Klosi: Do kemi sezon veror jo të dëmtuar në maksimum, gati plani për distancimin në plazh

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, deklaroi se “duke parë mënyrën shumë të mirëmenaxhuar të pandemisë së koronavirusit, besoj do të kemi një sezon relativisht jo të dëmtuar në maksimum, një sezon që mund të shpëtojë për realitetin shqiptar”.

Në një intervistë televizive, Klosi tha se “nëse do të vendosim rregulla të qarta të distancimit dhe higjienës, besoj do të kemi një sezon që do t’i shpëtojë katastrofës në vendin tonë. Kemi turistë nga Kosova, Mali i Zi, turistë që nuk janë të varur nga kompanitë e fluturimit”.

“Avantazhet e turizmit në Shqipëri janë fakti që biznesi hotelier është familjar dhe nuk ka nevojë për vendimmarrje në borde, ndërkohë që me anulimin e fluturimeve dhe mosditjen se kur do të rinisin, vendi ynë ka një numër të madh turistësh që vijnë nga toka. Në gjithë historinë e koronës dhe krizës në Shqipëri dhe botë, pyetja më e vështirë është se kur do të përfundojë. Vendimi se kur do të hapet situata nuk dihet. Nuk dihet nëse sezoni do të jetë i përfshirë në aktivitet”, nënvizoi Klosi.

Ministri Kosi u shpreh se “me grupet e ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është duke u përgatitur një material të plotë për mënyrën e re të sezonit turistik ku të respektohen rregullat e higjienës dhe të distancimit social”.

Sa i përket fluturimeve, Klosi tha se “nëse situata fillon të marrë për mirë, dhe të kufizohet aq sa mundemi në raportin e higjienës besoj se do të fillojnë fluturimet, nga qershori me fluturimet e para shumë më tepër të kontrolluara për të hapur mundësi për udhëtime çarter”, tha ministri.

I pyetur nëse në qershor ka mundësi për të hapur fluturimet nëse kemi këta tregues, ministri Klosi tha se “rregullat e reja më shumë se sa pasaporta identifikuese, do të ketë ajo e historikut shëndetësor. Megjithatë, situata duket jo premtuese për rinisjen e fluturimeve nëse deri atëherë nuk do të gjendet vaksina”.

“Po diskutohet të hapen fluturime të kontrolluara ku më tepër se pasaporta me emër me mbiemër, do të ketë rëndësi pasaporta shëndetësore. Pa dalë vaksina do ta kemi të vështirë të kthehemi në normalitet”, theksoi ministri Klosi.

Lidhur me masat specifike për distancat mes çadrave në plazhe, Klosi tha se “ne kemi përgatitur një material të plotë së bashku me Ministrinë e Shëndetësinë që edhe ai është në diskutim nga grupet e ekspertëve. Italia i ka nxjerrë materialet e para, se e ka më specifike sipas rajoneve dhe ka nxjerrë masat e reja për plazhet, me distanca nëpërmjet çadrave, ka propozime në turizëm elitar ku të ketë ndarje me pleksiglas ndërmjet çadrave”.

“Ne e kemi bërë një material, do të jetë pjesë e diskutimet deri në momentin që do të mendojmë se do të fillojë hapja, një ide se si mund të jetë sezoni i plazhit po përpunohet nga grupi i ekspertëve. Sa i përket hotelerive dhe lokaleve, do të jenë të fundit që do të hapen”, tha Klosi. /atsh/ KultPlus.com

Studimi thotë: 65 % e shqiptarëve nuk kanë para për pushime

Sezoni veror ka hyrë në kulmin e tij, por për shumë shqiptarë pushimet janë një luks, që atë nuk mund t’ia lejojnë vetes.

Sipas një studimi të financuar nga Komisionin Europian, 65 për qind e familjeve shqiptare nuk kanë të ardhura as për të përballuar një javë pushime larg shtëpisë.

Kjo është shifra më e lartë në rajon, me diferencë të madhe nga vendet e tjera fqinje, ku pjesa e familjeve qe nuk përballojnë dot pushime varion nga 38 deri në 47 për qind.

Pushimet në Shqipëri janë një privilegj i pakicës, ndërsa pjesa më e madhe e familjeve duhet të luftojnë për të përmbushur nevojat e mbijetesës. / KultPlus.com

Sot nisë stina e verës

Stina e verës fillon sot në hemisferën veriore të Tokës . Ajo nis në orën 12 e 7 minuta. Në të njëjtën kohë në hemisferën jugore të Tokës nis stina e dimrit.

Dita e fillimit të verës është më e gjata në vit, kurse nata është më e shkurta e vitit.

Vera do të zgjasë deri më 22 shtator, kur fillon stina e vjeshtës.
Nesër dielli në Prishtinë lind në orën 4 e 58 minuta, ndërsa perëndon në orën 20 e 17 minuta, kështu që dita do të jetë e gjatë 15 orë e 25 minuta, ndërsa nata 8 orë e 35 minuta.

Me gjithë bindjet e njerëzve se në këtë ditë Toka është më së afërmi me Diellin, në këtë moment ajo është më së largu.

Për banorët e hemisferës veriore të Tokës vera fillon në atë moment kur drejtimi i boshtit të pjesës veriore të Tokës është më së afërmi me Diellin. Atë ditë lartësia e Diellit në mesditë është më e madhja gjatë vitit.

Në atë moment për banorët në pjesën hemisferën jugore të Tokës fillon stina e dimrit.
Por as atje nuk është kryesisht ftohtë për shkak të largësisë së madhe nga Dielli, por për shkak se në atë moment poli jugor qiellor është më së largu nga Dielli.

Për këtë arsye Dielli në mesditën e asaj dite arrin lartësinë e mundshme më të vogël gjatë vitit. Është e kuptueshme se për të qenë ftohët kontribuon dita më e shkurtër, ndërsa në vendin e tretë për nga ndikimi dhe distanca e përmendur më e madhe e Tokës nga Dielli, sqarojnë astronomët./ KultPlus.com

Shqipëria kryeson mes 15 destinacioneve për t’u vizituar

Agjencia italiane e udhëtimeve Volagratis.com ka hartuar një listë me 15 vendet më në tendencë për 2018, një përzierje mes destinacioneve që kanë parë një rritje të konsiderueshme në rezervime dhe sipas të dhënave të personave që kanë shfletuar në këtë faqe të famshme në internet.

Në vendin e parë renditet Shqipëria, e cila ruan një raport të shkëlqyeshëm të cilësisë dhe çmimeve, historisë dhe traditave, si dhe bregdetit të mrekullueshëm. Gjatë 2017 numri i vizitorëve u dyfishua, krahasuar me vitin e kaluar.

Historia dhe traditat, por mbi të gjitha natyra dhe plazhet që të lënë pa frymë, që nuk i kanë asgjë zili atyre të Tropikëve: Shqipëria është në krye të listës Top 15 të Volagratis.com, në sajë të raportit të shkëlqyer të cilësisë dhe çmimeve.

Agjencia italiane sugjeron turistët për të vizituar Shqipërinë gjatë korrikut dhe gushtit, pasi janë muajt kur dielli është i garantuar dhe deti është më i ngrohtë. Por edhe në pjesën tjetër të vitit, Shqipëria ende ofron një larmi të jashtëzakonshme të peizazheve dhe territoreve. Për ata që duan të përfitojnë nga çmimet më të ulta, shtatori është koha e duhur.

Në vendin e dytë gjejmë Tanzaninë, mbretërinë e natyrës së paprishur që tërheq më shumë aventurierët me ofertën e saj të pasur të safaris, trekking, snorkeling dhe zhytjes me breshka. Ndërsa në vendin e tretë është Bjellorusia, e cila po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorët italianë falë kështjellave të mrekullueshme. Në listën e Top 15 të Volagratis.com përfshihen edhe Moldavia, Oman, Kroacia, Namibi, Birmania,Bullgaria, Finlanda, Uzbekistan, Maqedonia, Belgjika, Republika Çeke dhe Jordania./ KultPlus.com

Sot në Suharekë nis edicioni i 16-të i ‘Festarit’

Sot më 25 shtator në Suharekë nis edicioni i 16-të, i festës së të rinjve dhe vjeljes së rrushit ‘Festari’, shkruan KultPlus.

Ky festival është festë e rinisë ngase bartës të projektit janë të rinjtë e kësaj komune, ndërsa ‘Festari’ cilësohet edhe si festë e artë sepse gjatë kësaj feste krijohen vlera të reja shpirtërore, humane, artistike e sportive.

‘Festari’ sivjet ka një program shumë dimensional dhe gjithëpërfshirës. Ky festival tashmë është tradicional dhe realizohet në javën e fundit të muajit shtator. Rrushi dhe përpunimi i verës është karakteristikë mijëvjeçare e trevës së Suharekës, andaj edhe ‘Festari’ përkon me gëzimin e vjeljes së rrushit dhe përpunimin e verës.

‘Festari’ nis sot më 25 shtator ndërsa përfundon më 1 tetor./ KultPlus.com

Festa e rrushit në Berat (FOTO)

Një nga kantinat e njohura për prodhimin e verës në Berat ka organizuar festën e vjeljes së rrushit, festë që çel fazën e prodhimit të verës në zonën, që prodhon më shumë verë dhe mban edhe markën e cilësisë.

Të ftuarit kanë provuar të vjelin rrush, të pinë verën si dikur me kanë prej balte, të shijojnë muzikën tradicionale dhe sidomos të ndjekin konkursin e famshëm të shkelëseve të rrushit.

Ishte një argëtim më vete ky konkurs ku morën pjesë gra e vajza të ftuara në këtë festë. Në fund një prej tyre u shpall fituese si shkelësja më e mirë e rrushit. Në këtë festë ishin të ftuar deputetë, aktorë dhe personalitete të tjera.

Zona e Beratit njihet për verën e saj cilësore dhe sidomos kantina Cobo me markën e saj ka arritur të marrë çmime duke u renditur ndër verërat më të mira shqiptare, përcjell konica.al./ KultPlus.com