RTL jehonë Shqipërisë turistike, Rama: 22 mijë vizitorë kroatë frekuentuan Shqipërinë deri në korrik

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se 22 mijë vizitorë kroatë kanë frekuentuar Shqipërinë deri në korrik të 2023, ose 41% më shumë se viti i kaluar.

Rama ndau një kronikë të televizionit kroat RTL, ku promovohet turizmi në Shqipëri.

“Jehona e suksesit bombastik të Shqipërisë turistike vazhdon dhe këtë herë janë fqinjët e një vendi superstar në turizëm, Kroacia, ku televizioni RTL i jep një hapësirë të papritur surprizës shqiptare që po tërheq vëmendjen e mediave botërore”, tha Rama.

“Këto ditë të gjithë flasin për Maldivet europiane, Shqipërinë, ku deti është i mrekullueshëm ndërsa çmimet janë normale. Nisi me një artikull ku thuhej se në Shqipëri do të paguani 16 euro për një drekë të bollshme për dy veta buzë detit dhe se atje do të jetoni tërë javën me paratë që diku tjetër janë të mjaftueshme për tre ditë”, thuhet në kronikën e televizionit kroat, RTL.

“Nuk është as Greqia, as Spanja, as Havai dhe as Tajlanda. Këto janë Maldivet europiane. Turistët e befasuar befas zbulojnë Shqipërinë. Nëpër rrugët e Shqipërisë do të udhëtoni falas sepse nuk ka tarifa rrugore”, vijon kronika e RTL-së.

RTL intervistoi një turiste e cila u shpreh se çmimet janë më të ulëta, si për akomodim madje edhe për parking. “Akomodimi për 1 javë për dy persona në Kroaci do të kushtonte 2-3 mijë euro, kurse në Shqipëri me udhëtim dhe të gjitha do të kushtonte rreth 1 mijë euro për 1 javë. Ndoshta edhe më pak”, tha ajo.

Sipas një agjencie turistike të cituar nga RTL, për një javë pushime në Shqipëri me të gjitha shpenzimet nevojiten 850 euro.

Adriana Karuza, blogere udhëtimi u shpreh për RTL se “Shqipëria është thjesht më e volitshme”.

“Jemi dëshmitarë që çmimet në Europë janë egërsuar. Shqipëria është thjesht më e volitshme. Mund të them se para dy vitesh ne shpenzuam 730 euro përfshirë të gjitha, hotel, ushqim, suvenire, madje edhe riparimin e makinës. Tarifat rrugore nuk paguheshin. Mbaj mend që karburanti nuk ishte i lirë, por nuk kishim shpenzime për parking”, theksoi ajo.

Sipas RTL-së, reklama e pazakontë vazhdon t’i tërheqë mysafirët. “Për shkak të inflacionit çmimet kanë ndryshuar, por këtu ende mund të verohet lirë. Plazhet kështjellat dhe çmimet e volitshme, duket se Shqipëria i ka të gjitha”, përfundon kronika e RTL-së./atsh/KultPlus.com

RTL: Shqipëria destinacioni autentik i pushimeve gjithnjë e më popullor

Do të jetë Franca, Spanja, Italia apo Shqipëria në krye këtë vit?

Sipas agjencive të ndryshme turistike dhe ANWB-së (Shoqata Mbretërore Holandeze e Udhëtimeve), Shqipëria po bëhet një destinacion gjithnjë e më popullor pushimesh, shkruan faqja e njohur informative holandeze rtlnieuws.nl.

Vitin e kaluar vendi ishte kaq shumë i popullarizuar sa që disa agjenci udhëtimesh ishin mbushur plot.

Wladimir Meijer i ”Albania Travel” thotë se është e vështirë se mund të përballojë kërkesën për vendin.

Dikur ai filloi të organizonte udhëtime në Mal të Zi dhe më pas shtoi Shqipërinë.

“Njerëzit ishin aq të kënaqur me atë rajon sa vendosëm të ofrojmë udhëtime vetëm në Shqipëri,” tha ai për Editie NL.

Meijer thotë se shet aktualisht pesë herë më shumë udhëtime në atë vend.

”Krahasuar me vitin e kaluar, madje kemi një rritje prej 50 për qind. Vendi është padyshim në ngritje, këtë vit jemi tërësisht të shitur”, thekson Meijer.

Operatori turistik lokal Isuf Braho nga ”Visit Albania” po sheh gjithashtu gjithnjë e më shumë holandezë që vijnë në vendin e tij.

”Ne shohim që numri i holandezëve që vijnë në Shqipëri dyfishohet çdo vit”, tha ai për Editie NL.

”Pyeta shumë turistë se si erdhën në Shqipëri si destinacion. Ata thanë se nuk e kishin idenë se do të kishte një ndikim kaq të madh te ta”, thekson ai.

Prandaj Brahos i pëlqen të shohë holandezët të vijnë.

“Ata janë turistë të mirë. Ne kemi shumë male dhe shumë det dhe kjo tërheq njerëz të këndshëm”, shton Braho.

ANWB sheh gjithashtu një interes në rritje për Shqipërinë si një destinacion.

Sipas ekspertit televiziv Ron Vergouwen, programet televizive mund ta bëjnë një vend të popullarizuar për shkak të mënyrës se si ai portretizohet.

“Televizioni është një udhërrëfyes i madh pushimesh”, i thotë ai Editie NL.

”Gjithçka është filmuar aq bukur, sa asnjë broshurë udhëtimi nuk mund ta konkurrojë atë”, thotë ai.

Por jo vetëm programi televiziv ka luajtur një rol.

Meijer gjithashtu sheh një kulm për shkak të Covid-19.

“Njerëzit që shkonin me pushime aventureske në Vietnam ose Kamboxhia, për shembull, tani janë pak më afër shtëpisë. Gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë diçka ndryshe nga destinacionet e zakonshme dhe duan një eksperiencë autentike. Këtë mund ta gjeni në Shqipëri”, thekson Meijer.

”Shqipëria është vendi i fundit që u hap pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe ajo konsiderohej edhe Koreja e Veriut e Evropës. Mendohet gjithashtu se ka kriminalitet, por njerëzit që kthehen nga pushimet nga Shqipëria, na bëjnë të ditur se janë pritur shkëlqyeshëm”, përfundon Meijer./atsh/KultPlus.com