqipërinë, Entela Kasi.

Ky çmim i është dhënë nga Komuna e Aulla-s, në Toskanë, 5 grave nga e gjithë bota për kontributin e tyre në fushën e letërsisë dhe arteve. Ceremonia e ndarjes së Çmimeve së “Ekselencës në Itali dhe botë” do të mbahet në muajin nëntor në Komunën e Aulla-s.

“Për këto gra – thotë Marina Pratici – të cilat sjellin përsosmërinë e tyre në Itali dhe në botë, shkojnë urimet tona më të ngrohta”. / KultPlus.com

‘Për Teatrin Kombëtar, sot’

Entela Kasi

Ky është një krim ndaj identitetit, ndaj trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, që kryhet paturpësisht sot!

Shekspir ku je? Bash mes Tiranës në shekullin XXI- një tjetër dramë në skenë po luhet si një kumt i zi, krejt si në kryeveprat e letërsisë botërore!

…por pyetja që sot kam, nuk është – ku është opozita, e ku janë artistët?

Pyetja që shtrohet sot është – Ku janë artistët veshur me imunitet deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë?

– Ku janë të gjithë ata, arkitektët, por edhe albanologët, të cilët brenda institucionit të Qeverisë, lejuan të arrijmë në këtë situatë të tillë, absurde të Shqipërisë sot?

– Ku janë të gjithë ata intelektualë të Bashkisë Tiranë, e po ashtu edhe ata këshilltarë të këtij Institucioni?

– Ku është Ministria e Kulturës si institucion në këtë ditë?

– Ku janë reaktorët e suplementeve të kulturës në mediat e shkruara dhe audiovizive të Shqipërisë?

Se ku është opozita, dihet!
Se si po merren zvarrë ata që po e mbrojnë këtë çështje, këtë ne po e shohim me sy!

Çështja është: ku është pushteti? Shteti!

Shekspir, ku jemi?

Entela Kasi, Presidente e Qendrës PEN të Shqipërisë /GazetaLetrare.com

Letërsia mbetet atdheu universal i njerëzimit në të gjitha kohët

 Nga Entela Kasi

Prej 17 vjetësh, Peja është kthyer në një qytet të kulturës evropiane dhe asaj botërore, falë Takimeve Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, të cilat i kanë sjellë Kosovës, personalitete të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare. Përmes këtij manifestimi ndërkombëtar, Kosova ka shpalosur vlerat e humanitetit, parimet universale të lirisë, duke dëshmuar trashëgiminë kulturore jo vetëm letrare por edhe atë historike të shqiptarëve e cila mbetet një pasuri e çmuar për njerëzimin dhe kulturën botërore, e sidomos për Evropën e shekullit në të cilin vlerat e dinjitetit njerëzor mbeten vlera të mbarë njerëzimit.

Letërsia , artet, janë pasuri e çmuar për njerëzimin. Punët e artit janë trashëgimia e kulturës së qytetërimeve nga antikiteti në kohët moderne. Ky Manifestim i cili mban emrin e poetit Azem Shkreli, një prej majave të letërsisë shqipe, mbetet i një rëndësie të veçantë, dhe njëkohësisht një urë lidhëse midis Kosovës, rajonit të Ballkanit, Evropës dhe botës.

Komuna e Pejës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sporte, stafet organizative të këtij Manifestimi Ndërkombëtar, kanë ditur të sjellin elita të mendimit botëror në Kosovë, duke i dëshmuar krejt kryeqendrave të botës, jo vetëm trashëgiminë kulturore identitare të shqiptarëve, por vlerat e humanitetit të kulturës shqiptare e cila mbetet përfaqësuese dhe e rëndësishme për botën e madhe të letërsisë. Ismail Kadare, shkrimtar dhe intelektual i përmasave evropiane dhe botërore ka nderuar Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, në vitin 2016. Kadare, laureat i Çmimit Ndërkombëtar Letrar Azem Shkreli në vitin 2016, me pjesëmarrjen e tij në këtë manifestim të përmasave elitare, i bëri një shërbim të çmuar Pejës dhe Kosovës. Fjala e Kadare drejtuar lexuesit, publikut dhe autoriteteve përcjell ende edhe sot mesazhe të rëndësishme për shqiptarët, rajonin dhe botën.

Poetë shqiptarë dhe të huaj kanë qenë Laureatë të Çmimeve Azem Shkreli, mes tyre Visar Zhiti, e shumë të tjerë, maja të poezisë dhe letrave. Studiues, albanologë, përkthyes, nga vendi dhe bota mbeten ambasadorët më të mirë të përfaqësimit të kulturave duke ndërtuar me punën dhe veprën e tyre ura komunikimi midis kulturave tashmë të përfaqësuara ku secila mbetet pasuri e çmuar për njerëzimin pavarësisht kufijve gjuhësorë, politikë dhe kufizimeve të tjera.

PEN International, Organizata Ndërkombëtare e Poetëve , Eseistëve, Shkrimtarëve, e themeluar në Londër në vitin 1921 nga autoritetet e letërsisë dhe mendimit botëror, gjatë këtyre ditëve është në Pejë, Kosovë, në Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, duke u përfaqësuar nga personalitete dhe autoritete të letersisë botërore të sotme. Emmanuel Pierrat, shkrimtar, Kryetar i PEN Francës, njëkohësisht edhe Kryetar i Komitetit të Shkrimtarëve për Paqe të PEN International, do jetë i pranishëm në këtë Manifestim, në ceremoninë zyrtare të Takimeve Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, ku do ketë fjalën ceremoniale dhe po ashtu do të lexojë gjatë takimeve fragmente nga libri i tij Morali i lajmit dhe morali i çensurës. Veprat e Emmanuel Pierrat janë botuar nga Gallimard dhe Fayard në Francë. Po ashtu janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë dhe vende të ndryshme të botës.

Sylvestre Clancier, poet dhe intelektual francez, një prej drejtuesve të bordit të PEN International, po ashtu mik i çmuar i letërsisë shqipe dhe njohës i thellë i veprës së Kadare, është pjesëmarrës në këto takime. Clancier me elegancën e mendimit dhe diplomacinë në komunikim ka bërë të mundur që PEN Kosova, themeluar në vizionin e Presidentit Ibrahim Rugova, të pranohet në asamblenë ndërkombëtare të PEN mbajtur në Tromso të Norvegjisë, kur për herë të parë Kosova kishte vendin e vet në këtë Organizatë të rëndësishme për kulturën botërore, përfaqësuar nga Presidenti i PEN Kosovës, poeti Basri Qapriqi. Antonio Della Rocca, poet dhe shkrimtar italian, nga Trieste vjen në këtë manifestim nën përkthimin e poetes dhe gazetares së njohur Ilire Rugova Zajmi. Vepra e Antonio Della Rocca prej vitesh i ka kapërcyer kufijtë e Italisë. Rafawl Newman, poet, kritik arti, përkthyes , një nga artistët hebrenj të Zvicrës është pjesëmarrës në këtë aktivitet të rëndësishëm. Për herë të parë në Pejë , vjen nga Izraeli poetja dhe studiuesja e njohur Hava Pinhas Cohen, autore e shumë librave në gjuhë të ndryshme të botës. ‘ Të bashkosh të ndarët’ është libri më i ri i saj i cili ka tërhequr vëmendjen e kritikës letrare në botë. Hemuth A Niederle, poet, antropolog, drejtues i PEN Austrisë, një emër i njohur për kulturën evropiane, e njëkohësisht një përkrahës dhe mbështetës i kulturës shqiptare dhe autorëve shqiptarë me banim në Austri, vjen në këtë manifestim nderkombëtar, duke sjellë jo vetëm poezi por kujtimet dhe lidhjen e tij tepër të veçantë me Kosovën dhe Shqiptarët.

Përveç autorëve të huaj, poetë dhe studiues të letërsisë shqipe do të jenë gjatë ditëve të këtij aktiviteti me promovime librash, lexime dhe takime me publikun. Erestina Halili, Anton Nikë Berisha, dhe të tjerë autorë do të promovohen gjatë ditëve të manifestimit. Poetë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe rajoni do të lexojnë poezi të tyre. Mes emrave të 18 autorëve shqiptarë, në Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, do të jenë për publikun në orën qëndrore të Manifestimit, Aleksandër Çipa, Rozafa Shpuza, Naime Beqiraj, Arjan Kallço, Flamur Shala, Xhevat Latifi, Irena Gjoni, Lindita Ramushi Dushku, Rami Kamberi, e shumë autorë të tjerë shqiptarë nga hapësirat mbarë shqiptare. Në këtë vit, djali i poetit Azem Shkreli, Valon Shkreli, do të jetë në të gjitha ditët e Manifestimit. Ashtu siç është në traditën e Takimeve Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli, do të ndahen edhe çmimet letrare. Përgjatë këtyre ditëve Peja , vendlindja e poetit Azem Shkreli, do të jetë një qendër e Kulturës Evropiane. Me këtë rast, Qendra PEN e Shqipërisë , Qendra PEN e Kosovës dhe PEN International, do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Pejës, për aktivitete të rëndësishme të cilat do të bëjnë të mundur që qyteti i Pejës të gëzojë statusin e qytetit të kulturës evropiane. Entela Kasi Presidente e PEN Qendrës të Shqipërisë Tiranë, 21 Maj 2019 / KultPlus.com