Aplikoi në skemën kombëtare, banorja nga Shëngjergji hap pikë agroturizmi

Bukuria natyrore dhe monumentet e trashëgimisë kulturore e bëjnë fshatin e Shëngjergjit, rreth 40 km në lindje të Tiranës, një destinacion që ia vlen të vizitohet gjatë fundjavës.

Kjo e ka shtyrë Albina Çukon, që ta kthejë shtëpinë e saj në një pikë agroturizmi pasi aplikoi në vitin 2018 për subvencionim në skemën kombëtare në bujqësi.

Gjatë çeljes së programit të mbështetjes së bujqësisë 2019, Çuko theksoi se “jam aplikuese e vitit 2018 në skemat qeverisëse për zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit në vendin tonë”.

“Meqenëse Shëngjergji është në projektin e 100 fshatrave duke pasur këtë shtëpi banimi mora inicativën dhe aplikova në Agjencinë e Zhvillimit Rural”, -nënvizoi Çuko.

Falë ndihmës së agjencisë, vijon ajo, arrita të realizoj ëndrrën time për ta kthyer këtë shtëpi në bujtinë.

“Sot shtëpia është e realizuar dhe është gati të mirëpresë miqtë vendas e të huaj”, – tha Çuko.

Ajo ftoi banorët e Shën Gjergjit të aplikojnë në këtë skemë.

“Ftoj të gjithë banorët e komunitetit të aplikojnë në skemat e 2019 për zhvillimin e turizmit në këtë fshat të bukur”, tha Çuko.

Shëngjergji, dukej si një vend shumë larg nga Tirana, por sot është kaq afër. Nga njëra anë lumi e nga ana tjetër natyra malore e bëjnë një zonë tërheqëse për t’u vizituar.

Shëngjergji ka një reliev malor ku kuota më e ulët është shtrati i lumit Erzen dhe kuota më e lartë është Mali me Gropa. Kjo zonë me pamje të mrekullueshme, me terrene kodrinore dhe malore është e pasur me burime të shumta ujore dhe liqene.

Mendohet se në shekujt XII-XIV quhej “Tomadhe” ose “Tame Dea” – Perëndeshë e Burimeve Ujore “. Pas vitit 1600, mori emrin “Shën Gjergji “.

Këtu mund të vizitoni ujëvarën e Shëngjinit, Rrënojat e Kështjellës së Shëngjinit, Kalaja e Shën Gjergjit, Shpellën e Valit, Vendi i shenjtë dhe varri i vjetër si dhe Mali i Gropa./k.s/ Kultplus.com

“Rana e Hedhur”, perla e Shëngjinit me plazhe të pastra dhe shëruese

Turizmi mbetet prioritet për Bashkinë e Lezhës dhe këtë verë bregdeti është çdo ditë e më i pastër.

Drejtoria e shërbimeve publike të Lezhës po vijon çdo ditë punën për pastrimin e plazhit publik te Rana e Hedhur.

Rana e Hedhur ndodhet fare pranë qytetit të Shëngjinit në veriperëndim të portit detar.

Vendasit e quajnë kështu sepse rrymat detare dhe era e kanë grumbulluar rërën në këtë gji të vogël detar në formë xhepi.

E veçanta është se ky grumbull rëre është i pastër dhe i veçuar nga plazhi i madh dhe është një plazh shkëmbor.

Ky plazh i vogël ka një shtrirje rreth 500 m i gjatë dhe rreth 100 m i gjerë.

Është një plazh me vlera kurative për shkak të pastërtisë së rërës dhe ambientit. Pushues të shumtë vendas dhe të huaj preferojnë të pushojnë aty.

Rruga që të çon drejt rërës së hedhur është një rrugë e kalueshme fal edhe bizneseve që kanë aktivitetin e tyre në këtë zonë./ata