Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare mbahet në tetor

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e tetë sesione. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Me drejtor, Prof. dr. Shkumbin Munishi, bashkëdrejtore: Prof. dr. Dhurata Shehri, sekretar: Prof. dr. Osman Gashi, bashkësekretare: Prof. asoc. dr. Linda Mëniku
dhe sekretare profesionale: MA. Herolinda Bylykbashi dhe MA. Arta Hallaçi, Seminari i XXXIX do t’i zhvillojë punimet në Prishtinë më 30 – 31 tetor 2020.

Hapja solemne e Seminarit XXXIX do të bëhet më 30 tetor 2020, në orën 9:00.

Programi bazë i Seminarit XXXIX:
1. Tryeza;
2. Sesione shkencore;
3. Referime shkencore;

Sesionet Shkencore (31 tetor 2020)
Temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore (31 tetor 2020) janë:

1. Gjuhësi: Struktura e shqipes së vjetër
Në zhvillimin e saj historik gjuha shqipe ka ndërtuar tiparet e saj strukturore, të cilat në të kaluarën kanë qenë objekt studimi i shumë studimeve historike-krahasimtare. Në sesionin e sivjetmë të Seminarit do të diskutohen përsëri aspektet e ndryshme që kanë të bëjnë me strukturën e shqipes së vjetër, ashtu siç del e pasqyruar në shkrimet e vjetra, dhe tiparet strukturore të saj. Inkurajohen pjesëmarrësit që në studimet e tyre të trajtojnë çështje e probleme konkrete strukturore që lidhen me sistemin e shqipes së vjetër.

2. Letërsi: Letërsia shqipe: vetmia dhe veçimi
Këto topika të forta të letërsisë universale me prani të gjithëkohëshme në letërsi, kanë gjurmë e janë bërë produktive edhe në letërsinë shqipe. Një hetim i gjurmëve dhe relacioneve me topikat, poetikat, periudhat, autorët dhe gjinitë e letërsisë shqipe është i mundur. Vetmia dhe veçimi shfaqen edhe si gjendje e parakushte të krijimit në përgjithësi dhe atij letrar në veçanti.
Duke u nisur nga këto dy prerje të mëdha, letërsia shqipe mund të hetohet e interpretohen nën dritën e:
– Vetmisë si parakusht i kërkimit, zbulimit dhe krijimit të vetvetes dhe botës;
– Vetmisë dhe veçimit si ndërtim e zotërim i vetvetes dhe i identitetit personal;
– Veçimit prej shoqërisë si distancë higjenike prej “tjetrit” ( edhe ai i zbulueshëm pikërisht prej vetmisë dhe veçimit) për të zbuluar kufijtë e vetvetes;
– Mungesës së veçimit social si parakusht e produkt i letërsisë së masës;
– Vetmisë dhe veçimit të individit krijues nga shoqëria, dukuri e “izma-ve” letrare të shekullit XX, edhe në letërsinë shqipe.

3. Kulturologji: Roli i medias në periudhën e infodemisë
Fjalën ‘infodemi’ që për herë të parë në 2003 e ka përmendur një artikull i Ëashington Post-it, e ka ripërdorur Organizata Botërore e Shëndetësisë në shkurt të këtij viti si ‘infodemi masive’, që po e shoqëron shpërthimin e pandemisë të Covidit. Ky term për OBSH-në nënkupton vërshimin e madh të informatave rreth virusit, një pjesë e të cilave nuk janë ta sakta dhe e vështirësojnë gjetjen e burimeve të verifikuara për publikun.
Në periudhën e post-së -vërtetës, diskursit popullist, dhe zhvillimit marramendës të teknologjisë digjitale, po bëhet gjithnjë më e vështirë të dallohen informacionet faktike nga propaganda. Dezinformatat për coronavirusin po shpërndahen po aq shpejt sa edhe vetë virusi, duke filluar prej ilaçeve mrekullibërëse të mjekësisë alternative e deri te aktivizmi për anti-vaksinim dhe teoritë e konspiracionit. Lajmet e rreme që shpesh janë të dorës së dytë apo të tretë, bëhen virale sidomos nëpër rrjetet sociale, dhe pakkush nga publiku ua kushton ato 20 sekonda të larjes së duarve edhe verifikimit të burimit apo kërkimit të thjeshtë në google.Infodemia shkakton efekt të fuqishëm emocional duke i lënë anash gjykimin racional dhe mendimin kritik.
Cili është roli i medias në këtë kaos infodemik?

Tryezat shkencore:
– 120 vjetori i vdekjes së Naim Frashërit;
– 80 vjetori i vdekjes së Gjergj Fishtës.

Abstraktet deri në 300 fjalë në shqip dhe në anglisht dorëzohen deri më 15 tetor 2020 në e-mail adresën [email protected]. Abstraktet duhet të përmbajnë temën dhe qëllimin e hulumtimit, sfondin kërkimor dhe metodologjinë si dhe rezultatet e pritura. Po ashtu, luteni të shkruani një biografi të shkurtër dhe të specifikoni se a aplikoni për tryezë, sesion shkencor apo referim shkencor. Vlerësimi dhe përzgjedhja e punimeve bëhet deri më 25 tetor 2020.

Studiuesit nga Shqipëria duhet të aplikojnë në bashkëdrejtorinë e Seminarit në Tiranë (e-mail adresa: [email protected]).
Studiuesit nga vendet e tjera të botës, të cilët për shkak të rrethanave të pandemisë nuk mund të jenë të pranishëm fizikisht në Seminar, mund të aplikojnë për të marrë pjesë online në punimet e Seminarit.

Po ashtu, ftohen studiuesit të cilët nuk do të mund të jenë pjesë e Seminarit të sivjetmë dhe ta shpalosin punën e tyre shkencore që t’i dërgojnë punimet e tyre për botim të revistës së Seminarit 39. Punimet të cilat duhet të përmbajnë abstraktin në shqip dhe anglisht dorëzohen deri më 1 dhjetor 2020 në e-mail adresën [email protected].
Do të botohen vetëm punimet që janë vlerësuar të botueshme nga recensentët. / KultPlus.com

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare këtë vit me mbi 100 pjesëmarrës

Bujar Meholli

Edicioni i 38-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqipe pritet të nis së shpejti. Tashmë është gjithçka gati për fillimin e tij. Edhe në këtë edicion, shumë studentë e studiues nga mbarë rajoni do t’i trajtojnë problemet e gjuhësisë dhe letërsisë shqipe, shkruan KultPlus.

Më 19 gusht me fillim nga ora 11:00, do të bëhet hapja zyrtare e Seminarit XXXVIII. Ky vit do të jetë interesant për faktin se janë bërë 45 vjet që kur është themeluar Seminari në Fakultetin e Filologjisë. Gjatë këtyre vjetëve ka pasur gjithsej 37 sesione, disa prej tyre të mbajtura edhe në Tiranë.

Përmbi 100 pjesëmarrës pritet të jenë në këtë edicion jubile, i cili shpërfaq edhe vazhdimësinë e këtij Seminari ndër vite.

Për këtë numër të madh të pjesëmarrësve nga mbarë bota, janë të entuziazmuar edhe organizatorët. Drejtori i Seminarit Shkumbin Munishi, thotë se ndjehet i lumtur që edicioni i ri është gati të fillojë.

“Do të ketë mjaft pjesëmarrës dhe ne jemi të lumtur. Presim studiues nga shumë vende të botës si nga Polonia, Gjermania, e me radhë. Do të organizojmë edhe kurset e gjuhës e aktivitete tjera. Janë rreth 80 studiues që do të marrin pjesë në aktivitetet shkencore”, thotë Munishi.

Në programin bazë të Seminarit do të ketë edhe kurse intensive të mësimit të shqipes si dhe ligjërata për letërsinë, kulturën shqipe si dhe referime, tryeza, e ligjërata të përgjithshme.

Seminari, padyshim që është një nga ngjarjet kryesore kulturore në vend. Tashmë me traditë disadekadëshe, Seminari luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e jetës kulturore në vend si dhe krijon imazh pozitiv edhe në arenën ndërkombëtare me studiuesit nga mbarë bota që i sjellë në Prishtinë.

Pjesëmarrësit në edicionin e 38-të të Seminarit, do të zbarkojnë në Prishtinë më 18 gusht. /KultPlus.com

Seminari i 15-të mbarëkombëtar i mësimit të Gjuhës Shqipe

Me përkrahje nga Ministria e Arsimit, Shencës dhe Teknologjisë së Kosovës dhe Shqipërise, në Prizren sot ka filluar Seminari i 15-të mbarëkombëtarë i mësimit të Gjuhës Shqipe në Diasporë.

Pjesëmarrësit e këtij seminari, që tashmë ka krijuar edhe nje traditë disa vjecare, do të jenë përfaqësues nga Ministria e Arsimit të Kosovës dhe poashtu edhe asaj të Shqipërisë. Të angazhuar në procesin e seminarit do të jenë edhe mësimdhënës të gjuhës shqipe që veprojnë në diasporë.

Heset Sahiti, zëvendësministri i Arsimit të Kosovës, deklaroi se seminari është në funksion të ruajtjes së gjuhës, traditës e të kulturës tonë kombëtare.

Ai po ashtu potencoi se, cdo ditë po ndërmerren hapa konkret në jetësimin e marrëveshjes së përbashkët Kosovë-Shqipëri në fushën e arsimit, duke filluar nga kurrikulat e perbashkëta, tekstet shkollore për diasporën dhe programme të reja të mësimdhënies modern sa i përket të mësuarit të gjuhës shqipe. Edicioni I këtij seminari do të vazhdojë punimet deri më 3 gusht. / KultPlus.com