Scarlett Johansson thyen rekord historik: Aktorja me fitimet më të larta në historinë e kinemasë



Scarlett Johansson ka hyrë zyrtarisht në histori si aktorja kryesore me fitimet më të larta në botë, duke kaluar emra të mëdhenj të Hollivudit si Robert Downey Jr. dhe Samuel L. Jackson.

Ky rekord vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm të filmit të ri “Jurassic World: Rebirth”, ku Johansson interpreton Zora Bennett, një ish-ushtarake e përfshirë në një mision të rrezikshëm në një nga ishujt e fundit të banuar nga dinosaurët. Filmi ka arkëtuar plot 318 milionë dollarë në vetëm gjashtë ditë, duke e katapultuar aktoren në krye të listës së yjeve më fitimprurës të kinemasë.

Me këtë sukses, të ardhurat totale nga biletat për filmat në të cilët Scarlett Johansson ka pasur një rol kryesor ose bashkë-drejtues kanë arritur në 14.8 miliardë dollarë globalisht – një shifër që asnjë aktore tjetër nuk e ka arritur ndonjëherë.

Ky arritje nuk është thjesht çështje numrash, por pasqyrë e karizmës, shkathtësisë dhe talentit të shumëanshëm të Johansson, e cila ka ditur të spikasë në çdo zhanër nga komeditë elegante dhe dramat emocionale, deri te filmat aksion dhe animacionet.

Pjesë e suksesit të saj janë padyshim edhe rolet në universin Marvel, ku ajo u bë ikonike si Black Widow. Por ajo ka shkëlqyer edhe në filma si Sing, Marriage Story, Jojo Rabbit dhe shumë të tjerë.

Një tjetër fakt i jashtëzakonshëm: Johansson ka arritur këtë rekord pas vetëm 36 filmash, krahasuar me 71 projekte të Samuel L. Jackson. Fitimet e saj mesatare bruto për film kalojnë 400 milionë dollarë, një tjetër tregues i ndikimit të saj të jashtëzakonshëm në industrinë e filmit.

Scarlett Johansson nuk është vetëm një yll kinemaje,ajo është tashmë një ikonë historike e ekranit të madh./ KultPlus.com

Scarlett Johansson planifikon shumë filma me “Disneyn”

Aktorja Scarlett Johansson ka thënë se miqësisht ka arritur marrëveshje me “Disneyn” për padinë që ka bërë ndaj studios filmike dhe ka konfirmuar filmin e ri me kompaninë e njohur amerikane.

Ylli i filmit “Black Widow” paditi “Disneyn” për 50 milionë dollarë, me arsyetimin se vendimi i studios për lansimin e filmit të saj në platformën “Disney+” në të njëjtën kohë me lansimin nëpër kinema, ka shkelur kontratën dhe ka ndikuar keq në pagën e saj.

Sidoqoftë, aktorja 36-vjeçare ka pranuar një marrëveshje, e cila nuk është publikuar dhe planifikon që të vazhdojë punën me studion “Disney” edhe për vitet e ardhshme.

“Jam e lumtur që tejkaluam dallimet me ‘Disneyn’. Jam krenare me punën që bëj dhe jam ndier mirë me ekipin. Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin për vitet e ardhshme”, ka thënë aktorja e njohur.

Gjithashtu është bërë e ditur se aktorja e “Avengers: Endgame” do të jetë aktore dhe producente e filmit “Tower of Terror” të bazuar në Disneylandin.

“Jam i kënaqur që kemi arritur marrëveshje me Scarlett Johanssonin në lidhje me ‘Black Widow’. E çmojmë shumë kontributin në universin Marvel dhe mezi presim të bashkëpunojmë për projektet e ardhshme”, ka thënë shefi i studios filmike “Disney”, Alan Bergaman.

Në padinë ndaj studios, Johansson kishte thënë se paga e saj për “Black Widow” varej direkt nga performanca e filmit në arkat filmike. Studioja më vonë i është përgjigjur se do ta kompensonin për humbjet dhe se nuk kishte faj për padinë e aktores.

“Nuk kemi faj për padinë. Ajo është gjë e hidhur dhe nuk arsyeton efektet e mëdha të pandemisë së koronavirusit”, thuhej në arsyetimin e studios.

“Kompania e ka respektuar kontratën me Johanssonin dhe me lansimin në dy platformat është mundësuar për kompensim shtesë përtej 20 milionë dollarëve që ka marrë deri më tani”, ka sqaruar studioja.

“Black Widow” në javën e parë të transmetimit tuboi 80 milionë dollarë nga arkat filmike dhe 78 milionë të tjera nga arkat ndërkombëtare. 60 milionë dollarë të tjerë u siguruan nga rrjetet e transmetimeve online. / KultPlus.com

Photo by David Fisher/REX/Shutterstock (10197471r)

Scarlet Johansson nuk do t’i kthehet rolit të superheroines në ‘Black Widow’

Më shumë se 10 vjet pasi që ka luajtur për herë të parë në rolin kryesor, Scarlet Johanssoni ka thënë se nuk planifikon që të rikthehet më në filmin “Black Widow”.

Aktorja e famshme e cila e ka luajtur në këtë film që nga viti 2010, ka deklaruar se filmi i ardhshëm “Black Widow”, do të ishte një rrugë e mirë për tu larguar nga karakteri.

“Nuk kam plane që të rikthehem në rolin e Natashas”, ka thënë aktorja 35-vjeçare për Fatherly, transmeton KultPlus.

“Jam shumë e kënaqur me filmin. Është momenti më i mirë tani që të largohem nga kapitulli i identitetit tim si Marvel në këtë film”, ka thënë Johanssoni.

Kjo është hera e parë që aktorja diskuton planet e saj për të mos qenë më pjesë e filmit “Black Widow”.

Muajin e kaluar, ajo kishte deklaruar se lënia e rolit të saj pas 11 vjetësh ishte diçka e ëmbël. / KultPlus.com

Scarlet Johansson akuzon ‘Golden Globe’ për seksizëm, kërkon të bojkotohet ngjarja

Aktorja e famshme amerikane, Scarlet Johansson ka akuzuar Shoqatën e Shtypit të Huaj të Hollywood-it (HFPA), organizatë kjo e cila qëndron pas ceremonisë së madhe të çmimeve filmike ”Golden Globe”, përcjell KultPlus.

Në një deklaratë, Johansson ka akuuar HFPA-në që po toleron seksizmin ndërkohë që ka kërkuar nga të tjerët në industrinë e filmit që ta bojkotojnë organizatën der sa të arrihet në ndryshme rrënjësore në këtë drejtim.

“Në të kaluarën, kjo shpesh ka nënkuptuar përballjen me pyetje dhe vërejtje seksiste nga disa anëtarë të HFPA që kufizohen me ngacmime seksuale. Kjo është arsyeja e saktë pse unë, për shumë vite, refuzova të merrja pjesë në konferencat e tyre”, ka thënë Johansson.

HFPA-ja është e përbërë nga rreth 90 gazetarë ndërkombëtarë. Ata çdo vit përzgjedhin fituesit e Golden Globe Awards e cila ndryshe njihet si ngjarja më e madhe e filmit në botë, pas “The Oscars”. / KultPlus.com