RTL: Shqipëria destinacioni autentik i pushimeve gjithnjë e më popullor

Do të jetë Franca, Spanja, Italia apo Shqipëria në krye këtë vit?

Sipas agjencive të ndryshme turistike dhe ANWB-së (Shoqata Mbretërore Holandeze e Udhëtimeve), Shqipëria po bëhet një destinacion gjithnjë e më popullor pushimesh, shkruan faqja e njohur informative holandeze rtlnieuws.nl.

Vitin e kaluar vendi ishte kaq shumë i popullarizuar sa që disa agjenci udhëtimesh ishin mbushur plot.

Wladimir Meijer i ”Albania Travel” thotë se është e vështirë se mund të përballojë kërkesën për vendin.

Dikur ai filloi të organizonte udhëtime në Mal të Zi dhe më pas shtoi Shqipërinë.

“Njerëzit ishin aq të kënaqur me atë rajon sa vendosëm të ofrojmë udhëtime vetëm në Shqipëri,” tha ai për Editie NL.

Meijer thotë se shet aktualisht pesë herë më shumë udhëtime në atë vend.

”Krahasuar me vitin e kaluar, madje kemi një rritje prej 50 për qind. Vendi është padyshim në ngritje, këtë vit jemi tërësisht të shitur”, thekson Meijer.

Operatori turistik lokal Isuf Braho nga ”Visit Albania” po sheh gjithashtu gjithnjë e më shumë holandezë që vijnë në vendin e tij.

”Ne shohim që numri i holandezëve që vijnë në Shqipëri dyfishohet çdo vit”, tha ai për Editie NL.

”Pyeta shumë turistë se si erdhën në Shqipëri si destinacion. Ata thanë se nuk e kishin idenë se do të kishte një ndikim kaq të madh te ta”, thekson ai.

Prandaj Brahos i pëlqen të shohë holandezët të vijnë.

“Ata janë turistë të mirë. Ne kemi shumë male dhe shumë det dhe kjo tërheq njerëz të këndshëm”, shton Braho.

ANWB sheh gjithashtu një interes në rritje për Shqipërinë si një destinacion.

Sipas ekspertit televiziv Ron Vergouwen, programet televizive mund ta bëjnë një vend të popullarizuar për shkak të mënyrës se si ai portretizohet.

“Televizioni është një udhërrëfyes i madh pushimesh”, i thotë ai Editie NL.

”Gjithçka është filmuar aq bukur, sa asnjë broshurë udhëtimi nuk mund ta konkurrojë atë”, thotë ai.

Por jo vetëm programi televiziv ka luajtur një rol.

Meijer gjithashtu sheh një kulm për shkak të Covid-19.

“Njerëzit që shkonin me pushime aventureske në Vietnam ose Kamboxhia, për shembull, tani janë pak më afër shtëpisë. Gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë diçka ndryshe nga destinacionet e zakonshme dhe duan një eksperiencë autentike. Këtë mund ta gjeni në Shqipëri”, thekson Meijer.

”Shqipëria është vendi i fundit që u hap pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe ajo konsiderohej edhe Koreja e Veriut e Evropës. Mendohet gjithashtu se ka kriminalitet, por njerëzit që kthehen nga pushimet nga Shqipëria, na bëjnë të ditur se janë pritur shkëlqyeshëm”, përfundon Meijer./atsh/KultPlus.com

Stresi pas pushimeve, si t’i kthehemi rutinës e të rimarrim energjitë për shtatorin

A ju ka ndodhur të jeni të lodhur pas pushimeve verore? Mendohet që pas pushimeve të rikthehemi në punë me energji dhe shumë vullnet , por në të vërtetë ndodh që shumë njerëz të kthehen të lodhur, me shprehjen e zakonshme “Dua një palë pushime të tjera.”

Ajo çfarë duhet të bëjmë që t’i rikthemi rutinës tonë të përditshme, është përshtatja e dy javëve të para pas pushimeve në jetën e përditshme. Teksa zgjoheni në mëngjes me plane të qarta se pjesën më të madhe të ditës do ta kalojë në punë, planifikoni edhe ndonjë aktivitet tjetër me mitë tuaj në qytet pas pune në mënyrë që përshtatja të nis gradualisht.

Pse kemi depresion pas pushimeve?

Në përgjithësi, pushimet janë të mira për shëndetin tuaj mendor.

“Duke i dhënë vetes mundësinë për të eksploruar botën përreth nesh mund të ndryshojë shumë ndjenjat tona dhe më e rëndësishmja, të na ndihmojë të jemi më me energji për shtatorin. Ata nuk duhet të kushtojnë shumë para ose të zgjasin shumë, por mendja dhe trupi ynë duhet të ngadalësohen dhe të kthehen në brendësi.”- është shprehur Melody Ott.

Një studim i realizuar për një kohë relativisht të gjatë zbuloi se politikat në vendin e punës që lejojnë 10 ditë pushim të paguar janë të lidhura me një rënie prej 29 % të rrezikut të depresionit tek gratë. Studime të shumta kanë zbuluar se pushimet zvogëlojnë stresin dhe forcojnë imunitetin tuaj.

Shumë studiues thonë: Lumturia që ndjejmë gjatë pushimeve zakonisht nuk zgjat. Kur pushimet mbarojnë,  njerëzit kthehen në nivele fillestare të lumturisë brenda disa ditësh.

Megjithatë të gjithë e dimë se pushimet kanë lodhjen e tyre, aktivitete, plazh, shëtitjet në det,  ecje në mal, gatime, takime me miqtë dhe shokët, festa. Por kur kthehemi, nuk duhet të synojmë, t’i kthehemi rutinës për një ditë. Duhen të paktën 2 javë, për të kapur ritmin e jetës sonë të përditshme./atsh/ KultPlus.com

Kompensim për pushimet e prenotuara, Klosi: Në interes të qytetarëve dhe në sinkron me vendimet e shtetet e BE-së

Në Fletoren Zyrtare është botuar sot Akti Normativ i miratuar në Këshillin e Ministrave, sipas të cilit pushimet e prenotuara përpara gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duhet të përmbushen nga agjencitë apo operatorët turistikë brenda një viti nga dita e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha sot se “ky Akt Normativ shkon në interes të qytetarëve, në sinkron me vendimet e shtetet e Bashkimit Europian dhe çdo vendi të zhvilluar turistik. Ky vendim shkon drejtëpërdrejtë në të drejtën e qytetarëve për të marrë shërbimin e prenotuar brenda vitit”.

Me propozimin e ministrit Klosi, ky Akt Normativ i miratuar nga qeveria ka për objekt përcaktimin e masave të veçanta që do të merren në sektorin e turizmit, për agjencitë e udhëtimit, operatorët turistikë dhe klientët e tyre, në ofrimin e një shërbimi udhëtimi, nga dita e shpalljes deri në përfundim të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID-19.

Ky akt normativ ka për qëllim mbështetjen e sektorit të turizmit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke ofruar një balancim dhe siguri ekonomike në funksion të përmbushjes së kërkesave të klientëve, në një mjedis të sigurt, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID-19.

“Operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, të cilët, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose si ndërmjetës, kanë marrë përsipër t’u ofrojnë klientëve çdolloj shërbimi udhëtimi apo një sërë shërbimesh të tjera ndihmëse, dhe këto shërbime janë të parapaguara ose të rezervuara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përjashtimisht detyrimeve të parashikuara shprehimisht në kontratë, të kryejnë rimbursimin e tyre, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ”, sqarohet në Aktin Normativ.

Ndërkohë që operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, që kanë lidhur kontrata ndërmjetësimi për shitjen e shërbimeve të ofruara nga furnizuesit e shërbimeve të udhëtimit me klientin dhe këto shërbime janë të parapaguara ose të rezervuara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përjashtimisht detyrimeve të parashikuara shprehimisht në kontratë, të kryejnë rimbursimin e tyre, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij Akti Normativ.

Klienti i një pakete udhëtimi apo dokumenti udhëtimi, nga/apo nëpërmjet agjencive të udhëtimit ose operatorit turistik, për shërbimet e udhëtimit të parapaguara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përjashtimisht detyrimeve të parashikuara shprehimisht në kontratë, përfiton rimbursimin e tyre brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij Akti Normativ.

“Në rast të pamundësisë së realizimit të kontratave të transportit të klientëve me mjetet e transportit ajror, si pasojë e masave kufizuese të ndërmarra për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID-19, nga/dhe aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë, transportit detar nga të gjitha portet në vend ose ujërave të brendshme, subjektet e parashikuara në këtë Akti Normativ, detyrohen të njoftojnë, sipas rastit, respektivisht agjencinë/ transportuesin/akomoduesin ose organizatorin e paketave të udhëtimit/klientin për pamundësinë e zbatimit të kontratave të transportit, duke bashkëlidhur dokumentacionin që vërteton dokumentin e udhëtimit ose rezervimin e qëndrimit ose kontratat e paketave të udhëtimit”, nënvizohet në Aktin Normativ.

Në Aktin Normativ thuhet se “operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit, brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga komunikimi i përmendur në pikën 2, të nenit 6, të këtij akti normativ, të rimbursojnë dokumentin e udhëtimit dhe/ose paketën e udhëtimit nëpërmjet lëshimit të një kuponi (voucher), që korrespondon me të njëjtën vlerë/shumë totale që duhet të kthehet, duke i ofruar klientit mundësinë e përdorimit të kuponit për të njëjtin shërbim ose një të ngjashëm, që i përket kontratës së ndërprerë, e cila do të përdoret brenda 1 (një) viti. Në rast se nuk realizohet shërbimi, sipas parashikimeve të pikës 1, të këtij neni, operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit t’i rimbursojnë klientit vlerën/shumë totale të paguar”.

Operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit, të cilët nuk e zbatojnë këtë akt normativ, përveç përmbushjes së detyrimeve kontraktuale ndaj klientit, dënohen me gjobë, për çdo kontratë të parealizuar./atsh/ KultPlus.com

A do të kemi pushime verore këtë vit?

Pushimet kësaj radhe pritet të jenë më ndryshe me masat që duhet të merren edhe në plazh.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, ka ndërruar retorikë sa i takon pushimeve verore.

Teksa shumë njerëz po i presin me padurim po dhe në ankth nga pandemia e koronavirusit, sipas shefes së KE-së pushuesit evropianë duhet të jenë optimistë se mund të bëjnë disa ditë pushime verore.

Von Der Leyen deklaroi për mediat portugeze se pushimet mund të bëhen realitet, por duhen gjetur disa zgjidhje të mënçura.

“Do mundohemi të gjejmë zgjidhje të mençura për këto pushime. Ndoshta do të jenë pak ndryshe, me më shumë masa higjiene apo distancimi social, por unë jam optimiste se do të gjejmë alternative”, u shpreh ajo.

Kujtojmë se një javë më parë ajo iu tha miliona qytetarëve të botës që shpresonin për pushime në Evropë, të mos bënin asnjë plan për këtë verë, transmeton Scan.

Autoritetet në Itali ndërkohë po punojnë nga këndvështrimi i akteve administrative dhe rregulloreve të nevojshme për të mundësuar që këtë verë plazhet të rihapen dhe sektori i turizmit të rifillojë punën.

Por këshëria për të shkuar në plazh është aq e madhe saqë një kompani në Modena, në Itali ka projektuar vendrelaksimet e njerëzve; kuti transparente me mure Plexiglas-i dhe profile alumini 4,5 metra dhe dy metra të larta.

Në rastin e çadrave, ato mund të vendosen të paktën 3 m larg nga njëra tjetra kurse në restorante po mendohet që tavolinat të ndahen me xham apo dhe Plexiglas për të mënjanuar sa më shumë kontaktet mes njëri-tjetrit. /KultPlus.com

Klosi: Do kemi sezon veror jo të dëmtuar në maksimum, gati plani për distancimin në plazh

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, deklaroi se “duke parë mënyrën shumë të mirëmenaxhuar të pandemisë së koronavirusit, besoj do të kemi një sezon relativisht jo të dëmtuar në maksimum, një sezon që mund të shpëtojë për realitetin shqiptar”.

Në një intervistë televizive, Klosi tha se “nëse do të vendosim rregulla të qarta të distancimit dhe higjienës, besoj do të kemi një sezon që do t’i shpëtojë katastrofës në vendin tonë. Kemi turistë nga Kosova, Mali i Zi, turistë që nuk janë të varur nga kompanitë e fluturimit”.

“Avantazhet e turizmit në Shqipëri janë fakti që biznesi hotelier është familjar dhe nuk ka nevojë për vendimmarrje në borde, ndërkohë që me anulimin e fluturimeve dhe mosditjen se kur do të rinisin, vendi ynë ka një numër të madh turistësh që vijnë nga toka. Në gjithë historinë e koronës dhe krizës në Shqipëri dhe botë, pyetja më e vështirë është se kur do të përfundojë. Vendimi se kur do të hapet situata nuk dihet. Nuk dihet nëse sezoni do të jetë i përfshirë në aktivitet”, nënvizoi Klosi.

Ministri Kosi u shpreh se “me grupet e ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është duke u përgatitur një material të plotë për mënyrën e re të sezonit turistik ku të respektohen rregullat e higjienës dhe të distancimit social”.

Sa i përket fluturimeve, Klosi tha se “nëse situata fillon të marrë për mirë, dhe të kufizohet aq sa mundemi në raportin e higjienës besoj se do të fillojnë fluturimet, nga qershori me fluturimet e para shumë më tepër të kontrolluara për të hapur mundësi për udhëtime çarter”, tha ministri.

I pyetur nëse në qershor ka mundësi për të hapur fluturimet nëse kemi këta tregues, ministri Klosi tha se “rregullat e reja më shumë se sa pasaporta identifikuese, do të ketë ajo e historikut shëndetësor. Megjithatë, situata duket jo premtuese për rinisjen e fluturimeve nëse deri atëherë nuk do të gjendet vaksina”.

“Po diskutohet të hapen fluturime të kontrolluara ku më tepër se pasaporta me emër me mbiemër, do të ketë rëndësi pasaporta shëndetësore. Pa dalë vaksina do ta kemi të vështirë të kthehemi në normalitet”, theksoi ministri Klosi.

Lidhur me masat specifike për distancat mes çadrave në plazhe, Klosi tha se “ne kemi përgatitur një material të plotë së bashku me Ministrinë e Shëndetësinë që edhe ai është në diskutim nga grupet e ekspertëve. Italia i ka nxjerrë materialet e para, se e ka më specifike sipas rajoneve dhe ka nxjerrë masat e reja për plazhet, me distanca nëpërmjet çadrave, ka propozime në turizëm elitar ku të ketë ndarje me pleksiglas ndërmjet çadrave”.

“Ne e kemi bërë një material, do të jetë pjesë e diskutimet deri në momentin që do të mendojmë se do të fillojë hapja, një ide se si mund të jetë sezoni i plazhit po përpunohet nga grupi i ekspertëve. Sa i përket hotelerive dhe lokaleve, do të jenë të fundit që do të hapen”, tha Klosi. /atsh/ KultPlus.com